Kukës, shtohet kanabisi. Kultivohet më shumë drogë

Kultivimi i bimëve narkotike në qarkun e Kuksit gjatë vitit 2012 ka shënuar rritje, ndërsa puna e policisë për parandalimin dhe identifikimin e rasteve ka qenë shumë e dobët. Kjo është deklarata drejtuesit e lartë të policisë së shtetit, Dashamir Maçi në një tryeze për parandalimin e mbjelljes dhe rritjes së bimëve narkotike. Më problematike sipas tij situata është në zonat e thella malore dhe larg qendrave të banuara.  “Monitorimi nuk është kryer mbi bazën e informacioneve pasi ato mungonin nga strukturat e policisë. Më mirë duhet të ishte drejtuar puna e strukturave të policisë në drejtim të kontrollit të territorit e marrjes së informacionit për kultivimin  e bimëve narkotike. Nga strukturat vendore të policisë nuk shfrytëzohen të gjitha hapësirat ligjore si dhe një mungesë bashkëpunimi me zyrat kadastrale të pushtetit vendor për dokumentin e rasteve të evidentuara dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve”- tha Maçi. Po ashtu nga qyteti i Lezhës Maçi ka kërkuar më shumë bashkëpunim ndërmjet strukturave kundër kultivimit të bimëve narkotike. Sipas tij situata më problematike është në zonën e Kurbinit.  “Praktika dhe përvoja e deritanishme na ka mësuar se pa një organizim të përsosur, pa pjesëmarrje të gjerë të të gjithë aktorëve e shoqërisë e shtetit, pa koordinim të veprimeve nga strukturat e specializuara nuk mund të bëjmë të mundur realizimin e objektivave për minimizimin e kultivimit të bimës narkotike”- tha Maçi. Në të gjithë vendin, gjatë vitit 2O12 janë evidentuar më shumë se 15O raste të kultivimit të këtyre bimëve ku 1O7 prej tyre janë zbuluar. Janë kryer rreth 7OO operacione kontrolli ku 5O kanë qenë nga ajri.