Kuvendi i Dukagjinit, një ngjarje me rëndësi të madhe kombëtare

shqiptaret

Me rastin e 410-vjetorit, 15 dhjetor 1601 – 15 shkurt 1602

Mati, kjo trevë e bukur natyrore, e shtrirë në të dy anët e lumit Mat, e rrethuar nga të gjitha anët me male që i rrinë shtrirë si kurorë, me bardhësinë gati gjithë vjetore, me një grykë, gati si të luanit në veri dhe shtigje kalimi për në Mat, si Qafa e Buallit, Qafa e Murrës, Qafa e Shtamës e të tjera, e veshur me pyje gështenjash, me burime të shumta e të freskëta, dallohet në veçanti. Por, Mati, në shekuj e mijëravjeçarë, deri në ditët tona, është i veshur me një petk të lavdishëm, me historinë krenare që e bën atë një nga trevat epiqendër të historisë iliro-arbërore.

Pa u futur në historinë e ngjarjeve të shumta dhe evenimenteve historike kombëtare, në këto rreshta, në kuadrin e 410-vjetorit, do të bëjmë fjalë për një nga ngjarjet historike kombëtare, më të mëdhatë e shek. XVI e në fillim të shek. XVII, për Kuvendin e Dukagjinit.

Periudha pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut qe mjaft e vështirë sidomos për popullin matjan, sepse turqit u hodhën me tërbim kundër vendlindjes së Skënderbeut, pjesë e së cilës ishte dhe Dukagjini, dhe shkatërruan gjithçka. U bë një përpjekje në vitin 1481, nga djali i Skënderbeut, Gjoni, i cili erdhi nga Italia e zbarkoi në Lezhë dhe pastaj luftoi kundër turqve. Në fillim, luftimet shkuan mjaft mirë, por, duke pasur mungesë forcash, nuk mundën të përballojnë sulmet turke. (Në ato vite, Turqia ishte më e forta në botë). Pas vitit 1480, turqit arritën të vendosin regjimin e tyre tipik feudal, pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

Ata shembën shumicën e qendrave të fortifikuara të Skënderbeut, në Mat, si Kalanë e Petralbës në Gurë Bardhë, të Bruçit, Cërujës e të tjera. Në Stelush, u instalua një garnizon turk, ndërsa popullsia u pakësua. Shumë ishin vrarë e të tjerë u larguan për në vende më të sigurta dhe jashtë Atdheut.

Me anë premtimesh, dredhish, me taksa të ndryshme filloi disiplinimi dhe, më pas, futja e fesë islame. Në këtë kohë, u ndryshua edhe drejtimi i tregtisë, i marrëdhënieve shoqërore e shtetërore nga perëndimi drejt lindjes.

Në Mat, nga vitet 1510, deri në vitet 1560, emigruan shumë banorë, sidomos nga trevat malore të veriut në fshatrat që gjenin të lira dhe u vendosën aty. Këto u lidhën dhe forcuan miqësi me banorët vendas dhe u shkrinë me të. Kështu ndodhi në Kurdari, në Shoshaj, Burgajet, Derjan, Laç, Rremull, në Kryemate e tjerë, ku, deri sot, ata tregojnë për origjinën e tyre. Nëpër fshatra, dalëngadalë filluan të diferencohen e të dalin të parë disa nga familjet më të shquara. Shumë nga këto familje kujtonin me nostalgji kohën e Matit të Madh, kohën e Kastriotëve. Këta krerë të rinj të Matit organizoheshin së bashku me fshatarët e tjerë dhe kundërshtonin pagimin e taksave, pjesëmarrjen në ushtrinë turke e të tjerë. Kështu, ata e kthyen Matin në një vatër qëndrese e, më vonë, në vatra kryengritëse. Krerët e Matit kishin një të veçantë. Ata, kurrë nuk luftonin kundër njëri-tjetrit, por kishin ndërmjet tyre një farë bashkëpunimi kundër turkut.

Sundimtarët turq luginën e Matit e shihnin si mjaft të rrezikshme. Ata u munduan të fusin informatorë për të grindur matjanët, por nuk u eci.

Në vitet 1497-1570, turqit dyfishuan taksat, ndonëse shumë fshatra malore nuk i paguan kurrë ato. Në një dokument të 18 janarit 1571, thuhet: ”Ohri ka një territor të gjerë dhe mbase atje nuk drejtojnë mirë bejlerët, të cilët edhe mungojnë. Kryengritësit qafirë janë aktivë. Po të kishte bejlerë të bindur, vilajeti do të ishte disiplinuar dhe arka e perandorisë do të kishte përfitime”. (Shih Matkovcski, studime historike Nr. 3. 1973).

Matjanët, ashtu si gjithë shqiptarët, nuk mund të duronin zgjedhën turke dhe mezi prisnin krijimin e kushteve për t’u ngritur. Kushtet u krijuan në vitet 1570-1630, kohë kur shtetet europiane si: Austria, Spanja, Italia e të tjerë, po ndërmerrnin aksione të shpeshta kundër kërcënimit turk. Në këtë kohë, shqiptarët e kryesisht matjanët filluan të lëviznin dhe e filluan këtë me bashkimin e forcave kundër armikut të përbashkët. Për të arritur bashkimin midis krahinave e trevave gjithëshqiptare, filluan të mblidhen në kuvende. Organizatorët e parë të kuvendeve të mëdha ndërkrahinore ishin matjanët. Kuvendet në Mat u organizuan për disa arsye:

1. Mati ishte vendlindja e Skënderbeut dhe trojet e familjes së madhe të Kastriotëve, e cila shërbente si shembull frymëzimi për t’u çliruar nga zgjedha turke.

2. Mati ishte zonë e lirë dhe e përshtatshme për mbrojtje. Lugina e Matit ishte një gojë luani që përpinte garnizonet turke. Duheshin garnizone ushtarësh që të futeshin e të dilnin nga kjo luginë.

3. Matjanët ishin popull tepër patriot që kishin sakrifikuar për afro 80 vite luftë nën Kastriotët e tani aspironin për liri e pavarësi. Gjithsesi, me moton: ”Liri a vdekje”.

4. Ky popull, që në vitin 1590, ishte ngritur në kryengritje dhe nuk linte fuqitë turke të depërtonin në shumë zona të Matit.

5. Ata refuzonin t’i nënshtroheshin sanxhakut të Ohrit e nuk pranonin të paguanin Xhizjen.

Kuvendi i vitit 1594 në Lis

Kuvendi i vitit 1594, që u mbajt në Manastirin e Shën Mërisë, qe vazhdim i atij të vitit 1462, ku u shkrua edhe Formula e Pagëzimit, dokumenti i parë i gjuhës shqipe. Ai, i paraprirë me kryengritjet e vitit 1590, ishte i një rëndësie të veçantë.

Ky kuvend, nën drejtimin e prelatit të Kishës së Stefanisë, Nikollë Mejkashi (Shqefni i sotëm), si dhe drejtuesve Mark Gjini, Tom Plezha etj., hartoi projektin e kryengritjes kundër osmanëve për çlirim kombëtar.

Kuvendi kërkoi përkrahje ndërkombëtare. Ai çoi dhe një grup përfaqësuesish, me në krye Tom Pleshën për të paraqitur kërkesat e Papës dhe shteteve aleate, por vendimet e këtij kuvendi u sabotuan nga Papati dhe Republika e Venedikut, e cila vepronte prej vitesh prapa krahëve të shqiptarëve e nuk donte të forcoheshin, me qëllim që tokat e bregdetit të Shqipërisë t’i kishte nën sundimin e vet ajo Republikë. Kuvendi i 1594-ës tentoi të bënte bashkimin e të gjitha trevave shqiptare, me qëllimin e vetëm, çlirim nga zgjedha turke.

Në vitin 1596, Mark Gjini, pas një mbledhjeje tjetër, paraqiti në oborret europiane projektin e dytë për ndihmë e bashkëveprim, por edhe kësaj here, nuk qe e mundur për një përkrahje ndërkombëtare të Lëvizjes Shqiptare. Përpjekjet vazhduan dhe kështu lindi nevoja për një Kuvend, ku të përfaqësoheshin një masë e madhe burrash nga e gjithë Shqipëria.

Kuvendi i Dukagjinit

Për të arritur një tubim gjithëkombëtar, u mblodh në dhjetor 1601, në Kishën e Madhe të Shën Aleksandrit të fshatit Dukagjin të Matit, Kuvendi i Përgjithshëm Ndërkombëtar. Kisha ishte aq e madhe, sa nxinte njëherësh mbi 2000 vetë. Kisha ndodhej aty ku sot quhet Qafa e Shënkollit. kjo kishë kishte afër Shtjekaninë, Shën-Trininë, Shën-Todrin e Arbrit, Shën Mërinë e Lisit e disa të tjera. Këtu ishte vend-origjina e Kastriotëve, të cilët prej 100-vitesh të dokumentuara drejtonin shtetin e arbrit, të Kastriotëve.

Kuvendi vazhdoi punimet dy muaj rresht, dhjetor 1601, deri më 15 shkurt 1602. Aty morën pjesë 2656 delegatë nga Dukagjini, Prizreni, Dibra, Zadrima, Lezha, Mati, Myzeqeja dhe Shpati (Shih I. Zamputi, Studime Historike 1967 faqe 359).

Kuvendi u drejtua nga Nikoll Mejkashi i kishës së Stefanisë, Nikoll Bardhi, Gjin Gjergji, Bernard Laçi, abat i kishës së Aleksandrisë në Dukagjin. Në Kuvend, pasi u analizua gjendja, u mor vendim për kryengritje.

Vendimin e nënshkruan 56 krerë kryesorë, katër nga secila krahinë. Për krahinën e Matit kanë nënshkrime Marin Gashi, i nderuari Prift Dhimitër Suma, sigurisht nga Kisha e Shën Eufemisë së Prellit, Kol Vranaj, i nderuari Gjon Miriskjau, pleq e krerë të tjerë, të parë nga të gjitha anët e Matit.

Të gjitha dokumentet e Kuvendit, përveç të sipërpërmendurve, janë firmosur dhe shoqëruar me një dokument sigurie nga Nikoll Mejkashi, peshkop i Stefanisë dhe vizitor apostolik i gjithë Shqipërisë, i cili, tani e kishte qendrën në Shën Mërinë e Lisit, nga Nikoll Bardhi, peshkop i Sapës dhe Sardes, si dhe nga frati Bernard Laçi, abat i kishës ku u mblodh Kuvendi.

Kundër Kuvendit, në kohën që ai zhvillonte punimet, u organizuan nga ana e sanxhakbejlerëve dy sulme: njëri nga Dibra e tjetri nga lugina e Matit, por Kuvendi kishte në dispozicion 40 mijë kryengritës dhe i sprapsën sulmet e turqve, duke i treguar Europës se janë të vetëdijshëm për kryengritje.

Kuvendi i Përgjithshëm i Dukagjinit kërkonte, me çdo kusht, përkrahje të jashtme, prandaj nisi ambasadorët e vet në Republikën e Venedikut për ta ndihmuar. Si zakonisht, kjo republikë, për interesat e veta, bashkëpunonte me turqit në kurriz të shqiptarëve dhe shqiptarët i ndihmonte vetëm kur e ndiente veten në rrezik. Sigurisht, asaj i interesonte vetëm bregdeti shqiptar, të cilin e mbajti gati 100 vjet. Ajo e dinte se po të forcoheshin shqiptarët, do t’i merrnin qytetet e tyre në bregdet.

Kuvendi tregoi se, pavarësisht nga ndarjet krahinore, dëshira për bashkim e liri ishte shumë e madhe. Rruga për bashkim tërhoqi në një nga dy ritet, por edhe ata që ishin myslimanizuar, të cilët edhe kthimin në fe islame e kishin kthyer për qëllime kombëtare për kundër sllavizmit ortodoks.

“Shqiptarët, – thuhet në një rast, – megjithëse janë me rite të ndryshme, greke e latine, asgjë të mangët nuk kanë. Janë në një fis me gjak e gjini”, (Shih. Zamputi. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme. – Histori e Shqipërisë, 1967 faqe 359).

Pra, siç thoshte Vaso Pasha, shekuj më vonë: ”Feja e shqiptarit është shqiptaria”, në rast lufte e kurdoherë janë një, janë po shqiptarë. Kuvendi nisi edhe një herë tjetër, për së dyti, përfaqësuesit e vet Nikoll Bardhin e Pal Dukagjinin, në senatin e Venedikut, ku i parashtruan vendimet për përkrahje e armatime. Përfaqësuesit e Kuvendit i thanë Senatit se forcat e tyre arrinin në 100 mijë veta dhe nëse nuk e përkrahte Venediku, do të kërkonin përkrahjen e një Mbretnie tjetër (të Spanjës) dhe se nuk mund të duronin barbarët turq (Shih Historia e Shqipërisë e vitit 1967 fq. 359). Por Republika e Venedikut nuk u bind dhe filloi të mbjellë përçarje edhe midis krerëve të Kuvendit dhe të Spanjës. Kështu që qëllimi i tyre për “Fe e Atdhe” nuk po gjente sa duhej përkrahje. Në aktet e krerëve të Kuvendit del qartë synimi për bashkimin e popullit shqiptar nën moton “Fe e Atdhe”. Nga letra e 15 shkurtit 1602, që doli nga Kuvendi i Madh i Dukagjinit dhe që nënshkruhet nga 56 krerë thuhet: ”Jemi betuar fshehurazi që të mendojmë për këtë popullin e Shqipërisë, me dëshirë t’u kthejmë të gjithë këtyre vendeve tona lirinë e vjetër, ashtu sikurse në kohën e princit tonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, edhe për më tepër do të vijnë të bashkohen me ne të gjithë shqiptarët” (Shkresë e Kuvendit të Dukagjinit, shkurt 1602 – Studime Historike, Tiranë 1967 nr. 4 faqe 9).

Kuvendi i dërgoi edhe një protestë energjike Papës në Romë, kundër prelatëve serbo-sllavë, të cilët kishin filluar të ndërhynin në punët e brendshme të krahinave shqiptare duke luftuar e përçmuar çdo gjë që ishte shqiptare. Për këtë, u zëvendësua edhe peshkopi raguzian i Lezhës me një shqiptar Gjergj Vladanji.

Në këto rrethana të futur mes dy zjarresh, shqiptarët mbetën të papërkrahur, por ndërsa vendi po myslimanizohej edhe kundër sllavëve, asnjëherë shqiptarët, në veçanti matjanët, nuk i ndaluan përpjekjet. Kuvendet e shtrinë ndikimin e tyre në një zonë të madhe. Në vazhdim të Kuvendit të Dukagjinit u mbajt edhe një kuvend tjetër në Kuç të Malësisë së Madhe, ku morën pjesë edhe vise të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë, duke u shndërruar kështu në kuvende ndërballkanike.

Pas Kuvendit të Dukagjinit, Mati ishte gjithnjë një nga vatrat më të rëndësishme të qëndresës shqiptare që, siç thotë Frang Bardhi, për banorët e këtyre fiseve: “Janë shumë të fortë prej natyre dhe me shpejtësi të madhe fluturojnë nëpër male e shkrepa, si të qenkëshin kaproj, durojnë urinë, etjen, të ftohtët, të nxehtët dhe të gjitha vuajtjet”.

Mati, si vend organizator i kuvendeve kombëtare, pati në krye të këtyre kuvendeve udhëheqësit e vet, siguroi forcat e nevojshme për mbrojtjen e kuvendeve, duke u qëndruar sulmeve të turqve për një kohë të gjatë (I. Zamputi. Relacione. Shek. XVIII, volumi i dytë faqe 156, 1965).

Pas kuvendeve, Mati u bë qendër e forcave dhe grupeve të krahinave të tjera që ndiqeshin nga armiku. Kështu, Prelati Marin Bici, në një relacion dërguar Romës thotë: ”Në Mat, gjenden një çetë me 200 veta e strehuar atje” (I. Zamputi. Bu. SH. T 1961 nr. 1 fq. 135)

Në vitin 1618, flamurin e paraqitjes së nevojave të kryengritjes e mori Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Ky atdhetar me moton “Fe, Atdhe” u përpoq të siguronte përkrahje në Romë, me armatime e ndihma të tjera ushtarake.

Më vonë, në shek. XVIII, XIX, XX, matjanët morën pjesë në kuvende mbarëkombëtare si në Prizren, Dibër e organizuan kuvende me vlera historike si atë të Suçit më 1911, në Qershizë, më 1912, të Bruçit, më 1943, e të Burgajetit, Lurës, Klosit e të tjerë.

Edhe sot, pas 410-vjetësh, Kuvendi i Madh i Dukagjinit sjell jehonë dhe mesazhe për politikën shqiptare. Këto mesazhe janë të përforcuara në një stad më të lartë, se ato të kohës së Rilindjes Kombëtare, janë leksionet lapidare nga ku politikanët dhe të gjithë intelektualët shqiptarë duhet të gjejnë gjuhën e besës, të bashkimit e të sakrificave për të kontribuar për Shqipërinë që ka aq nevojë sot.

Le të jetë ky përvjetor një mesazh i qartë edhe për historianët që vazhdimisht të nxjerrin e t’i bëjnë jehonë krenarisë kombëtare.

Similar Posts