Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Sanksione të rënda për ata që punësojnë të huaj të parregullt. Rregullat që duhet të përmbushin punonjësit e huaj për të përfituar lejen e qëndrimit. Procedurat që ndiqen për regjistrim

Nga dita e premte, 9 gusht, ka hyrë në fuqi dekreti i sanatores për të cilën do të aplikohet nga 15 shtatori deri më 15 tetor 2012. Me thënë të vërtetën, nuk ndryshon asgjë nga ato që kemi shkruar deri më tani për sanatoren, me përjashtim të faktit që data 9 gusht përcakton edhe datën përpara të cilës duhet të ketë nisur marrëdhënia e punës që do të mund të legalizohet: në fakt dekreti flet qart, “do të legalizohen marrëdhënie pune me të huaj të parregullt që kanë nisur të paktën tre muaj përpara datës së ardhjes në fuqi të dekretit”. Pra marrëdhëniet e punës që do të mund të legalizohen janë ato që kanë nisur para datës 9 maj 2012. Ai çka pritet me padurim është dekreti ndërministror që duhet të dalë brenda muajit gusht, me të cilin do të përcaktohen me detaje procedurat e aplikimit për legalizimin e punonjësve të huaj (që mund të jetë telematik), derdhjen e kontributit forfetar, caqet e të ardhurave të punëdhënësve, ndonjë sqarim më shumë për dokumentin me të cilin do të mund të dëshmohet prania e të huajve në itali prej 31 dhjetorit 2011, mënyra e derdhjes së kontributeve dhe taksave për të paktën gjashtë muaj (e veçanërisht kur do të nisin të numërohen këta gjashtë muaj) para nënshkrimit të kontratës së qëndrimit në Sportelin Unik siç thuhet në dekretin e ardhur në fuqi ditën e premte. Të tjerat janë gjëra të thëna e të përsëritura tashmë: me ardhjen në fuqi të dekretit legjislativ të 16 korrikut 2012, nr. 109, “Aktualizim i direktivës 2009/52/BE që sjell normat minimale lidhur me sanksionet e masat ndaj punëdhënësve që marrin në punë punonjës të vendeve të treta pa qëndrim të rregullt” ashpërsohen dënimet e masat ndaj punëdhënësve të të huajve të parregullt sipas direktivave europiane në këtë drejtim. Kështu për shembull, veç gjobave dhe heqjes së lirisë, të parashikuara edhe më parë për këta punëdhënës, tani ata që janë dënuar (edhe jo përfundimisht) për këtë vepër penale nuk do të mund të sjellin në itali punonjës të huaj me flukset, pra përjashtohen nga e drejta e përfitimit të kuotave. Për më tepër, duhet të paguajnë një gjobë të re sa “kostoja mesatare e riatdhesimit të punonjësit të huaj të marrë në punë në mënyrë të parregullt”. Me dekretin legjislativ shtohet një rrethanë rënduese për rastet e shfrytëzimit të veçantë të punonjësve të huaj të parregullt. Dënimet rriten me një të tretën deri me gjysmën nëse punonjësit e parregullt janë më shumë se tre, nëse janë të mitur me moshë nën 16 vjeç ose nëse detyrohen të punojnë në “kushte rreziku të rëndë”, duke mbajtur parasysh “karakteristikat e detyrave që kryhen dhe kushtet e punës”. Dhe vetëm në këto raste të fundit, me propozim ose me mendim të favorshëm të Prokurorisë, nëse punonjësi do të padisë punëdhënësin dhe do të bashkëpunojë gjatë procesit, ai do të mund të marrë një leje qëndrimi për motive humanitare. Që të shpëtojnë nga të gjitha sanksionet e mësipërme, punëdhënësit, qofshin ata ndërmarrje apo familje, kanë një mundësi: të përfitojnë nga brezi i shpëtimit që përmbahet duke paraqitur një deklaratë legalizimi të marrëdhënies së punës nga 15 shtatori deri më 15 tetor 2012.

Kërkesat

Termi ‘dichiarazione di emersione’, që aq shumë i ngjan terminologjisë së lëvizjes së peshqve nga thellësia në sipërfaqe, por që në të vërtetë nënkupton shpalljen haptazi të të qenit klandestin dhe daljen ‘në sipërfaqe’ për t’u pajisur me dokumente, do të jetë titulli i formularit që duhet plotësuar nga 15 shtatori deri më 15 tetor nga punëdhënësit italianë apo të huaj (këta të fundit duhet të kenë leje qëndrim afatgjatë) të cilët të paktën në tre muajt e fundit kanë punësuar të huaj pa dokumente. Marrëdhënia e punës duhet të jetë me kohë të plotë, ‘a tempo pieno’, me përjashtim të rasteve të të punësuarve shtëpiakë për të cilët lejohet edhe një punësim part-time me të paktën njëzet orë në javë. Të huajt pa dokumente, nga ana e tyre, duhet të dëshmojnë nëpërmjet ‘dokumentacionit me prejardhje nga organizmat publikë’ se kanë qenë të pranishëm në Itali të paktën që nga 31 dhjetori i 2011-ës. Normë kjo e shtuar për të penguar dyndjen nga jashtë të të huajve gjatë këtyre javëve, por që mund t’i ndërlikojë jetën shumë vetëve, meqë, dihet që klandestinët nuk mund të kenë marrëdhënie me ‘organizmat publikë’, madje u rrinë larg. Më me fat duket se janë ata që kanë marrë një fletë dëbimi e nuk janë larguar nga italia duke mbetur klandestinë. Të tjerët, duhet të sajohen. Edhe një gjobë e marrë në autobus para dhjetorit 2011 mund t’u hyjë në punë.

Të përjashtuarit

Janë të përjashtuar punëdhënësit që në pesë vite e fundit janë dënuar, edhe me vendim jo përfundimtar, për favorizim të emigracionit klandestin, për trafik dhe shfrytëzim të prostitucionit e të të miturve, për kapolarat apo për punësim të klandestinëve. Punë që s’bëhet edhe për ata që në të kaluarën kanë bërë kërkesa për flukset apo legalizime të tjera e pastaj nuk kanë punësuar punëtorin e kërkuar. Përjashtohen gjithashtu të huajt që janë dëbuar për arsye të rendit publik apo të sigurisë së shtetit, dhe ata që janë dënuar, edhe me vendim jopërfundimtar, për një nga krimet e parashikuara nga neni 380 i kodit penal. Nuk do të pajisen me dokumente as ata që do të konsiderohen, në bazë dënimesh të marra, kërcënim i rendit publik apo të sigurisë.

1000 euro

Kaq do t’u kushtojë punëdhënësve çdo i huaj i punësuar në të zezë që ata do të deklarojnë, shumë që nuk do të mund ta zbresin nga taksat dhe që konsiderohet ‘kontribut forfetar’. Kur të firmosin kontratën e qëndrimit duhet edhe të tregojnë që kanë paguar rregullisht rrogat, taksat dhe tatimet për të paktën gjashtë muaj apo edhe për tërë kohëzgjatjen e raportit të punëdhënies. Për të njohur të gjitha hollësitë, duhet ende pritur disa javë. Brenda njëzet ditësh nga botimi në gazetën zyrtare të dekretit legjislativ, një dekret ndërministror do të përcaktojë tërë procedurat (që mund të jetë telematik), derdhjen e kontributit forfetar, caqet e të ardhurave të punëdhënësve e hollësi të tjera.

Keti Biçoku, Shqiptari i Italisë

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin