Kuvendi i Kosovës, rezolutë kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot rezolutën, me të cilën kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të paralajmëruara serbe për 6 maj edhe në territorin e Kosovës.  Në seancën e sotme plenare, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan me 75 vota pro kësaj resolute ndërkohë që po diskutohet përmbajtja e saj. Sipas mediave kosovare teksti i Rezolutës do të votohet në seancën e pasditës ndërsa përpara se të vendoset do të takohen edhe grupet parlamentare. Më herët pas një debati të ashpër mes deputetit Ismet Beqiri dhe zëvendëskryeministres Edita Tahiri, deputetët e LDK -së braktisën mbledhjen.  Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi sqarime plotësuese nga kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, për dialogun me Serbinë. Por, kur Tahiri refuzoi, LDK doli nga salla.  Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë ka përsëritur se nuk do të lejohet organizmi i zgjedhjeve të asnjë shteti tjetër brenda territorit të Kosovës. Sipas tij, për këtë ekziston një qëndrim unik i institucioneve shtetërore të Kosovës. Kurse, sa i përket pjesës veriore, Thaçi ka thënë se për këtë pjesë të vendit nuk do të bisedohet asnjëherë me Serbinë. “Një dialog i mundshëm për pjesën veriore nuk ka ekzistuar, nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi. Kreu i Qeverisë ka thënë se dialogu i brendshëm me qytetarët e asaj pjese është zhvilluar dhe do të zhvillohet në vazhdimësi, por, sipas tij, në asnjë rast nuk do të diskutohet me Serbinë. Sa u përket pretendimeve për ndryshime kufijsh, kryeministri Thaçi ka theksuar se ua ketë bërë me dije edhe ndërkombëtarëve se shqiptarët më së miri mund të jetojnë në një shtet të vetëm.

Comments are closed.