Libri “Hasi mes luftës dhe lirisë”, dëshmia më e saktë e kontributeve shqiptare për luftën dhe çlirimin e Kosovës

Vajza shqiptare e Dibrës që luftoi në llogoret e luftës me vëllezërit kosovarë dhe përjetoi keqtrajtimet e burgjeve të Maqedonisë nuk u mposht kurrë. Fal Zotit, shpëtoi nga tortura e vdekja dhe ka vendosur të mos e lë në mes kauzën e madhe të luftës për çlirimin e Kosovës. Dje, me armë në shtigjet e lirisë, kurse tani, në vazhdim, me obligimin për ta lënë të shkruar gjithçka të asaj lufte të madhe, të drejtë, me specifika, komponentë dhe sofistikim të luftës moderne. Këtij qëllimi i shërben kolona prej 11 librave të autores Rajmonda Maleçka. Edhe botimi më i ri, i 11-ti, me titull: “Hasi, mes luftës dhe lirisë”, i cili u promovua këto ditë, e plotëson më mirë obligimin e autores për luftën e çlirimin e Kosovës. Autorja akoma ka bronkitin e barutit në trupin e saj, ka blozën e tymin e predhave. Neuronet e saj, orë e çast përcjellin gjëmimin e tankeve përbindësh, predhave të artilerisë e të raketave. Akoma receptorët e trupit të saj përcjellin koloritin e biorrymave, duke fokusuar e ruajtur në memorien e saj çdo detaj të luftës, çdo operacion, çdo betejë, çdo derë që u hap, çdo vatër bujare që ngrohi e ushqeu djemtë e UÇK-së, çdo individ që kontribuoi për luftën qoftë i thjeshtë, i çdo moshe e seksi apo drejtues, organizues e komandant i strukturave ushtarake të asaj lufte, të cilët përshfaqen me shumë mjeshtëri dhe realizëm në faqet e këtij libri. Libri voluminoz “Hasi mes luftës dhe lirisë” është dëshmia më e saktë dhe më e plotë e kontributeve shqiptare për luftën dhe çlirimin e Kosovës. Është libri i kujtesës, mirënjohjes dhe i nderit jo vetëm për Hasin e hasianët, por për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që ndihmuan, kontribuuan dhe luftuan për çlirimin e Kosovës. Ky libër është një skaner i vetvetes, popullit e kombit shqiptar në optikën e rrjedhës kohore, në retrospektivë e deri në ditët e sotme, është skaneri më i saktë që fotografon një pjesë të historisë së luftës që ka bërë shqiptari në fundshekullin XX.   Libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” nëpërmjet 1200 fotove, 300 personazheve dhe 831 faqeve pasqyron me vërtetësi, dëshmon dhe argumenton se çka ndodhur në veriun e Shqipërisë gjatë viteve të fundit të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar e sidomos gjatë luftës të Kosovës të vitit 1999. Ky libër hedh dritë mbi një pjesë të historisë të popullit shqiptar e veçanërisht të trevës së Hasit. Autorja me mënyrën më serioze dhe nëpërmjet një hulumtimi rigoroz, pasqyron, argumenton dhe dedukton për luftën e Kosovës dhe kosovarëve dhe për kontributin që dha Shqipëria dhe në veçanti Hasi dhe hasianët në luftën për çlirimin e Kosovës.  Autorja e këtij libri, znj. Maleçka, si një stratege e vërtetë, ka ditur të vërë në punë 180 bashkëpunëtorë dhe 300 personazhe të cilët rrëfejnë, dëshmojnë dhe hedhin dritë mbi luftën e Kosovës. Ajo ka ditur të depërtojë në thelbin e problemeve, të ndodhive, ngjarjeve e luftimeve duke sjell për lexuesin tablo të vërteta dhe të sakta për atë që ka ndodhur në veriun e Shqipërisë, kryesisht në Has dhe në Kosovë. E rëndësishme është se kjo autore ka ditur të përzgjedh personazhet e saj, t’i orientoi në momentet më kulminante e më specifike dhe sa herë e sheh të nevojshme ndërhyn me mjeshtëri jo vetëm artistikisht, por edhe shkencërisht, duke bërë analiza të thella në retrospektivë e veçanërisht gjatë 10-vjeçarit të fundshekullit të 20-të dhe dedukton në mënyrën më të mirë për atë që ka ndodhur në veriun e Shqipërisë, në Has dhe në Kosovë, sidomos gjatë luftës për çlirimin e saj. Autorja sjell në memorien e lexuesit trevën e Hasit dhe hasianët me të gjithë kompleksitetin, traumacitetin, veçoritë specifike, unikalitetin e ndasisë që përjetoi kjo trevë nga padrejtësia shekullore që iu bë vendit tonë nga fuqitë e Mëdha. Ajo përshfaq në faqet e këtij libri më së miri cilësitë luftarake, dashurinë e pakufishme të hasianit për bashkim e paqe, për besë, nder, solidaritet e mbijetesë. Autorja argumenton se motivi atdhetar për shqiptarin ka qenë historikisht funksionues, por veçanërisht hasianët, nënat burrëresha të Hasit u kanë dhënë bijve, nipave dhe mbesave kulturën atdhetare që kurrë, nuk mundi ta shuaj, ta sundojë e ta zotërojë pushtuesi serb. Orteku atdhetar i hasianëve nuk ka njohur kohë e kufij. Ai ka pasur si trase të tij kontribuimin, qoftë edhe duke u flijuar në fushën e betejës, për kauzën e madhe të lirisë e të bashkimit. Hasianin e ka shqetësuar më shumë nderi i vdekjes se sa ajo që kanë humbur, jetën e bijës apo të birit të tyre, ja sepse hasjanët edhe luftën e Kosovës e përjetuan si një gjë të zakonshme, pavarësisht nga pasojat dhe traumat që pësuan. Kjo autore, si një ushtarake e vërtetë ka pasqyruar në këtë libër edhe armikun serb me të gjithë tiparet dhe veçoritë e tij, si më i egri, si më i betuari për ta shfaros me gjithçka popullin kosovar, gjatë gjithë historisë shekullore. Nga ana tjetër, ka dëshmuar dhe argumentuar se Fuqitë e Mëdha dhe diplomacia evropiane nuk e kuptuan realisht egërsinë dhe qëndrimet shoviniste të Serbisë, shtypjen me egërsi tigrane të popullit kosovar, traumat që i ka shkaktuar ky armik Kosovës e kosovarëve gjatë periudhës njëshekullore. Ndoshta dhe e kanë kuptuar, por kanë bërë syrin qorr dhe veshin shurdhër, i kanë lënë atij dorë të lirë, derisa ai u shfaq me tërë egërsinë e tij: gjenocidin e paparë dhe eksodin biblik të kosovarëve. Vetëm atëherë faktori ndërkombëtar u ndërgjegjësua për t’i vënë kufirin te thana, e për t’i thënë ndal këtij përbindëshi të Ballkanit. Znj. Maleçka argumenton se për të ardhur te pavarësia dhe liria e Kosovës nuk u prit gjithçka nga jashtë, përkundrazi, u punua me vite, me shumë përgjegjësi, sakrificë, mençuri e vendosmëri. Lufta e Kosovës ishte një luftë e drejtë, në kohën e vendin e duhur, natyrisht fuqia, kualifikimi, qartësia e strategjia që përdori NATO qe efikase dhe dominuese për arritjen e fitores. Autorja, me begraundin e saj, ka bërë në këtë libër rolin e gjeografit, historianit, statisticienit, analistit e të ushtarakes të spikatur. Libri përmbledh një tematikë të gjerë dhe të larmishme. Ai rrok një periudhë kohore të gjatë, herë-herë fokusohet nga gjeneza e popullit tonë dhe trojeve etnike, herë-herë duke marrë shkas nga ndodhi, personazhe emblematike si Isa Buletini, Adem Jashari etj., dhe ngjarje kulminante të historisë e të ekzistencës së shqiptarëve ndriçon, argumenton dhe dedukton për të ardhmen e kombit, autenticitetin e tij, për veçoritë, specifikat, virtytet dhe traditat e këtij populli të vuajtur, të mrekullueshëm e të lashtë të Ballkanit dhe të Evropës. Në librin “Hasi mes luftës dhe lirisë”, autorja Maleçka, më mirë se kushdo tjetër, sot për sot, ka sjellë për lexuesin kontributin e shqiptarëve, të shtetit shqiptar, të strukturave të sigurisë, mbrojtjes, shërbimit Informativ dhe veçanërisht Hasit e hasianëve në luftën për çlirimin e Kosovës.

Nëpërmjet këtij libri, autorja sjell realitetet e punës dhe fazat e përgatitjes, strategjitë e hartuara, taktikat e përdorura dhe bashkëpunimin e frytshëm të segmenteve të shtetit shqiptar e personaliteteve shqiptare me ato të trojeve etnike dhe sidomos ato të Kosovës për ngritjen e strukturave të UÇK-së dhe luftën për çlirimin e saj. Në këtë libër, jepet tabloja e saktë e personazheve emblematikë, por edhe e njerëzve të thjeshtë për kontributet dhe shërbesat në dobi të luftës për çlirimin e Kosovës. Libri hedh dritë për ngjarjet e vitit 1968, 1981 dhe veçanërisht për periudhën e vitit 1990-1999. Ai pasqyron e dëshmon punën e bërë nga krerët drejtues të LPK e UÇK-së për përgatitjen dhe ngritjen e strukturave të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Konkludohet se lufta në Kosovë ka qenë prezente vazhdimisht, por pikun e saj e mori në vitet 1997-1999. Për të arritur këtu është dashur një punë e sakrificë e madhe. Në mënyrë të hollësishme, pasqyrohet puna e bërë për krijimin e UÇK-së. Ajo ka qenë një periudhë e gjatë, e mbarsur me plot rreziqe, me plot mençuri, inteligjencë, përkushtim e obligim deri dhe me flijim të shumë jetëve të shqiptarëve të Kosovës e trojeve etnike, por dhe të Hasit e hasianëve. Autorja na jep njohuritë më të plota dhe tablonë më të arrirë për kontributin dhe rolin që luajti diaspora kosovare për ngritjen e UÇK-së dhe luftën e Kosovës. Është një rol e kontribut dominant pa të cilin nuk do të ishte arrit fitorja e kësaj lufte. Nga analiza e punës së bërë për krijimin e UÇK-së arrihet në përfundime shkencore si: Asnjëri nuk mund të marrë përsipër krijimin dhe themelimin e UÇK-së dhe ta personalizojë atë. UÇK-ja, është vlerë e një lumi gjaku të derdhur ndër breza. Janë përpjekje të stërmundimshme deri në krijimin e saj. Është sakrifica e shumë individëve, grupeve, pse jo dhe brezave, deri sa u krijuan kushtet objektive e subjektive për daljen e UÇK-së në skenë. (f.90, 91). Në muajin dhjetor 1993 është bërë organizimi i grupeve të luftëtarëve në një organizëm të vetëm ushtarak, që u njoh me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në vitin 1994, është formuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i cili është njohur me emrin Shtabi i Përgjithshëm Qendror (SHQ). Selia e tij ka qenë Prekazi, por ka lëvizur në lagjen “Qendra”, në Prishtinë, në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, Plluzhinë, Açarevë, në Likoc të Dreniçës, në Kleçkë, në Divjakë të malit të Berishës. Në vitin 1998, u bë ristrukturimi i vet shtabit, i cili mori formën e tij të plotë me drejtoritë përkatëse, u krijuan njësitë mbështetëse si Batalioni Vëzhgues diversionist, Bat. Logjistikës, i Ndërlidhjes, i Mjekësisë, u krijuan spitalet ushtarake. U krijua Garda e Kosovës me tri brigada gardiste, Kosova u nda në shtatë zona operative me 32 brigada. Këto brigada në përfundim të luftës kishin rreth 25 mijë luftëtarë, nga radhët e këtyre luftëtarëve ranë mbi 2500 dëshmorë dhe mbetën invalidë mbi 1500 prej tyre. Në libër, del qartë kontributi i shtetit shqiptar dhe i shqiptarëve në luftën për çlirimin e Kosovës. Autorja, nëpërmjet protagonistëve të asaj kohe, nga Shqipëria dhe Kosova, sjell të vërteta të pakontestueshme, duke u dhënë fund hamendësimeve dhe dilemave që kanë ekzistuar në vetë qytetarët e vendit tonë për atë kohë dhe për atë luftë. Nga ky libër mësohet, më së miri, se si ka ndihmuar shteti shqiptar, cilët kanë qenë disa nga personalitetet që kanë ndihmuar konkretisht dhe format e kontribuimit. Ata janë të shumta, por ne po përmendim disa prej tyre si: kontaktet, këshillimet, trajnimet, furnizimi, hartimi i strategjive dhe taktikave, pjesëmarrje aktive me grupe oficerësh të liruar pran Shtabit të UÇK-së dhe individëve që luftuan krahas vëllezërve kosovarë në llogoret e luftës, në vënien e të gjitha hapësirave detare, tokësore e ajrore në dispozicion të NATO-s për të zhvilluar operacionet luftarake në Kosovë e deri te mbrojtja e çdo pëllëmbe të territorit tonë me strukturat tona luftarake 

Kontributi fondamental, në gjithë zhvillimin e UÇK-së dhe që ka reflektuar dukshëm në të gjithë frontet e luftës deri me përfundimin e fitores të saj

 Nga libri, mësojmë se ka qenë një grup aktiv, i cili ka kryer një detyrë të lavdishme dhe të jashtëzakonshme i përbërë nga Prof. Fatos Klosi, Sokol Poga, Sabit Brokaj, Sokol Bare, Artan Meçe, Frederik Ymeri, Ram Kuca, grupi i ushtarakëve aktivë i Ministrisë së Mbrojtjes si Komandanti i Dv. Kukësit, Kudusi Lame, Drejtori i Zbulimit të Ushtrisë, Kujtim Jahja, Drejtori Operativ dhe Shef i Degës së Forcave Speciale, n/kolonel Pajtim Ajazi, grupi i oficerëve, Besim Malaj, Ilir Dako, Demir Ibrahimaj, Hysen Ymeraj etj. Autorja e librit argumenton, më së miri, se Shqipëria dhe shqiptarët i dhanë luftës për çlirimin e Kosovës gjithçka që iu kërkua dhe gjithçka që iu nevojit. Ajo fokusohet në mënyrë të veçantë në kontributin e Hasit dhe hasianëve për të cilët të gjithë personazhet e librit, qofshin njerëz të thjeshtë e deri te anëtarë të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së flasin, dëshmojnë e vlerësojnë në Sinkron, ku po veçojmë disa prej tyre: Azem Syla, ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së “Në Has kam gjetur një dëshirë të zjarrtë lirie. Ata i kam parë, njëlloj si unë, të dëshiruar për të çliruar Kosovën. Populli na ka pritur e përcjellë sikur të ishim djemtë e shtëpisë me gjithë kujdesin e mundshëm. Ata, në radhë të parë, kanë hapur portat e shtëpive të tyre për luftëtarët, kanë dhënë bukën e tyre për luftëtarët pa kursim dhe pa shpërblim. Mjaft djem e burra të Hasit kanë qenë pjesëmarrës në luftë. Ata janë përballur me dhjetëra herë me armë me forcat serbe dhe detyrat i kanë kryer. Në Has, edhe fëmijët mbajnë ngarkesë e përgjegjësi për familjen, për shoqërinë, për atdheun e kombin” (F.5.6)  Gjeneral Rexhep Selimi: “Hasi ka qenë arteria kryesore, mandej për një kohë të gjatë edhe e vetmja, e furnizimit, lëvizjes dhe futjes së armëve në Kosovë. Nga Hasi kanë dhënë jetën mbi 30 dëshmorë e dhjetëra të tjerë kanë larë tokën me gjakun e plagëve të tyre në këtë luftë. Dëshmorët, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, nga Hasi i Republikës së Shqipërisë, janë pjesë e pandashme e historisë së luftës së UÇK-së. Ata kanë qenë pjesë integrale e luftës së shqiptarëve për çlirimin e Kosovës”. (f. 42).

 Ali Ahmeti, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: “Hasjanët u bënë mbështetja jonë kryesore. Pothuajse të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, qëndruan në odat hasjane dhe kanë ndjerë nga afër përkrahjen pa rezerva e dorën e ngrohtë vëllazërore të popullit bujar e mikpritës të asaj zone”. (f. 302).  Hashim Thaçi, aktualisht Kryeministër i Kosovës: “Të gjithë ne që po e gëzojmë lirinë dhe çlirimin e Kosovës, e dimë mirë se çdo luftëtar i UÇK-së, çdo eksponent i luftës, çdo armë e luftës e njeh, e din mirë se ç’është Hasi dhe kush janë hasjanët. Hasi ka qenë një llogore dhe front i vështirë lufte, i pamundur për t’u mposhtur, i pamundur për t’u nënshtruar, i pamundur për t’ia vrarë shpirtin luftëtar dhe ndjenjën patriotike…Ata janë të gjithë pjesë e luftës dhe pjesë e nderimit tim për atë që i bënë luftës. I dhanë bukë, mikpritje, i dhanë djersë, i dhanë gjak dhe morën plagë dhe dhimbje prej saj”. Ne u ndalëm vetëm në disa prej tyre, por nderimi, vlerësimi dhe mirënjohja për kontributin e Hasit e hasianëve përshfaqet jo më në të gjitha faqet e këtij libri, por thuajse në çdo rresht të tij. Aktualisht, libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” përmbush një boshllëk dhe ndriçon të vërtetën e madhe se Shqipëria ka qenë në luftë gjatë zhvillimeve të Luftës në Kosovë. Atë e tregon lista e 199 të rënëve në Pashtrik nga viti 1990 e deri sa Kosova u çlirua, 95 veta të moshave e sekseve të ndryshëm të plagosur me mina, kalendari i ngjarjeve, i cili siç thotë autorja – është statistikë dhimbjesh, të rënësh, të suspenduarish, njerëz që iu është prerë lumturia e moshës në mesin e vet apo në kohën më të mirë për të jetuar. Ky kalendar na jep të dhëna të sakta pasojat, traumat dhe vdekjen që mbolli minimi i zonës kufitare, ku mendohet të jenë hedhur 6000-8000 predha, në një zonë prej 2000 ha. Vetëm në gjatësinë kufitare që ka Hasi prej 12.6 km dhe në 120 ha tokë mund të vinte vdekja, nga çasti në çast, prej minave. Nisur nga tematika që rrok, provat e dëshmitë që sjell, tezat që argumenton, të dhënat e shumta historike, gjeografike, vlerat etnokulturore, tablotë reale të luftës dhe mesazhet që jep libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” mbetet si një manual për shkrimin, plotësimin e pasurimin e historisë të popullit shqiptar nga ku ka ç’të mësojë cilido prej nesh dhe veçanërisht gjeneratat dhe breznitë e reja.

 FAIK XHANI, studiues

Comments are closed.