Basha, në “Opinion”: Bulevardi i Tiranës, dimension i hapësirës publike dhe individuale

“Qytetarët e Tiranës do të jenë vendimmarrës në zgjedhjen e projektit për bulevardin e ri”. Kështu u shpreh dje, kryebashkiaku Lulzim Basha, në emisionin “Opinion”, në Televizionin Klan. Ai deklaroi se në këto tri ditë është vizituar nga 780 qytetarë që kanë lënë komente, 30 për qind nuk kanë lënë komente, kanë dhënë si arsye se do të kthehen përsëri. Edhe po të ishte bërë prezantimi i drejtpërdrejtë, do të ishte e vështirë për publikun t’i ndiqte: “Është moment i rëndësishëm për përzgjedhjen. Juria është e përbërë nga personalitete të raundit botëror. Procesi vendimmarrës do të kalojë në disa etapa. Juria është shprehur për dy projekte, janë çmime për dy projekte dhe për një kryeqytet evropian që kanë propozuar zgjidhje. Mendoj se është lajm për urbanistikën qytetare – ne do të shohim interes të jashtëzakonshëm”,- tha ai.

– 5 projektet që janë skualifikuar, pjesë të tyre do implementohen në planin final të Tiranës?

Edhe studio të tjera do të mund të katalizojnë për këtë projekt. E mira e këtij konkursi është që duke angazhuar për një etapë konkrete një numër të madh firmash, krijon një volum praktike, një volum zgjidhjeje, të cilat frymëzojnë dhe mund të përdoren për zgjidhje. Nga të dyja projektet që juria është shprehur me vlerësim të barabartë, brenda javës ne do të finalizojmë; pra do përzgjidhet njëra nga studiot që do të marrë drejtimin e projektit. Do u përgjigjen disa pyetjeve që kanë projekte të ndryshme, të autorizuara nga bashkia e Tiranës, do të jenë pyetjet e grupit strategjik dhe të disa grupeve të interesit, arkitektëve, ndërtuese, etj., dhe pyetje të tjera.

– Përse zgjodhët këtë mënyrë? Pse nuk e latë këtë proces dhe zgjedhjen në një datë tjetër?

7 projektet janë të ekspozuara. Konteksti ku zhvillohet konkursi duhet të jetë në nivelin maksimal, kemi aplikuar rregullat, procedurat transparente, duke kërkuar e duke marrë edhe nga ana e kontribuuesve dhe ana e jurisë kapacitete më të larta. Hapat e përcaktuara qartë na kanë çuar tek përfundimi i dy finalistëve. Opinioni për këto projekte janë të përcaktuara qartë. Ka dy mundësi, t’i hedhim në referendum, çka do të ishte padrejtësi, mendojmë. Dhe tjetra është të vendosësh në një plan vlerësimi profesional studime profesionale. 7 projektet do të qëndrojnë të ekspozuara për 30 ditë. Studiot serioze të marrin pjesë në konkurs, duhet të kenë garanci, transparenca është si kurrë ndonjëherë. Rezultati përfundimtar do të jetë ai rezultat që ka marrë parasysh mendimin e qytetarit. Do i lihet kohë për përgjigjen. Kjo do i hap mundësinë që brenda muajit prill të përfundojmë me procedurat e shpalljes së fituesit.

– Kemi më shumë konkurse se sa projekte të vendosura në punë – me shpresë që Parlamenti i ri do të mund të vihet në lëvizje. A do të jetë dhe ky një projekt që do të përfundojë në koshin e plehrave?

Përgjigjja është absolutisht jo. Për dy arsye. E para, bëhet fjalë për një projekt që mbështetet në një premtim të kolauduar në rrethanat e një fushate elektorale, një premtim që ka gjetur rrugën e vet të mbështetjes, ka qenë një nga faktorët e vendimmarrjes politike të majit. Është premtim që është diskutuar dhe ka gjetur mbështetje qytetare. Vjen si rezultat i një nevoje të prekshme, por nga i gjithë qytetet, i cili në 20 vitet e demokracisë, ka pësuar tranzicion demografik. Ka pësuar energjinë e tranzicionit, të lirisë, duke akumuluar këtë energji dhe duke pasur parasysh problemet që shkaktoi trefishimi i qytetit, t’i kthejë qytetit dimensionet në realitet. Dimensioni i hapësirës publike individuale është dimensioni i një infrastrukture të një niveli evropian dhe projektet edhe për ata fëmijë që ende nuk kanë lindur.

– Shpallja e konkursit ka qenë publike?

Publiku ka ndjekur në një format të hapur konkursin dhe vazhdon të ndjekë produktet e tij. Procesi, si filloi, si erdhëm ne këtu dhe si e çuam deri tek finalizimi i dy projekteve, ishte rezultat i nevojës së qytetarëve të Tiranës dhe e ndoqëm bashkë me ta.

– Është nxitur nga nevoja e publikut për riorganizimin e hapësirave publike apo nga ndërtuesit?

E para, është e rëndësishme për të sqaruar procesin se si lindi, si u aktualizua, si u kthye në vullnet politik e si bashkë me qytetarët na solli në këtë produkt. Ky nuk është një projekt betonizimi, është një projekt gjelbërimi, infrastrukture të re. Është një projekt që ka lindur si nevojë për të zgjedhur hapësirat publike, për ta bërë qytetin më të blertë, duke rritur shanset për punësim dhe mundësinë për një Tiranë më të mirë. Ky është i vetmi projekt. Çdo projekt tjetër është rikualifikim urban. Pse erdhën 7 studiot në Tiranë? Është mundësia e fundit në Europë për të bërë një ndërhyrje të tillë, një ndërhyrje kaq të domosdoshme. Jam i bindur se secili prej arkitektëve nuk do ia kishte dalë pa rënë në dashuri me aspektet e qytetit, është një nga shpirtrat më të denjë për t’u dashuruar në Europë.

– Pse nuk merreni me çlirimin e sipërfaqeve të Tiranës, të zëna me parkime pa leje, garazhe, kioska?

Fakti që jemi angazhuar në këtë ndërmarrje vizionare për shekullin e 21-të, janë ndërmarrë një numër aksionesh që do të vazhdojnë, janë probleme të mbartura, nuk mund të zgjidhen për një ditë, na duhen punë dhe përpjekje për t’i zgjedhur, do të përparojmë me krijimin e hapësirave të gjelbra në qytet. Mbi 10 mijë pemë do të mbillen brenda këtij sezoni. Kemi të bëjmë me një përpjekje totale, sepse cilësia e jetës varet nga çdo bllok. Lulishtja, sot është në ndërtim e sipër, më pas duhet të gjykohet. Tani, do i japim edhe një tjetër dorë. Ndryshimi nuk vjen brenda natës dhe jo me fjalë, vjen me vepra. Ne kemi provuar me planin urbanistik, planin e zgjatimit, po flasim edhe me vepra, kujdes real për trafikun e Tiranës. Praktika ime nuk është konferenca shtypi – ata e ndjejnë vet nëse jeta e tyre është drejt përmirësimit.

– Sa kushton ky projekt për zgjatimin e bulevardit?

Në kriteret që juria mori parasysh gjatë vlerësimit, një kriter i rëndësishëm është edhe fizibiliteti i zbatimit, mundësia për të zbatuar dhe efiçensa ekonomike e projekteve. Juria pati vëmendje të veçantë, nëse projektet janë të zbatueshme jo vetëm në kuptimin teknik, por edhe në sasinë e parave që këto projekte do të kërkojnë për t’u zhvilluar. Ka shumë rëndësi të kuptohet se nxitësi është infrastruktura publike. Kudo në Shqipëri ku janë ndërtuar rrugë, ka një zhvillim ekonomik. Shqipëria është në rrugën e tranzicionit. Nxitësi kryesor i zhvillimit në këto 20 vite është infrastruktura. Është provuar se nëse ka një nxitës që një hapësirë kaq të degraduar, të mbaruar, siç është ajo nga pjesa e Stacionit të Trenit, deri tek Bregu i Lumit, nëse ka një katalizator që mund ta shndërrojë, është investimi në veprat publike. Ky projekt ka një shpalosje të qartë. Ka një radhë pune, kemi bulevardin, lumin e Tiranës dhe hapësirën e gjelbër, e cila është zgjidhur me disa derivate, të integruar me bulevardin, me lumin. Bulevardi është vepra e parë nxitëse, katalizatore. Të dyja projektet paraqesin bulevard linear, duke bërë një lidhje nga më modernet e kësaj arterie të bulevardit. Detajimi i projektit do i afrohet edhe më shumë kostos. Projekti fitues do të ketë preventim të plotë të kostos.

– Sa është e gatshme bashkia për të shpenzuar për bulevardin?

Detyra e projektimit u ka dhënë arkitektëve një ide. Ju kemi dhënë një marzh veprimi, i cili mund të shkojë nga 30-40 milionë euro, vetëm bulevardin bashkë me kryqëzimin nga Stacioni i Trenit deri në bregun verior të lumit të Tiranës. Rehabilitimi i lumit të Tiranës ka një faturë financiare që një projekt ka një rezervim, e parashikon lumin të futur në një shtrat betoni. Tirana gjendet mes dy lumenjve, bëhet fjalë për lumin e Tiranës dhe kjo na sjell tek një çështje interesante. Disa prej qyteteve kryesore kanë marrë jetë prej lumenjve. Lumi ka një faturë që ndahet në dy pjesë, me projeksionet e inxhinierëve të transportit parashikohet të jetë diku tek 70 milionë euro. Do të kemi një lum që do të ruajë tiparet e veta natyrore, një lumë që gjatë periudhës së shirave, ka rrjedhë të fortë apo do zmadhojmë shtratin e tij. Në varësi të këtyre zgjidhjeve, varet fatura e kostos.

Ka Tirana mundësi të shfrytëzojë hapësira ujore?

Duhet të thuhet edhe aty ku kemi pasur sukses, Shqipëria ka infrastrukturë moderne. Sistemimi i bulevardit ka të bëjë me sistemimin e qytetit; çdo person ka përgjegjësinë e vet për atë që ka ndodhur për sa u përket ndërtimeve pa leje. Nuk ka vend për cinizëm. A ka mundësi të mirëmbahet? Sigurisht që ka. Nëse nisim me një vizion të cunguar, atëherë kot jemi futur.

– Liqeni Artificial i Tiranës?

Ka një plan masash, kjo varet se si do e shikojmë të ardhmen tonë. Ky është një projekt i së ardhmes. Këta njerëz kanë ardhur në Tiranë, sepse besojnë tek Tirana dhe potencialet e saj për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Interesi i qytetarëve tregon se Tirana ka besim tek e ardhmja e saj.

Comments are closed.