Levandovski: Jam i lumtur për golat, por ajo që më intereson është finalja

Heroi i fitores së Borusias kundër Realit (4:1), Robert Levandovski, i cili hyri në histori të Ligës së Kampionëve, duke shënuar katër gola në një ndeshje gjysmëfinale, është shprehur i lumtur për fitoren e arritur, por është shprehur i matur sa i përket kualifikimit në finale. “Jam shumë i lumtur që i shënova Realit katër gola, por gjëja më e rëndësishme është të kualifikohemi në finale, pasi vetëm kjo llogaritet. Reali ishte i mirë në pjesën e parë, por ne e kontrolluam plotësisht lojën në vazhdim”, ka theksuar Levandovski. Bashkëlojtari i tij, Ilkaj Gindogan e kishte një rast të mirë shënimi, por goditjen e tij arriti ta frenojë Lopez. Pas ndeshjes, ai, shprehu keqardhje për ‘kiksin’ e Humelsit, që u dha mundësi madrilenëve të shënojnë golin e shpresës. “Çfarë mbrëmje për ne, do të ishte e përkryer sikur të arrinim ta mbanin rrjetën të paprekur. Sidoqoftë, vështirë se ka mundur të shkojë më mirë kjo ndeshje kundër Realit. E merituar një fitore të këtillë”, ka theksuar Gindogan.