Kukës, pikat e reja doganore u sigurojnë fermerëve tregun

 

Hapja e tre pikave të reja doganore ndërmjet Kosovës dhe Kukësit pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike të zonës. Banorët e Shishtavecit, Borjes dhe Orgjostit tashmë do të mund t’i nxjerrin prodhimet bujqësore më shpejt në treg. Gjatë muajve të dimrit ata mbeten të izoluar për shkak të dëborës dhe nuk mund të zbresin në Kukës, ndërsa tani ata do të kenë mundësi të komunikojnë fare lehtë me Kosovën. Kryetari i Komunës thotë se çelja e pikave kufitare me Kosovën ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të zonës së Shishtavecit. “Për fat të mirë dhe planet e zhvillimit turistike, ekonomike rajonale ne po i bëjmë në bashkëpunim me komunën e Dregaçit, që kjo të bëhet një rajon i zhvilluar”, tha Duleman Nela, kryetar komune. Përmes doganave të reja, Shishtaveci lidhet me fshatin Krushë, 4 kilometra larg. Fshati Borje lidhet me Glloboçicën 2 kilometra larg dhe fshati Orgjost lidhet me Orcushën, rreth 1,5 kilometra larg.