Vëllai ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, është vrarë me armë zjarri pak orë më parë në qytetin e Lezhës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:25 të mëngjesit të sotëm, ku viktima Aleksandër Ndoka, 48 vjeç, është gjetur i vdekur në mjetin e tij tip “Mitsubish”.

Shërbimet e Policisë pas njoftimit kanë shkuar menjëherë në Lagjen “Nënë Tereza”, ku kanë konstatuar se në mjetin tip “Mitsubish”, me targa AA 382 SE, ndodhej trupi i pajetë 48 vjeçarit, i vrarë me arme zjarri nga persona akoma të paidentifikuar.

Policia sqaron se janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit ndodhet në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të krimit.

Në mbështetje të veprimeve që po kryhen nga Policia e Lezhës për kapjen e autorëve, janë dërguar edhe dy grupe të FNSH-së së Shkodrës. /b.l/noa.al/