Lidhja e Lezhës, hap drejt konsolidimit të shtetit shqiptar

2 Mars i vitit 1444, 565 vjetori i Kuvendit të Lezhës, përbën një nga ngjarjet më të shënuara të historisë mesjetare shqiptare. Për të arritur bashkimin e gjithë Shqipërisë, me iniciativën e Gjergj Kastrioti –Skënderbeut u thirr Kuvendi Mbarëkombëtar në Lezhë. Në këtë kuvend morë pjesë shumë princa shqiptarë bashkë me trashëgimtarët e tyre, por u shquan sidomos kapedanët e vjetër që kishin zhvilluar luftëra kundër turqve për më shumë së gjysmën shekulli, si: Arianitët, Pal e Nikollë Dukagjini, Andrea Topia, Lekë Dushmani, Teodor Muzaka, Pjetër Shpani, Lekë Zaharia, Pal Stres Balsha etj. ku Lidhja e Lezhës e shtriu gjeografinë e principatave nga Kanina, Berati deri në Kosovë.

Përvoja e luftërave të mëparshme të shqiptarëve, kishte dëshmuar se Perandorisë Osmane nuk mund t’i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike. Kërkohej gjithashtu bashkëpunimi me vendet e tjera, që ishin në luftë me perandorinë. Si hap të parë të rëndësishëm në këtë drejtim, Skënderbeu gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm ku do të përfaqësoheshin të gjithë zotërit feudalë shqiptarë. Pas një pune paraprake, ato u grumbulluan në qytetin e Lezhës. Kuvendi i Lezhës, u mbajt më 2 mars 1444. Ai vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira, ajo u quajt Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, ku kryetar u zgjodh Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Kuvendi i Lezhës krijoi ushtrinë e përbashkët dhe emëroi komandant të përgjithshëm të saj, Skënderbeun. Për mbrojtjen e saj, pajisjen me armatime etj. u krijua një arkë e përbashkët pranë kryekomandantit, fondet do të siguroheshin nga të hollat që do të jepte secili nga anëtarët e Lidhjes aftësisë mbrojtëse dhe gatishmërisë ushtarake të vendit. Për nevojat e luftës, feudalët shqiptarë pranuan krijimin e organeve qendrore. Përshpejtimin e procesit të bashkimit politik të shqiptarëve, e favorizoi shumë autoriteti në rritje i Skënderbeut. Për fuqizimin e shtetit shqiptar, ai i dha rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me shtetet evropiane që kërcënoheshin nga pushtimi turk. Rëndësi të veçantë pati forcimi i lidhjeve me Hungarinë e Huniadin. Kujdes i kushtoi Skënderbeu edhe forcimit të bashkëpunimit me Raguzën dhe shtetet italiane, për të siguruar nga ato ndihma materiale e ushtarake.

Me këtë rast u organizuan veprimtari të larmishme kulturore-artistike të organizuar nga Bashkia e qytetit, Muzeu Historik, Pallati i Kulturës “Manush Alimani” të qytetit, me pjesëmarrjen e autoritete me të larta qendrore e lokale si; ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, deputeti Prec Zogaj, kryetari i LSI Ilir Meta, përfaqësues të klerit, kryetari i Këshillit të Qarkut, Lezhë, Bardh Rica, kryetari i Bashkisë Lezhe, Viktor Tushaj, këshilltarë bashkiakë, drejtues të pushtetit vendor e të institucioneve, intelektualë etj. Bukurinë e kësaj feste ia shtuan parakalimi i kalorësve dhe performanca e grupit të valleve të përgatitur nga koreografi i talentuar Gazmend Golemi, që përshkuan rrugët e sheshet e qytetit. Në sheshin para Obeliskut të 2 Marsit 1444 banda frymore ekzekutonte pjesë të ndryshme, ndërkohë që ngritja e flamurit kuq e zi u bë nga ministri Ylli Pango e kryetari i Bashkisë, Viktor Tushaj, nën tingujt e Himnit Kombëtar. Në Memorialin e Vendëvarrimit të Skënderbeut, u mbajt séance përkujtimore, ku folën kryetari i Bashkisë Tushaj, ministri Pango, referoi prof.dr, Kasem Bicoku për figurën dhe veprën e Skënderbeut, alternuar me interpretimin e aktorëve të njohur Yllka Muja e Ndriçim Xhepa, shoqëruar me koncertin e artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit e Pallatit të Kulturës “Manush Alimani” Lezhë, nënë drejtimin e Robert Radojës dhe Ismet Zusit. Vizita në Galerinë e Arteve të Pallatit të Kulturës, do të përmbyllte këtë takim jubilar mbështetur nga Ministria e Kulturës e Bashkia Lezhë me ekspozitën prej 44 veprash të përgatitura mjeshtërisht nga përgjegjësi i kësaj galerie, piktori i njohur Ymer Metaliaj, që kishte përgatitur edhe skenografinë e aktivitetit të 2 marsit, me 8 piktura dhe 4 vizatime fëmijësh, 6 gravura për Skënderbeun 3 piktura të Guri Madhit, Kel Kodhelit e Spiro Xegës, 23 foto nga Lezha para 90` fotot më të vjetra të vitit 1880 nga mjeshtërit Marubi e Shan Pici, kuruar mjeshtërish nga piktori i talentuar Ymer Metaliaj ndërkohë që vazhdonte pa ndërprerje radiomontazhi i përgatitur enkas për këtë festë jubilare. / Nga Jak Rrozhani

Similar Posts