Largimi i Dules, PS: Koalicioni opozitar mbetet solid

Partia Socialiste ka primare aleancën me qytetarin dhe me çdo forcë nuk ndjehet e përfaqësuar nga pushteti i sotëm. Saimir Tahiri, kreu i socialistëve të Tiranës, sqaron raportet me aleatët, një ditë pasi kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, paralajmëroi largim në koalicioni opozitar drejt Polit të Qendrës, nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor. “Unë nuk kam asnjë dyshim dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj që tryeza e opozitës së bashkuar po funksionon dhe do të funksionojë, qoftë dhe në këtë rast. Për sa kohë, që mbi të gjitha, na bashkojnë ideale të përbashkëta, të cilat i ndajmë njësoj dhe për të cilat luftojmë njësoj, jo vetëm sot, por edhe nesër në qeverisje. Nga ana tjetër, për sa i takon strukturës së PS-së dhe anëtarëve dhe mbështetësve, ka një aleancë, e cila duhet shndërruar në shtratin kryesor, në të cilën bazohet bashkëpunimi jonë, e cila është, aleanca me qytetarin”,- deklaron Tahiri. A do të thotë ky qëndrim edhe aleancë, edhe me forcat e reja politike të së djathtës, që pritet të krijojnë, kreu i socialistëve të kryeqytetit përgjigjet: “Natyrisht, nuk mund të shprehem unë për këtë, sepse nuk shoh të ketë ndonjë hapësirë të mundshme aleancash. Ne kemi thënë dhe vazhdojmë të themi, që çdo grupim i ri politik nga këta që po dalin, janë vetëm simptoma dhe shenja të qarta të krizës së partisë Demokratike”,- shprehet Tahiri. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është shprehur dje, i hapur për një bashkëpunim me partinë e re që pritet të krijojë Presidenti Topi. “Nëse Poli i Qendrës do të krijojë hapësira, të cilat do t’u shërbejnë interesave strategjike të vendit, që nuk janë të tjera veç ato integruese, me një ritëm të ri dhe me një motivim mbarëshoqëror, sigurisht që Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk mund të refuzonte kontributin e vet në këtë drejtim”,- u shpreh Dule, në një deklaratë për mediat. Kreu socialist i Tiranës, që vetëm pak kohë më parë është zgjedhur për të drejtuar degën më të madhe socialiste në vend, jep detaje të riorganizimit të saj. 11 njësitë e Tiranës, gjithashtu, do t’i drejtohen procesit të votimit për të përcaktuar drejtuesit e tyre të rinj, proces që do të shtrihet edhe në organizatat më të vogla, në rastet kur kjo është e nevojshme. Riorganizimi i PS-së së Tiranës do të thotë edhe riformatim, duke imituar në strukturë partinë e madhe, me kryesi të saj, komisione, organizatë të gruas e forumit rinor. Procesi i zgjedhjes së krerëve të organizatave të PS-së Tiranë do të ndodhë pas datës 10 prill, afat që iu është lënë organizatave për riorganizim.

Comments are closed.