Kundër PS-së e PD-së, Gjinushi: Bëjnë pazare për Presidentin dhe kodin

Kreu i socialdemokratëve denoncon atë që quan pazar të dy partive të mëdha, me dy çështjet më të rëndësishme, kodi zgjedhor dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës.

Kreu i socialdemokratëve pohon se të vegjëlve po iu refuzohet edhe kërkesa për ndryshim ligjor në Kodin Zgjedhor, për të mundësuar koalicione më të vogla koalicioneve të mëdha. “Sigurisht, edhe në kushtet e vetëmbrojtjes dhe në kushtet e asaj, që duhet shpëtuar çfarë është e mundshme, bashkimi në këto raste bëhet i detyrueshëm. Kodi Zgjedhorë fatkeqësisht dhe, qëllimisht, në kuadrin e një politike të mbrapshtë është që lejon koalicion, por nuk lejon koalicione, pra lejon koalicione vetëm nën udhëheqjen e partive të mëdha. Pra, është një çik si pluralizmi kinez, pra lejohen mendime të tjera por nën udhëheqjen e partisë Komuniste. Ky është nonsens, p.sh, fakti që edhe për këtë lloj ndryshimi, përsëri ka rezistencë, pra tregon që këta nuk kanë qëllim, as zgjedhjet e lira as zgjedhjet e ndershme. Kanë vetëm qëllim që të marrin dhe të mbajnë me çdo kusht pushtetin, me anë të vjedhjeve e manipulimeve”,- shprehet Gjinushi. Kreu i social-demokratëve identifikon kryeministrin Berisha si “pengmarrës i sistemit zgjedhor, për ta lëshuar si shkëmbim të zgjedhjes së Presidentit”. “Ai e mban këtë gurë gjithmonë në taktikën për ta përdorur si mjet lëshimi në çastin e fundit, p.sh lashë sistemin, por nuk lë Presidentin. Të tillë pazaresh është mundësuar të bëj”,- thotë Gjinushi. Sipas tij, në këtë kurth pazaresh po bie edhe opozita. “Thonë disa që t’i kërkojmë respektimin e zgjedhjeve dhe lëshojmë sistemin apo anasjelltas. Kjo do të thotë të bësh pazare. Me parimin themelor nuk bëhet pazar dhe duhet kuptuar që opozita dhe gjithkush mund të lëshojë një gjë që ka në dorë. Nëse opozita mendon se ka në dorë të drejtat e shqiptarëve, atëherë sigurisht mund të hyj në pazare të tilla”,- deklaron kreu i socialdemokratëve, Gjinushi. Ai thotë se Presidenti duhet të jetë konsensual dhe produkt i një zgjidhje politike.

 

Comments are closed.