Shqipëri

Lezha, qyteti me rrënjët në lashtësi

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Qyteti i Lezhës flet për një histori të pasur; monumentet e kulturës, objektet e kultit, monedhat, gjetjet arkeologjike, dokumentet e shkruara, ngjarje e figura të shquara etj. Janë dëshmi për të kaluarën e qytetit 2400-vjeçar të Lisusit. Është vendi i Skënderbeut dhe i Lekë Dukagjinit, këtu vdiq dhe u varros Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Memoriali për të kujtuar këtë figurë legjendare, i cili është kthyer në një qendër pelegrinazhi, i cili vizitohet nga dhjetëra turistë vendas e të huaj. Është vendi i poetit të madh, At Gjergj Fishta, Frang Bardhi, Pjetër Zarishit, Shtjefen Gjeçovit, Prend Doçit, Ndre Mjedës, Ali Ulqinakut, Leonardo de Martinos, at Zef Pllumit, Ndoc Gjetjes e të shumë figurave të fushave të ndryshme, që dhanë kontributin e lanë gjurmë në historinë, kulturën e artin kombëtar.

Emri i qytetit të Lezhës përmendet nga historianët grekë e latinë e në kronikat veneciane, kur ishte nën zotërimin e Republikës së Shën-Markut, ku rëndësi të madhe do të merrte në shek XV, ku gjatë kësaj periudhe si pikëlidhje me botën e jashtme Lezha do të cilësohej “si qendra diplomatike e Arbërisë”, shtrirja dhe pozicioni ku ndodhet bashkë me ngulimet përreth, bën që qyteti që në lashtësi të jetë ndër qendrat e rëndësishme administrative, ekonomike, ushtarake, tregtare etj. Në vështrimin gjeo-ekologjik, qyteti përbën një përqasje të mrekullueshme, një oazë të paimagjinueshëm e një unitet të spikatur të harmonisë natyrore: klima mesdhetare, afërsia me bregdetin e Shëngjinit, lagunat, malet që i rrinë si kurorë, kushtet për kultivim të çdo bime e rritje kafshësh, lumi Drin, që e përshkon mes për mes qytetin e që e lidh me detin Adriatik, janë një pasuri e vyer për zhvillimin e qytetit që u ngjan qyteteve të Danubit.

Ajo që e veçon Lezhën, qytetin e Besëlidhjes, qytetin e kuvendeve historike e të ngjarjeve të mëdha kombëtare, është qetësia e admirueshme e njerëzve të saj, vazhdon të mbetet qyteti simbol i harmonisë, bashkëjetesës e tolerancës fetare, një qytet ku punohet e ndërtohet, këto e të tjera e bëjnë Lezhën, me një popullsi aktive që rritet çdo ditë si pasojë e lëvizjes së lirë, atraktive e bashkëpunuese, një qytet me të mirat që e rrethojnë. Kjo, sepse Lezha, ishte e preferuara e shekujve, një simbiozë e natyrës dhe e njerëzve të saj, që e transformojnë çdo ditë me punën e mendjen e tyre, një përqasje estetike e gjallë e vazhdueshmërisë së qytetërimit iliro-shqiptar, qyteti i dëshirave dhe i kënaqësive të banorëve të saj, udhëtarëve dhe vizitorëve, që e vizituan dhe e vizitojnë atë, një qytet i rrethuar me ngjarje të historisë, për të cilin poeti ynë i madh At Gjergj Fishta, do të shprehej: “Qielli kaltër, tokë e blerë, njëjti dimër, këtu pranverë”, apo kronikania bizantine, e shek XII, Ana Komnena, do të shprehej se “Lezha është një qytet i ngritur në ajër, i cili mund të shihet nga të gjitha anët”.

E veçanta e Lezhës është qyteti mikpritës, ku mund të hysh pa trokitur e të ndjehesh si në shtëpinë tënde, me bujarinë e këtyre njerëzve punëtorë e liridashës, ku punojnë e krijojnë një numër i madh krijuesish, poetësh, shkrimtarësh e artistësh, të cilët me veprat e tyre krijuese, ia shtojnë vlerat qytetit të tyre, i cili, me të drejtë, quhet qyteti i muzës krijuese, sofra e madhe e poetëve, shkrimtarëve e artistëve, një fidanishte e përhershme krijuesish.

/ JAK RROZHANI

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here