Art dhe Kulture

Libri dhe të rinjtë, sa afër dhe larg njëri-tjetrit

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Arkiva që ofron Biblioteka Kombëtare dhe interesi që tregon rinia shqiptare për librat. Ulet përqindja e moshave të reja që lexojnë

Interesi që tregohet për librat jashtëshkollorë, ndryshe artistikë, është zbehur dukshëm nga moshat e reja, të cilat nuk tregojnë asnjë interes. Duket se përqindja e të rinjve është tepër e vogël, këtë gjë e vërtetojnë dhe vetë shitësit e librarive. Lidhur me këtë fenomen, kemi bërë një vëzhgim nëpër librari dhe Bibliotekën Kombëtare, për sa i takon fluksit të të rinjve që vizitojnë këto ambiente. “Të paktë janë të rinjtë që vijnë e blejnë libra artistikë në librari. Përgjithësisht, moshat nga 25-45 janë më të prirur të lexojnë. Ndërsa të rinjtë, preferojnë ndonjë roman rozë”. Kështu shprehet një shitëse librarie në kryeqytet. Përpos librarive, shumëkush nga ne mund të gjejë një vend të përshtatshëm për të lexuar, siç është dhe Biblioteka Kombëtare. Përveç sallave të leximit, aty mund të gjesh dhe libra nga më të ndryshmit, mjafton veç dëshira për të lexuar.

Nga vëzhgimet e kryera, rezulton se janë të paktë të rinjtë që frekuentojnë këtë bibliotekë. Në ato pak raste, biblioteka përdoret për kërkime për punë shkencore apo dhe punime të tezave të diplomave të tyre. Por të paktë janë ata që preferojnë të lexojnë një roman në sallat e kësaj biblioteke.

Moshat e reja

Adoleshentët shqiptarë duket se nuk e kanë fort dëshirë të lexuarin në përgjithësi. Ndonëse njohin mirë tipat më të reja të celularëve, makinat më të shtrenjta apo tendencat e modës, po t’i pyesësh për autorë librash, që moshatarët e tyre të dikurshëm i dinin në majë të gishtave, zor se të kthejnë përgjigje. Një pjesë e mirë e prindërve bëjnë ç’të mundin duke i këshilluar, të tjerë i lënë të lirë. Por ajo çka dihet me siguri është se pasojat e kësaj “krize” në marrëdhënien me librin dhe leximin në tërësi, kanë prekur të gjithë brezin. Ato janë të pakthyeshme sa i përket formimit të adoleshentëve, të cilët, pas pak vitesh, do të duhet të jenë të denjë për të mbajtur një pozicion pune. Sigurisht, nuk mungojnë përjashtimet, pasi ende mijëra nxënës kultivojnë dijet jo vetëm nga librat e shkollës. Por të paktën, siç pranohet dhe nga vetë mësuesit, fenomeni i braktisjes së librave po zgjerohet. Të prirur rreth jetës së qejfit, të rinjtë po priren rreth gjerave më të thjesht, duke mos preferuar më librat jashtëshkollor. Madje, shumë prej tyre, mjafton të bëjnë një kërkim në internet rreth një autori apo vepre të caktuar, aty mund të gjejnë informacione pa fund mbi veprën. Kështu, me zhvillimin e teknologjisë dhe përhapjen e informacionit nëpërmjet internetit. Tashmë moshat e reja kanë një fluks informacionesh në adresa dhe forume të ndryshme. Ndonëse ndjesia që të fal leximi i një vepre “bestseller” është më i madh, të rinjtë e sotëm preferojnë rrugën më të shkurtër – atë të të marrit gjërat gati. Për shkak të mungesës së kësaj praktike, të rinjtë e sotëm kanë një mungesë të theksuar fjalori apo krijimtarie për ese. “Pranë librarisë sonë nuk ka shumë raste kur vinë të rinjtë për të blerë libra. Në ato raste të pakta, i blejnë për dhurata për prindërit apo dikë tjetër”,- shton më tej një tregtar i një librarie afër Rrugës së Elbasanit.

Arkiva që ofron Biblioteka Kombëtare

Biblioteka Kombëtare numëron në fondet e veta rreth 1.108.105 materiale bibliotekare, (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera). Hyrjet vjetore janë mesatarisht 20.000 materiale bibliotekare. Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano-balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane. Kështu, të gjithë ata që kanë dëshirë të frekuentojnë ambientet e kësaj biblioteke, duke nisur nga e hëna në të premten kanë një orar të vënë në dispozicion 8:00 – 20:00. Ndërsa gjatë fundjavave, orari është 8:00 – 14:00. “Kemi mjaft vizitorë, të moshave të ndryshme, por më shumë të rritur. Për të gjithë lexuesit ofrohet një gamë e gjerë librash”. Kështu shprehet një punonjëse pranë Bibliotekës Kombëtare.

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin