Kuvendi dorëzon në Prokurori kallëzimin penal ndaj Spahiut

Kuvendi ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Në padinë e dërguar në Prokurori bëhen të ditura përfundimet e raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar, ku kërkohet ndjekje penale ndaj ish- nënkryetarit të KLD-së për disa shkelje. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se po verifikohet dosja e mbërritur nga Kuvendi, nëse ka elemente të kryerjes së veprës penale ose jo nga ana e Spahiut. Pas kësaj, Prokuroria do të vendosë për hapjen e çështjes penale ndaj ish-nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu. Sipas raportit 11 faqesh të komisionit, Spahiu ka devijuar nga institucioni Kushtetues duke u shfaqur në rolin e organizatorit të veprimtarive të Aleancës Kuq e Zi, ka shpërdoruar postin, ka trajtuar politikisht ligjin e Censusit dhe çështjen e ndryshimit të kombësisë, duke tentuar të cenojë marrëdhëniet me shtetet fqinje. Raporti konstaton se ish-nënkryetari i KLD-së ka abuzuar me detyrën me vendimmarrjet në KLD dhe ka zvarritur çështje të organizmit gjyqësor. Raporti evidenton, gjithashtu, se Spahiu ka kryer 15 udhëtime jashtë shtetit me shpenzimet e institucionit.

AK: Kallëzimi penal për Spahiun, qeveria i plotësoi kërkesën Athinës

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar menjëherë dje lidhur me procedimin penal të kërkuar ndaj ish-kreut të KLD-së Kreshnik Spahiu, në përfundim të punës së komisionit hetimor të ngritur ndaj tij, që thotë se Spahiu ka devijuar nga institucioni kushtetues dhe ka tentuar të cenojë marrëdhëniet me fqinjët. Po sipas raportit, më veprimtarinë e tij paralele edhe si nënkryetar i KLD-së edhe si drejtues i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ka sfiduar institucionin e KLD-së. Sipas Aleancës, Topalli ka kërkuar procedim penal për Spahiun pasi e akuzon atë për prishje të marrëdhënieve me Greqinë. “PD akuzon Spahiun për prishjen e marrëdhënieve me Greqinë. Faqezinjtë kërkojnë procedim penal për kuqezinjtë. PD kërkon gjykim të nacionalizmit shqiptar”,- thuhet në reagimin e tyre. Aleanca kërkon hetim popullor për qeverinë, sipas saj, më të korruptuar në Europë. “Qeveria plotësoi kërkesën e Athinës. Hetim popullor për qeverinë më të korruptuar në Europë”,- thuhet më tej në deklaratë.

 

Comments are closed.