Kufizimi i importit të mjeteve mbi 10 vjet të përdorura / Ja çfarë ndodhë më 60 mijë makinat e futura rishtazi

0
160

Në ditën pa makina, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka bërë të ditur gjatë një takimi me distributorët e automjeteve, se qeveria ka gati projektvendimin që do të kufizojë importin e mjeteve të përdorura në bazë të vitit të përdorimit.

Projekvendimi, që pritet të fillojë zbatimin nga janari, ka si pikë kryesore ndalimin e importit të makinave të vjetra mbi 10 vite.

Klosi tha se kjo masë merret për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin e banorëve dhe synon edhe reduktimin e ndotjes që shkaktohet nga karburantet.

Klosi tha se makinat e vjetra që qarkullojnë sot nuk do të dalin nga tregu, por do u jepet kohë që të përshtaten. E njëjta gjë do të bëhet edhe për automjetet që janë importuar dhe që janë stok, pra nuk janë targuar akoma. Klosi tha se janë rreth 60 mijë automjete të tilla, të cilave do u jepet një afat prej 4-5 muaj që të targohen.

“Nuk mund të lejohet që Shqiperia të jetë një varrezë e madhe makinash dhe të kemi pika grumbullimi të skrapit në mes të qytetit dhe flasim për qytete të mëdha. Është një biznes që nuk ka asnjë rregull”, tha Klosi.

Nisma e fundit e qeverisë gjeti dhe mbështetjen e distributorëve, të cilët e cilësuar një hap në drejtimin e duhur. “Nuk është vetëm avantazh i joni po i shoqërisë për mos ta kthyer Shqipërinë në varrezë të plehërave të Europes, sepse në Europë tashmë është bërë e pamundur për t’i mbajtur këto makina”, tha për Monitor, drejtori ekzekutiv i Porsche Albania, Gentian Bushati, pasi Klosi bëri të ditur këtë nismë.

Bushati ka dhe një vërejtje për projekvendimin, e cili nuk ka shumë elemente dhe përmirësime për makinat elektrike.

Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë rreth 20-vjeçare, nga 10.2 që është mosha mesatare në Bashkimin Europian.

Në total, sipas të dhënave të përpunuara nga ACA, në Shqipëri janë të regjistruara rreth 435 mijë autovetura. 87% e mjeteve të regjistruara janë të standardit Euro 1, 2 dhe 3, me vit prodhimi deri në 2005-n. Me standardin Euro 5 dhe 6 ka vetëm 14 mijë mjete të regjistruara apo 3.3% të totalit.

Të dhënat e ACA tregojnë se shqiptarët nuk po e rinovojnë parkun e mjeteve. 80% e mjeteve të regjistruara në vitin 2015 kishin një vit prodhimi deri në vitin 2005 dhe standard deri në Euro 3.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here