Kompania e telefonisë së lëvizshme Plus Communication ka njoftuar abonentët e saj se nuk do të ofrojë më shërbim për abonentët, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Ju njoftojmë se PLUS nuk do të ofrojë më shërbime në fushën e telefonisë së lëvizshme në datën 01.01.2018. Për këtë arsye, ju këshillojmë të kaloni tek një nga operatorët e tjerë celularë përpara kësaj date. Ju falënderojmë që na keni zgjedhur dhe mbështetur si operatorin tuaj të preferuar gjatë gjithë rrugëtimit tonë”, thuhet në mesazhin dërguar abonentëve.

Njoftimi i PLUS vjen pak ditë pasi Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se kishte miratuar transferimin e frekuencave të Plus tek Vodafone dhe Telecom Albania, ndërsa operatori tjetër Albtelecom kishte dhënë miratimin për këtë kalim. Kërkesa nga PLUS erdhi si rrjedhojë e vështirësive ekonomike, sipas deklarimeve nga kompania.

Në këtë mënyrë, duke filluar nga viti i ardhshëm, tregu i telefonisë së lëvizshme do të mbetet me tre operatorë, tetë vjet pasi shtimi i konkurrencës pas hyrjes së Eagle Mobile (sot Albtelecom) në vitin 2008 dhe PLUS në 2009-n kishin shtuar ndjeshëm konkurrencës, duke ndikuar në uljen e tarifave për konsumatorët.

Tarifat u ulën me shpejtësi pas vitit 2010. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ecuria e tarifave me pakicë të tregut celular analizohet në dy drejtime kryesore: – Të ardhura mesatare për minutë/përdorues (ARPM/ARPU); – Tarifat nominale me pakicë të operatorëve. (Average Revenue Per User) dhe ARPM (Average revenue Per Minute) ku këta dy tregues deri në vitin 2015 kanë ardhur duke u ulur duke treguar përmirësim të eficencës së tregut. Të ardhura mesatare për minutë/përdorues (ARPM), u ulën nga 6.49 lekë/minutë në vitin 2010 në 2.36 lekë për minutë në 2015-n, një reduktim prej tre herë. / Monitor.al