“Kujtimet” trashëgohen ndër gjenerata

Sjellja jonë mund të përcaktohet edhe nga ngjarjet e gjeneratave të mëparshme, pasi kujtimet e tyre mund të na jenë transferuar në një formë memorieje gjenetike, bëhet e ditur nga shkencëtarët që kryen disa eksperimente komplekse me kafshë.

Eksperimentet treguan se një ngjarje traumatike mund të prekë kodin gjenetik në spermë dhe të ndryshojë trurin dhe sjelljen e gjeneratave të mëvona.

Studimi i publikuar te revista Nature Neuroscience tregoi se një mi i stërvitur për të shmangur një lloj arome ia la trashëgimi këtë gjë edhe gjeneratës pasardhëse.

Ekspertët thonë se rezultatet janë të rëndësishme për kërkimet mbi fobitë dhe ankthin. Kafshët qenë stërvitur të kenë frikë ndaj një arome të ngjashme me atë të luleve të qershive.

Skuadra e shkencëtarëve në shkollën e mjekësisë të universitetit Emory pa pastaj se çfarë ndodhte brenda spermës. Ata zbuluan se një seksion i kodit gjenetik përgjegjës për ndjeshmërinë ndaj aromës së luleve të qershive qe bërë më aktiv në spermën e miut.

Si miu fillestar, ashtu edhe këlyshët e tij e “nipërit” qenë “jashtëzakonisht të ndjeshëm” ndaj aromës së luleve të qershisë dhe e shmangnin këtë aromë, pavarësisht se nuk e kishin përjetuar asnjëherë në jetë.

U zbuluan gjithashtu edhe ndryshime në strukturën e trurit.

“Eksperiencat e një prindi, edhe para konceptimit, dukshëm ndikuan te struktura dhe te funksionet e sistemit nervor të gjeneratave pasardhëse”, thuhet në raportin përfundimtar.

Problem familjar

Këto zbulime sigurojnë prova për një “trashëgimi ndërgjeneracionale dhe epigjenike” – pra se mjedisi mund të ndikojë në gjenetikën e një individi dhe se ky ndikim mund të trashëgohet.

Një nga kërkuesit, Dr. Brajën Dias (Brian Dias) i tha BBC: “Ky mund të jetë një mekanizëm që tregon se pasardhësit kanë gjurmët e paraardhësve. Nuk ka absolutisht asnjë dyshim se ajo që ndodh te sperma dhe vezët prek gjeneratat pasardhëse”.

Profesor Markus Pembrej (Marcus Pembrey), nga Londra tha se këto gjetje qenë “shumë të rëndësishme për fobitë, ankthin dhe çrregullimit post-traumatike’ dhe siguronin “prova bindëse” se një formë memorieje mund të kalojë nga një gjeneratë në tjetrën.

Ai komentoi: “Tashmë është koha që kërkuesit e shëndetit publik të marrin seriozisht reagimet njerëzore transgjeneracionale. Unë dyshoj se nuk do të mund të kuptojmë rritjen e çrregullimeve neuropsikiatrike apo obezitetit, diabetit apo çrregullimet metabolike në përgjithësi në rast se nuk shohim aspektin multigjeneracional”.

Në studimin e shmangies së aromës, mendohet se ndonjë formë arome përfundon në kanalet e gjakut duke prekur prodhimin e spermës apo se ndonjë sinjal krijohet nga truri dhe i dërgohet spermës për të ndryshuar kodin gjenetik.

Studime të mëparshme kanë treguar se mënyra e ushqimit të prindërve mund të ndikojë në formimin e fëmijëve dhe në këtë rast gjithashtu ka rol transferimi i informacionit përmes gjenetikës.

Disa teori e lidhin transferimin e informacionit gjenetik me zhvillimin jo vetëm të individëve, por edhe të karakteristikave kombëtare, zhvillimit të shkencës apo ekonomisë së një vendi.

Mjedisi ku ne jetojmë ka një ndikim dhe mund të ndryshojë kodin tonë gjenetik, gjë që transferohet edhe në kodin gjenetik të gjeneratave pasardhësve. Disiplina shkencore që merret me ndikimin e mjedisit në informacionin gjenetik është në ekspansion.

Comments are closed.