KShH: Është lëkundur besimi tek zgjedhjet, të krijohen kushtet

 

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësimin për situatën parazgjedhore. KShH shprehet se në disa raste nuk është zbatuar ligji për funksionimin e organeve zgjedhore dhe përgatitjen e procesit elektoral. “Ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare, të gjithëpranuara, në disa raste nuk po respektohen, ndërkohë që Kuvendi ( shumica e tij) nuk mori në konsideratë sugjerimet dashamirëse, që lidhen me mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, të adresuara nga institucionet ndërkombëtare mike. Nga ana tjetër mjetet e përdorura, por dhe terminologjia e artikuluar nga disa punonjës të shtetit dhe në veçanti nga disa funksionarë të klasës politike, për të realizuar qëllimet e tyre politike, kanë kapërcyer standardet kushtetuese dhe në disa raste, etikën qytetare dhe atë që duhet të manifestojë një përfaqësues i shtetit. Ne konstatojmë me shqetësim lëkundjen e besimit, tek disa shtetas, lidhur me zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm. Politizimi i tepërt i situatës parazgjedhore dhe menaxhimi i procesit përgatitor të zgjedhjeve, jo gjithmonë në përputhje me ligjin e standardet ndërkombëtare, kanë bërë që interesi ndaj zgjedhësve të bjerë dhe detyrimet ndaj tyre të mos realizohen”, thuhet në deklaratë.