Kthehet në atdhe Kontigjenti OMLT “Striking Eagles 1”

Imami: Ushtria, nivel të lartë të ndërveprueshmërisë me forcat e NATO-s

Dje, në mesditë, në sheshin e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua ceremonia e pritjes së Kontigjentit trajnues OMLT, “Striking Eagles-1”, i cili përfundoi me sukses misionin e tij në kuadrin e operacionit ISAF të NATO-s në Afganistan. Në ceremoninë e pritjes ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, zv/ministrat e Mbrojtjes, Arian Starova dhe Ekrem Spahiu, gjeneralë, drejtues të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura, si dhe familjarë të ushtarakëve të kthyer në atdhe. Teksa i ka uruar misionarët e paqes për realizimin me sukses të këtij misioni sa të rëndësishëm, po aq edhe të vështirë, si dhe kthimin shëndoshë e mirë në atdhe, ministri Imami, ndër të tjera, nënvizoi: “Kjo është një ditë e shënuar për Forcat e Armatosura që mundën të realizojnë dhe të kryejnë me sukses një mision të tillë që na vendos në nivelet më të mira, të krahasueshme me ushtritë e tjera të vendeve të NATO-s. Pa dyshim, ky është një eveniment shumë i rëndësishëm për ushtrinë shqiptare, për shkak se sot presim kontigjentin e parë OMLT, që ka kryer një detyrë të një niveli të lartë, të rëndësishëm në favor të paqes dhe stabilitetit të një vendi mik, siç është Afganistani. Por, njëkohësisht, është një moment i rëndësishëm, sepse ky ekip OMLT po përcakton një standard të ri për FA-të”. Në vijim të fjalës së tij, kreu i mbrojtjes shqiptare tha: “Nuk jemi më ushtria që marrim vetëm trajnime, por jemi ushtria që kemi standarde të mjaftueshme për të trajnuar Forca të tjera të Armatosura. Jemi ushtria që aleatët dhe partnerët tanë amerikanë na besojnë, duke negociuar, së bashku me ne drejtimin e misioneve të rëndësishme, jemi ushtria e cila ka nivel të lartë dhe të plotë të ndërveprueshmërisë me Forcat e tjera të Armatosura të vendeve aleate të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Pra, ky është një sukses i të gjithëve ne, i Forcave të Armatosura, i Ministrisë së Mbrojtjes, i shtetit shqiptar, të cilin ju e bëtë të mundur e për çka ju falënderoj”. Duke folur për transformimet që po pëson sot NATO, ministri Imami u shpreh: “Aleanca e Atlantikut të Veriut ka hyrë në një fazë të plotë tranzicioni, që në thelb, ka kalimin e përgjegjësive nga operacioni ISAF tek Forcat e Sigurisë Afgane. Që kjo të bëhet e mundur, duhet që forcat e policisë dhe të ushtrisë afgane të jenë të përgatitura dhe të mirëtrajnuara për të marrë përgjegjësitë e duhura për vendin e tyre. Ky ekip OMLT ishte anëtari i parë që dëshmoi se edhe Shqipëria po kontribuon dhe do të vazhdojë edhe më tej të jap kontributin e saj për këtë tranzicion, sikurse siguron aleatët e saj të Aleancës, që edhe mbas vitit 2014, Republika e Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes do të vijojë mbështetjen e forcave afgane të sigurisë, në mënyrë që në fund Afganistani të jetë një histori suksesi për NATO-n”. Në përfundim, ministri Imami falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm për kontributin, por edhe për besimin që kanë ndaj Forcave të Armatosura Shqiptare. Kontigjenti OMLT-1 u zëvendësua në fillim të muajit mars nga Kontigjenti OMLT 2, në përbërje të të cilit janë 32 ushtarakë, prej të cilëve 20 oficerë dhe nënoficerë nga strukturat e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe 12 oficerë dhe nënoficerë të Gardës së New Jersey-t, SHBA, të cilët do të kryejnë misionin OMLT (trajnues) në Kabul, në kuadër të kontributit në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës dhe Sigurisë (ISAF) të NATO, në Afganistan.