Ligjet

Ligje në lidhje me Kodin e Familjes

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Ligje në lidhje me Kodin e Familjes

LIGJ Nr. 9443, datë 16.11.2005

PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN “PËR JURIDIKSIONIN, LIGJIN E ZBATUESHËM, NJOHJEN, ZBATIMIN DHE BASHKËPUNIMIN, NË LIDHJE ME PËRGJEGJËSINË PRINDËRORE DHE MASAT PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Republika e Shqipërisë aderon në Konventën “Për juridiksionin, ligjin e zbatueshëm, njohjen, zbatimin dhe bashkëpunimin, në lidhje me përgjegjësinë prindërore dhe masat për mbrojtjen e fëmijëve”, bërë në Hagë më 19 tetor 1996, me rezervat dhe deklarimet e parashikuara në këtë ligj.

Neni 2

Në përputhje me paragrafin e parë të nenit 29 të Konventës, autoriteti qendror për përmbushjen e detyrave të kësaj Konvente është Ministria e Drejtësisë.

Neni 3

Në përputhje me paragrafin e dytë të nenit 34 të Konventës, Republika e Shqipërisë deklaron se kërkesat, sipas paragrafit të parë të këtij neni, do t’u komunikohen autoriteteve të tij vetëm nëpërmjet autoritetit qendror.

Neni 4

Në përputhje me paragrafin e parë të nenit 60 të Konventës, Republika e Shqipërisë rezervon të drejtën e juridiksionit të autoriteteve të veta për të marrë masa për mbrojtjen e pasurisë së fëmijës në territorin e vet, si dhe rezervon të drejtën e mosnjohjes së një përgjegjësie prindërore apo të një mase për sa kohë nuk është në përputhje me ndonjë masë të marrë nga autoritetet e veta, në lidhje me këtë pasuri, siç është parashikuar në paragrafin e parë të nenit 55 të Konventës.

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4708, datë 30.11.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu.

KONVENTA MBI JURIDIKSIONIN, LIGJIN E ZBATUESHËM, NJOHJEN, ZBATIMIN DHE BASHKËPUNIMIN NË LIDHJE ME PËRGJEGJËSINË PRINDËRORE DHE MASAT PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE

(lidhur më 19 tetor 1996)

Shtetet nënshkruese të kësaj Konvente, duke marrë në konsideratë nevojën për të përmirësuar mbrojtjen e fëmijëve në situatat ndërkombëtare;
duke dëshiruar të shmangin konfliktet midis sistemeve të tyre ligjore në lidhje me juridiksionin, ligjin e zbatueshëm, njohjen dhe zbatimin e masave për mbrojtjen e fëmijëve;
duke pasur parasysh rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e fëmijëve;
duke konfirmuar se interesat e fëmijëve janë të një rëndësie parësore;
duke vërejtur se Konventa e 5 tetorit 1961, në lidhje me kompetencat e autoriteteve dhe ligjin e zbatueshëm për mbrojtjen e minorenëve, ka nevojë për rishikim;
duke dëshiruar të vendosin dispozita të përbashkëta për këtë qëllim, duke marrë në konsideratë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve të 20 nëntorit 1989, kanë rënë dakord për dispozitat e mëposhtme:

KAPITULLI I – FUSHA E VEPRIMIT TË KËSAJ KONVENTE

Neni 1

1. Objektivat e kësaj Konvente janë:
a) të përcaktojë shtetin, autoritetet e të cilit kanë juridiksion për të marrë masa në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve ose pasurisë së tyre;
b) të përcaktojë se cili ligj duhet të zbatohet nga këto autoritete në ushtrimin e juridiksionit të tyre;
c) të përcaktojë ligjin e zbatueshëm për përgjegjësinë prindërore;
d) të parashikojë njohjen dhe zbatimin e këtyre masave mbrojtëse në të gjitha Shtetet Kontraktuese;
e) të vendosë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve të Shteteve Kontraktuese, sipas nevojës, në mënyrë që të përmbushen qëllimet e kësaj Konvente.

2. Për qëllimet e kësaj Konvente, termi “përgjegjësi prindërore” nënkupton autoritetin prindëror ose çdo marrëdhënie të ngjashme të autoritetit që përcakton të drejtat, kompetencat dhe përgjegjësitë e prindërve, kujdestarëve ose përfaqësuesve të tjerë ligjorë në lidhje me fëmijën ose pasurinë e tij.

Neni 2

Kjo Konventë zbatohet për fëmijët nga momenti i lindjes deri në moshën 18 vjeç.

Neni 3

Masat e referuara në nenin 1 do të kenë lidhje, në veçanti, me:

a) dhënien, ushtrimin, përfundimin ose kufizimin e përgjegjësisë prindërore, si dhe delegimin e saj;

b) të drejtat e kujdestarisë, duke përfshirë të drejtat në lidhje me kujdesin për fëmijën dhe, në veçanti, të drejtën për të përcaktuar vendbanimin e fëmijës, si dhe të drejtat e hyrjes, duke përfshirë të drejtën për ta marrë fëmijën për një periudhë të kufizuar kohe, në një vend tjetër nga ai i banesës së përhershme të fëmijës;

c) kujdestarinë dhe institucionet e ngjashme;

d) planifikimin dhe funksionet e çdo personi apo organi që përfaqëson apo ndihmon fëmijën, që është përgjegjës për fëmijën ose pasurinë e tij;

e) vendosjen e fëmijës në një familje kujdestare nën kujdesin institucional, sigurimin e kujdesit kafala apo të një institucioni të ngjashëm;

f) mbikëqyrjen nga një autoritet publik për kujdesin e treguar ndaj fëmijës nga çdo person që ka fëmijën nën përgjegjësinë e vet;

g) administrimin, ruajtjen ose eliminimin e pasurisë së fëmijës.

Neni 4

Kjo Konventë nuk është e zbatueshme për:

a) vendosjen ose kundërshtimin e marrëdhënies prind-fëmijë;

b) vendimet mbi adoptimin, masat përgatitore për adoptim ose anulimin, apo revokimin e adoptimit;

c) emrin dhe mbiemrin e fëmijës;

d) emancipimin;

e) detyrimet për mbajtjen;

f) trustet apo vazhdimin e trashëgimisë;

g) sigurimet shoqërore;

h) masat publike të karakterit të përgjithshëm në çështjet e arsimit ose ato shëndetësore;

i) masat e marra si rezultat i veprave penale të kryera nga fëmijët;

j) vendimet mbi të drejtat e strehimit politik dhe ato mbi emigracionin.

KAPITULLI II – JURIDIKSIONI

Neni 5

1. Autoritetet gjyqësore ose administrative të Shtetit Kontraktues, ku fëmija ka banesën e përhershme, kanë juridiksion për të marrë masa në lidhje me mbrojtjen e fëmijës ose të pronës së tij.

2. Në bazë të nenit 7, në rast ndryshimi të banesës së përhershme të fëmijës në një Shtet tjetër Kontraktues, autoritetet e shtetit të banesës së re kanë juridiksion.

Neni 6

1. Për fëmijët emigrantë dhe fëmijët të cilët, për shkak të problemeve të ndodhura në vendin e tyre, janë zhvendosur në një shtet tjetër, autoritetet e Shtetit Kontraktues në territorin e të cilit ndodhen këta fëmijë si rezultat i zhvendosjes së tyre, kanë juridiksionin e parashikuar në nenin 5 paragrafi 1.

2. Dispozitat e paragrafit të mësipërm zbatohen gjithashtu për fëamijët, banesa e përhershme e të cilëve nuk mund të përcaktohet.

Neni 7

1. Në rast të ndonjë largimi apo mbajtjeje pa të drejtë të fëmijës, autoritetet e Shtetit Kontraktues në të cilin fëmija ka qenë banor i përhershëm, menjëherë para largimit apo mbajtjes, ruajnë juridiksionin e tyre, derisa fëmija të ketë marrë një banesë të përhershme në çdo shtet tjetër:

a) çdo person, institut ose çdo organ tjetër që ka të drejtat e kujdestarisë, ka rënë dakord për largimin apo mbajtjen;

b) fëmija ka banuar në këtë shtet tjetër për një periudhë prej jo më pak se një vit pasi personi, instituti apo organi tjetër që ka të drejtat e kujdestarisë, ka ose duhet të ketë pasur dijeni për vendndodhjen e fëmijës, asnjë kërkesë për kthimin e bërë brenda kësaj periudhe nuk është pezull, dhe fëmija është vendosur në ambientin e ri të tij/të saj.

2. Largimi apo mbajtja e një fëmije konsiderohen të gabuara kur:

a) shkelin të drejtat e kujdestarisë që i jepen një personi, një institucioni apo ndonjë organi tjetër, kolektivisht ose individualisht, sipas ligjit të shtetit në të cilin fëmija ka qenë banor i përhershëm, menjëherë para largimit apo mbajtjes;

b) në kohën e largimit apo mbajtjes, kur këto të drejta ushtroheshin, kolektivisht ose individualisht, ose duhet të ishin ushtruar në këtë mënyrë, me përjashtim të largimit apo mbajtjes.
Të drejtat e kujdestarisë të referuara në nënparagrafin “a” më sipër, mund të lindin veçanërisht përmes funksionimit të ligjit ose për shkak të një vendimi gjyqësor ose administrativ, apo për shkak të një marrëvëshjeje që ka efekt ligjor sipas ligjit të këtij shteti.

3. Për sa kohë që autoritetet e përmendura së pari në paragrafin 1 e ruajnë juridiksionin e tyre, autoritetet e Shtetit Kontraktues, tek i cili fëmija është larguar ose në të cilin ai ose ajo është mbajtur, mund të marrin vetëm ato masa urgjente që, sipas nenit 11, janë të nevojshme për mbrojtjen e fëmijës ose pronës së fëmijës.

Neni 8

1. Me anë të përjashtimit, autoriteti i Shtetit Kontraktues që ka juridiksion sipas nenit 5 ose 6, nëse gjykon se autoriteti i një Shteti tjetër Kontraktues do të vendosej më mirë në një rast të veçantë për të vlerësuar interesin më të mirë të fëmijës:
-mund të kërkojë që autoriteti tjetër, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me ndihmën e autoritetit qendror të shtetit të tij, të marrë juridiksionin për të ndërmarrë këto masa mbrojtëse, si ta gjykojë të nevojshme;
-mund të pezullojë shqyrtimin e çështjes dhe të ftojë palët të paraqesin këtë kërkesë para autoritetit të këtij shteti tjetër.

2. Shtetet Kontraktuese, autoritetet e të cilëve mund të adresohen siç parashikohet në paragrafin e mësipërm, janë:

a) një shtet, shtetas i të cilit është ky fëmijë;

b) një shtet, në të cilin ndodhet pasuria e fëmijës;

c) një shtet, autoritetet e të cilit janë në shqyrtim e sipër të një kërkese për divorc ose ndarje ligjore të prindërve të fëmijës ose për anulimin e martesës së tyre;
d) një shtet, me të cilin fëmija ka lidhje të ngushta.

3. Autoritetet e interesuara mund të procedojnë për një shkëmbim mendimesh.

4. Autoriteti i adresuar, siç parashikohet në paragrafin 1, mund të marrë juridiksionin në vend të autoritetit që ka juridiksion sipas nenit 5 ose 6, nëse e gjykon se kjo është në të mirën e fëmijës.

Neni 9

1. Nëse autoritetet e një Shteti Kontraktues të referuara në nenin 8 paragrafi 2, në rastin e veçantë gjykojnë se janë në pozitë më të mirë për të vlerësuar interesin më të mirë të fëmijës:
-mund t’i kërkojnë autoritetit kompetent të Shtetit Kontraktues të banesës së përhershme të fëmijës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me ndihmën e autoritetit qendror të këtij shteti, që të autorizohen për të ushtruar juridiksionin për të marrë masa mbrojtëse, të cilat i gjykojnë të nevojshme;
-mund të ftojnë palët të paraqesin këtë kërkesë para autoritetit të Shtetit Kontraktues të banesës së përhershme të fëmijës.

2. Autoritetet e interesuara mund të procedojnë për një shkëmbim mendimesh.

3. Autoriteti që fillon bërjen e kërkesës mund të ushtrojë juridiksion në vend të Shtetit Kontraktues të banesës së perhershme të fëmijës vetëm nëse ky autoritet e pranon kërkesën.

Neni 10

1. Pa asnjë paragjykim në lidhje me dispozitat e neneve 5-9, autoritetet e një Shteti Kontraktues, që ushtrojnë juridiksionin për të vendosur në lidhje me një kërkesë për divorc ose ndarje ligjore të prindërve të një fëmije që është banor i përhershëm në një Shtet tjetër Kontraktues ose për anulimin e martesës së tyre, nëse e parashikon ligji i shtetit të tyre, mund të marrin masa për mbrojtjen e fëmijës apo të pasurisë së tij, nëse:

a) në kohën e fillimit të procedimit, njëri nga prindërit e tij ose të saj ka pasur banesë të përhershme në këtë shtet dhe njëri prej tyre ka përgjegjësi ligjore në lidhje me fëmijën;

b) juridiksioni i këtyre autoriteteve për të marrë këto masa është pranuar nga prindërit, si dhe nga ndonjë person tjetër i cili ka përgjegjësi prindërore në lidhje me fëmijën dhe kur është në interes të fëmijës.

2. Juridiksioni i parashikuar në paragrafin 1 për të marrë masa për mbrojtjen e fëmijës ndërpritet nëse vendimi për të lejuar ose refuzuar kërkesën për divorc, ndarjen ligjore ose prishjen e martesës ka marrë formë të prerë, ose procedimi ka përfunduar për ndonjë arsye tjetër.

Neni 11

1. Në të gjitha rastet emergjente, autoritetet e ndonjë Shteti Kontraktues, në territorin e të cilit ndodhet fëmija ose prona që i përket fëmijës, ka juridiksion për të marrë masat e nevojshme mbrojtëse.

2. Masat e marra sipas paragrafit të mësipërm, për sa i përket një fëmije që është banor i përhershëm në Shtetin Kontraktues, do të shfuqizohen nëse autoritetet, të cilat kanë juridiksion sipas neneve 510, kanë marrë masat që kërkohen sipas rrethanave.

3. Masat e marra sipas paragrafit 1 në lidhje me fëmijën që është banor i përhershëm në një shtet jokontraktues, do të shfuqizohen në secilin Shtet Kontraktues, nëse masat e kërkuara sipas rrethanave dhe ato të marra nga autoritetet e një shteti tjetër njihen në Shtetin Kontraktues në fjalë.

Neni 12

1. Në bazë të nenit 7, autoritetet e një Shteti Kontraktues, në territorin e të cilit ndodhet fëmija ose prona që i përket fëmijës, kanë juridiksion për të marrë masa të një karakteri të përkohshëm për mbrojtjen e fëmijës ose pronës së fëmijës, me efekt territorial të kufizuar në shtetin në fjalë, për sa kohë që këto masa nuk janë në mospërputhje me masat e marra tashmë nga autoritetet të cilat kanë juridiksion sipas neneve 5-10.

2. Masat e marra sipas paragrafit të mësipërm, në lidhje me një fëmijë që është banor i përhershëm në një Shtet Kontraktues, do të shfuqizohen nëse autoritetet të cilat kanë juridiksion sipas neneve 5-10 të kenë marrë një vendim në lidhje me masat mbrojtëse, të cilat mund të kërkohen sipas rrethanave.

3. Masat e marra sipas paragrafit 1, në lidhje me një fëmijë i cili është banor i përhershëm në një shtet jokontraktues, do të shfuqizohen në Shtetin Kontraktues ku janë marë masat, nëse masat e kërkuara nga rrethanat dhe të marra nga autoritetet e një shteti tjetër janë njohur në Shtetin Kontraktues në fjalë.

Neni 13

1. Autoritetet e një Shteti Kontraktues, të cilat kanë juridiksion sipas neneve 5 deri në 10 për të marrë masa për mbrojtjen e fëmijës ose pasurisë së fëmijës, duhet të frenohen nga ushtrimi i këtij juridiksioni, nëse, në kohën e fillimit të procedimit, masat korresponduese janë kërkuar nga autoritetet e një Shteti tjetër Kontraktues që ka juridiksion sipas neneve 5-10 në kohën e kërkesës dhe janë akoma në proces shqyrtimi.

2. Dispozitat e paragrafit të mësipërm nuk do të zbatohen nëse autoritetet, para të cilave është paraqitur fillimisht kërkesa për marrjen e masave, nuk kanë juridiksion.

Neni 14

Masat e marra në zbatim të neneve 5-10 qëndrojnë në fuqi sipas afateve të tyre, edhe nëse një ndryshim rrethanash ka eliminuar bazën mbi të cilat është ngritur juridiksioni, për sa kohë që autoritetet, të cilat kanë juridiksion sipas Konventës, nuk kanë ndryshuar, zëvëndësuar apo përfunduar këto masa.

KAPITULLI III – LIGJI I ZBATUESHËM

Neni 15

1. Në ushtrimin e juridiksionit të tyre, sipas dispozitave të kapitullit II, autoritetet e Shteteve Kontraktuese do të zbatojnë ligjin e tyre.

2. Megjithatë, për sa kohë që mbrojtja e fëmijës ose e pasurisë së fëmijës e kërkon këtë, ato mund të zbatojnë përjashtimisht ose ta marrin në konsideratë ligjin e shtetit tjetër, me të cilin situata ka një lidhje thelbësore.

3. Nëse banesa e përhershme e fëmijës ndryshon në një Shtet tjetër Kontraktues, nga koha e ndryshimit, ligji i këtij shteti tjetër ka epërsi mbi kushtet e zbatimit të masave të marra në shtetin e ishbanesës së përhershme.

Neni 16

1. Dhënia ose shuarja e përgjegjësisë prindërore me anë të funksionimit të ligjit, pa ndërhyrjen e një autoriteti gjyqësor ose administrativ, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së përhershme të fëmijës.

2. Dhënia ose shuarja e përgjegjësisë prindërore me anë të një marrëveshjeje ose akti të njëanshëm, pa ndërhyrjen e një autoriteti gjyqësor ose administrativ, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së përhershme të fëmijës në kohën kur marrëveshja ose akti i njëanshëm bëhet i vlefshëm.

3. Përgjegjësia prindërore, e cila ekziston sipas ligjit të shtetit të banesës së përhershme të fëmijës, vazhdon të ekzistojë pas një ndryshimi të banesës së përhershme në një shtet tjetër.

4. Nëse banesa e përhershme e fëmijës ndryshon, dhënia e përgjegjësisë prindërore me anë të funksionimit të ligjit të një personi i cili tashmë nuk ka një përgjegjësi të tillë, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së tij të re.

Neni 17

Ushtrimi i përgjegjësisë prindërore udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së përhershme të fëmijës. Nëse banesa e përhershme e fëmijës ndryshon, udhëhiqet nga ligji i shtetit të banesës së re.

Neni 18

Përgjegjësia prindërore e përmendur në nenin 16 mund të përfundojë, ose kushtet e ushtrimit të saj mund të modifikohen, me anë të masave të marra sipas kësaj Marrëveshjeje.

Neni 19

1. Vlefshmëria e një transaksioni midis një pale të tretë dhe një personi tjetër, i cili do të kishte të drejtë të vepronte si përfaqësuesi ligjor i fëmijës sipas ligjit të shtetit ku transaksioni është përfunduar, nuk mund të kundërshtohet dhe pala e tretë nuk mund të jetë përgjegjëse, për arsyen e vetme se personi tjetër nuk ka pasur të drejtë të veprojë si përfaqësues ligjor i fëmijës, sipas ligjit të përcaktuar nga dispozitat e këtij kapitulli, për sa kohë që pala e tretë e di ose duhet ta ketë ditur se përgjegjësia prindërore është udhëhequr nga ky ligj.

2. Paragrafi i mësipërm zbatohet vetëm nëse transaksioni është lidhur midis personave të pranishëm në territorin e të njëjtit shtet.

Neni 20

Dispozitat e këtij kapitulli zbatohen edhe nëse ligji i përcaktuar nga to është ligji i një shteti jokontraktues.

Neni 21

1. Në këtë kapitull, termi “ligj” nënkupton ligjin në fuqi në shtet, të ndryshëm nga zgjedhja e tij e dispozitave ligjore.

2. Megjithatë, nëse ligji i zbatueshëm sipas nenit 16 është ai i një shteti jokontraktues dhe nëse zgjedhja e dispozitave të ligjit të këtij shteti përcakton ligjin e një shteti tjetër jokontraktues, i cili do zbatonte ligjin e vet, zbatohet ligji i atij shteti. Nëse ky shtet tjetër jokontraktues nuk do të zbatonte ligjin e vet, ligji i zbatueshëm është ai i përcaktuar në nenin 16.

Neni 22

Zbatimi i ligjit të përcaktuar nga dispozitat e këtij kapitulli mund të refuzohet vetëm nëse ky zbatim do të ishte hapur kundër politikës publike, duke marrë në konsideratë interesin më të mirë të fëmijës.

KAPITULLI IV – NJOHJA DHE ZBATIMI

Neni 23

1. Masat e marra nga autoritetet e një Shteti Kontraktues do të njihen nga funksionimi i ligjit në të gjitha Shtetet e tjera Kontraktuese.

2. Megjithatë, njohja mund të refuzohet:

a) nëse masa është marrë nga një autoritet, juridiksioni i të cilit nuk ishte bazuar në një nga kushtet e parashikuara në kapitullin II;

b) nëse është marrë masa, përveç ndonjë rasti urgjent, në kuptimin e një procedimi gjyqësor ose administrativ, pa iu dhënë mundësia fëmijës të dëgjohet, në shkelje të parimeve themelore të procedurës së shtetit të kërkuar;

c) me kërkesën e ndonjë personi që pretendon se masa e cenon përgjegjësinë prindërore të tij ose të saj, nëse kjo masë është marrë, përveç ndonjë rasti urgjent, pa iu dhënë mundësia personit të dëgjohet;

d) nëse kjo njohje është hapur kundër politikës publike të shtetit të kërkuar, duke marrë në konsideratë interesin më të mirë të fëmijës;

e) nëse masa nuk është në përputhje me një masë të mëvonshme të marrë në shtetin jokontraktues të banesës së përhershme të fëmijës, ku kjo masë e mëvonshme përmbush kërkesat për njohje në shtetin e kërkuar;

f) nëse procedura e parashikuar në nenin 33 nuk ka qenë në përputhje me to.

Neni 24

Pa paragjykuar nenin 23 paragrafi 1, ndonjë person i interesuar mund të kërkojë nga autoritetet kompetente të një Shteti Kontraktues që ato të vendosin në lidhje me njohjen apo mosnjohjen e një mase të marrë në një Shtet tjetër Kontraktues. Procedura udhëhiqet nga ligji i shtetit të kërkuar.

Neni 25

Autoriteti i shtetit të kërkuar është i detyruar t’i bindet vendimeve në themel, mbi të cilat ka bazuar juridiksionin e tij autoriteti i shtetit ku është marrë masa.

Neni 26

1. Nëse masat e marra në një Shtet Kontraktues dhe të zbatueshme kërkojnë zbatim në një Shtet tjetër Kontraktues, ato do të deklarohen të zbatueshme ose të regjistruara për qëllim zbatimi në këtë shtet tjetër, sipas procedurës së parashikuar në ligjin e këtij shteti, me anë të kërkesës së një pale të interesuar.

2. Çdo Shtet Kontraktues do të zbatojë deklaratën e zbatueshmërisë ose të regjistrimit në një procedurë të thjeshtë dhe të shpejtë.

3. Deklarata e zbatueshmërisë ose e regjistrimit mund të refuzohet vetëm për një nga arsyet e parashtruara në nenin 23 paragrafi 2.

Neni 27

Pa paragjykuar këtë rishikim, siç është i nevojshëm në zbatim të neneve të mësipërme, nuk do të ketë rishikim në themel të masave të marra.

Neni 28

Masat e marra në një Shtet Kontraktues dhe të deklaruara të zbatueshme ose të regjistruara për qëllim zbatimi në një Shtet tjetër Kontraktues, do të zbatohen në këtë shtet, sikur të ishin marrë nga autoritetet e këtij shteti. Zbatimi zhvillohet në përputhje me ligjin e shtetit të kërkuar në masën e parashikuar nga ky ligj, duke marrë në konsideratë interesin më të mirë të fëmijës.

KAPITULLI V – BASHKËPUNIMI

Neni 29

1. Një Shtet Kontraktues do të caktojë një autoritet qendror për të kryer detyrat, të cilat janë vënë nga kjo Konventë për këto autoritete.

2. Shtetet federale, shtetet me më shumë se një sistem ligjor ose shtetet që kanë njësi autonome territoriale do të jenë të lira të caktojnë më shumë se një autoritet qendror dhe të përcaktojë masën territoriale ose personale të funksioneve të tyre. Kur një shtet ka caktuar më shumë se një autoritet qendror, ai do të caktojë autoritetin qendror tek i cili mund të paraqitet ndonjë komunikim për transmetim tek autoriteti qendror përkatës brenda këtij shteti.

Neni 30

1. Autoritetet qendrore do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe do të nxisin bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kompetente në shtetet e tyre, për të përmbushur qëllimet e Konventës.

2. Ata, në lidhje me zbatimin e Konventës, do të marrin hapat e duhur për të siguruar informacion, sipas ligjeve dhe shërbimeve në dispozicion, në shtetet e tyre, në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve.

Neni 31

Autoriteti Qendror i një Shteti Kontraktues ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose nëpërmjet autoriteteve publike apo organeve të tyre, duhet të marrin të gjithë hapat e nevojshëm:

a) për të lehtësuar komunikimin dhe ofruar ndihmën e parashikuar në nenet 8 dhe 9 dhe në këtë kapitull;

b) për të lehtësuar, me anë të ndërmjetësimit, pajtimit ose instrumenteve të tjera të ngjashme, zgjidhjet e miratuara për mbrojtjen e fëmijës ose pasurisë së fëmijës në situatat në të cilat zbatohet Konventa;

c) me kërkesën e një autoriteti kompetent të një Shteti tjetër Kontraktues, të sigurojë asistencë për zbulimin e vendndodhjes, ku ka të ngjarë të jetë fëmija dhe për nevojën e mbrojtjes brenda territorit të shtetit të kërkuar.

Neni 32

Përmes një kërkese të bërë me arsye të argumentuara përkatëse nga autoriteti qendror ose çdo autoritet tjetër kompetent i çdo Shteti Kontraktues, me të cilin fëmija ka lidhje të ngushtë, autoriteti qendror i Shtetit Kontraktues, në të cilin fëmija është banor i përhershëm dhe i pranishëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose me anë të autoriteteve publike apo organeve të tjera:

a) mund të bëjë një raport në lidhje me situatën e fëmijës;

b) mund t’i kërkojë autoritetit kompetent të shtetit të tij të marrë në konsideratë nevojën për të marrë masa për mbrojtjen e fëmijës ose pasurisë së fëmijës.

Neni 33

1. Nëse një autoritet që ka juridiksionin sipas neneve 5-10 e shqyrton me hollësi çështjen e vendosjes së fëmijës në një familje kujdestare ose nën kujdes institucional, apo në sigurimin e kujdesit kafala ose një institucioni të ngjashëm dhe nëse kjo vendosje ose sigurim kujdesi zhvillohet në një Shtet tjetër Kontraktues, së pari do të konsultohet me autoritetin qendror ose çdo autoritet tjetër kompetent të këtij shteti. Për këtë qëllim, ai do të dërgojë një raport për fëmijën, së bashku me arsyet për vendosjen e propozuar ose sigurimin e kujdesit.

2. Vendimi në lidhje me vendosjen ose sigurimin e kujdesit mund të merret në shtetin kërkues vetëm nëse autoriteti qendror ose autoriteti tjetër kompetent i shtetit të kërkuar ka miratuar vendosjen ose sigurimin e kujdesit, duke marrë në konsideratë interesat e fëmijës.

Neni 34

1. Kur reflektohet në lidhje me një masë mbrojtëse, nëse e kërkon situata e fëmijës, autoritetet kompetente sipas Konventës mund t’i kërkojnë çdo autoriteti ose ndonjë Shteti tjetër Kontrakutes, i cili ka informacion mbi mbrojtjen e fëmijës, komunikimin e këtij informacioni.

2. Një Shtet Kontraktues mund të deklarojë se kërkesat sipas paragrafit 1 do t’i komunikohen autoriteteve të tij vetëm nëpërmjet autoritetit qendror të tij.

Neni 35

1. Autoritetet kompetente të një Shteti Kontraktues mund t’i kërkojnë autoriteteve të një Shteti tjetër Kontraktues të ndihmojnë në zbatimin e masave të mbrojtjes marrë sipas kësaj Konvente, veçanërisht në sigurimin e ushtrimit efektiv të të drejtave të hyrjes, si dhe të drejtën për të marrë kontakte të drejtpërdrejta dhe të rregullta.

2. Autoritetet e një Shteti Kontraktues, në të cilin fëmija nuk ka banesën e përhershme, me kërkesën e prindit që banon në atë shtet, i cili kërkon të krijojë apo mbajë lidhje me fëmijën, mund të mbledhin informacion ose të dhëna dhe të nxjerrin një përfundim mbi përshtatshmërinë e këtij prindi për të ushtruar të drejtat dhe mbi kushtet sipas të cilave duhet të ushtrohen këto të drejta. Një autoritet që ushtron juridiksionin, sipas neneve 5 deri në 10, për të përcaktuar një kërkesë në lidhje me të drejtat mbi fëmijën, duhet të deklarojë dhe ta marrë në konsideratë këtë informacion, këto fakte dhe këtë përfundim para se të marrë vendimin e saj.

3. Një autoritet që ka juridiksion, sipas neneve 5 deri në 10 për të vendosur mbi të drejtat, mund të shtyjë një procedim duke pezulluar rezultatin e një kërkese të bërë sipas paragrafit 2, në veçanti, kur po merr në konsideratë një kërkesë për të kufizuar apo për t’i dhënë fund të drejtave të hyrjes të dhëna në shtetin e banesës së mëparshme të përhershme të fëmijës.

4. Asgjë në këtë nen nuk do ta ndalojë një autoritet që ka juridiksion, sipas neneve 5- 10, të marrë masa të përkohshme duke pezulluar rezultatin e kërkesës së bërë sipas paragrafit 2.

Neni 36

Në rast se fëmija është i ekspozuar ndaj një rreziku serioz, autoritetet kompetente të Shtetit Kontraktues, ku janë marrë masat për mbrojtjen e fëmijës ose janë në shqyrtim, nëse informohen se vendbanimi i fëmijës ka ndryshuar ose se fëmija ndodhet në një shtet tjetër, do të informojnë autoritetet e shtetit tjetër mbi rrezikun dhe masat e marra apo ato nën shqyrtim.

Neni 37

Një autoritet nuk do të kërkojë apo transmetojë ndonjë informacion sipas këtij kapitulli, nëse për këtë do t’i duhej, sipas gjykimit të saj, ta vinte fëmijën apo pasurinë e tij në rrezik apo të përbënte një kërcënim serioz të lirisë apo jetës së një anëtari të familjes së fëmijës.

Neni 38

1. Pa paragjykuar mundësinë e vënies së tarifave të arsyeshme për sigurimin e shërbimeve, autoritetet qendrore dhe autoritetet e tjera publike të Shteteve Kontraktuese do të përballojnë shpenzimet e tyre në zbatimin e dispozitave të këtij kapitulli.

2. Një Shtet Kontraktues mund të hyjë në marrëveshje me një ose me shumë Shtete të tjera Kontraktuese në lidhje me ndarjen e përgjegjësive.

Neni 39

Çdo Shtet Kontraktues mund të hyjë në marrëveshje me një ose më shumë Shtete Kontraktuese, më qëllim përmirësimin e zbatimit të këtij kapitulli në marrëdhëniet e tyre reciproke. Shtetet të cilat kanë lidhur këtë marrëveshje, do t’i japin një kopje depozitarit të Konventës.

KAPITULLI VI – DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 40

1. Autoritetet e Shtetit Kontraktues të banesës së përhershme të fëmijës ose të Shtetit Kontraktues ku është marrë masa e mbrojtjes, mund t’i japin personit që ka përgjegjësi prindërore ose personit të cilit i është besuar mbrojtja e fëmijës dhe e pasurisë së tij, një certifikatë, me kërkesën e tij apo të saj, që tregon cilësinë në të cilën ky person është i autorizuar të veprojë dhe kompetencat që i jepen atij apo asaj.

2. Cilësia dhe kompetencat e specifikuara në certifikatë supozohen t’i jepen këtij personi në mungesë të provës për rastin e kundërt.

3. Çdo Shtet Kontraktues do të caktojë autoritetet kompetente të bëjnë certifikatën.

Neni 41

Të dhënat personale të mbledhura ose të transmetuara sipas Konventës, do të përdoren vetëm për qëllimet për të cilat ato janë mbledhur apo transmetuar.

Neni 42

Autoritetet te të cilat transmetohet informacioni do të sigurojnë konfidencialitet, në përputhje me ligjin e shtetit të tyre.

Neni 43

Të gjitha dokumentet e paraqitura apo të dorëzuara sipas kësaj Konvente do të përjashtohen nga legalizimi apo ndonjë formalitet i ngjashëm.

Neni 44

Çdo Shtet Kontraktues mund të caktojë autoritetet te të cilat paraqiten kërkesat sipas neneve 8, 9 dhe 33.

Neni 45

1. Përcaktimet e përmendura në nenet 29 dhe 44 do t’i komunikohen Zyrës së Përhershme të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private.

2. Deklaratat e përmendura në nenin 34 paragrafi 2 do t’i bëhen depozitarit të Konventës.

Neni 46

Një Shtet Kontraktues, në të cilin sisteme të ndryshme ligjore ose kuadri ligjor zbatojnë mbrojtjen e fëmijës dhe të pasurisë së tij/saj, nuk do të jenë të detyruara të zbatojnë dispozitat e Konventës vetëm për konflikte midis këtyre sistemeve të ndryshme ose kuadrit ligjor.

Neni 47

Për sa i përket një shteti, në të cilin dy ose më shumë sisteme ligjore apo kuadër ligjor në lidhje me ndonjë çështje të trajtuar në këtë Konventë, zbatohen në njësi të ndryshme territoriale:

1. çdo refererim për banesën e përhershme në këtë shtet do të interpretohet si referim për banesën e përhershme në një njësi territoriale;

2. çdo referim për praninë e fëmijës në këtë shtet do të interpretohet si referim për praninë në një njësi territoriale;

3. çdo referim për vendndodhjen e pasurisë së fëmijës në këtë shtet do të interpretohet si referim për vendndodhjen e pasurisë së fëmijës në një njësi territoriale;

4. çdo referim për shtetin nga i cili është fëmija do të interpretohet si referim ndaj njësisë territoriale të caktuar me ligjin e këtij shteti ose në mungesë të rregullave përkatëse, të njësive territoriale me të cilat fëmija ka pasur lidhje më të ngushtë;

5. çdo referim ndaj shtetit, autoritetet e të cilit janë në shqyrtim e sipër të një kërkese për divorc ose ndarje ligjore të prindërve të fëmijës ose për anulimin e martesës së tyre, do të interpretohet si referim ndaj njësisë territoriale, autoritetet e të cilit janë në shqyrtim e sipër të kësaj kërkese;

6. çdo referim ndaj shtetit me të cilin fëmija ka një lidhje thelbësore, do të interpretohet si referim ndaj njësisë territoriale me të cilën fëmija ka këtë lidhje;

7. çdo referim ndaj shtetit tek i cili fëmija është larguar apo në të cilin ai apo ajo është mbajtur, do të interpretohet si referim ndaj njësisë territoriale përkatëse tek e cila fëmija është larguar apo në të cilën ai apo ajo është mbajtur;

8. çdo referim ndaj organeve ose autoriteteve të këtij shteti, të tjera nga autoritetet qendrore, do të interpretohet si referim ndaj atyre të autorizuara për të vepruar në njësinë territoriale përkatëse;

9. çdo referim ndaj ligjit ose procedurës, ose autoritetit të shtetit në të cilin është marrë një masë, do të interpretohet si referim ndaj ligjit ose procedurës, ose autoritetit të njësisë territoriale në të cilën është marrë kjo masë;

10. çdo referim ndaj ligjit ose procedurës, apo autoritetit të shtetit të kërkuar, do të interpretohet si referim ndaj ligjit ose procedurës, apo autoritetit të njësisë territoriale në të cilën është kërkuar njohja apo zbatimi.

Neni 48

Për qëllime të identifikimit të ligjit të zbatueshëm sipas kapitullit III, në lidhje me një shtet i cili përfshin dy ose më shumë njësi territoriale, secila prej tyre ka sistemin e vet ligjor apo kuadrin ligjor, në lidhje me çështjet e mbuluara nga kjo Konventë, zbatohen rregullat e mëposhtme:

a) nëse ka rregulla në fuqi në këtë shtet, duke identifikuar se cili ligj i njësisë territoriale është i zbatueshëm, zbatohet ligji i kësaj njësie;

b) në mungesë të këtyre rregullave, zbatohet ligji i njësisë territoriale përkatëse, siç përcaktohet në nenin 47.

Neni 49

Për qëllim të identifikimit të ligjit të zbatueshëm sipas kapitullit III, në lidhje me një shtet i cili ka dy ose më shumë sisteme ligjore apo kuadër ligjor të ligjit të zbatueshëm për kategori të ndryshme personash në lidhje me çështjet e mbuluara nga kjo Konventë, do të zbatohen rregullat e mëposhtme:

a) nëse ka rregulla në fuqi në këtë shtet, duke identifikuar se cili nga këto ligje zbatohet, do të zbatohet ky ligj;

b) në mungesë të këtyre rregullave, zbatohet ligji i sistemit ose kuadri ligjor, me të cilat fëmija ka lidhje më të afërt.

Neni 50

Kjo Konventë nuk do të cenojë zbatimin e Konventës së 25 tetorit 1980 mbi aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës si midis palëve në të dyja konventat. Megjithatë, asgjë nuk përjashton dispozitat e kësaj Konvente nga nxitja për qëllime të sigurimit të kthimit të fëmijës, i cili është larguar apo mbajtur pa të drejtë ose nga organizimi i të drejtave të hyrjes.

Neni 51

Për sa i përket Shteteve Kontraktuese, kjo Konventë zëvendëson Konventën e 5 tetorit të vitit 1961 mbi pushtetet e autoriteteve dhe të ligjit të zbatueshëm në lidhje me mbrojtjen e të miturve dhe Konventën që mbulon kujdestarinë e të miturve, nënshkruar në Hagë në 12 qershor 1902, pa paragjykim, për njohjen e masave të marra sipas Konventës së 5 tetorit 196, të përmendur më sipër.

Neni 52

1. Kjo Konventë nuk do të cenojë ndonjë instrument ndërkombëtar me të cilin Shtetet Kontraktuese janë palë dhe që përmbajnë dispozita në lidhje me çështjet e trajtuara nga Konventa, për sa kohë që është bërë një deklaratë tjetër nga Shtetet Palë në këtë instrument.

2. Kjo Konventë nuk cenon mundësinë për një apo më shumë Shtete Kontraktuese për të lidhur marrëveshje që përmbajnë dispozita mbi çështjet e trajtuara nga kjo Konventë, në lidhje me fëmijët që kanë banesë të përhershme në një nga Shtetet Palë në këto marrëveshje.

3. Marrëveshjet për t’u lidhur nga një apo më shumë Shtete Kontraktuese mbi çështje brenda fushës së veprimit të kësaj Konvente, nuk cenojnë zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente, në marrëdhëniet e këtyre shteteve me Shtete të tjera Kontraktuese.

4. Paragrafi i mësipërm zbatohet midis shteteve të interesuara edhe për ligjet uniformë të bazuara në lidhje të veçanta të natyrës rajonale apo të një natyre tjetër.

Neni 53

1. Kjo Konventë do të zbatojë masa vetëm nëse ato merren në një shtet pasi Konventa ka hyrë në fuqi për atë shtet.

2. Konventa do të zbatohet për njohjen dhe zbatimin e masave të marra pas hyrjes së saj në fuqi midis shtetit ku janë marrë masat dhe shtetit të kërkuar.

Neni 54

1. Ndonjë komunikim i dërguar autoritetit qendror apo ndonjë autoriteti tjetër të një Shteti Kontraktues do të jetë në gjuhën origjinale dhe do të shoqërohet me një përkthim në gjuhën zyrtare ose në një nga gjuhët zyrtare të shtetit tjetër, ose, kur kjo nuk është e mundur, do të sigurohet një përkthim në gjuhën frenge ose angleze.

2. Megjithatë, një Shtet Kontraktues, duke bërë një rezervë në përputhje me nenin 60, mund të kundërshtojë përdorimin e gjuhës frënge ose angleze, por jo të të dyja gjuhëve.

Neni 55

1. Në përputhje me nenin 60, një Shtet Kontraktues:

a) mund të rezervojë juridiksionin e autoriteteve të saj për të marrë masa mbi mbrojtjen e pasurisë së fëmijës të ndodhur në territorin e saj;

b) mund të rezervojë të drejtën e mosnjohjes së një përgjegjësie prindërore apo mase për sa kohë që nuk është në pëputhje me ndonjë masë të marrë nga autoritetet e saj në lidhje me këtë pasuri.

2. Rezerva mund të kufizohet për kategori të caktuara të pasurisë.

Neni 56

Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private do të mbledhë rregullisht një komision special, me qëllim rishikimin e funksionimit praktik të Konventës.

KAPITULLI VII – DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 57

1. Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim për shtetet e përfaqësuara në sesionin e tetëmbëdhjetë të Konferencës së Hagës mbi të drejtën ndërkombëtare private.

2. Kjo Konventë i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose miratimit dhe instrumentet përkatëse të ratifikimit, pranimit ose miratimit depozitohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, që ka funksionin e depozitarit të kësaj Konvente.

Neni 58

1. Çdo Shtet tjetër mund të aderojë në këtë Konventë pas hyrjes në fuqi të saj në përputhje me nenin 61 paragrafi i parë.

2. Instrumenti i aderimit depozitohet pranë depozitarit të kësaj Konvente.

3. Ky aderim do të ketë efekt vetëm në lidhje me marrëdhëniet midis shtetit aderues dhe shteteve palë, të cilët nuk kanë paraqitur kundërshtim për këtë aderim brenda gjashtë muajve nga marrja e njoftimit, parashikuar nga neni 63 pika b. Një kundërshtim i tillë mund të bëhet prej shteteve palë gjatë ratifikimit, pranimit ose miratimit të kësaj Konvente pas një aderimi. Për çdo kundërshtim do të njoftohet depozitari.

Neni 59

1. Nëse një shtet ka dy ose më shumë njësi territoriale në të cilat zbatohen sisteme të ndryshme ligjore në lidhje me çështjet e trajtuara në këtë Konventë, ai mund të deklarojë në kohën e nënshkrimit, ratifikimit, miratimit ose aderimit, se Konventa do të shtrihet në të gjitha njësitë territoriale ose vetëm në një ose më shumë prej tyre. Ky shtet mund ta modifikojë këtë deklaratë duke dorëzuar një deklaratë tjetër në çdo kohë.

2. Çdo deklaratë e tillë do t’i njoftohet depozitarit duke deklaruar shprehimisht njësitë territoriale në të cilat zbatohet kjo Konventë.

3. Nëse një shtet nuk bën asnjë deklaratë të tillë në përputhje me këte nen, kjo Konventë do të shtrihet në të gjitha njësitë territoriale të këtij shteti.

Neni 60

1. Çdo shtet, në çastin e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, ose në kohën e paraqitjes se një deklarate në lidhje me nenin 59, mund të paraqesë një ose të dyja rezervat e parashikuara në nenin 54 paragrafi i dytë dhe nenin 55. Asnjë rezervë tjetër nuk mund të bëhet.

2. Çdo shtet palë në çdo kohë mund ta tërheqë këtë rezervë me një njoftim të drejtuar depozitarit.

3. Rezerva e humbet fuqinë dy muaj pas datës së dërgimit të njoftimit të referuar në paragrafin mësipërm.

Neni 61

1. Kjo Konventë do të hyjë në fuqi tre muaj pas datës së depozitimit të instrumentit të tretë të ratifikimit, të pranimit ose të miratimit referuar në nenin 57.

2. Më pas ajo do të hyjë në fuqi:

a) për çdo shtet tjetër palë në proces ratifikimi, pranimi ose miratimi, tre muaj pas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit, të pranimit, të miratimit, ose të aderimit;

b) për çdo shtet aderues, tre muaj pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 58;

c) për një territor në të cilin Konventa është shtrirë në përputhje me nenin 59 tre muaj pas njoftimit të referuar në të njëjtin nen.

Neni 62

1. Çdo shtet palë në Konventë mund ta denoncojë atë përmes një njoftimi me shkrim të dërguar depozitarit. Ai mund të kufizohet për disa territore në të cilat zbatohet Konventa.

2. Denoncimi bëhet i efektshëm dymbëdhjetë muaj pas marrjes së njoftimit të denoncimit prej depozitarit. Në rast se hyrja në fuqi e denoncimit kërkon një periudhë më të gjatë kohe sipas specifikimit të bërë në njoftim, denoncimi bëhet i efektshëm pas përfundimit të kësaj periudhe.

Neni 63

Depozitari i njofton shtetet palë të Konferencës së Hagës mbi të drejtën ndërkombëtare private, si dhe shteteve që kanë aderuar në përputhje me nenin 58, sa më poshtë:

a) nënshkrimet, ratifikimet, pranimet dhe miratimet e parashikuara në nenin 57;

b) aderimet dhe kundërshtimet përkatëse të parashikuara në nenin 58;

c) datën në të cilën kjo Konventë hyn në fuqi në përputhje me nenin 61;

d) deklarimet e parashikuara në nenin 34 paragrafi i dytë dhe nenin 59;

e) marrëveshjet e parashikuara në nenin 39;

f) rezervat e parashikuara në nenin 54 paragrafi i dytë dhe nenin 55, si dhe tërheqjet e tyre të parashikuara në nenin 60 paragrafi i dytë;

g) denoncimet i referohen nenit 62.

Në dëshmi të kësaj, personat e autorizuar posaçërisht nënshkruajnë këtë Konventë.

Bërë në Hagë, më 19 tetor 1996, në frëngjisht dhe anglisht, të dyja tekstet njëlloj të vlefshme, në një kopje të vetme, e cila do të depozitohet në arkivat e Qeverisë holandeze, e cila, nëpërmjet kanaleve diplomatike, i dërgon një kopje të vërtetuar çdo shteti të përfaqësuar në sesionin e tetëmbëdhjetë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën ndërkombëtare private.

LIGJ Nr.8624, datë 15.6.2000

PËR ADERIMIN NË “KONVENTËN E HAGËS”, “PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE DHE BASHKËPUNIMIN PËR BIRËSIMET JASHTË VENDIT”

Në mbështetje të neneve 78,83 pika 1 dhe 21 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Republika e Shqipërisë aderon në “Konventën e Hagës “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit””.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2667, datë 24.6.2000 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani.

KONVENTA MBI MBROJTJEN E FËMIJËVE DHE BASHKËPUNIMIN PËR BIRËSIMET JASHTË VENDIT

Shtetet nënshkruese të kësaj Konvente;

duke pranuar se fëmija, për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të personalitetit të tij, duhet të rritet në një mjedis familjar, në një atmosferë gëzimi, dashurie dhe mirëkuptimi, duke rikujtuar se çdo shtet duhet të marrë me përparësi masat e duhura për të mundësuar që fëmija të mbetet në kujdesin e familjes së tij të origjinës, duke pranuar se birësimi jashtë vendit mund të ofrojë avantazhin e një familjeje të përhershme për një fëmijë, për të cilin nuk mund të gjëndet një familje e përshtatshme në shtetin e tij të origjinës, duke qenë të bindur për nevojën e marrjes së masave për të siguruar që birësimet jashtë vendit të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës dhe duke respektuar të drejtat e tij themelore dhe që të parandalohet rrëmbimi, shitja ose trafikimi i fëmijëve, me dëshirën për të vendosur dispozita të përgjithshme për këtë qëllim, duke pasur parasysh parimet e shpallura në instrumentet ndërkombëtare, sidomos në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të 20 nëntorit 1989 dhe në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mbi Parimet Shoqërore dhe Juridike lidhur me Mbrojtjen dhe Mirëqenien e fëmijëve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Vendosjen në një familje ushqyese dhe birësimin brenda dhe jashtë vendit (Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme 41/85, e 3 dhjetorit 1986),u morën vesh për dispozitat e mëposhtme:

KAPITULLI I – SFERA E KONVENTËS

Neni 1

Qëllimet e kësaj Konvente janë:

a) të merren masat mbrojtëse për të siguruar që birësimet jashtë vendit të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës dhe duke respektuar të drejtat e tij themelore, të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare;

b) të krijohet një sistem bashkëpunimi midis Shteteve Kontraktuese, për të siguruar që këto masa të respektohen dhe në këtë mënyrë të parandalohet rrëmbimi, shitja ose trafikimi i fëmijëve;

c) të sigurohet njohja në Shtetet Kontraktuese e birësimeve të bëra në përputhje me këtë Konventë.

Neni 2

1. Konventa zbatohet kur një fëmijë, i cili zakonisht banon në një Shtet Kontraktues (“Shteti i origjinës”), është shpërngulur, shpërngulet ose do të shpërngulet në një Shtet tjetër Kontraktues (“Shteti pritës”), ose pas birësimit të tij në shtetin e origjinës, nga bashkëshortë ose nga një person që banon zakonisht në shtetin pritës, ose për qëllime të një birësimi të tillë në shtetin pritës ose në shtetin e origjinës.

2. Konventa mbulon vetëm birësimet që krijojnë një marrëdhënie të përhershme prind-fëmijë.

Neni 3

Konventa nuk zbatohet më, në rast se pëlqimet e përmendura në nenin 17 nënparagrafi c, nuk janë dhënë para se fëmija të mbushë moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

KAPITULLI II – KËRKESAT PËR BIRËSIME JASHTË VENDIT

Neni 4

Një birësim brenda sferës së kësaj Konvente kryhet vetëm në rast se autoritetet kompetente të shtetit të origjinës:

a) kanë përcaktuar se fëmija mund të birësohet;

b) kanë vendosur, mbasi janë shqyrtuar si duhet mundësitë për vendosjen e fëmijës brenda shtetit të origjinës, se birësimi jashtë vendit është në interesin më të lartë të fëmijës;

c) kanë siguruar se:
1) personat, institucionet dhe autoritetet, pëlqimi i të cilëve për birësim është i domosdoshëm, janë këshilluar sipas nevojës dhe janë informuar siç duhet mbi pasojat e pëlqimit të tyre, pavarësisht nëse birësimi arrin ose jo në ndërprerjen e marrëdhënieve ligjore midis fëmijës dhe familjes së tij të origjinës,
2) të tillë persona, institucione dhe autoritete kanë dhënë pëlqimin e tyre në mënyrë të vullnetshme, në formën e kërkuar ligjore dhe e kanë shprehur ose evidentuar atë me shkrim,
3) pëlqimet nuk janë dhënë me pagesë ose kompensim të çdo lloji dhe nuk janë tërhequr, dhe
4) pëlqimi i nënës kur është kërkuar, është dhënë pas lindjes së fëmijës; dhe

d) janë siguruar, në lidhje me moshën dhe shkallën e pjekurisë së fëmijës se
1) ai është këshilluar dhe informuar në mënyrën e duhur për pasojat e birësimit dhe të pëlqimit të dhënë prej tij për birësim, në rast se ky pëlqim kërkohet,
2) janë pasur parasysh dëshirat dhe mendimet e fëmijës,
3) pëlqimi i fëmijës për birësim, në rastet kur ky birësim kërkohet, është dhënë në mënyrë të vullnetshme, në formë ligjore të kërkuar dhe është shprehur ose evidentuar me shkrim, dhe
4) një pëlqim i tillë nuk është bërë me pagesë apo kompensim të çdo lloji.

KAPITULLI III – AUTORITETET QENDRORE DHE ORGANET E AKREDITUARA

Neni 5

Birësimi në kuadrin e Konventës do të bëhet vetëm në rast se autoritetet kompetente të shtetit pritës:

a) kanë vendosur që prindërit e ardhshëm birësues kanë të drejtë dhe janë të përshtashëm për të birësuar;

b) janë siguruar se prindërit e ardhshëm birësues janë këshilluar sipas nevojës; dhe

c) kanë vendosur që fëmija është autorizuar ose do të autorizohet për të hyrë dhe për të banuar përgjithmonë në atë shtet.

Neni 6

1. Një Shtet Kontraktues do të caktojë një Autoritet Qendror për t’i kaluar këtij autoriteti detyrimet që ka në bazë të Konventës.

2. Shtetet Federativë, shtetet me më shumë se një sistem legjislacioni ose shtetet që kanë njësi territoriale autonome, janë të lira të caktojnë më shumë se një Autoritet Qendror dhe të përcaktojnë shtrirjen e funksioneve të tyre territoriale apo personale. Kur një shtet ka caktuar më shumë se një Autoritet Qendror, ai cakton Autoritetin Qendror, të cilit mund t’i drejtohet njoftimi për transmetim Autoritetit Qendror përkatës brenda atij shteti.

Neni 7

1. Autoritetet Qendrore bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe nxisin bashkëpunimin midis autoriteteve kompetente në shtetet e tyre, për të mbrojtur fëmijët dhe për të arritur objektivat e tjera të Konventës.

2. Ato marrin drejtpërdrejt të gjitha masat e duhura:
a) për të siguruar informacion lidhur me ligjet e shteteve të tyre për birësimin dhe informacion tjetër të përgjithshëm, si statistika dhe formularë standard;
b) për të informuar njëri-tjetrin lidhur me funksionimin e Konventës dhe për të eliminuar sa më shumë çdo pengesë në zbatimin e saj.

Neni 8

Autoritetet Qendrore marrin të gjitha masat e nevojshme, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet autoriteteve publike, për të parandaluar përfitime financiare ose përfitime të tjera të parregullta në lidhje me një birësim dhe për të mos lejuar asnjë praktikë që bie në kundërshtim më qëllimet e kësaj Konvente.

Neni 9

Autoritetet Qendrore marrin të gjitha masat e nevojshme, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet organeve të tjera të akredituara rregullisht në shtetin e tyre, sidomos:

a) për të mbledhur, ruajtur dhe shkëmbyer informacion lidhur me gjendjen e fëmijës dhe prindërit e ardhshëm birësues, për aq sa është e nevojshme për realizimin e birësimit;

b) për të lehtësuar, ndjekur dhe shpejtuar procedurat lidhur me sigurimin e birësimit;

c) për të nxitur dhe zhvilluar këshillimin lidhur me birësimin dhe shërbimet pas birësimit në shtetet e tyre;

d) për t’i dhënë njëri-tjetrit raporte vlerësimesh të përgjithshme mbi përvojën e birësimit në vende të tjera;

e) për t’iu përgjigjur kërkesave të Autoriteteve të tjera Qendrore ose autoriteteve të tjera publike, aq sa e lejon ligji i shtetit të tyre, për informacione mbi gjendjen e një birësimi të veçantë.

Neni 10

Akreditimi u bëhet dhe mbahet vetëm nga organet që tregojnë kompetencë për të realizuar si duhet detyrat që u ngarkohen.

Neni 11

Një organ i akredituar:

a) Ndjek vetëm objektiva jofitimprurëse, sipas kushteve dhe caqeve të përcaktuara nga autoritetet kompetente të shtetit akreditues;

b) Drejtohet dhe ka një personel me persona të kualifikuar në normat e sjelljes dhe që kanë kualifikim ose përvojë për të punuar në fushën e birësimit jashtë vendit; dhe

c) I nënshtrohet mbikqyrjes së autoriteteve kompetente të atij shteti, lidhur me përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare.

Neni 12

Një organ i akredituar në një Shtet Kontraktues mund të veprojë në një Shtet tjetër Kontraktues vetëm në rast se autoritetet kompetente të të dy shteteve kanë autorizuar një gjë të tillë.

Neni 13

Emërimi i Autoriteteve Qendrore dhe, sipas rastit, shtrirja e funksioneve të tyre, si dhe emrat dhe adresat e organeve të akredituara do t’i komunikohen nga secili Shtet Kontraktues Zyrës së Përhershme të Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private.

KAPITULLI IV – KËRKESAT PROCEDURIALE NË BIRËSIMIN JASHTË VENDIT

Neni 14

Personat që zakonisht banojnë në një Shtet Kontraktues dhe që dëshirojnë të birësojnë një fëmijë, zakonisht banues në një Shtet tjetër Kontraktues, i drejtohen Autoritetit Qendror të shtetit ku banojnë zakonisht.

Neni 15

1. Në rast se për Autoritetin Qendror të shtetit pritës përmbushen kërkesat që aplikuesit kanë të drejtë dhe janë të përshtatshëm për të birësuar, ai përgatit një raport, i cili përfshin informacion mbi identitetin e tyre, të drejtën dhe përshtatshmërinë për të birësuar, mbi biografinë e tyre, mbi familjen dhe gjendjen shëndetësore, mjedisin shoqëror, arsyet për birësim, mundësinë për të ndërmarrë një birësim jashtë vendit, si dhe karakteristikat e fëmijëve, për të cilët ata do të zgjidhen të kujdesen.

2. Ai transmeton raportin e Autoritetit Qendror të shtetit të origjinës.

Neni 16

1. Në rast se Autoritetin Qendror të shtetit të origjinës përmbushen kërkesat që fëmija është i birësueshëm, ai:

a) përgatit një raport, i cili përfshin informacion mbi identitetin e tyre, përshtatshmërinë për t’u birësuar, biografinë e tyre, mjedisin shoqëror, historinë e familjes, gjendjen shëndetësore, përfshirë atë të familjes së fëmijës dhe çdo nevojë të veçantë të fëmijës;

b) i kushton vëmendjen e duhur edukimit të fëmijës dhe formimit të tij etnik, fetar dhe kulturor;

c) sigurohet që të jenë dhënë pëlqimet në përputhje me nenin 4; dhe
d) përcakton, në bazë të raporteve të veçanta lidhur me fëmijën dhe prindërit e ardhshëm birësues, nëse vendosja është në interesat më të larta të fëmijës.

2. Ai transmeton Autoritetin Qendror të shtetit pritës raportin e tij mbi fëmijën provën se janë marrë pëlqimet e nevojshme dhe arsyet e vendimit për vendosjen e fëmijës, duke treguar kujdes që të mos zbulojë identitetin e nënës dhe të babait, në rast se në shtetin e origjinës këto identitete nuk mund të deklarohen.

Neni 17

Çdo vendim në shtetin e origjinës se një fëmijë duhet t’u besohet prindërve të ardhshëm birësues, mund të merret vetëm në rast se:

a) Autoriteti Qendror i atij shteti ka dhënë sigurime se prindërit e ardhshëm birësues e pranojnë këtë;

b) Autoriteti Qendror i shtetit pritës e ka miratuar një vendim të tillë, kur ky miratim kërkohet nga ligji i atij shteti ose nga Autoriteti Qendror i shtetit të origjinës;

c) Autoritetet Qendrore të të dy shteteve janë marrë vesh që birësimi të kryhet dhe

d) në përputhje me nenin 5 është vendosur që prindërit e ardhshëm birësues kanë të drejtë dhe janë të përshtatshëm për të birësuar dhe se fëmija është i autorizuar ose do të autorizohet për të hyrë dhe për të banuar përgjithmonë në shtetin pritës.

Neni 18

Autoritetet Qendrore të të dy Shteteve ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për të siguruar lejimin e fëmijës që të largohet nga Shteti i origjinës dhe të hyjë e të banojë përgjithmonë në Shtetin pritës.

Neni 19

1. Transferimi i fëmijës në Shtetin pritës mund të kryhet në rast se janë përmbushur kërkesat e nenit 17.

2. Autoritetet Qendrore të të dy shteteve sigurohen që transferimi të bëhet në rrethana të sigurta dhe të përshtatshme dhe, në rast se është mundur, me shoqërimin e prindërve birësues ose të prindërve të ardhshëm birësues.

3. Në rast se nuk bëhet transferimi i fëmijës, raportet e përmendura në nenet 15 dhe 16 u kthehen mbrapsht autoriteteve që i kanë dërguar.

Neni 20

Autoritetet Qendrore informojnë njëri-tjetrin lidhur me procesin e birësimit dhe masat e marra për realizimin e tij, si dhe mbi progresin e vendosjes së fëmijës, në rast se kërkohet një periudhë prove.

Neni 21

1. Kur birësimi do të bëhet pas transferimit të fëmijës në shtetin pritës dhe kur Autoritetit Qendror të shtetit i duket se qëndrimi i vazhdueshëm i fëmijës me prindërit e ardhshëm birësues nuk është në interesat më të larta të fëmijës, Autoriteti Qendror merr masat e nevojshme për mbrojtjen e fëmijës, në mënyrë të veçantë:
a) për të tërhequr fëmijën nga prindërit e ardhshëm birësues dhe për të gjetur një përkujdesje të përkohshme;
b) për të siguruar pa vonesë, në konsultim me Autoritetin Qendror të shtetit të origjinës një kujdes alternativ për birësim ose, kur kjo nuk është e përshtatshme, një përkujdesje të përkohshme; birësimi nuk bëhet pa njoftuar më parë, në mënyrën e duhur, Autoritetin Qendror të shtetit të origjinës lidhur me prindërit e ardhshëm birësues.
c) për të rregulluar, si zgjidhje të fundit kthimin e fëmijës, në rast se këtë e kërkojnë interesat e tij.

2. Duke pasur parasysh sidomos moshën dhe shkallën e pjekurisë së fëmijës, me të duhet këshilluar dhe kur është rasti, të merret pëlqimi i tij në lidhje me masat që do të merren në bazë të këtij neni.

KAPITULLI V – NJOHJA DHE PASOJAT E BIRËSIMIT

Neni 22

1. Funksionet e Autoritetit Qendror në bazë të këtij kapitulli mund të kryhen nga autoritetet publike ose nga organet publike e akredituara në bazë të kapitullit III, në atë shkallë që e lejon legjislacioni i shtetit të tij.

2. Çdo Shtet Kontraktues mund t’i deklarojë organit ku është depozituar Konventa se funksionet e Autoritetit Qendror sipas neneve 15 deri 21, mund të kryhen në atë shtet, në shkallën që lejon legjislacioni dhe duke iu nënshtruar mbikqyrjes të autoriteteve kompetente të atij shteti edhe nga organe ose persona, të cilët:
a) plotësojnë kërkesat e integritetit, kompetencat profesionale, përvojës dhe përgjegjshmërinë të atij shteti, dhe
b) janë të kualifikuar për normat e tyre morale dhe për kualifikimit ose përvojën në punë në fushën e birësimit jashtë vendit.

3. Një shtet Kontraktues, i cili bën deklaratën e përmendur në paragafin 2 informon Zyrën e Përhershme të Konferncës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private mbi emrat dhe adresat e këtyre organeve dhe personave.

4. Çdo Shtet Kontraktues mund t’i deklarojë organit ku është depozituar Konventa se birësimet e fëmijëve që zakonisht banojnë në territorin e tij mund të bëhen vetëm në rast se funksionet e Autoriteteve Qendrore kryen në përputhje me paragrafin 1.

5. Pavarësisht nga çdo deklaratë e bërë në bazë të paragrafit 2, raportet e dhëna për nenet 15 dhe 16 përgatiten, në secilin rast, në përgjegjësinë e Autoritetit Qendror ose të autoriteteve apo organeve të tjera, në përputhje me paragrafin 1.

Neni 23

1. Një birësim i vërtetuar nga Autoriteti Kompetent i shtetit të birësimit, se është bërë në përputhje me Konventën, njihet nga veprimi i ligjit në Shtetet e tjera Kontrakuese. Vërtetimi përcakton si dhe kur është arritur marrëveshja, sipas nenit 17, nënparagrafi (c).

2. Secili Shtet Kontraktues, në kohën e nënshkrimit, ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit, njofton organin ku depozitohet Konventa mbi identitetin dhe funksionet e autoritetit ose autoriteteve, të cilët janë kompetentë në atë shtet për të dhënë vërtetimin. Ai njofton gjithashtu organin ku depozitohet Konventa për çdo ndryshim në emërimin e këtyre autoriteteve.

Neni 24

Njohja e një birësimi mund të refuzohet në një Shtet Kontraktues vetëm në rast se birësimi bie në kundërshtim të hapur me politikën e tij publike, duke pasur parasysh interesat më të lartë të fëmijës.

Neni 25

Çdo Palë Kontraktuese mund t’i daklarojë organit ku depozitohet Konventa se ai nuk është i detyruar sipas kësaj Konvente t’i njohë birësimet e bëra në përputhje me një marrëveshje të arritur në zbatim të nenit 39, paragrafi 2.

Neni 26

1. Njohja e një birësimi përfshin njohjen e:
a) marrëdhënieve ligjore prind-fëmijë midis fëmijës dhe prindërve të tij birësues;
b) përgjegjësinë prindërore të prindërve birësues ndaj fëmijës;
c) ndërprerjen e marrëdhënieve të mëparshme midis fëmijës dhe nënës apo babait të tij, në rast se birësimi ka një pasojë të tillë në Shtetin Kontraktues, kur është bërë.

2. Në rastin e birësimit që ka për pasojë ndërprerjen e marrëdhënieve ligjore prind-fëmijë, fëmija gëzon në shtetin pritës dhe në çdo Shtet tjetër Kontraktues ku birësimi njihet, të drejta të barabarta me ato që rrjedhin nga birësimet që kanë pasojë të tillë në secilin shtet.

3. Paragrafët e mësipërm nuk paragjykojnë zbatimin e çdo dispozite, që është më e favorshme për fëmijën dhe që është në fuqi në Shtetin Kontraktues, i cili pranon birësimin.

Neni 27

1. Kur birësimi i lejuar në shtetin e origjinës nuk ka për pasojë ndërprerjen e marrëdhënieve ligjore prind-fëmijë, ai mund të kthehet në një birësim të efektshëm në shtetin, i cili njeh birësimin në bazë të Konventës:
a) në rast se ligji i shtetit pritës lejon një gjë të tillë, dhe
b) në rast se pëlqimet e përmendura në nenin 4, paragrafët c dhe d, janë dhënë për qëllim të një birësimi të tillë.

2. Neni 23 zbatohet ndaj vendimit që ndryshon birësimin.

KAPITULLI VI – DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 28

Konventa nuk prek asnjë ligj të një shteti të origjinës, i cili kërkon ë birësimi i fëmijës, zakonisht banues brenda këtij shteti, të bëhet në këtë shtet ose që ndalon vendosjen ose transferimin e fëmijës në shtetin pritës.

Neni 29

Nuk ka asnjë kontakt midis prindërve të ardhshëm birësues dhe prindërve të fëmijës apo ndonjë personi tjetër që kujdeset për fëmijën, përderisa të mos jenë plotësuar kërkesat e nenit 4, nënparagrafët a) deri në c) dhe të nenit 5, nënparagrafi a; me përjashtim të rastit kur birësimi bëhet brenda një familjeje ose kur kontakti bëhet në përputhje me kushtet e vendosura nga autoriteti kompetent i shtetit të origjinës.

Neni 30

1. Autoritetet Kompetente të një Shteti Kontraktues sigurojnë që të mos jepet informacioni i mbajtur prej tyre në lidhje me origjinën e fëmijës, veçanërisht informacioni në lidhje me identitetin e prindit ose prindërve të tij, si dhe mbi historikun shëndetësor.

2. Ata sigurojnë që fëmija apo përfaqësuesi i tij të kenë mundësi të njihen me këtë informacion, nën kujdesin e duhur, në rast se këtë e lejon ligji i atij shteti.

Neni 31

Pa paragjykuar nenin 30, të dhënat personale të grumbulluara ose të transmetuara në bazë të kësaj Konvente, sidomos të dhënat e përmendura në nenet 15 dhe 16 përdoren vetëm për qëllimet, për të cilat janë mbledhur ose transmetuar.

Neni 32

1. Asnjeri nuk duhet të nxjerrë përfitime të parregullta financiare ose përfitime të tjera nga një veprimtari që lidhet me birësimin jashtë vendit.

2. Mund të bëhen ngarkim ose të paguhen vetëm shpenzimet e bëra, përfshirë honorare të arsyeshme profesionale, për personat që janë marrë në birësim.

3. Drejtorët, administratorët dhe nëpunësit që janë marrë me birësimin nuk marrin shpërblim që është në mënyrë të paarsyeshme i lartë, në raport me shërbimet e kryera.

Neni 33

Një autoritet kompetent, i cili konstaton se ndonjë dispozitë e Konventës nuk është respektuar apo se ka rrezik serioz që të mos respektohet, informon menjëherë Autoritetin Qendror të shtetit.
Autoriteti Qendror përgjigjet për të siguruar marrjen e masave të nevojshme.

Neni 34

Në rast se Autoriteti Kompetent i shtetit të cilit i drejtohet një dokument e kërkon këtë, atij duhet t’i jepet një përkthim i vërtetuar se është në përputhje me origjinalin. Në rast se nuk është vendosur ndryshe, shpenzimet e këtij përkthimi përballohen nga prindërit e ardhshëm birësues.

Neni 35

Autoritetet Kompetente të Shteteve Kontraktuese do të veprojnë me shpejtësi në procesin e birësimit.

Neni 36

Në lidhje me një shtet, i cili ka dy ose më shumë sisteme legjislacioni për birësimin, të zbatuara në njësi të ndryshme territoriale:

a) çdo referencë për banesën e zakonshme në këtë shtet interpretohet si referencë për banesën e zakonshme në njësinë territoriale të atij shteti;

b) çdo referencë ndaj legjislacionit të atij Shteti interpretohet si referencë ndaj legjislacionit në fuqi në njësinë territoriale përkatëse;

c) çdo referencë ndaj autoriteteve kompetente ose ndaj autoriteteve publike të atij shteti interpretohet si referencë ndaj atyre që janë autorizuar për të vepruar në njësinë territoriale përkatëse;

d) çdo referencë ndaj organeve të akredituara të atij shteti interpretohet si referencë ndaj organeve të akredituara në njësinë territoriale përkatëse.

Neni 37

Në lidhje me një shtet, i cili për birësimin ka një ose më shumë sisteme legjislacioni të zbatueshme në kategori të ndryshme personash, çdo referencë ndaj legjislacionit të atij shteti interpretohet si referencë ndaj sistemit të legjislacionit të përcaktuar me ligj nga ai shtet.

Neni 38

Një shtet, brenda të cilit njësi të ndryshme territoriale kanë rregullat e tyre ligjore për birësimin, është i detyruar të zbatojë Konventën, ndërsa një shtet me sistem legjislacioni të unifikuar nuk është i detyruar ta bëjë këtë.

Neni 39

1. Konventa nuk prek asnjë instrument ndërkombëtar, në të cilët Shtetet Kontraktues janë palë dhe që përmban dispozita për çështje që rregullohen nga kjo Konventë, përveç rasteve kur Shtetet Palë në këtë instrument kanë bërë një deklaratë të kundërt.

2. Çdo Shtet Kontraktues mund të hyjë në marrëveshje me një ose më shumë Shtete të tjera Kontraktuese për të përmirësuar zbatimin e Konventës në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Këto marrëveshje mund të prishen vetëm nga dispozitat e neneve 14 deri 16 dhe 18 deri 21. Shtetet që kanë përfunduar një marrëveshje të tillë i transmetojnë një kopje organit ku depozitohet Konventa.

Neni 40

Nuk lejohen rezerva për Konventën.

Neni 41

Konventa zbatohet në çdo rast kur një kërkesë e bazuar në nenin 14 është marrë mbasi Konventa ka hyrë në fuqi në shtetin pritës dhe në shtetin e origjinës.

Neni 42

Sekretari i përgjithshëm i Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private mbledh, në intervale të rregullta, një Komision të Posaçëm për të shqyrtuar funksionomin praktik të Konventës.

KAPITULLI VII – KLAUZOLA PËRFUNDIMTARE

Neni 43

1. Konventa është e hapur për nënshkrim nga shtetet anëtare të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private në kohën e sesionit të saj të shtatëmbëdhjetë dhe nga shtetet e tjera pjesëmarrëse në këtë sesion.

2. Ajo ratifikohet, pranohet ose miratohet dhe instrumentet e ratifikimit dhe pranimit ose miratimit depozitohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, organi ku depozitohet Konventa.

Neni 44

1. Çdo shtet mund të aderojë në Konventë mbasi ajo të ketë hyrë në fuqi, në përputhje me nenin 46 paragrafi 1.

2. Instrumenti i aderimit depozitohet pranë të njëjtit organ.

3. Ky aderim ka efekt vetëm për marrëdhëniet midis shtetit aderues dhe atyre Shteteve Kontraktues, të cilit nuk kanë kundërshtim për aderimin e tij brenda gjashtë muajve pasi kanë marrë njoftimin e përmendur në paragrafin (b) të nenit 48. Ky kundërshtim mund të bëhet nga shtetet edhe në kohën kur ata ratifikojnë, pranojnë ose miratojnë Konventën mbas një aderimi. Çdo kundërshtim i njoftohet organit ku depozitohet Konventa.

Neni 45

1. Në rast se një shtet ka dy ose më shumë njësi territoriale, në të cilat zbatohen sisteme të ndryshme legjislacioni për çështje që trajton kjo Konventë, ai mund të deklarojë në kohën e nënshkrimit, ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit se kjo Konventë shtrihet në të gjitha njësitë e tij territoriale ose vetëm në njërën ose në më shumë prej tyre dhe kjo deklaratë mund të ndryshohet duke bërë në çdo kohë një deklaratë tjetër.

2. Çdo deklaratë e tillë i njoftohet organit ku depozitohet Konventa dhe shpreh në mënyrë të qartë njësitë tërritoriale në të cilat zbatohet Konventa.

3. Në rast se një shtet nuk bën deklarata në bazë të këtij neni, Konventa do të shtrihet në të gjitha njësitë territoriale të atij shteti.

Neni 46

1. Konventa hyn në fuqi në ditën e parë të muajit, mbasi kanë kaluar tre muaj nga depozitimi i instrumentit të tretë të ratifikimit, pranimit ose miratimit, që përmendet në nenin 43.

2. Pas kësaj Konventa hyn në fuqi:
a) për secilin shtet që rrjedhimisht ratifikon, pranon ose miraton atë, në ditën e parë të muajit, mbasi kanë kaluar tre muaj nga depozitimi i instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit;
b) për një njësi territoriale, në të cilën është shtrirë Konventa, në përputhje me nenin 45, në ditën e parë të muajit që vjen mbas mbarimit të tre muajve pas njoftimit që përmendet në këtë nen.

Neni 47

1. Një Shtet Palë në këtë Konventë mund ta denoncojë atë me anën e një njoftimi me shkrim, drejtuar organit ku depozitohet Konventa.

2. Denoncimi ka efekt në ditën e parë të muajit, mbasi kanë kaluar dymbëdhjetë muaj pas marrjes së njoftimit nga organi ku depozitohet Konventa. Kur në njoftim përcaktohet një periudhë më e gjatë për hyrjen në fuqi të denoncimit, denoncimi hyn në fuqi pas mbarimit të një periudhe të tillë më të gjatë, mbasi njoftimi të jetë marrë nga organi ku depozitohet Konventa.

Neni 48

Organi ku depozitohet Konventa njofton shtetet anëtarë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private, shtetet e tjera pjesëmarrëse në sesionin e shtatëmbëdhjetë dhe shtetet që kanë aderuar, në përputhje me nenin 44, përsa më poshtë:
a) nënshkrimet, ratifikimet, pranimet dhe miratimet e përmendura në nenin 43;
b) aderimet dhe kundërshtimet ndaj aderimeve, që përmenden në nenin 44;
c) datën kur Konventa hyn në fuqi, sipas nenit 46;
d) deklaratat dhe emërimet e përmendura në nenet 22, 23, 25 dhe 45;
e) marrëveshjet e përmendura në nenin 39;
f) denoncimet e përmendura në nenin 47.

Për vërtetim, të nënshkruarit, të autorizuar ligjërisht, nënshkruan këtë Konventë.

Bërë në Hagë, më 29 maj 1993, në gjuhët anglisht dhe frëngjisht, duke pasur të dy tekstet vlerë të barabartë, në një kopje të vemte, e cila depozitohet në arkivat e Qeverisë së Mbretërisë së Holandës dhe një kopje e vërtetuar e së cilës i dërgohet, nëpërmjet kanaleve diplomatike, secilit shtet anëtar të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private në datën e sesionit të saj të shtatëmbëdhjetë dhe çdo shteti tjetër që ka marrë pjesë në këtë sesion.

LIGJ Nr.9359, datë 24.3.2005

PËR RATIFIKIMIN E “KONVENTËS EUROPIANE “PËR MARRËDHËNIET ME FËMIJËT”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Ratifikohet “Konventa Europiane “Për marrëdhëniet me fëmijët””.

Neni 2

Në mbështetje të pikës 1 të nenit 11 të Konventës, Republika e Shqipërisë cakton Ministrinë e Drejtësisë si organ qendror për të kryer funksionet e parashikuara nga kjo Konventë.

Neni 3

Në përputhje me pikën 3 të nenit 18 të Konventës, Republika e Shqipërisë deklaron se mund të kundërshtojë përdorimin e gjuhës angleze ose franceze, sipas parashikimeve të pikave 1 e 2 të këtij neni, në çdo kërkesë, korrespondencë ose dokument tjetër dërguar organeve qendrore.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4533, datë 13.4.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu.

KONVENTË MBI MARRËDHËNIET ME FËMIJËT

Preambul

Shtetet anëtare të Këshillit të Europës dhe nënshkruesit e tjerë, duke marrë parasysh Konventën europiane për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve dhe rivendosjen e kujdestarisë mbi fëmijët, të 20 majit 1980 (ETS N0 105);
duke marrë parasysh Konventën e Hagës të 25 tetorit 1980 mbi aspektet civile të rrëmbimit të fëmijëve në nivel ndërkombëtar dhe Konventën e Hagës të 19 tetorit 1996 mbi juridiksionin, ligjin e zbatuar, njohjen, ekzekutimin dhe bashkëpunimin në lidhje me përgjegjësinë prindërore dhe masat për mbrojtjen e fëmijëve;
duke marrë parasysh rregulloren e këshillit (EC) nr.1347/2000 të 29 majit 2000 mbi juridiksionin, njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në çështjet martesore dhe në çështjet e përgjegjësisë prindërore për fëmijët e të dy bashkëshortëve;
duke ditur se, sipas parashikimit të bërë në instrumente të ndryshme ligjore ndërkombëtare të Këshillit të Europës, si dhe në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijve të 20 nëntorit 1989, interesat e fëmijëve janë të një rëndësie prioritare;
të ndërgjegjshëm për nevojën e dispozitave të mëtejshme për të garantuar marrëdhëniet ndërmjet fëmijëve, dhe prindërve të tyre dhe personave të tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijët, sipas mbrojtjes së bërë nga neni 8 i Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të 4 nëntorit 1950 (ETS nr.5);
duke pasur parasysh nenin 9 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve, i cili parashikon të drejtën e fëmijëve që është i ndarë nga një ose nga të dy prindërit të mbajë marrëdhënie personale dhe kontakt të drejtpërdrejtë dhe të rregullt me të dy prindërit, përveç kur një gjë e tillë është në dëm të interesave të fëmijës;
duke marrë parasysh paragrafin 2 të nenit 10 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve, i cili parashikon të drejtën e fëmijëve, prindërit e të cilit banojnë në shtete të ndryshme, duke përjashtuar situatat e jashtëzakonshme, të mbajë rregullisht marrëdhënie personale dhe kontakt të drejtpërdrejtë me të dy prindërit;
të ndërgjegjshëm për dobinë e njohjes si mbajtës të të drejtave jo vetëm prindërit, por edhe fëmijët;
duke rënë dakord për zëvendësimin e konceptit “e drejta e vizitës tek fëmijët” me nocionin “marrëdhëniet me fëmijët”;
duke marrë parasysh Konventën europiane për ushtrimin e të drejtave të fëmijëve (ETS nr.160) dhe dobinë e nxitjen në marrjen e masave për të ndihmuar fëmijët në çështjet në lidhje me marrëdhëniet me prindërit dhe personat e tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijët;
duke rënë dakord për nevojën që fëmijët të kenë marrëdhënie jo vetëm me të dy prindërit, por edhe me persona të tjerë të caktuar që kanë lidhje familjare me fëmijët dhe rëndësinë për prindërit dhe personat e tjerë për të mbajtur marrëdhënie me fëmijët në përshtatje me interesat e fëmijëve;
duke vënë re nevojën për të nxitur adoptimin nga shtetet të parimeve të përbashkëta në lidhje me marrëdhëniet mbi fëmijët, sidomos për të lehtësuar zbatimin e instrumenteve ndërkombëtare në këtë fushë;
duke qenë të ndërgjegjshëm se mekanizmi për t’u dhënë fuqi vendimeve të huaja mbi marrëdhëniet me fëmijët ka më shumë mundësi të japë rezultate të kënaqshme kur parimet mbi të cilat mbështeten këto vendime janë të ngjashme me parimet e shtetit që u jep fuqi këtyre vendimeve të huaja;
duke njohur nevojën, kur fëmijët, prindërit dhe persona të tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijët banojnë në shtete të ndryshme, për të inkurajuar autoritetet gjyqësore për të përdorur më shpesh marrëdhëniet ndërkufitare dhe për të rritur besimin e të gjithë personave të interesuar se fëmijët do të kthehen në përfundim të kësaj marrëdhënieje;
duke vënë re se parashikimi i një sigurimi të efektshëm dhe i garancive shtesë është i mundur të sigurojë kthimin e fëmijëve, sidomos, në përfundim të marrëdhënies ndërkufitare;
duke vënë re se për parashikimin e zgjidhjeve që sidomos kanë të bëjnë me marrëdhënien ndërkufitare për fëmijët është i nevojshëm një instrument ndërkombëtar shtesë;
me dëshirën për të vendosur bashkëpunim ndërmjet të gjitha organeve qendrore ose organeve të tjera për të nxitur dhe përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet fëmijëve, prindërve të tyre dhe personave të tjerë që kanë lidhje familjare me këta fëmijë, dhe sidomos për të nxitur bashkëpunim gjyqësor në çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkufitare, kanë rënë dakord si më poshtë:

KAPITULLI I – OBJEKTET E KONVENTËS DHE PËRKUFIZIME

Neni 1 – Objektet e Konventës

Objektet e kësaj Konvente janë:
a) përcaktimi i parimeve të përgjithshme për t’u zbatuar me lidhje në vendimet mbi marrëdhëniet;
b) rregullimi i garancive të përshtatshme për të siguruar ushtrimin e rregullt të marrëdhënieve dhe kthimin e menjëhershëm të fëmijëve në fund të afatit të marrëdhënies;
c) vendosja e bashkëpunimit ndërmjet organeve qendrore, organeve gjyqësore dhe organeve të tjera për të nxitur dhe përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet fëmijëve, prindërve të tyre dhe personave të tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijët.

Neni 2 – Përkufizime

Për qëllimet e kësaj Konvente:

a) “marrëdhënie” do të thotë:
i) qëndrimi i fëmijës për një periudhës të caktuar kohe me ose në takim me një person të përmendur në nenet 4 ose 5 me të cilin ai ose ajo nuk banon zakonisht;
ii) çdo formë komunikimi ndërmjet fëmijës dhe një personi të tillë;
iii) dhënia e informacionit një personi të tillë për fëmijën ose fëmijët mbi këtë person;

b) “vendim mbi marrëdhëniet” do të thotë një vendim i një organi gjyqësor në lidhje me marrëdhëniet duke përfshirë një marrëveshje mbi marrëdhëniet, e cila është konfirmuar nga një organ kompetent gjyqësor ose që është përpiluar formalisht ose regjistruar si një instrument autentik dhe është i ekzekutueshëm;

c) “fëmijë” është një person nën 18 vjet në lidhje me të cilin mund të jepet ose të ekzekutohet një vendim mbi marrëdhëniet në një shtet palë;

d) “lidhje familjare” do të thotë një lidhje e ngushtë si ndërmjet një fëmije dhe gjyshit/gjyshes, ose vëllezërve dhe motrave të tij ose të saj, në bazë të ligjit ose në bazë të një lidhjeje familjare de fakto;

e) “organ gjyqësor” do të thotë një gjykatë ose organ administrativ i cili ka kompetenca ekuivalente.

KAPITULLI II – PARIME TË PËRGJITHSHME PËR TË ZBATUAR VENDIMET NË LIDHJE ME MARRËDHËNIET

Neni 3 – Zbatimi i parimeve

Shtetet palë marrin ato masa legjislative dhe të tjera që mund të jenë të nevojshme për të siguruar zbatimin e parimeve të këtij kapitulli nga organet gjyqësore kur ata marrin, ndryshojnë, pezullojnë ose anulojnë vendime në lidhje me marrëdhëniet.

Neni 4 – Marrëdhënia ndërmjet një fëmije dhe prindërve të tij ose të saj

1. Një fëmijë dhe prindërit e tij ose të saj kanë të drejtë të marrin dhe të mbajnë marrëdhënie të rregullta me njëri-tjetrin.

2. Këto marrëdhënie mund të kufizohen ose përjashtohen kur kjo kërkohet nga interesat e larta të fëmijës.

3. Kur nuk është në favor të interesave të larta të një fëmije që ky të mbajë marrëdhënie të pambikëqyrura me një nga prindërit e tij ose të saj, konsiderohet mundësia e marrëdhënieve personale të mbikëqyrura ose forma të tjera të marrëdhënieve me këtë prind.

Neni 5 – Marrëdhëniet ndërmjet një fëmije dhe personave të tjerë, përveç prindërve të tij ose të saj

1. Në varësi të interesave të larta të fëmijës, mund të vendosen marrëdhënie ndërmjet atij ose asaj dhe personave të ndryshëm nga prindërit e tij ose të saj që kanë lidhje familjare me fëmijën.

2. Shtetet palë janë të lira ta shtrijnë këtë dispozitë për tek persona të tjerë nga ata të përmendur në paragrafin 1, dhe kur bëhet një shtrirje e tillë. Shtetet mund të vendosin lirisht se cilat aspkte të marrëdhënieve zbatohen sipas përkufizimit të nenit 2 germa a.

Neni 6 – E drejta e fëmijës për t’u informuar, konsultuar dhe shprehur mendimet e tij ose të saj

1. Fëmija që në bazë të së drejtës ndërkombëtare konsiderohet me zhvillim të plotë mendor ka të drejtën, përveç kur një gjë e tillë do të ishte haptazi në dëm të interesave të larta të tij ose të saj:
-të marrë të gjithë informacionin përkatës;
-të konsultohet;
-të shprehë mendimet e tij ose të saj.

2. Këtyre mendimeve, dëshirave dhe ndjenjave të konstatueshme të fëmijës u kushtohet vëmendja e duhur.

Neni 7 – Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në lidhje me marrëdhëniet

Gjatë zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në lidhje me marrëdhëniet, organet gjyqësore marrin të gjitha masat:

a) për të siguruar që të dy prindërit të jenë informuar për rëndësinë e vendosjes dhe të mbajtjes së marrëdhënieve të rregullta me fëmijën e tyre, për fëmijën dhe për ata vetë;

b) për të nxitur prindërit dhe persona të tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijën për të lidhur marrëveshje miqësore në lidhje me marrëdhëniet, sidomos duke përdorur ndërmjetësimin familjar ose ndonjë formë tjetër për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve;

c) para marrjes së një vendimi, të sigurohen që disponojnë informacion të mjaftueshëm, sidomos nga ata që mbajnë përgjegjësinë familjare, me qëllim që të marrin një vendim në favor të interesave të larta të fëmijës, dhe, kur është e nevojshme, të marrin informacion shtesë nga organe ose personat e tjerë përkatës.

Neni 8 – Marrëveshjet për marrëdhëniet

1. Shtetet palë nxisin, me anë të mjeteve që ata i konsiderojnë të përshtatshme, prindërit dhe personat e tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijën të repsektojnë parimet e parashikuara në nenet 4 deri 7 kur përpilojnë ose ndryshojnë marrëveshjet mbi marrëdhëniet në lidhje me një fëmijë. Këto marrëveshje duhet që mundësisht të bëhen me shkrim.

2. Me kërkesë, organet gjyqësore, përveç kur parashikohet ndryshe në ligjin e brendshëm, e konfirmojnë një marrëveshje mbi marrëdhëniet në lidhje me një fëmijë, përveç kur kjo është kundër interesave të larta të fëmijës.

Neni 9 – Zbatimi i vendimeve në lidhje me marrëdhëniet

Shtetet Palë marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar që vendimet në lidhje me marrëdhëniet të zbatohen.

Neni 10 – Mbrojtja dhe garancitë që jepen në lidhje me marrëveshjet

1. Secili shtet palë parashikon dhe nxit zbatimin e mbrojtjes dhe garancive. Ai i komunikon, nëpërmjet organeve të tij qendrore, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, brenda tre muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente për atë shtet palë, të paktën tre kategori mbrojtjesh dhe garancish të parashikuara nga ligji i brendshëm përveç mbrojtjes dhe garancive të përmendura në paragrafin 3 të nenit 4 dhe në germën b të paragrafit 1 të nenit 14 të kësaj Konvente.
Ndryshimi i mbrojtjes dhe garancive të dhëna komunikohet sa më parë që të jetë e mundur.

2. Kur e kërkojnë rrethanat e çështjes, organet gjyqësore në çdo kohë mund të marrin një vendim mbi marrëdhëniet që t’i nënshtrohet mbrojtjes dhe garancive për sigurimin e zbatimit të këtij vendimi, që fëmija të kthehet në fund të afatit të marrëdhënies në vendin ku ai ose ajo banon zakonisht, ose që ai ose ajo të mos lëvizet në mënyrë të parregullt.
a) Mbrojtja dhe garancitë për të siguruar që vendimi të zbatohet, mund të përfshijnë sidomos:
-mbikëqyrjen e marrëdhënies;
-detyrimin për një person të sigurojë shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit të fëmijës dhe, nëse është e nevojshme, të çdo personi tjetër që e shoqëron fëmijën;
-një garanci, që depozitohet nga personi me të cilën fëmija banon rregullisht, për të siguruar që personi i cili kërkon marrëdhënie me fëmijën të mos pengohet për të hyrë në marrëdhënie;
-një gjobë që i vihet personit me të cilën fëmija banon zakonisht, nëse ky refuzon të përmbushë vendimin mbi marrëdhëniet.
b) Mbrojtja dhe garancitë për të siguruar kthimin e fëmijës ose parandalimin e kthimit të parregullt mund të përfshijë sidomos:
-dorëzimin e pasaportave ose dokumenteve të identitetit dhe, kur është e nevojshme, një dokument që të tregojë se personi që kërkon të ketë marrëdhënie ka njoftuar organin kompetent konsullor për këtë dorëzim gjatë periudhës së marrëdhënies;
-garancitë financiare;
-barrët mbi pasurinë;
-detyrimet ose marrëveshjet para gjykatës;
-detyrimin e personit që ka marrëdhënie me fëmijën për t’u paraqitur së bashku me fëmijën rregullisht para një organi kompetent, si zyra për mirëqenien e rinisë ose një rajon policie, në vendin ku duhet të ushtrohet marrëdhënia;
-detyrimin e personit që kërkon të hyjë në marrëdhënie që të paraqesë një dokument të lëshuar nga shteti ku duhet të zhvillohet marrëdhënia, që të vërtetojë njohjen dhe deklarimin e ekzekutueshmërisë së kujdestarisë ose të një vendimi mbi marrëdhëniet, ose të dyja, para se të merret vendimi për marrëdhëniet ose para se të fillojë marrëdhënia;
-caktimin e kushteve në lidhje me vendin ku duhet të zhvillohet marrëdhënia dhe, nëse është e nevojshme, regjistrimin në ndonjë sistem kombëtar ose ndërkufitar, të ndalimit që pengon fëmijën për t’u larguar nga shteti ku duhet të zhvillohet marrëdhënia.

3. Kjo mbrojtje dhe këto garanci janë të përcaktuara me shkrim ose të provuara me shkrim dhe janë pjesë e vendimit për marrëdhëniet ose marrëveshjes së konfirmuar.

4. Nëse mbrojtja dhe garancitë duhet të zbatohen në një shtet tjetër palë, organi gjyqësor mundësisht vendos mbrojtje dhe garanci të tilla të përshtatshme për t’u zbatuar në atë shtet palë.

KAPITULLI III – MASAT PËR TË NXITUR DHE PËRMIRËSUAR MARRËDHËNIET NDËRKUFITARE

Neni 11 – Organet qendrore

1. Çdo shtet palë emëron një organ qendror për të kryer funksionet e parashikuara nga kjo Konventë në rastet e marrëdhënieve ndërkufitare.

2. Shtetet federale, shtetet me më shumë se një sistem ligjor ose shtetet që kanë pjesë territoriale autonome janë, të lira të emërojnë më shumë se një organ qendror dhe të përcaktojnë hapësirën territoriale dhe personale të funksioneve të tyre. Kur një shtet ka emëruar më shumë se një organ qendror, ai emëron një organ qendror të cilit i dërgohet çdo korrespondencë për ta transmetuar tek organi përkatës qendror brenda atij shteti.

3. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës njoftohet për çdo emërim sipas këtij neni.

Neni 12 – Detyrat e organeve qendrore

Organet qendrore të shteteve palë:

a) bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet organeve kompetente, duke përfshirë organet gjyqësore në vendet e tyre përkatëse për të arritur qëllimet e Konventës. Ata veprojnë me të gjithë shpejtësinë dhe efektivitetin e duhur;

b) me qëllim që të lehtësohet zbatimi i kësaj Konvente, pajisin, pas kërkesës përkatëse, njëri-tjetrin me informacion në lidhje me ligjet e brendshme që rregullojnë përgjegjësitë prindërore, duke përfshirë marrëdhëniet dhe me çdo informacion të detajuar në lidhje me mbrojtjen dhe garancitë përveç atyre të parashikuara sipas paragrafit 1 të nenit 10, dhe shërbimet e ofruara prej tyre (duke përfshirë shërbimet ligjore, të financuara me fonde publike ose të tjera), si dhe me informacione mbi çdo ndryshim në këto ligje dhe shërbime;

c) bëjnë të gjitha përpjekjet për të zbuluar vendndodhjen e fëmijës;

d) sigurojnë transmetimin e kërkesave për informacion që vijnë nga organet kompetente në lidhje me çështjet ligjore ose faktike mbi një gjykim të papërfunduar;

e) e mbajnë njëri-tjetrin të informuar për çdo vështirësi që mund të lindë gjatë zbatimit të Konventës dhe, nëse është e mundur, mënjanojnë pengesat për zbatimin e saj.

Neni 13 – Bashkëpunimi ndërkombëtar

1. Organet gjyqësore, organet qendrore dhe organet sociale dhe të tjera të shteteve palë përkatëse, duke vepruar brenda kompetencës së tyre, bashkëpunojnë në lidhje me gjykimet mbi marrëdhëniet ndërkufitare.

2. Organet qendrore ndihmojnë veçanërisht organet gjyqësore të shteteve palë për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe në marrjen e informacionit dhe të ndihmës që është e nevojshme për të arritur objektivat e kësaj Konvente.

3. Në çështjet ndërkufitare, organet qendrore ndihmojnë fëmijët, prindërit dhe personat e tjerë që kanë lidhje familjare me fëmijën sidomos për të filluar gjykimin në lidhje me marrëdhënien ndërkufitare.

Neni 14 – Njohja dhe ekzekutimi i vendimeve për marrëdhëniet ndërkombëtare

1. Shtetet palë parashikojnë, duke përfshirë ato që kur është e mundur janë në përputhje me instrumentet ndërkombëtare:
a) një sistem për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të dhëna në shtetet e tjera palë në lidhje me marrëdhëniet dhe të drejtën e kujdestarisë;
b) një procedurë ku vendimet në lidhje me marrëdhëniet dhe të drejtën e kujdestarisë të dhënë në shtete të tjera palë të mund të njihen dhe të deklarohen të ekzekutueshme para se të ushtrohet marrëdhënia në shtetin pritës.

2. Nëse një shtet palë e kushtëzon një njohje apo ekzekutim ose të dyja bashkë për një vendim të huaj me ekzistencën e një marrëveshjeje ose të reciprocitetit, ai mund ta konsiderojë këtë Konventë si bazë ligjore për njohjen ose ekzekutimin, apo të dyjave bashkë, të një vendimi të huaj për marrëdhëniet.

Neni 15 – Kushtet për zbatimin e vendimeve për marrëdhëniet ndërkufitare

Organi gjyqësor i shtetit palë ku duhet të zbatohet një vendim mbi një marrëdhënie ndërkufitare të dhënë në një shtet tjetër palë, në momentin e njohjes ose të deklarimit të ekzekutueshmërisë së këtij vendimi për marrëdhëniet ose në një moment të mëvonshëm, mund të përcaktojë ose adoptojë kushtet për zbatimin e tij, si dhe çdo mbrojtje ose garanci të lidhura me të, nëse kjo është e nevojshme për të lehtësuar ushtrimin e kësaj marrëdhënieje, me kusht që elementet thelbësore të vendimit të respektohen dhe të merren parasysh, sidomos ndryshimi i rrethanave dhe i marrëveshjeve të kryera nga personat e interesuar.
Në asnjë rrethanë, vendimi i huaj nuk mund të rishikohet në themel.

Neni 16 – Rikthimi i një fëmije

1. Kur një fëmijë nuk rikthehet në përfundim të një marrëdhënieje ndërkufitare në bazë të një vendimi mbi këtë marrëdhënie, organet kompetente, me kërkesë, sigurojnë rikthimin e menjëhershëm të fëmijës, dhe kur është e mundur duke zbatuar dispozitat përkatëse të instrumenteve ndërkombëtare, të ligjit të brendshëm dhe, kur është e mundur, duke zbatuar mbrojtjen dhe garancitë sipas parashikimit të bërë në vendimin për marrëdhënien.

2. Një vendim për rikthimin e fëmijës merret, kur është e mundur, brenda gjashtë javëve nga data e bërjes së kërkesës për rikthimin.

Neni 17 – Shpenzimet

Përveç shpenzimeve të riatdhesimit, çdo shtet palë merr përsipër për të mos pretenduar ndonjë pagesë nga kërkesa në lidhje me çdo masë të marrë sipas kësaj Konvente nga vetë organet qendrore të atij shteti në emër të kërkuesit.

Neni 18 – Kërkesat për gjuhën

1. Në varësi të çdo marrëveshjeje të veçantë të bërë ndërmjet organeve qendrore përkatëse:
a) korrespondenca e dërguar organit qendror të shtetit pritës përpilohet në gjuhën zyrtare ose në një nga gjuhët zyrtare të atij shteti, ose shoqërohet me një përkthim në këtë gjuhë.
b) organi qendror i shtetit pritës megjithatë pranon dhe korrespondencën në anglisht ose frëngjisht, ose të shoqëruar me një përkthim në një nga këto gjuhë.

2. Korrespondenca që del nga organi qendror i shtetit pritës, duke përfshirë edhe rezultatet e hetimeve të kryera, mund të bëhen në gjuhën zyrtare ose në një nga gjuhët zyrtare të atij shteti, ose në anglisht apo frëngjisht.

3. Megjithatë, një shtet palë, nëpërmjet një deklarate drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, mund të kundërshtojë përdorimin e anglishtes ose të frëngjishtes sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni në çdo kërkesë, korrespondencë ose dokumente të tjera dërguar organeve qendrore.

KAPITULLI IV – RAPORTI ME INSTRUMENTET E TJERA

Neni 19 – Raporti me Konventën europiane mbi njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve dhe rivendosjen e kujdestarisë mbi fëmijët

Paragrafët 2 dhe 3 të nenit 11 të Konventës europiane të 20 majit 1980 (ETS nr.105) mbi njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve dhe rivendosjen e kujdestarisë mbi fëmijët nuk zbatohet në marrëdhëniet ndërmjet shteteve palë, të cilat janë gjithashtu shtete palë në këtë Konventë.

Neni 20 – Raporti me instrumente të tjera

1. Kjo Konventë nuk cenon asnjë instrument tjetër ndërkombëtar në të cilën shtetet palë në këtë Konventë janë palë ose do të bëhen palë i cili përmban dispozita mbi çështje që janë rregulluar në këtë Konventë.
Kjo Konventë nuk cenon sidomos zbatimin e instrumenteve të mëposhtme ligjore:
a) Konventën e Hagës të 5 tetorit 1961 mbi kompetencën e organeve dhe ligjin e zbatuar për mbrotjen e të miturve.
b) Konventën europiane mbi njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve dhe rivendosjen e kujdestarisë mbi fëmijët të 20 majit 1980 sipas nenit 19 të mësipërm.
c) Konventën e Hagës të 25 tetorit 1980 mbi aspektet civile të rrëmbimit të fëmijëve në nivel ndërkombëtar.
d) Konventën e Hagës të 19 tetorit 1996 mbi juridiksionin, ligjin e zbatueshëm, njohjen, ekzekutimin dhe bashkëpunimin në lidhje me përgjegjësinë prindërore dhe masat për mbrojtjen e fëmijëve.

2. Asgjë në këtë Konventë nuk i pengon palët të lidhin marrëveshje ndërkombëtare që plotësojnë ose zhvillojnë më tej dispozitat e kësaj Konvente apo që zgjerojnë sferën e zbatimit të tyre.

3. Në marrëdhëniet e tyre reciproke, shtetet palë që janë anëtare të Komunitetit Europian zbatojnë rregullat e Komunitetit dhe kështu nuk zbatojnë rregullat që rrjedhin nga kjo Konventë, përveç kur nuk ka rregull komunitar që të rregullojë lëndën në fjalë.

KAPITULLI V – NDRYSHIMET E KONVENTËS

Neni 21 – Ndryshimet

1. Çdo propozim për ndryshimin e kësaj Konvente të paraqitur nga një palë i komunikohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe ky i fundit ia paraqet këtë shteteve anëtare të Këshillit të Europës, çdo nënshkuresi, çdo shteti palë, Komunitetit Europian, çdo shteti të ftuar për ta nënshkurar këtë Konventë sipas dispozitave të nenit 22 dhe çdo shteti të ftuar për të aderuar në këtë Konventë sipas dispozitave të nenit 23.

2. Çdo ndryshim i propozuar nga një palë i komunikohet Komitetit Europian për Bashkëpunimin Ligjor (KEBL), i cili i paraqet Komitetit të Ministrave mendimin e tij mbi ndryshimin e propozuar.

3. Komiteti i Ministrave e merr në shqyrtim ndryshimin e propozuar dhe mendimin e paraqitur nga KEBL dhe, pas konsultimeve me palët e Konventës, të cilët nuk janë anëtarë të Këshillit të Europës, mund të miratojë ndryshimin.

4. Teksti i çdo ndryshimi të miratuar nga Komiteti i Ministrave në pajtim me paragrafin 3 të këtij neni u paraqitet për pranim palëve.

5. Çdo ndryshim i aprovuar në pajtim me paragrafin 3 të këtij neni hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati njëmujor pas datës në të cilën të gjitha palët kanë informuar Sekretarin e Përgjithshëm se e kanë pranuar atë.

KAPITULLI VI – DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 22 – Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi

1. Kjo Konventë është e hapur për t’u nënshkruar nga shtetet anëtare të Këshillit të Europës, shtetet joanëtare që kanë marrë pjesë në përpilimin e saj dhe nga Komuniteti Europian.

2. Kjo Konventë i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose aprovimit.
Instrumentet e ratifikimit, pranimit ose aprovimit depozitohen te Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës.

3. Kjo Konventë hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati tremujor pas datës në të cilën tre shtete, duke përfshirë të paktën dy shtete anëtare të Këshillit të Europës, kanë shprehur pëlqimin e tyre për të respektuar Konventën në pajtim me dispozitat e paragrafit të mësipërm.

4. Në lidhje me çdo shtet të përmendur në paragrafin 1 ose me Komunitetin Europian i cili e shpreh më vonë pëlqimin e tij për të respektuar Konventën, kjo hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati tremujor pas datës së depozitimit të instrumenteve të tij të ratifikimit, pranimit ose aprovimit.

Neni 23 – Aderimi në Konventë

1. Pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës, pas konsultimeve me palët, mund të ftojë çdo shtet joanëtar të Këshillit të Europës, i cili nuk ka marrë pjesë në përpilimin e Konventës, të aderojë në këtë Konventë nëpërmjet një vendimi të marrë nga shumica e parashikuar në nenin 20d të statutit të Këshillit të Europës dhe me votën unanime të përfaqësuesve të shteteve kontraktuese që kanë të drejtën e një vendi në Komitetin e Ministrave.

2. Në lidhje me çdo shtet aderues, Konventa hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati tremujor pas datës së depozitimit të instrumentit të aderimit te Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës.

Neni 24 – Zbatimi territorial

1. Çdo shtet ose Komunitet Europian, në momentin e nënshkrimit ose të depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit, mund të përcaktojë territorin ose pjesët e territorit ku zbatohet kjo Konventë.

2. Çdo palë në një datë të mëvonshme dhe nëpërmjet një deklarate drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës mund ta zgjerojë zbatimin e kësaj Konvente për në çdo pjesë tjetër territori të përcaktuar në deklaratë dhe për ato marrëdhënie ndërkombëtare që ajo është e përgjegjshme dhe në emër të të cilit ajo është e autorizuar të marrë përsipër detyrime. Në lidhje me këtë pjesë territori, Konventa hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati tremujor pas datës së marrjes së një deklarate të tillë nga Sekretari i Përgjithshëm.

3. Çdo deklaratë e bërë sipas dy paragrafëve të mësipërm, në lidhje me çdo pjesë territori të përcaktuar në deklaratë, mund të tërhiqet nëpërmjet një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Tërheqja hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati tremujor pas datës së marrjes së një njoftimi të tillë nga Sekretari i Përgjithshëm.

Neni 25 – Rezervat

Nuk mund të bëhet asnjë rezervë për dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 26 – Denoncimi

1. Çdo Palë mund ta denoncojë këtë Konventë në çdo kohë nëpërmjet një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës.

2. Një denoncim i tillë hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas kalimit të një afati tremujor pas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm.

Neni 27 – Njoftimet

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës njofton shtetet anëtare të Këshillit të Europës, çdo shtet nënshkrues, çdo shtet palë, Komunitetin Europian, çdo shtet të ftuar për të nënshkruar këtë Konventë sipas dispozitave të nenit 22 dhe çdo shtet të ftuar të aderojë në këtë Konventë në pajtim me dispozitat e nenit 23 për:

a) çdo nënshkrim;

b) depozitimin e çdo instrumenti të ratifikimit, pranimit, aprovimit ose aderimit;

c) çdo datë të hyrjes në fuqi të kësaj Konvente sipas neneve 22 dhe 23;

d) çdo ndryshim të miratuar sipas nenit 21 dhe datën në të cilën hyn në fuqi një ndryshim i tillë;

e) çdo deklaratë të bërë sipas dispozitave të nenit 18;

f) çdo denoncim të bërë sipas dispozitave të nenit 26;

g) çdo akt, njoftim ose komunikim tjetër, sidomos ata që janë parashikuar në nenet 10 dhe 11 të kësaj Konvente.

Si dëshmi të kësaj, të poshtëshënuarit, duke qenë të autorizuar rregullisht, kanë nënshkruar këtë Konventë.

Bërë në 15 maj 2003, në anglisht dhe frëngjisht të dyja tekstet njëlloj të vlefshme në një kopje të vetme e cila depozitohet në arkivat e Këshillit të Europës, Sekretari i Përgjithshm i Këshillit të Europës u transmeton kopje të vërtetuara të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Europës, shteteve joanëtare të cilat kanë marrë pjesë në hartimin e Konventës, Komunitetit Europian dhe çdo shteti që është ftuar të aderojë në këtë Konventë.

LIGJ Nr.9446, datë 24.11.2005

PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN, “PËR ASPEKTET CIVILE TË RRËMBIMIT NDËRKOMBËTAR TË FËMIJËS”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Republika e Shqipërisë aderon në Konventën “Për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës”, bërë në Hagë më 25 tetor 1980, me rezervën e parashikuar në këtë ligj.

Neni 2

Në përputhje me paragrafin e parë të nenit 6 të Konventës, autoriteti qendror për përmbushjen e detyrave të kësaj Konvente është Ministria e Drejtësisë.

Neni 3

Në përputhje me nenin 42 të Konventës, Republika e Shqipërisë rezervon të drejtën të mos jetë e detyruar të marrë përsipër ndonjë kosto, që parashikohet në paragrafin e tretë të nenit 26 të Konventës, si rezultat i pjesëmarrjes së konsulentit apo konsulentëve ligjorë ose nga procesi gjyqësor, vetëm deri në atë shkallë, që këto kosto mund të mbulohen nga sistemi i asistencës apo konsulencës ligjore.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4716, datë 8.12.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu.

KONVENTA PËR ASPEKTET CIVILE TË RRËMBIMIT NDËRKOMBËTAR TË FËMIJËS

(lidhur në 25 tetor 1980)

Vendet nënshkruese të kësaj Konvente, tërësisht të bindura se interesat e fëmijëve janë të një rëndësie të veçantë në çështjet që lidhen me kujdestarinë e tyre, duke dëshiruar mbrojtjen ndërkombëtare të fëmijëve nga pasojat e dëmshme të largimit ose mbajtjes së tyre të padrejtë dhe për të krijuar procedura që sigurojnë kthimin e tyre të menjëhershëm në shtetin e banesës së tyre të përhershme, si dhe për të siguruar mbrojtje për të drejtat e kontaktit, kanë vendosur të lidhin një Konventë për këtë qëllim dhe kanë rënë dakord për dispozitat e mëposhtme.

KAPITULLI I – FUSHA E VEPRIMIT TË KONVENTËS

Neni 1

Qëllimet e kësaj Konvente janë:

a) të sigurojë kthimin e shpejtë të fëmijëve që largohen apo mbahen pa të drejtë në Shtetin Kontraktues;

b) të sigurojë që të drejtat e kujdestarisë dhe të kontaktit sipas ligjit të një Shteti Kontraktues të respektohen efektivisht në Shtetet e tjera Kontraktuese.

Neni 2

Shtetet Kontraktuese duhet të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar brenda territoreve të tyre përmbushjen e qëllimeve të Konventës. Për këtë qëllim, ato duhet të përdorin procedurat më të shpejta të mundshme.

Neni 3

Largimi ose mbajtja e një fëmije konsiderohet i padrejtë në rastet kur:

a) konsiston në shkeljen e të drejtave të kujdestarisë dhënë një personi, një institucioni apo organi tjetër, qoftë kolektivisht apo individualisht, sipas ligjit të shtetit në të cilin fëmija ka qenë banor i përhershëm para largimit apo mbajtjes;

b) në kohën e largimit apo mbajtjes këto të drejta janë ushtruar, qoftë kolektivisht apo individualisht, ose që mund të kenë qenë ushtruar me përjashtim të largimit apo mbajtjes.

Të drejtat e kujdestarisë, të përmendura në nënparagrafin (a) më sipër, mund të lindin veçanërisht nga funksionimi i ligjit ose për shkak të një vendimi gjyqësor apo administrativ ose për shkak të një marrëveshjeje që ka efekt ligjor sipas ligjit të shtetit.

Neni 4

Konventa do të zbatohet për çdo fëmijë që ka qenë banor i përhershëm i Shtetit Kontraktues menjëherë para rastit të ndonjë shkeljeje kujdestarie apo të të drejtave të kontaktit. Konventa do të pushojë së zbatuari kur fëmija arrin moshën 16 vjeç.

Neni 5

Për qëllime të kësaj Konvente:

a) “të drejtat e kujdestarisë” do të përfshijnë të drejtat që lidhen me kujdesin e fëmijës dhe në veçanti, e drejta për të përcaktuar vendbanimin e fëmijës;

b) “të drejtat e hyrjes” do të përfshijnë të drejtën për ta marrë fëmijën për një periudhë të kufizuar në një vend tjetër nga vendbanimi i tij i përhershëm.

KAPITULLI II – AUTORITETET QENDRORE

Neni 6

Një Shtet Kontraktues do të autorizojë një autoritet qendror të përmbushë detyrat që Konventa u ka dhënë këtyre autoriteteve.
Shtetet federale, shtetet me më shumë se një sistem ligjor ose shtetet që kanë organizime territoriale autonome, do të jenë të lira të caktojnë më shumë se një autoritet qendror dhe të përcaktojnë shtrirjen territoriale të kompetencave të tyre.
Kur shteti ka caktuar më shumë se një autoritet qendror, do të autorizojë autoritetin qendror, tek i cili mund të dërgohen aplikimet për t’u përcjellë tek autoriteti i duhur qendror brenda këtij shteti.

Neni 7

Autoritetet qendrore do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe do të nxisin bashkëpunimin midis autoriteteve kompetente në shtetin e tyre përkatës, për të siguruar kthimin e shpejtë të fëmijëve dhe për të arritur objektivat e tjera të kësaj marrëveshjeje.

Në veçanti, qoftë në mënyrë direkte apo me anë të një ndërmjetësi, do të marrin të gjitha masat e duhura:

a) për të zbuluar vendndodhjen e një fëmije, i cili është larguar apo mbajtur pa të drejtë;

b) për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm ndaj fëmijës ose paragjykimin te palët e interesuara duke marrë ose bërë që të merren masa të përkohshme;

c) për të siguruar kthimin e vullnetshëm të fëmijës ose për të arritur një zgjidhje paqësore të çështjeve;

d) për të shkëmbyer, aty ku duhet, informacion në lidhje me bekgraundin social të fëmijës;

e) për të siguruar informacion të karakterit të përgjithshëm sipas ligjit të shtetit të tyre, në lidhje me zbatimin e Konventës;

f) për të filluar apo lehtësuar procedimin gjyqësor ose administrativ, me qëllim kthimin e fëmijës dhe në rastin e duhur, të bëjnë përgatitje për organizimin ose sigurimin e ushtrimit efektiv të të drejtave të kontaktit;

g) siç e kërkojnë rrethanat, të sigurojnë ose lehtësojnë sigurimin e konsulencës dhe asistencës ligjore, duke përfshirë pjesëmarrjen e konsulentëve ligjorë;

h) të marrin masat e nevojshme administrative, për të siguruar kthimin e sigurt të fëmijës;

i) të informojnë njëri-tjetrin në lidhje me funksionimin e kësaj Konvente dhe sa të jetë e mundur, të eliminojnë pengesat ndaj zbatimit të saj.

KAPITULLI III – KTHIMI I FËMIJËVE

Neni 8

Çdo person, institucion apo organ tjetër që pretendon se një fëmijë është larguar apo mbajtur në shkelje të të drejtave të kujdestarisë, mund t’i drejtohet autoritetit qendror të vendbanimit të përhershëm të fëmijës ose autoritetit qendror të ndonjë Shteti tjetër Kontraktues për asistencë në sigurimin e kthimit të fëmijës.

Aplikimi do të përmbajë:

a) informacion në lidhje me identitetin e aplikantit, të fëmijës dhe të personit që pretendon se ka larguar apo mbajtur fëmijën;

b) kur kërkohet, data e lindjes së fëmijës;

c) shkaqet mbi të cilat bazohet pretendimi i aplikantit për kthimin e fëmijës;

d) një informacion të nevojshëm në lidhje me vendndodhjen e fëmijës dhe identitetin e personit me të cilin supozohet të jetë fëmija.

Aplikimi duhet të shoqërohet ose shtohet nga:

e) një kopje e vërtetuar e ndonjë vendimi apo marrëveshjeje përkatëse;

f) një certifikatë apo aktbetim që vjen nga autoriteti qendror ose ndonjë autoritet tjetër kompetent i shtetit të vendbanimit të përhershëm të fëmijës ose nga një person i kualifikuar, në lidhje me ligjin përkatës të këtij shteti;

g) çdo dokument tjetër në interes të çështjes.

Neni 9

Nëse autoriteti qendror, i cili merr aplikimin e parashikuar në nenin 8, ka arsye të besojë se fëmija është në një Shtet tjetër Kontraktues, do t’ia transmetojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa vonesë aplikimin autoritetit qendror të këtij Shteti Kontraktues dhe do të informojë autoritetin qendror kërkues ose aplikantin, në vartësi të çështjes.

Neni 10

Autoriteti qendror i shtetit ku është fëmija do të marrë apo do të nxisë marrjen e masave të nevojshme, me qëllim sigurimin e kthimit të vullnetshëm të fëmijës.

Neni 11

Autoritetet gjyqësore apo administrative të Shteteve Kontraktuese do të shpejtojnë procedurat për kthimin e fëmijëve.

Nëse autoriteti përkatës administrativ apo gjyqësor nuk ka arritur një vendim brenda një periudhe gjashtë javore nga data e fillimit të procedimit, aplikanti ose autoriteti qendror i shtetit të kërkuar, me iniciativën e vet ose nëse i kërkohet nga autoriteti qendror i shtetit kërkues, do të ketë të drejtën të kërkojë një deklaratë për shkaqet e vonesës. Nëse merret një përgjigje nga autoriteti qendror i shtetit të kërkuar, ky autoritet do t’ia transmetojë, sipas rastit, përgjigjen autoritetit qendror të shtetit kërkues ose aplikantit.

Neni 12

Kur fëmija është larguar apo mbahet padrejtësisht, siç është parashikuar në nenin 3, dhe kur në datën e fillimit të procedimit para autoritetit gjyqësor apo administrativ të Shtetit Kontraktues ku është fëmija ka kaluar më pak se një vit nga data e largimit apo mbajtjes së padrejtë, autoriteti i interesuar do të urdhërojë kthimin e menjëhershëm të fëmijës.

Edhe kur procedimet kanë filluar pas mbarimit të periudhës së një viti, siç referohet në paragrafin e mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ do të urdhërojë kthimin e fëmijës, për sa kohë që nuk është provuar se fëmija tashmë është vendosur në një mjedis të ri të tij.

Nëse autoriteti gjyqësor apo administrativ në shtetin e kërkuar ka arsye të besojë se fëmija është çuar në një shtet tjetër, mund të shtyjë procedimet ose të pushojë aplikimin për kthimin e fëmijës.

Neni 13

Pavarësisht nga dispozitat e nenit të mësipërm, autoriteti gjyqësor apo administrativ i shtetit të kërkuar nuk është i detyruar të urdhërojë kthimin e fëmijës, nëse personi, institucioni apo organi tjetër që e kundërshton kthimin ose mbajtjen e tij, vendos që:

a) personi, institucioni apo organi tjetër që kujdeset për fëmijën nuk po ushtronin të drejtat e kujdestarisë në kohën e largimit apo mbajtjes ose kanë rënë dakord, ose si rrjedhojë të kenë pranuar në heshtje largimin apo mbajtjen;

b) ekziston rrezik serioz që kthimi i tij ose i saj ta ekspozojë fëmijën ndaj dëmit fizik ose psikologjik ose ta vërë fëmijën para një situate të patolerueshme.

Autoriteti gjyqësor ose administrativ mund të refuzojë të urdhërojë kthimin e fëmijës, nëse zbulon se fëmija kundërshton të kthehet dhe ka arritur një moshë dhe një shkallë pjekurie, sipas së cilës është në gjendje të vendosë vetë për jetën e vet.
Në marrjen parasysh të rrethanave që i referohen këtij neni, autoritetet gjyqësore dhe administrative do të marrin në konsideratë informacionin në lidhje me bekgraundin social të fëmijës, të siguruar nga autoriteti qendror ose ndonjë autoritet tjetër kompetent i vendbanimit të përhershëm të fëmijës

Neni 14

Në përcaktimin nëse largimi apo mbajtja ka qenë e padrejtë brenda kuptimit të nenit 3, autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit të kërkuar, mund të marrin në konsideratë drejtpërsëdrejti ligjin dhe vendimet gjyqësore ose administrative, që njihen apo nuk njihen formalisht në shtetin e vendbanimit të përhershëm të fëmijës, pa rekurs ndaj procedurave specifike për provën e këtij ligji ose për njohjen e vendimeve të huaja, që do të zbatoheshin ndryshe.

Neni 15

Autoritetet gjyqësore ose administrative të një Shteti Kontraktues mund të kërkojnë para nxjerrjes së një urdhri për kthimin e fëmijës, që aplikanti të marrë nga autoritetet e shtetit të vendbanimit të përhershëm të fëmijës një vendim se largimi apo mbajtja ishte e padrejtë brenda kuptimit të nenit 3 të Konventës, kur një vendim i tillë mund të merret në këtë shtet. Autoritetet qendrore të Shteteve Kontraktuese do t’i ndihmojnë aplikantët të marrin praktikisht një vendim të tillë.

Neni 16

Pas marrjes së njoftimit për një largim apo mbajtje të padrejtë të fëmijës në kuptimin e nenit 3, autoritetet gjyqësore ose administrative të Shtetit Kontraktues, nga i cili fëmija është larguar apo mbajtur, nuk do të vendosin mbi thelbin e të drejtave të kujdestarisë, derisa të vendoset se fëmija nuk do të kthehet sipas kësaj Konvente ose nëse nuk bëhet një aplikim sipas kësaj Konvente, brenda një kohe të arsyeshme pas marrjes së njoftimit.

Neni 17

Fakti i vetëm që një vendim në lidhje me kujdestarinë është dhënë ose ka të drejtën e njohjes në shtetin e kërkuar, nuk do të përbëjë shkak për refuzimin e kthimit të fëmijës sipas kësaj Konvente, por autoritetet gjyqësore ose administrative të shtetit të kërkuar do të marrin parasysh shkaqet për këtë vendim në zbatimin e kësaj Konvente.

Neni 18

Dispozitat e këtij kapitulli nuk do t’i kufizojnë kompetencat e një autoriteti gjyqësor ose administrativ për të urdhëruar kthimin e fëmijës në çdo kohë.

Neni 19

Një vendim sipas kësaj Konvente në lidhje me kthimin e fëmijës, nuk do të merret si vendim për thelbin e një çështjeje kujdestarie.

Neni 20

Kthimi i fëmijës, sipas dispozitave të nenit 12, mund të refuzohet nëse nuk do lejohej nga parimet themelore të shtetit të kërkuar në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore.

KAPITULLI IV – TË DREJTAT E KONTAKTIT

Neni 21

Një aplikim për të marrë masa për organizimin ose sigurimin e ushtrimit efektiv të të drejtave të kontaktit, mund t’u paraqitet autoriteteve qendrore të Shteteve Kontraktuese, në të njëjtën mënyrë siç bëhet aplikimi për kthimin e fëmijës.
Autoritetet qendrore janë të detyruara nga detyrimet e bashkëpunimit, të cilat përcaktohen në nenin 7, të nxisin gëzimin paqësor të të drejtave të kontaktit dhe plotësimin e kushteve në të cilat mund të jetë objekt ushtrimi i këtyre të drejtave. Autoritetet qendrore do të ndërmarrin hapa për të shmangur, sa më shumë që të jetë e mundur, pengesat ndaj ushtrimit të këtyre të drejtave.
Autoritetet qendrore, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë me anë të ndërmjetësve, mund të iniciojnë ose ndihmojnë në fillimin e procedimit, me qëllim organizimin ose mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe sigurimin e respektimit të kushteve ndaj të cilave mund të jetë objekt ushtrimi i këtyre të drejtave.

KAPITULLI V – DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 22

Asnjë siguracion, obligacion apo depozitë, sido që të përshkruhen, nuk do të kërkojë garanci pagese kostosh dhe shpenzimesh në procedimin gjyqësor ose administrativ që janë brenda kompetencave të kësaj Konvente.

Neni 23

Asnjë legalizim apo formalitet i ngjashëm nuk do të kërkohet në kuptimin e kësaj Konvente.

Neni 24

Aplikimi, komunikimi apo ndonjë dokument tjetër i dërguar autoritetit qendror të shtetit të kërkuar do të jetë në gjuhën origjinale dhe do të shoqërohet nga një përkthim në gjuhën zyrtare ose në një nga gjuhët zyrtare të shtetit të kërkuar ose, kur kjo nuk është e mundur, nga një përkthim në frëngjisht ose anglisht.
Megjithatë, një Shtet Kontraktues mundet, duke bërë një rezervë në përputhje me nenin 42, të kundërshtojë përdorimin e frëngjishtes apo të anglishtes, por jo të të dyjave, në ndonjë aplikim, komunikim apo dokument tjetër dërguar autoritetit të saj qendror.

Neni 25

Shtetasit e Shteteve Kontraktuese dhe personat që janë banorë të përhershëm të këtyre shteteve do t’u jepet e drejta për çështje që lidhen me zbatimin e kësaj Konvente për ndihmë dhe konsulencë ligjore në ndonjë Shtet tjetër Kontraktues në të njëjtat kushte sikur ata të ishin vetë shtetas dhe banorë të përhershëm të atij shteti.

Neni 26

Secili autoritet qendror do t’i përballojë vetë kostot për zbatimin e kësaj Konvente.
Autoritetet qendrore dhe shërbimet e tjera publike të Shteteve Kontraktuese nuk do të vënë tarifa në lidhje me aplikimet e dorëzuara sipas kësaj Konvente. Në veçanti, ato nuk mund të kërkojnë ndonjë pagesë nga aplikanti përkundrejt kostove dhe shpenzimeve të procedimit ose, kur është e zbatueshme, ato që rrjedhin nga pjesëmarrja e konsulentit ligjor. Megjithatë, ato mund të kërkojnë pagesën e shpenzimeve të rrjedhura ose që rrjedhin nga mundësimi i kthimit të fëmijës.
Megjithatë, një Shtet Kontraktues mundet të deklarojë, duke bërë një rezervë në përputhje me nenin 42, se nuk do të jetë i detyruar të marrë përsipër ndonjë kosto që parashikohet në paragrafin e mësipënn, si rezultat i pjesëmarrjes së konsulentit apo konsulentëve ligjorë ose nga procesi gjyqësor, vetëm deri në atë shkallë që këto kosto të mund të mbulohen nga sistemi i tij i asistencës apo konsulencës ligjore.
Pas urdhërimit të kthimit të fëmijës ose daljes së urdhrit në lidhje me të drejtat e kontaktit sipas kësaj Konvente, autoritetet gjyqësore ose administrative munden, kur të jetë nevoja, të urdhërojnë personin që largoi apo mbajti fëmijën ose që pengoi ushtrimin e të drejtave të kontaktit, të paguajë shpenzimet e nevojshme që rrjedhin nga ose në emër të aplikantit, duke përfshirë shpenzimet e udhëtimit, ndonjë kosto rrjedhëse ose pagesa të bëra për vendosjen e fëmijës, kostot e përfaqësimit ligjor të aplikantit dhe ato të kthimit të fëmijës.

Neni 27

Kur provohet që kërkesat e kësaj Konvente nuk përmbushen ose që aplikimi nuk është i mirëbazuar, një autoritet qendror nuk është i detyruar të pranojë aplikimin. Në këtë rast, autoriteti qendror do ta informojë menjëherë, sipas rastit, aplikantin ose autoritetin qendror me anë të të cilit u dorëzua aplikimi, lidhur me shkaqet e tij.

Neni 28

Një autoritet qendror mund të kërkojë që aplikimi të shoqërohet nga një autorizim me shkrim duke e autorizuar atë të veprojë në emër të aplikantit ose duke caktuar një përfaqësues për të vepruar.

Neni 29

Kjo Konventë nuk do të pengojë asnjë person, institucion apo organ që pretendon se ka pasur shkelje të kujdestarisë apo të të drejtave të kontaktit brenda kuptimit të neneve 3 ose 21, të aplikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek autoritetet gjyqësore ose administrative të një Shteti Kontraktues, sipas apo në kundërshtim me dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 30

Aplikimi i dorëzuar autoriteteve qendrore ose drejtpërdrejt autoriteteve gjyqësore ose administrative të një Shteti Kontraktues, në përputhje me kushtet e kësaj Konvente, së bashku me dokumentet dhe ndonjë informacion tjetër të bashkëngjitur ose të siguruar nga një autoritet qendror, do të ketë akses në gjykata ose tek autoritetet administrative të Shteteve Kontraktuese.

Neni 31

Përsa i përket një shteti, i cili në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve ka dy ose më shumë sisteme të ligjit të zbatueshëm në njësi të ndryshme territoriale:

a) ndonjë referim ndaj banesës së përhershme në këtë shtet do të interpretohet sikur t’i referohej banesës së përhershme në një njësi territoriale të këtij shteti;

b) ndonjë referim ndaj ligjit të shtetit të banesës së përhershme do të interpretohet sikur t’i referohej ligjit të njësisë territoriale në atë shtet ku fëmija banon.

Neni 32

Përsa i përket një shteti, i cili në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve ka dy ose më shumë sisteme të ligjit të zbatueshëm në kategori të ndryshme personash, ndonjë referim ndaj ligjit të këtij shteti do të interpretohet sikur t’i referohej sistemit ligjor të përcaktuar nga ligji i atij shteti.

Neni 33

Një shtet, brenda të cilit, njësi të ndryshme territoriale kanë legjislacionin e tyre në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve, nuk do të jetë i detyruar të zbatojë këtë Konventë, kur një shtet me sistem të unifikuar ligjor nuk do të ishte i detyruar ta bënte një gjë të tillë.

Neni 34

Kjo Konventë do t’u japë përparësi çështjeve brenda fushës së saj sipas konventës së 5 tetorit 1961, në lidhje me kompetencat e autoriteteve dhe ligjit të zbatueshëm mbi mbrojtjen e minorenëve, si ndërmjet palëve të të dyja konventave. Në rast të kundërt, kjo Konventë nuk do të kufizojë zbatimin e një instrumenti ndërkombëtar në fuqi midis shtetit të origjinës dhe shtetit të adresuar ose ligjit tjetër të shtetit të adresuar për qëllimet e sigurimit të kthimit të fëmijës që është larguar apo mbajtur pa të drejtë ose të organizimit të të drejtave të kontaktit.

Neni 35

Kjo Konventë do të zbatohet midis Shteteve Kontraktuese vetëm në rast largimesh apo mbajtjeve të padrejta që ndodhin pas hyrjes së saj në fuqi në ato shtete.
Kur një deklarim është bërë sipas neneve 39 ose 40, referimi ndaj një shteti kontraktues në paragrafin e mësipërm do t’i referohet njësisë ose njësive territoriale ndaj të cilave zbatohet kjo Konventë.

Neni 36

Asgjë në këtë Konventë nuk do të pengojë dy ose më shumë Shtete Kontraktuese, me qëllim ngushtimin e kufizimeve ndaj të cilave mund të jetë objekt kthimi i fëmijës, nga marrëveshja ndërmjet tyre për të hequr ndonjë dispozitë të kësaj Konvente, e cila mund të nënkuptojë një kufizim të tillë.

KAPITULLI VI – DISPOZITAT E FUNDIT

Neni 37

Kjo Konventë është e hapur për nënshkrim për shtetet e përfaqësuara në sesionin e katërmbëdhjetë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private.
Kjo Konventë i nënshtrohet ratifikimit, pranimit ose miratimit dhe instrumentet përkatëse të ratifikimit, pranimit ose miratimit depozitohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.

Neni 38

Çdo shtet tjetër mund të aderojë në këtë Konventë.
Instrumenti i aderimit depozitohet pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.
Konventa do të hyjë në fuqi për një shtet që e ka miratuar ditën e parë të muajit të tretë kalendarik pas depozitimit të instrumentit të saj të hyrjes.
Ky aderim do të ketë efekt vetëm në lidhje me marrëdhëniet midis shtetit aderues dhe shteteve palë që do të kenë deklaruar pranimin e tyre në lidhje me këtë hyrje. Një deklaratë e tillë duhet të bëhet edhe nga çdo shtet anëtar që ratifikon, pranon apo miraton Konventën pas aderimit. Kjo deklaratë do të depozitohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës.
Kjo ministri do t’i dorëzojë secilit prej Shteteve Kontraktuese një kopje të vërtetuar nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Konventa do të hyjë në fuqi midis shtetit aderues dhe shtetit që ka deklaruar pranimin e aderimit të saj ditën e parë të muajit të tretë kalendarik pas depozitimit të deklaratës së pranimit.

Neni 39

Çdo shtet deklaron shtrirjen e efekteve të kësaj Konvente, në të gjithë territorin që ai përfaqëson në nivel ndërkombëtar, apo në një ose disa prej tyre. Kjo deklaratë bëhet efektive në momentin e hyrjes në fuqi të Konventës në atë shtet.
Çdo deklaratë, si dhe çdo shtrirje tjetër e mëvonshme, i njoftohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.

Neni 40

Nëse një shtet ka dy ose më shumë njësi territoriale në të cilat zbatohen sisteme të ndryshme ligjore në lidhje me çështjet e trajtuara në këtë Konventë, ai mund të deklarojë në kohën e nënshkrimit, ratifikimit, miratimit ose aderimit se Konventa do të shtrihet në të gjitha njësitë territoriale ose vetëm në një ose më shumë prej tyre. Ky shtet mund ta modifikojë këtë deklaratë duke dorëzuar një deklaratë tjetër në çdo kohë.
Çdo deklaratë e tillë do t’i njoftohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, duke deklaruar shprehimisht njësitë territoriale në të cilat zbatohet kjo Konventë.

Neni 41

Kur Shteti Kontraktues ka një sistem qeverisës, sipas të cilit, pushtetet ekzekutive, gjyqësore dhe legjislative shpërndahen midis autoriteteve qendrore dhe atyre të tjera brenda këtij shteti, nënshkrimi i tij, ratifikimi, pranimi, miratimi, hyrja në këtë Konventë ose bërja e ndonjë deklarate në lidhje me nenin 40, nuk do të sjellë ndërlikime në shpërndarjen e brendshme të pushteteve brenda këtij shteti.

Neni 42

Çdo shtet mundet, në çastin e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, ose në kohën e paraqitjes së një deklarate në lidhje me nenet 39 ose 40, të paraqesë një ose të dyja rezervat e parashikuara në nenin 24 dhe nenin 26, paragrafi i tretë. Asnjë rezervë tjetër nuk mund të bëhet.
Çdo shtet palë mundet në çdo kohë ta tërheqë këtë rezervë me një njoftim të drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.
Rezerva nuk do të ketë më efekt ditën e parë të muajit të tretë kalendarik, pas njoftimit të referuar në paragrafin paraardhës.

Neni 43

Kjo Konventë do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit të tretë kalendarik, pas datës së depozitimit të instrumentit të tretë të ratifikimit, të pranimit, të miratimit ose të aderimit, referuar në nenet 37 dhe 38.

Më pas ajo do të hyjë në fuqi:

1. Për çdo shtet tjetër palë në proces ratifikimi, pranimi, miratimi ose aderimi ditën e parë të muajit të tretë kalendarik pas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit, të pranimit, të miratimit ose të aderimit.

2. Për një territor në të cilin Konventa është shtrirë në përputhje me nenet 39 dhe 40, ditën e parë të muajit të tretë kalendarik, pas njoftimit të referuar në të njëjtin nen.

Neni 44

Kjo Konventë ka një kohëzgjatje 5-vjeçare nga dita e hyrjes në fuqi, në përputhje me paragrafin e parë të nenit 43, përfshi edhe shtetet që e kanë ratifikuar, pranuar, miratuar ose aderuar në të në një datë të mëvonshme.
Nëse nuk ka denoncime, Konventa rinovohet në mënyrë të heshtur çdo pesë vjet.
Çdo denoncim i njoftohet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës të paktën 6 muaj përpara përfundimit të periudhës prej 5 vjetësh. Ai mund të kufizohet për disa ose për të tëra territoret në të cilat zbatohet Konventa.
Denoncimi ka efekt vetëm për shtetin që e paraqet. Konventa mbetet në fuqi për shtetet e tjera palë.

Neni 45

Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës u njofton shteteve palë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private, si dhe shteteve që kanë aderuar në përputhje me nenin 38, sa më poshtë:
a) nënshkrimet, ratifikimet, pranimet dhe miratimet e parashikuara në nenin 37;
b) aderimet e parashikuara në nenin 38;
c) datën në të cilën kjo Konventë hyn në fuqi në përputhje me nenin 43;
d) shtrirjet e parashikuara në nenin 39;
e) deklarimet e parashikuara në nenin 38 dhe nenin 40;
f) rezervat e parashikuara në nenin 24 dhe nenin 26, paragrafi i tretë, si dhe tërheqjet e tyre të referuara në nenin 42;
g) denoncimet e referuara në nenin 44.

Në dëshmi të kësaj, personat e autorizuar posaçërisht nënshkruajnë këtë Konventë.

Bërë në Hagë, më 25.10.1980, në frëngjisht dhe anglisht, të dyja tekstet njëlloj të vlefshme, në një kopje të vetme, e cila do të depozitohet në arkivat e Qeverisë Holandeze, prej së cilës një kopje e vërtetuar i dërgohet nëpërmjet kanaleve diplomatike çdo shteti të përfaqësuar në Sesionin e Katërmbëdhjetë të Konferencës së Hagës mbi të Drejtën Ndërkombëtare Private.

LIGJ Nr.9544, datë 29.5.2006

PËR RATIFIKIMIN E “MARRËVESHJES NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË PËR MBROJTJEN DHE ASISTENCËN E FËMIJËVE, VIKTIMA TË TRAFIKIMIT”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Ratifikohet “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, viktima të trafikimit”.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4935, datë 16.6.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.

MARRËVESHJE NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS GREKE PËR MBROJTJEN DHE ASISTENCËN E FËMIJËVE, VIKTIMAVE TË TRAFIKIMIT

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës Greke, më poshtë referuar si Palët Kontraktuese, të udhëhequr nga dëshira për të bashkëpunuar, zbatuar dhe respektuar të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga instrumentet ndërkombëtare përkatëse, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shprehin solidaritetin dhe përkushtimin e tyre për të luftuar trafikimin e fëmijëve dhe çdo formë të shfrytëzimit të fëmijëve;
duke marrë në konsideratë, që fëmijët e pashoqëruar, në parim janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj trafikimit dhe kanë nevojë për mbrojtje dhe kujdes të veçantë;
duke kërkuar, në bazë të reciprocitetit dhe të një fryme bashkëpunimi të ndërsjellë, të merren me fenomenin e trafikimit të fëmijëve;
duke konsideruar prioritet mbrojtjen e viktimave fëmijë të trafikimit;
duke synuar, bazuar në reciprocitet dhe frymë bashkëpunimi, krijimin e kuadrit të duhur ligjor për zbatimin e procedurave dhe strukturave të posaçme për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve të trafikuar;
duke pranuar që mënyra më efektive për të parandaluar trafikimin e fëmijëve është eliminimi i shkaqeve-origjinë;
duke pranuar që interesi më i lartë i viktimës fëmijë, të trafikimit do të jetë gjithmonë një konsideratë kyçe;
duke marrë në konsideratë, konventat përkatëse të ratifikuara nga të dyja Palët Kontraktuese dhe më specifikisht, Konventën Europiane mbi Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (1950),
Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës (1989), Konventën mbi eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit kundër Grave (1979) dhe Konventën e ILO-s mbi ndalimin dhe veprimin e menjëhershëm për eliminimin e formave më të rënda të punës së fëmijës nr.C182 (1999);
duke marrë në konsideratë, konventat ndërkombëtare specifike të nënshkruara nga të dyja Palët Kontraktuese, të tilla si Konventa e OKB-së kundër krimit të organizuar ndërkombëtar (2000) dhe Protokolli mbi parandalimin, kontrollin dhe ndëshkimin e trafikimit në njerëz, veçanërisht gra dhe fëmijë, të cilat plotësohen nga Konventa e OKBsë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar (2000);
duke marrë në konsideratë protokollin jo të detyrueshëm të Konventës për të drejtat e fëmijës, për shitjen e fëmjës, prostitucionin dhe pornografinë e fëmijës (2000), Konventën e Hagës për aspektet civile të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës (1980), ranë dakord si më poshtë:

Neni 1 – Përkufizime

1.1 Për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje bashkëpunimi, Palët bien dakord për përkufizimet e mëposhtme të termave të përdorur këtu:
Trafikimi i fëmijëve do të kuptojë rekrutimin, transportimin, transferimin, mbajtjen ose pranimin e një fëmije, përfshirë shkëmbimin ose transferimin e kontrollit mbi këtë person, me qëllim shfrytëzimin e këtij fëmije. Pëlqimi indirekt ose real i fëmijës është i papranueshëm.
Trafikant do të kuptojë personin përgjegjës për trafikimin e fëmijëve. Koncepti i trafikantit do të përfshijë gjithashtu persona juridikë, në përputhje me dispozitat e nenit 4 të vendimit kuadër të Këshillit të BE-së të 19 korrikut 2002, për luftën e trafikut të qenieve njerëzore (2002/629/JHA).
Shfrytëzimi do të përfshijë shfrytëzimin e prostitucionit të fëmijëve ose forma të tjera të shfrytëzimit seksual të fëmijëve, punët ose shërbimet e detyruara, skllavërinë ose praktika të ngjashme me skllavërinë, robërinë ose heqjen apo transferimin e organeve.
Fëmijë viktimë e trafikimit do të kuptojë çdo person nën moshën 18 vjeç, kundër të cilit është kryer akti i trafikimit siç përcaktohet në këtë nen. Për qëllimet e kësaj Marrëveshjeje, një fëmijë do të konsiderohet madhor në datën kur ai/ajo mbush 18 vjeç. Në rastin kur data e saktë e lindjes nuk është e ditur, fëmija konsiderohet madhor më 31 dhjetor të vitit të ditëlindjes së tij të 18-të. Në rast se mosha e personit nuk është plotësisht e përcaktuar, por ekzistojnë arsye që lënë të nënkuptohet që personi është një fëmijë, ky person duhet të konsiderohet fëmijë dhe duhet të përfitojë nga kjo marrëveshje, derisa mosha e personit të jetë përcaktuar plotësisht.
Fëmijë-viktimë potenciale e trafikimit do t’i referohet fëmijës që ndodhet në një situatë serioze, konkrete dhe të pranishme, si rezultat i së cilës fëmija ballafaqohet me rrezikun e të kthyerit në fëmijë të trafikuar, siç përshkruhet më sipër.
Me fëmijë të pashoqëruar nënkuptojmë personin nën moshën 18 vjeç, i cili jeton në territorin e një prej Palëve Kontraktuese, i ndarë nga prindërit dhe jo nën kujdestarinë e një madhori. Fëmijët e pashoqëruar duhet të përfitojnë nga mbrojtja që ofrojnë nenet përkatëse të kësaj Marrëveshjeje në rastin e kualifikimit si fëmijë-viktimë.
Me personin që ka kujdestarinë e fëmijës nënkuptojmë prindin ose personin që përfaqëson fëmijën, falë cilësive të veçanta që i jepen nga ligjet e vendit ku ka fituar kujdestarinë.
Kujdesar i përkohshëm do të kuptojë personin përgjegjës për fëmijën deri në zbatimin e një zgjidhjeje të përhershme.
Rregulloret e emigracionit do të kuptojnë dispozitat ligjore, të cilat lejojnë lëshimin e lejeve të qëndrimit për viktimat fëmijë, të cilët qëndrojnë në qendra sociale, për të ndjekur një program social integrimi.

I. NDJEKJA PENALE

Neni 2 – Harmonizim efektiv i përkufizimit të krimeve dhe procedurave. Bashkëpunim bazuar në parimet dhe metodat e pranuara nga të dyja palët

2.1 Palët Kontraktuese bien dakord që, në kuadër të sistemeve të tyre ligjore kombëtare dhe kur të kërkohet:

a) do të vendosen sanksione të veçanta për trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmjëve,

b) do të penalizohet tentativa, bashkëpunimi dhe nxitja morale, lidhur me krimin e trafikimit të fëmijëve,

c) do të institucionalizohet përgjegjësia ligjore e personave juridikë të përfshirë në trafikimin e fëmijëve,

d) do të hyjnë në fuqi dispozita që përligjin ndalimin, konfiskimin dhe masat administrative kundër trafikantëve,

e) do të miratohen dispozita që paracaktojnë konfiskimin e të gjitha objekteve në pronësi të trafikantëve, të cilat ishin përdorur për trafikim, pavarësisht nga fakti që trafikantët janë pronarët e tyre,

f) do të hartohen ligje, të cilat ndalojnë shfaqjen e neglizhencave të rënda nga ana e personit, i cili ka kujdestarinë e fëmijës, apo dhënien e fëmijës një personi tjetër në shkëmbim të parave ose për qëllime përfitimi, dhe do të merren masa kundër punëdhënësve që punësojnë fëmijë-viktima,

g) legjislacioni për mbrojtjen e dëshmitarëve fëmijë do të harmonizohet në përputhje me standardet ndërkombëtare.

2.2 Palët Kontraktuese bien dakord të miratojnë rregullore të emigracionit në lidhje me lëshimin e lejeve të qëndrimit për fëmijëtviktima në përputhje me nenin 9.4.

Neni 3 – Veprim dhe bashkëpunim ndërmjet autoriteteve policore

3.1 Palët Kontraktuese marrin përsipër të miratojnë masa efektive, nëse këto masa nuk ekzistojnë, për themelimin ose funksionimin e njësive antitrafik në strukturën e autoriteve të përshtatshme policore, të përbëra nga personel i trajnuar, që punon me kohë të plotë, për mbrojtjen e fëmijëve.

3.2 Pas marrjes në konsideratë të marrëveshjeve dypalëshe përkatëse për bashkëpunimin policor ndërmjet Palëve Kontraktuese dhe më specifikisht, marrëveshjes së bashkëpunimit të Ministrive të Rendit Publik për çështje të kompetencave të tyre, të datës 17 korrik 1992, është rënë dakord që ky bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni do të azhurnohet me qëllim luftën ndaj trafikimit të fëmijëve, falë miratimit të protokolleve shtesë për zbatimin e Marrëveshjes.
Protokolle të tilla shtesë mund të përfshijnë:
a) hartimin e standardeve të përbashkëta për mbledhjen e rregullt dhe efiçente të informacionit, si dhe shkëmbimet statistikore lidhur me trafikimin e fëmijëve dhe e të gjitha formave të shfrytëzimit, përsa i përket personit që kryen trafikimin, metodave dhe rrugëve të përdorura,
b) krijimin e bazave të dhënave të referencës në pikat e kalimit të kufirit, sipas dispozitave të garantimit të sigurisë së plotë të të dhënave personale që do të futen në bazën e të dhënave,
c) vendosjen e vlerësimeve dypalëshe në lidhje me përshtatshmërinë e masave të kontrollit të kufirit lidhur me fëmijët,
d) trajnimin dhe koordinimin e procedurave të përbashkëta që do të aplikohen në kalimet kufitare, duke synuar përmirësimin e aftësive të personelit të kontrollit të kufirit për të identifikuar fëmijët-viktima të mundshëm dhe trafikuesit, si dhe rregullimin e procedurave të trajtimit fillestar të fëmijëve nga personeli i kontrollit të kufirit,
e) forcimi i kontrolleve të kufirit, deri në masën e nevojshme që kërkon parandalimi i trafikimit të fëmijëve, subjekt i angazhimeve ndërkombëtare në lidhje me lëvizjen e lirë të njerëzve,
f) miratimi i masave të kontrollit të kufirit, të tilla si ndalimi i hyrjes, revokimi i vizës dhe burgimi i përkohshëm i mundshëm, për persona të përfshirë në trafikimin e fëmijëve,
g) miratimi i rregulloreve për të cilat është rënë dakord nga të dyja palët lidhur me riatdhesimin në kufi dhe procedurat vepruese, në përputhje me nenin 11,
h) trajnime të mundshme të oficerëve të kontrollit të kufirit, oficerëve të policisë, prokurorëve, gjykatësve, oficerëve të emigracionit dhe të gjithë zyrtarëve kompetentë në të gjitha çështjet e trafikimit të fëmijëve, përfshirë identifikimin,
i) monitorimi i asistencës së dhënë fëmijëve-viktima pas riatdhesimit të tyre, përfshirë kushtet e tyre të jetesës dhe kushtet e ribashkimit të fëmijëve me familjet e tyre.

3.3 Palët Kontraktuese bien dakord të përdorin kanale komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve policore dhe ambasadave e konsullatave respektive, me qëllim garantimin e shpejtë të vlefshmërisë dhe të ligjshmërisë së dokumenteve të udhëtimit, provës së identitetit dhe të të dhënave personale, kur ka dyshime të arsyeshme rreth përdorimit të këtyre dokumenteve në trafikimin e fëmijëve.

3.4 Për zbatimin e duhur të këtij neni, të dyja Palët Kontraktuese do të krijojnë pika të posaçme kontakti brenda autoriteteve të tyre policore.

II. PARANDALIMI

Neni 4 – Politikat financiare dhe sociale në trajtimin e shkaqeve të origjinës së trafikimit të fëmijëve

4.1 Palët Kontraktuese bien dakord të zbatojnë politika efektive ekonomike dhe sociale në lidhje me grupet më të ndjeshme, duke synuar eliminimin e varfërisë dhe krijimin e mundësive reale, të cilat do të parandalojnë shkaqet themelore të trafikimit të fëmijëve që në origjinën e tyre. Të tilla politika do të synojnë:
a) përmirësimin e aksesit të fëmijëve në mundësitë për arsimim dhe trajnim profesional,
b) rritjen e përqindjes së ndjekjes së shkollës dhe trajnimit profesional, veçanërisht për vajzat dhe fëmijët e huaj,
c) trajtimi i problemit të punës së pambrojtur, informale dhe jo të ligjshme të fëmijëve.

4.2 Palët Kontraktuese marrin përsipër të informojnë njëra-tjetrën për masat e veçanta që merren dhe zbatohen duke synuar grupet shoqërore të mësipërme.

4.3 Palët Kontraktuese do të ekzaminojnë rregullisht efektivitetin e aplikimit të këtyre masave dhe do të bien dakord për të proceduar për përmirësimin e tyre të mëtejshëm.

Neni 5 – Rritja e ndërgjegjësimit

5.1 Palët Kontraktuese bien dakord që, me qëllim parandalimin në mënyrë efektive të trafikimit të fëmijëve (në rast se mungojnë të tilla masa parandaluese), është e nevojshme që shoqëria në përgjithësi dhe grupet e synuara në veçanti, të ndërgjegjësohen për trafikimin e fëmijëve. Në këtë kuadër, Palët Kontraktuese marrin përsipër:

a) të ndërmarrin një fushatë informative për ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me trafikimin e fëmijëve dhe për format e ndryshme të manifestimit të tij në Palët Kontraktuese, në bashkëpunim me shoqërinë civile, organizatat joqeveritare dhe organizatat ndërkombëtare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve dhe me aktorë joshtetërorë. Secila Palë Kontraktuese do të marrë përsipër koston e fushatës informative në territorin e vet;

b) të ndërgjegjësojnë grupe të tjera kompetente, si hartuesit e politikave, personelin e policisë dhe profesionistë të tjerë kompetentë, si p.sh. shërbimet mjekësore dhe sociale, shërbimet e punësimit dhe sektori publik për trafikimin e fëmijëve në mënyrë që të rritet gatishmëria e tyre për të trajtuar siç duhet trafikimin e fëmijëve dhe për të forcuar potencialin e tyre institucional me qëllim luftën kundër trafikimit të fëmijëve;

c) të ndërgjegjësojnë publikun për arsimin e detyruar, për sanksionet ndaj personave që kanë kujdestarinë e fëmijës dhe nuk e çojnë këtë fëmijë në shkollë, si dhe për ndalimin e punës së fëmijëve;

d) të trajtojnë nevojën për të reduktuar kërkesën për aktivitete që kanë lidhje me fëmijë të trafikuar, si p.sh. lypja, shfrytëzimi seksual, puna e detyruar, skllavëria ose praktika të ngjashme dhe të promovojnë parimin e tolerancës zero për të gjitha format e trafikimit të fëmijëve;

e) të krijojnë dhe të reklamojnë në mënyrë efektive linja telefonike emergjente, nëpërmjet të cilave fëmijëve-viktima t’u afrohet këshillim dhe udhëzime, dhe të cilat do të lehtësojnë kallëzimet anonime për trafikimin e fëmijëve.

Neni 6 – Masat institucionale për parandalimin e trafikimit të fëmijëve

6.1 Palët Kontraktuese marrin përsipër të vënë në jetë masat institucionale të mëposhtme për parandalimin më efektiv të trafikimit të fëmijëve, në varësi të nevojave:

a) krijimin e një grupi qendror koordinues, me qëllim përmirësimin e efektivitetit të grupeve institucionale publike. Për palën shqiptare, ky organ do të jetë Komiteti Shtetëror i Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore i drejtuar nga Ministri i Brendshëm. Për palën greke ky grup do të jetë Komiteti i Përhershëm Ndërministror me dekret presidencial 233/2003, neni 9;

b) sigurimin e burimeve njerëzore dhe financiare për të luftuar trafikimin e fëmijëve si një problem shoqëror dhe financiar;

c) sigurimin e asistencës për zhvillimin e një rrjeti të përshtatshëm shërbimesh sociale, funksioni i të cilit do të jetë, mes të tjerash, marrja me fenomenin e trafikimit të fëmijëve ndihmuar nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare dhe aktorët joshtetërorë;

d) sigurimi i regjistrimit të të gjitha lindjeve, pavarësisht nga vendi i lindjes.

III. MBROJTJA

Neni 7 – Parime të përgjithshme të mbrojtjes së fëmijëve-viktima

7.1 Palët Kontraktuese bien dakord që të gjitha veprimet e ndërmarra në lidhje me fëmijët-viktima duhet të udhëhiqen nga interesi më i lartë i fëmijës, parimi i mosdiskriminimit, respekti për mendimet e fëmijës, si edhe për të drejtat e tij apo të saj për informacion, privatësi, konfidencialitet dhe për mbrojtje.

7.2 Institucionet shtetërore përkatëse të të dyja Palëve Kontraktuese do të bashkëpunojnë për vënien në jetë të kësaj Marrëveshjeje. Për të siguruar vënien efektive në jetë të kësaj Marrëveshjeje nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm dhe për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e fëmijës, Palët Kontraktuese do të krijojnë një strukturë të posaçme shtetërore, këtu e më pas referuar si “Autoriteti Përgjegjës”. Për palën shqiptare, ky autoritet do të jetë Komisioni i Përbashkët për Mbrojtjen e Fëmijëve Viktima të Trafikimit. Për palën greke, ky autoritet do të jetë Qendra Kombëtare e Solidaritetit Social për Emergjencat e Sekretariatit të Përgjithshëm të Mirëqenies së Ministrisë së Shëndetësisë, Mirëqenies dhe Mbrojtjes Sociale.

7.3 Autoriteti Përgjegjës do të sigurojë bashkëpunimin ndërmjet organeve përkatëse institucionale në përputhje me standardet e kujdesit për fëmijët dhe do të respektojë dhe garantojë parimet e përgjithshme të mbrojtes së viktimës fëmijë, siç parashikohet në instrumentet përkatëse ndërkombëtare.

Neni 8 – Identifikimi i viktimave fëmijë

8.1 Palët Kontraktuese do të miratojnë procedura efektive për identifikimin e menjëhershëm të viktimave fëmijë në territorin e tyre. Policia, shërbimet sociale, shërbimet e kujdesit mjekësor, institucionet arsimore, autoritetet lokale, organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare menjëherë, sapo të vihen në dijeni të pranisë së një viktimefëmijë potenciale në territorin e Palëve Kontraktuese, do të njoftojnë menjëherë Autoritetin Përgjegjës të vendit të tyre, i cili do të koordinojë veprimet me strukturat kompetente dhe shërbimet sociale.

8.2 Kur fëmija identifikohet, Autoriteti Përgjegjës do ta regjistrojë fëmijën në një regjistër të veçantë dhe do të hapë një dosje personale për fëmijën.

Neni 9 – Referimi i një viktime fëmijë, te autoritetet kompetente

9.1 Autoritetet Përgjegjëse, në bashkëpunim me prokurorin publik për fëmijët, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe aktorë të tjerë joshtetërorë, do të kërkojnë në mënyrë aktive identifikimin e viktimës fëmijë dhe, në bashkëpunim me shërbimin e policisë përkatëse, do të organizojnë transferimin sa më të shpejtë të fëmijës në një qendër të kujdesit. Qendrat e kujdesit duhet të jenë të mbrojtura, të sigurta dhe të përshtatshme për moshën dhe nevojat e fëmijës. Në çdo rast, palët garantojnë që qendrat do t’i ofrojnë fëmijës mbrojtje, ushqim, aktivitete zbavitëse. Për këtë qëllim, grupi qendror koordinues dhe Autoriteti Përgjegjës i secilës Palë Kontraktuese mund të përfundojnë marrëveshje, direktiva dhe memorandume mirëkuptimi me organizata ndërkombëtare dhe joqeveritare të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve, si edhe me aktorë joshtetërorë me qëllimin e sigurimit të shërbimeve sociale dhe të qendrave të kujdesit.

9.3 Fëmijët e sëmurë, të paaftë dhe fëmijët me probleme psikologjike, të miturat shtatzëna etj., do të marrin kujdes të veçantë në varësi të nevojave të tyre. Palët do të përdorin personel të aftë të komunikojë me fëmijën në gjuhën e kuptueshme prej fëmijës.

9.4 Çdo fëmijë i vendosur në një qendër të kujdesit do të marrë ose një leje qëndrimi si viktimë e trafikimit të fëmijëve, nëse autoriteti kompetent ka lëshuar një akt karakterizimi si të tillë, ose lejeqëndrimi për arsye humanitare, sipas rastit, në bazë të parashikimeve ligjore të vendit. Kujdestari i caktuar i fëmijës është përgjegjës për aplikimin e lëshimit të lejes nga autoritetet shtetërore përkatëse. Leja e qëndrimit do të jetë në forcë derisa fëmija vjen nën një status tjetër ligjor për shkak të vënies në zbatim të një zgjidhjeje të përhershme.

Neni 10 – Caktimi i një kujdestari të përkohshëm

10.1 Pas transferimit të fëmijës në qendrën e kujdesit, Autoriteti Përgjegjës është i detyruar të kërkojë që fëmija të vendoset nën kujdestari, në përputhje me legjislacionin përkatës të vendit. Kujdestari i përkohshëm do të shoqërojë fëmijën dhe do të mbrojë interesat e fëmijës deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme, ashtu siç parashikohet në nenin 12-16. Kujdestaria mund t’i besohet Autoritetit Përgjegjës, qendrës së kujdesit ku është vendosur fëmija dhe/ose organizatave e institucioneve që njihen për kujdesin e fëmijëve. Numri i fëmijëve të vendosur në kujdestari duhet të jetë brenda kufijve mbikëqyrës të njësisë së cilës i caktohet kujdestaria. Personat, të cilëve do t’u besohet kujdestaria e fëmijës, duhet të jenë të trajnuar dhe me eksperiencë në çështjet e kujdesit për fëmijët dhe për viktimat fëmijë.
Përveç kësaj, ata duhet të jenë në gjendje të komunikojnë në një gjuhë të kuptueshme për fëmijën. Në rast se kujdestaria nuk i është besuar Autoritetit Përgjegjës, ky Autoritet do të nxjerrë rregulla dhe do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme ushtrimin e kujdestarisë.

10.2 Në përputhje me legjislacionin e Palëve Kontraktuese, kujdestari i përkohshëm do të ketë ndër të tjera, detyrat e mëposhtme:

a) Ai/ajo do të garantojë që të gjitha veprimet do të mbrojnë interesat e fëmijës.

b) Ai/ajo do të informojë vazhdimisht fëmijën për procedurat, lidhur me gjendjen aktuale të fëmijës dhe mundësitë për të ardhmen, në mënyrë që të vlerësohen rreziqet e sigurisë për të marrë një vendim të vlefshëm lidhur me të ardhmen e fëmijës.

c) Ai/ajo do të asistojë në procesin e gjetjes së familjes së fëmijës ose personit që ka kujdestarinë e fëmijës në vendin e origjinës.

d) Ai/ajo do të punojë si një ndërlidhës mes fëmijës dhe organizatave dhe shërbimeve të përfshira në proces dhe të ngarkuara për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijës.

e) Ai/ajo do të garantojë, në rast riatdhesimi, përgatitjen e duhur të kthimit të fëmijës, përgatitjen e familjes dhe të fëmijës, kthimin e sigurt dhe respektimin e interesave të fëmijës.

f) Ai/ajo do të garantojë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të kujdestarisë. Në këtë kuadër, kujdestari i përkohshëm ka të drejtën e përjashtimit nga detyrimi për të dëshmuar në gjykatë, nëse kështu është në të mirën e fëmijës.

Neni 11 – Vlerësimi i individualizuar i rasteve

11.1 Rastet e trafikimit të fëmijëve do të hetohen nga shërbimet policore kompetente të Ministrisë së Brendshme për Republikën e Shqipërisë dhe Ministrisë së Rendit Publik të Republikës Greke, siç parashikohet në nenin 3.1 këtu. Gjatë hetimit, fëmija do të pyetet vetëm kur është e domosdoshme dhe do të bëhen përpjekje që intervista të tilla të minimizohen. Intervista do të bëhet vetëm me lejen e marrë paraprakisht nga personi që ka kujdestarinë e fëmijës, person i cili duhet të jetë i pranishëm gjatë intervistës dhe mund ta ndërpresë atë kur ai mendon se intervista dëmton mirëqenien e fëmijës. Intervistuesi duhet të përpiqet të shmangë ushtrimin e presionit psikologjik dhe shkaktimin e traumave psikologjike te fëmija gjatë intervistës.

Neni 12 – Gjetja e një zgjidhjeje të përhershme

12.1 Palët Kontraktuese duhet të përdorin masën e riatdhesimit të sigurt të fëmijës në rast se kjo kërkohet. Autoritetet Përgjegjëse të të dy vendeve do të studiojnë në bashkëpunim të ngushtë, çdo rast të trafikimit të fëmijëve dhe do të vendosin për një zgjidhje të përhershme që do të garantojë interesat e fëmijës.

12.2 Autoriteti Përgjegjës, duke konsideruar riintegrimin në familje si prioritet dhe bazuar vetëm në interesin më të lartë të fëmijës, mund të vendosin si zgjidhje të përhershme riatdhesimin e sigurt, integrimin e fëmijës në vendin pritës ose transferimin e fëmijës në një vend të tretë.

12.3 Në marrjen e këtij vendimi Autoritetet Përgjegjëse do të konsultojnë fëmijën dhe do të marrin parasysh vullnetin e fëmijës në përputhje me moshën dhe pjekurinë e fëmijës.

12.4 Në vendimmarrjen e tyre, Autoritetet Përgjegjëse të Palëve Kontraktuese do të marrin në konsideratë të gjitha rrethanat e rastit dhe në veçanti rezultatet e vlerësimit të rrezikut, të kryer nën përgjegjësinë e përbashkët të Palëve Kontraktuese.

Neni 13 – Vënia në zbatim e zgjidhjes së përhershme

13.1 Autoritetet Përgjegjëse të Palëve Kontraktuese do të përpunojnë procedura të përbashkëta për realizimin e një shkëmbimi të shpejtë informacioni lidhur me rastet e trafikimit të fëmijëve, të cilat do të përfshijnë procedura për pjesëmarrjen e ministrive përkatëse, ambasadave dhe/ose konsullatave.

13.2 Nëse nuk zgjidhet opsioni i bashkimit familjar dhe/ose riatdhesimi i fëmijës, kujdestari i përkohshëm do të mbetet përgjegjës për viktimën fëmijë, deri në caktimin e një përfaqësuesi ligjor/kujdestar i fëmijës nga gjykata.

Neni 14 – Riatdhesimi i sigurt

14.1 Kthimi i fëmijës do të kryhet nëpërmjet një procedure vullnetare, legjitime, të asistuar, të mirëpërgatitur, të sigurt në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës. Procedurat për transportin e fëmijës do të përshkruhen në një protokoll shtesë të kësaj Marrëveshjeje. Gjatë riatdhesimit të sigurt të fëmijës, Autoritetet Përgjegjëse mund të bashkëpunojnë me organizata ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare të përfshira në aktivitete të mbrojtjes së fëmijës.

14.2 Autoriteti Përgjegjës i vendit të origjinës do të përpunojë dhe vërë në jetë projekte të posaçme me qëllim riintegrimin e fëmijës në vendin e origjinës. Projekte të tilla do të mbulojnë mbrojtjen, mbështetjen psikologjike dhe mjekësore, riintegrimin në sistemin arsimor, dhënien e këshillimit ligjor dhe përfaqësimin, si dhe çdo formë tjetër të ndihmës siç e kërkon legjislacioni mbi mbrojtjen e fëmijëve në vendin e origjinës. Për këtë qëllim, ato do të bashkëveprojnë ngushtësisht me organizatat ndërkombëtare, institucionet joshtetërore dhe organizatat joqeveritare.

14.3 Autoriteti Përgjegjës i vendit të origjinës do të vlerësojë mirëqenien e viktimës fëmijë dhe do të monitorojë jetën e saj/e tij pas bashkimit me familjen dhe pas vendosjes së fëmijës në një kujdes alternativ në vendin e origjinës dhe do të paraqesë një raport dyvjetor tek Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës, derisa fëmija të mbushë 18 vjeç. Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës në bashkëpunim me organizatat joqeveritare të përfshira në aktivitete të mbrojtjes së fëmijëve dhe me aktorët joshtetërorë, mund të vlerësojnë situatën nëpërmjet vizitave në vend, pas njoftimit të Autoritetit Përgjegjës të vendit të origjinës.
Në rastin kur është përcaktuar me siguri se kushtet e jetesës së viktimës fëmijë mbartin rrezikun e rishfrytëzimit, do të hartohet një raport dhe të dyja palët do të konsultohen në mënyrë që ta zgjidhin menjëherë çështjen.

14.4 Në rastin, kur fëmija ndesh probleme me prindin/prindërit apo kujdestarin pas kthimit të saj/të tij, Autoriteti Përgjegjës i vendit të origjinës:

a) do të mbrojë interesat e fëmijës derisa fëmija të mbushë 18 vjeç, të drejtat e fëmijës dhe shërbimet e ndryshme në dispozicion të fëmijës, në përputhje me të drejtën për informim;

b) do të sigurojë që fëmija të marrë kujdesin e nevojshëm që do të përfshijë, në çdo rast akomodimin, ushqimin, mbështetjen psikologjike dhe mjekësore, si dhe arsimimin në një gjuhë të kuptueshme nga fëmija.
Ky kujdes nuk duhet të jetë më i ulët se ai që Palët Kontraktuese u japin fëmijëve të nacionalitetit të tyre, në përputhje kjo me parimin e mosdiskriminimit;

c) do të ndjekë intervistat e fëmijës me autoritetet policore dhe do të garantojë që intervistat të bëhen në përputhje me principet e përgjithshme të vendosura nga kjo Marrëveshje, si edhe nga ligji i vendit dhe ai ndërkombëtar;

d) do t’i garantojë fëmijës mundësinë për një mbështetje dhe përfaqësim ligjor të përshtatshëm, në përputhje me interesat më të larta të fëmijës;

e) do të konsultohet me fëmijën dhe do të marrë në konsideratë mendimet e tij, në varësi të moshës dhe shkallës së pjekurisë, dhe në përputhje me parimin e respektimit të perspektivës së fëmijës;

f) do të luajë një rol aktiv në gjetjen e zgjidhjeve më të mira të mundshme që do të garantojnë interesat e fëmijës.

Neni 15 – Integrimi

15.1 Në rast se vendoset që fëmija do të integrohet në vendin pritës, Autoriteti Përgjegjës do të përpiqet të garantojë integrimin e plotë të fëmijës në vendin pritës. Në këtë kuadër, integrimi i fëmijës në familje ose ambient komunitar është më i preferueshëm se vendosja në institucione.

15.2 Një fëmijë, i cili është subjekt i legjislacionit për kujdestarinë, mund të birësohet. Në rast se fëmija ka probleme me kujdestarin/familjen kujdestare, Autoriti Përgjegjës do të mbrojë interesat e fëmijës deri në moshën 18 vjeç.

15.3 Palët Kontraktuese bien dakord të miratojnë, kur është e nevojshme, legjislacionin që do të dënojë organizimin e birësimit të fëmijëve në shkelje me legjislacionin e vendit për birësimin, me sanksione që zbatohen për trafikimin e fëmijëve.

15.4 Palët Kontraktuese bien dakord të miratojnë, kur është e nevojshme, legjislacionin që do të dënojë organizimin e birësimit të fëmijëve në shkelje me legjislacionin e vendit për birësimin, me sanksione që zbatohen për trafikimin e fëmijëve.

Neni 16 – Rivendosja e fëmijës në një vend të tretë

16.1 Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës mund të vendosë transferimin e fëmijës në një vend të tretë, në rast se në këtë vend sigurohet kujdestaria ligjore dhe një program integrimi, në përputhje me interesat më të larta të fëmijës, të drejtën e fëmijës për informim dhe duke marrë parasysh mendimin e saj/e tij për vendosjen në një vend të tretë.

16.2 Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës do të organizojë shoqërimin e fëmijës deri te pika hyrëse e vendit të tretë, në përputhje me rregullat e transportit të protokollit shtesë të kësaj Marrëveshjeje.

16.3 Autoriteti Përgjegjës i vendit pritës do të monitorojë vendosjen dhe integrimin e fëmijës në vendin e tretë dhe do të bashkëpunojë me autoritetet përkatëse për përgatitjen e raporteve vjetore mbi rastin, derisa fëmija të mbushë 18 vjeç.

Neni 17

17.1 Palët Kontraktuese marrin përsipër vënien në zbatim të kësaj Marrëveshjeje nëpërmjet takimeve të përbashkëta vjetore të autoriteteve të përfshira. Organizatat ndërkombëtare, organizatat joqeveritare, dhe aktorët e tjerë joshtetërorë të përfshira në aktivitete për mbrojtjen e fëmijëve mund të ftohen nga Palët Kontraktuese në këto mbledhje. Për mbledhjet (datat, rendin e ditës etj.) Palët Kontraktuese do të bien dakord nëpërmjet kanaleve diplomatike.

Neni 18

18.1 Çdo mosmarrëveshje që mund të dalë në lidhje me interpretimin dhe/ose zbatimin e kësaj Marrëveshjeje do të zgjidhet në mënyrë miqësore nëpërmjet konsultimeve dhe/ose negociatave.

Neni 19 – Rishikimi dhe/ose ndryshimi i kësaj Marrëveshjeje

19.1 Kjo Marrëveshje mund të rishikohet ose të ndryshohet në çdo kohë me aprovim dypalësh me shkrim. Të tilla rishikime apo ndryshime do të hyjnë në fuqi, në datën e caktuar nga palët, dhe do të jenë pjesë integrale e kësaj Marrëveshjeje.

Neni 20 – Dispozita finale

20.1 Kjo Marrëveshje do të hyjë në fuqi 30 ditë pas njoftimit të dytë me shkrim nga Palët Kontraktuese, në të cilën ato do të shpallin përfundimin e procedurave përkatëse ligjore ndërkombëtare.

20.2 Kjo Marrëveshje do të qëndrojë në fuqi për një kohë të pacaktuar.

20.3 Palët Kontraktuese mund ta denoncojnë këtë Marrëveshje nëpërmjet njoftimit me shkrim përmes kanaleve diplomatike.
Denoncimi do të jetë efektiv një muaj pas ditës së marrjes së njoftimit.

Nënshkruar në Tiranë, më 27 shkurt 2006, në dy kopje origjinale, në shqip, greqisht dhe anglisht, të gjitha tekstet njëlloj të njëjta. Në rast ndryshimi në interpretimin e kësaj Marrëveshjeje, do të merret për bazë teksti anglisht.

PËR KËSHILLIN E MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Iva Zajmi

PËR QEVERINË E REPUBLIKËS GREKE
Evripidis Styliandis

LIGJ Nr.9669, datë 18.12.2006

PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e 20 mijë zgjedhësve,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I – DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1 – Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:

1. Parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore.

2. Garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.

Neni 2 – Objekti

Ky ligj ka si objekt:

a) krijimin e një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse për mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, lehtësimin e pasojave dhe parandalimin e dhunës në familje;

b) orientimin e punës për krijimin e strukturave dhe organeve përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor për mbështetjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës në familje;

c) fuqizimin e gjyqësorit për marrjen e masave të mbrojtjes ndaj dhunës në familje;

ç) sigurimin/garantimin për viktimat e dhunës në familje të shërbimit të shpejtë, të pakushtueshëm dhe të thjeshtë në përputhje me ligjin, pranë gjykatës apo organeve të tjera kompetente për zbatimin e ligjit.

Neni 3 – Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, përveçse kur parashikohet shprehimisht ndryshe në dispozita të veçanta të tij, me termat e mëposhtëm kuptojmë:

1. “Dhunë” është çdo veprim apo mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.

2. “Dhunë në familje” është çdo akt dhune, sipas pikës 1 të këtij neni, i ushtruar midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare.

3. “Pjesëtarë të familjes” janë:
a) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish–bashkëshorti/ja apo ish partneri/ja bashkëjetues;
b) vëllezërit, motrat, gjinia në vijë të drejtë, përfshirë prindërit adoptues dhe fëmijët e adoptuar;
c) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja i personave të parashikuar në shkronjën “b”;
ç) gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es;
d) vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë 3 muajve të fundit;
dh) fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues.

4. “Viktimë” është personi mbi të cilin është ushtruar dhuna e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

5. “Dhunues/e” është personi i paditur për ushtrimin e dhunës në marrëdhëniet familjare përpara organeve kompetente.

6. “Urdhër mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën.

7. “Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate.

Neni 4 – Subjektet

Subjektet që mbrohen nga ky ligj janë të gjithë personat e cilësuar në nenin 3 pika 3 të këtij ligji.

KREU II – ORGANET PËRGJEGJËSE

Neni 5 – Autoritetet përgjegjëse

1. Autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

2. Autoritete të tjera përgjegjëse të linjës janë:
a) njësitë e qeverisjes vendore;
b) Ministria e Brendshme;
c) Ministria e Shëndetësisë;
ç) Ministria e Drejtësisë.

Neni 6 – Detyrat e autoritetit kryesor përgjegjës

Autoriteti kryesor përgjegjës ka këto detyra:

a) hartimin dhe zbatimin e strategjive dhe programeve kombëtare në fushën e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare;

b) financimin ose bashkëfinancimin e projekteve, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe konsolidimin e familjes, si dhe kujdesin ndaj viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare;

c) mbështetjen në ngritjen e strukturave ndihmëse, si dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme, që shërben për një mbështetje dhe plotësim të të gjitha nevojave për personat e dhunuar në marrëdhëniet familjare, përfshi këtu asistencë financiare, si dhe shërbime mjekësore dhe sociale, sipas legjislacionit në fuqi;

ç) organizimin e kurseve të trajnimit rreth dhunës në familje me punonjësit e shërbimeve sociale, që janë të atashuar pranë çdo njësie vendore, strukturat e Policisë së Rendit dhe me punonjësit e OJF-ve të licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale;

d) mbajtjen e të dhënave statistikore për nivelin e dhunës në familje;

dh) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e krijimit të qendrave të rehabilitimit për viktimat e dhunës në familje;

e) mbështetjen dhe mbikëqyrjen e krijimit të qendrave të rehabilitimit për shkaktarët e dhunës në marrëdhëniet familjare;

ë) licencimin e OJF-ve të ndryshme që do të ofrojnë shërbime sociale për viktimat dhe dhunuesit.

Neni 7 – Detyrat e autoriteteve përgjegjëse të linjës

1. Ministria e Brendshme ka këto detyra:
a) krijimin e sektorëve të veçantë për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje pranë drejtorive të policisë;
b) trajnimin e efektivave e policisë që do të trajtojnë rastet e dhunës në familje.

2. Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë të krijojë kapacitetet e duhura për të ofruar ndihmë mjekësore për dhunën në familje në shërbimet e urgjencës dhe në qendrat shëndetësore në bashki dhe komuna:
a) për të ofruar në çdo kohë ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës në familje;
b) për të bërë në çdo kohë ekzaminimet e nevojshme në institucionet shëndetësore publike përkatëse;
c) për të evidentuar rastet e dhunës në familje në dokumentacionin përkatës mjekësor të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë;
ç) për të pajisur edhe viktimën me raportin mjekësor përkatës;
d) për të referuar dhe orientuar viktimën pranë shërbimeve të tjera të mbështetjes dhe mbrojtjes nga dhuna në familje.

3. Ministria e Drejtësisë ka këto detyra:
a) të trajnojë ekspertët mjeko-ligjorë në njohjen, diagnostikimin, vlerësimin dhe raportimin e dhunës në familje dhe akteve të dhunës ndaj fëmijëve;
b) të trajnojë përmbaruesit në detyrën e tyre për të ekzekutuar urdhrat e mbrojtjes në mënyrë të menjëhershme, të sigurojë përmbushjen e tyre në përputhje me nenin 23 pika 6, si dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura;
c) të financojë mbrojtje ligjore falas, sipas parashikimeve në ligj dhe të sigurojë një numër të caktuar avokatësh të trajnuar, që mund të japin një asistencë të tillë.

4. Njësitë e qeverisjes vendore (bashkitë, komunat ) kanë këto detyra:
a) angazhimin në krijimin e strukturave të shërbimit social për rastet e dhunës në familje;
b) instalimin e një linje telefonike rajonale 24-orëshe, e cila më pas krijon lidhje me njësitë lokale, policinë, urgjencat mjekësore dhe OJF-të, duke vendosur në këtë mënyrë edhe koordinimin mes tyre;
c) ngritjen e qendrave sociale dhe të rehabilitimit për viktimat dhe dhunuesit, si dhe koordinimin e punës me ato ekzistuese, duke u dhënë përparësi qendrave të specializuara në fushat përkatëse.

Neni 8 – Përgjegjësitë e autoriteteve përgjegjëse

1. Autoritetet përgjegjëse kanë për detyrë krijimin e strukturave të posaçme dhe caktimin e personave përgjegjës për zbatimin e këtij ligji. Përmbushja e këtij detyrimi mbikëqyret nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

2. Autoritetet përgjegjëse kanë detyrimin t’i përgjigjen çdo njoftimi të bërë nga viktima apo personat e tjerë të treguar në këtë ligj, në rastet e dhunës apo kërcënimit për dhunë ose dhe në rastet e shkeljes së urdhrit të mbrojtjes apo urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Ato mbajnë raportin përkatës dhe një kopje ia dorëzojnë viktimës ose shoqëruesit të saj.

3. Autoritetet përgjegjëse përdorin mjetet e arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar vazhdimin e dhunës me anë të:
a) informimit të viktimës apo shoqëruesit të saj për masat që do të merren sipas ligjit në fuqi dhe për institucionet të cilave duhet t’u drejtohet;
b) informimit të viktimës apo shoqëruesit të saj në lidhje me shërbimet sociale ekzistuese dhe shoqërimit në qendrat dhe institucionet përkatëse;
c) sigurimit të transportit për viktimën dhe shoqëruesin e saj në qendra shërbimesh mjekësore apo sociale;
ç) vënies në dispozicion të një punonjësi të policisë në rastet e rrezikut për jetën.

4. Nëse ekziston dyshimi se dhunuesi ka kërcënuar ose ka ushtruar dhunë në familje apo ka thyer urdhrat e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, organet e policisë do të bëjnë konstatimet e menjëhershme.

5. Personat të cilët marrin dijeni për shkak të detyrës apo autoritetit të ngarkuar për zbatimin e këtij ligji dhe nuk veprojnë në zbatim të tij, ngarkohen me përgjegjësi administrative dhe/ose penale, duke zbatuar sanksione të përcaktuara në nenet 248 dhe 251 të Kodit Penal.

6. Organet e policisë kanë për detyrë të regjistrojnë konstatimet përkatëse në një raport të shkruar, si dhe të fillojnë hetimet kryesisht. Viktima vihet në dijeni nga policia për numrin përkatës të rastit të raportuar.

Neni 9 – Subjektet që mund të vënë në dijeni organet përgjegjëse

1. Në rast të dhunës në familje, viktima mund t’i drejtohet me anë të një kërkese postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (komunë, bashki), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.

2. Çdo person që konstaton një rast të ushtrimit të dhunës në familje mund t’u drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve të mësipërme për të ndërmarrë masat e nevojshme.

KREU III – MASAT MBROJTËSE

Neni 10 – Masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje

1. Mbrojtja ndaj dhunës në familje, në zbatim të këtij ligji, do të sigurohet me këto mënyra:

a) duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditësit/es (viktimës) apo pjesëtarëve të tjerë të familjes së viktimës, siç përcaktohet në nenin 3 pika 3 të këtij ligji apo siç emërtohet në urdhër;

b) duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo pjesëtarë të familjes së viktimës, siç përcaktohet në nenin 3 pika 3 të këtij ligji apo siç emërtohet në urdhër;

c) duke larguar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të gjykatës dhe të mos e lejojë të rihyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës;

ç) duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës, siç përcaktohet në nenin 3 pika 3 të këtij ligji apo siç emërtohet në urdhër;

d) duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës apo banesës së çiftit të ardhshëm ose të personave të tjerë dhe për më tepër shkollës së fëmijëve, ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;

dh) duke vendosur menjëherë viktimën/at dhe të miturit në strehime të përkohshme, duke mbajtur parasysh në çdo rast interesin më të lartë, atë të të miturit;

e) duke kufizuar ose duke ndaluar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të takohet me fëmijën e viktimës, sipas kushteve të cilat mund të jenë të përshtatshme;

ë) duke i ndaluar të paditurit/ës (dhunuesit/es) hyrjen ose qëndrimin në banesën e përkohshme apo të përhershme të viktimës, ose në ndonjë pjesë të saj, pavarësisht nga të drejtat e pronësisë apo të posedimit të dhunuesit;

f) duke urdhëruar një person të autorizuar nga gjykata (punonjës i rendit ose përmbarues gjyqësor) që të shoqërojë viktimën ose të paditurin/ën (dhunuesin/en) deri në banesën e viktimës dhe të mbikëqyrë largimin e pasurisë personale;

g) duke urdhëruar organet zbatuese të ligjit që të konfiskojnë çdo armë që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo të urdhërojë dhunuesin për të dorëzuar çdo armë që i përket atij;

gj) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të lejojë viktimën të posedojë banesën të cilën e përdorin së bashku viktima dhe dhunuesi/ja ose ndonjë pjesë të saj;

h) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të paguajë qeranë e banesës së përhershme apo të përkohshme të viktimës, si dhe detyrimin ushqimor për viktimën, fëmijët apo pjesëtarë të tjerë të familjes që ka në ngarkim;

i) për sa kohë urdhri mbrojtës është në fuqi, trajtimi i pasurisë kryhet në përputhje me Kodin e Familjes, nenet 57, 58 dhe 60;

j) duke i kaluar viktimës të drejtën e kujdestarisë së përkohshme mbi fëmijët dhe duke i hequr përkohësisht përgjegjësinë prindërore të paditurit/ës (dhunuesit/es);

k) duke vendosur dhe duke urdhëruar sipas rastit (në kompetencë të gjykatës) ndërhyrjen e shërbimeve sociale, publike apo private të vendbanimit ose pranë organizatave që kanë si qëllim mbështetjen dhe pritjen e personave të dhunuar në familje;

l) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të bëjë një pagesë periodike në favor të personave bashkëjetues, të cilët, për efekt të masës së mësipërme, mbeten të privuar nga mjetet e jetesës. Për të siguruar pagesën, gjykata mund të vendosë që shuma të derdhet nga punëdhënësi në favor të përfituesit. Një vendim i tillë përbën titull ekzekutiv;

ll) duke përfshirë viktimën e dhunës në familje në programe rehabilitimi;

m) duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të marrë pjesë në programe rehabilitimi; nëse i/e padituri/a (dhunuesi/ja) urdhërohet të shkojë në një program rehabilitimi, përgjegjësve të programit u kërkohet të raportojnë çdo javë në gjykatë nëse dhunuesi e ndjek apo merr pjesë në të. Nëse i/e padituri/a (dhunuesi/ja) nuk merr pjesë, atëherë, me kërkesë të subjekteve të parashikuara nga neni 13 i këtij ligji, gjykata e thërret këtë përpara saj dhe zbaton dispozitat përkatëse të Kodit Penal, për pengimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

2. Në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, mund të parashikohen disa nga masat mbrojtëse të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

3. Në urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar me vendimin e gjykatës, mund të parashikohen disa nga masat e parashikuara në shkronjat “a” deri në “g” të këtij neni.

4. Në rastin e zbatimit të shkronjës “g” të këtij neni, gjykata mban parasysh:

a) nëse arma është konfiskuar, ajo mund të kthehet vetëm pas mbarimit të urdhrit të mbrojtjes dhe marrjes së një urdhri nga gjykata;

b) nëse arma është konfiskuar dhe personi ka një autorizim për armëmbajtje me leje, gjykata njofton autoritetin përkatës administrativ, ose pezullon lejen e armës derisa të mbarojë urdhri mbrojtës.

Neni 11 – Efektet e urdhrit të mbrojtjes

1. Pavarësisht prej ndonjë urdhri apo vendimi tjetër të nxjerrë nga gjykata apo ndonjë institucion tjetër, urdhri i mbrojtjes që përmban masat e mësipërme do të nxirret me vendim gjykate për rastet e parashikuara nga ky ligj.

2. Urdhri i mbrojtjes ose urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i nxjerrë me vendim gjykate, apo përfundimi i efekteve të tij nuk cenon në mënyrë të përhershme të drejtat e pronësisë apo të kujdestarisë.

KREU IV – GJYKIMI PËR LËSHIMIN E URDHRIT TË MBROJTJES

Neni 12 – Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje

1. Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastin e dhunës në familje është gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar. Për të vendosur sigurimin e masave mbrojtëse të përmendura në nenin 10 të këtij ligji, gjykata lëshon urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje.

2. Pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës, sipas rastit, konform dispozitave të këtij ligji, lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

3. Pasi gjykata të ketë lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, pala e interesuar mund të kërkojë lëshimin e një urdhri mbrojtës, siç parashikohet në këtë ligj. Urdhri mbrojtës përkatës shërben për të rikonfirmuar vazhdimësinë e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe siguron masat mbrojtëse të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji.

Neni 13 – Subjektet që kanë të drejtën për të kërkuar urdhrin e mbrojtjes

1. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje mund ta paraqesin:
a) vetë viktima;
b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
c) policia / prokuroria.

2. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje të një të mituri mund ta paraqesin:
a) prindi ose kujdestari i të miturit;
b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
c) të afërmit;
ç) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;
d) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

3. Kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund ta paraqesin:
a) vetë viktima;
b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
c) policia/prokuroria;
ç) personi me të cilin viktima ka marrëdhënie familjare;
d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;
dh) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

4. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

Neni 14 – Forma e kërkesë-padisë

1. Kërkesë-padia për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes duhet të përmbajë edhe:
a) të dhëna personale rreth familjes ose marrëdhënieve farefisnore mes viktimës dhe dhunuesit;
b) përshkrimin e qartë të fakteve dhe rrethanave, në të cilat ka ndodhur akti i dhunës në familje, duke përfshirë arsyet që sqarojnë cenimin e sigurisë, të shëndetit apo të mirëqenies së viktimës nga i/e padituri/a (dhunuesi/ja) të parashikuara në nenin 3 pikat 1 dhe 2 të këtij ligji;
c) masat mbrojtëse të posaçme që kërkohen;
ç ) nënshkrimin e kërkuesit.

2. Kërkesë-padia për urdhër mbrojtjeje mund të paraqitet në çdo kohë para gjykatës nga ana e personave që legjitimohen për ta kërkuar atë. Në rastet kur kërkohet ndihmë e menjëhershme, kërkesa mund të plotësohet dhe të paraqitet pranë komisariatit më të afërt të policisë dhe punonjësi i policisë vepron në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit”.

3. Për hartimin e kërkesë-padisë, përgatitjen e akteve dhe paraqitjen e tyre në gjykatë kërkuesi asistohet nga një avokat falas.

4. Kërkuesi shkarkohet nga taksat e gjykatës. Me daljen e urdhrit të mbrojtjes, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje. Në rast të kundërt, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

5. Kërkesë-padia regjistrohet në një regjistër të veçantë dhe protokollohet ditën e dorëzimit të saj.

Neni 15 – Provat në procesin gjyqësor

1. Provat që duhet t’i paraqiten gjykatës mund të jenë: dëshmi, raporte të policisë, raport mjekësor, akt-ekspertimi, ekzaminime dhe shpjegime/pohime të palëve, dokumente të tjera të lëshuara nga punonjësit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësive vendore, dokumente të lëshuara nga persona juridikë (OJF), të regjistruara sipas dispozitave në fuqi.

2. Kur nga të dhënat e kërkesës bëhet e qartë se komisariatet e policisë, organet e pushtetit vendor apo qendrat shëndetësore kanë prova shkresore lidhur me ushtrimin e dhunës në familje, ato lëshojnë menjëherë një kopje të certifikuar (kopje me vulë) për këtë në bazë të kërkesës së paraqitur nga kërkuesi ose të vetë gjykatës. Në rast të moslëshimit të dokumentit të mësipërm, personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi ligjore, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Administrative.

3. Kur nuk disponon të gjitha provat e parashikuara në pikën 2 të këtij neni, gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes, bazuar vetëm në përshkrimin e rrethanave dhe fakteve në të cilat është kryer dhuna në familje, duke u bazuar në bindjen e vet.

Neni 16 – Gjykimi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Gjykata vendos shqyrtimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 ditëve pas pranimit të kërkesës.

2. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtjeje, gjykata dëgjon me radhë personat në vijim:
a) viktimën, përfaqësuesin ligjor apo avokatin e saj;
b) të paditurin/ën (dhunuesin/en), përfaqësuesin ligjor apo avokatin e tij/saj;
c) prokurorin, nëse ky ka paraqitur kërkesën;
ç ) përfaqësuesit e policisë;
d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësisë në të cilën jeton përherë ose përkohësisht personi i përmendur, kur kërkuesi është nën 18 vjeç, nuk ka zotësi për të vepruar apo dhuna e ushtruar në familje ka ndikim mbi personat e lartpërmendur;
dh) punonjësit e qendrave shëndetësore apo të qendrave të shërbimit dhe rehabilitimit, të cilët kanë asistuar viktimën pas ushtrimit të dhunës mbi të;
e) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.

3. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

Neni 17 – Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Gjykata mund të lëshojë me vendim një urdhër mbrojtjeje vetëm ndaj dhunuesit të përmendur në kërkesë-padi. Ky vendim përmban vetëm masat mbrojtëse që përshkruhen në nenin 10 të këtij ligji. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, nëse vërteton se:
a) ekzistojnë dyshime të arsyeshme për të besuar se dhunuesi përbën rrezik për kryerjen e ndonjë akti të dhunës në familje;
b) lëshimi i urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës/ave, urdhër në të cilin, përveç kërkuesit, gjykata çmon se mund të përfshihen edhe persona të tjerë, me të cilët kërkuesi ka lidhje familjare ose intime, që mund të bëhen shkak për ushtrimin e dhunës ndaj këtyre të fundit.

2. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor , ku përfshihet njëra prej palëve.

3. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, i cili, përveçse përmbush kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:
a) masën e caktuar nga gjykata;
b) kohëzgjatjen e masës, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 12 muaj, por me të drejtë shtyrjeje;
c) njoftimin se shkelja e urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përbën vepër penale në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal;
ç) njoftimin për të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, brenda 15 ditëve nga shpallja apo marrja dijeni e tij.

4. Urdhri i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile. Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të policisë në momentin që paraqitet nevoja.

5. Gjykata, brenda 24 orëve pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate, u dërgon nga një kopje të tij personave në vijim:
a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;
b) prokurorit, nëse ka bërë kërkesë;
c) zyrës së shërbimeve sociale të njësive vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;
ç) komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim.

Neni 18 – Gjykimi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes

1. Gjykata vendos në lidhje me kërkesën për mbrojtje të menjëhershme brenda 48 orëve pas parashtrimit të kërkesës.

2. Në rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, gjykata mban një seancë ku dëgjohen personat në vijim:
a) viktima, përfaqësuesi ligjor apo avokati i saj;
b) dhunuesi/ja, përfaqësuesi apo avokati i tij/saj;
c) prokurori, nëse merr pjesë;
ç) kërkuesit e tjerë, të parashikuar në nenin 13 të këtij ligji;
d) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.

Neni 19 – Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes

1. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në nenin 10 të këtij ligji, nëse konstaton se:
a) ekzistojnë bazat për të besuar se i/e padituri/a (dhunuesi/ja) ka kryer ose ka kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje;
ose
b) i/e padituri/a (dhunuesi/ja) paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë, shëndetin ose mirëqenien e viktimës dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës; ose
c) lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës, që mbrohen me anë të urdhrit të mbrojtjes.

2. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor, ku përfshihet njëra prej palëve.

3. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, i cili duhet të plotësojë kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:
a) masën e caktuar nga gjykata;
b) kohëzgjatjen e masës, e cila mbaron në momentin që fillon të zbatohet urdhri i mbrojtjes i vendosur nga gjykata;
c) njoftimin se shkelja e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën vepër penale, në kuptim të nenit 320 të Kodit Penal;
ç) njoftimin për të drejtën e ankimit kundër vendimit brenda 5 ditëve nga shpallja apo marrja dijeni e tij;
d) datën e dëgjimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, e cila është brenda 20 ditëve prej lëshimit të tij me vendim gjykate.

4. Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile.
Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të policisë në momentin që paraqitet nevoja.

5. Gjykata, brenda 24 orëve pas lëshimit të vendimit, u dërgon nga një kopje të tij personave në vijim:
a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;
b) kërkuesve në kuptim të nenit 13 të këtij ligji;
c) zyrës së shërbimeve sociale të njësive vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;
ç) komisariatit të policisë në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim.

6. Vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet menjëherë nga zyra e përmbarimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510/e, 516/c e vijues).

Neni 20 – Gjykimi për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes

Pas përfundimit të seancës gjyqësore për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, gjykata vazhdon seancën për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes mbi bazën e kërkesës, në zbatim të nenit 16 të këtij ligji. Në përfundim të procesit gjyqësor gjykata:

a) vendos anulimin, si dhe ndërprerjen e efekteve të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate, kur ky i fundit nuk arrin të provohet;

b) refuzon lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate, kur nuk arrin të provohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar më parë me vendim gjykate;

c) lëshon urdhrin e mbrojtjes me vendim gjykate në bazë të nenit 17 të këtij ligji. Sipas nevojës, ky vendim mund t’i ndryshojë kushtet e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate.

Neni 21 – Ankimi

1. Kundër vendimit përkatës të gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes mund të bëhet ankim i veçantë në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile.

2. Kundër vendimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose kundër vendimit për nxjerrjen e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate mund të bëhet ankim brenda afateve dhe rregullave të përcaktuara në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

3. Paraqitja e ankimit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes apo të urdhrit të mbrojtjes.

Neni 22 – Rrethanat për ndryshimin, ndërprerjen dhe vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Nëse rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, viktima (përfaqësuesi i saj), dhunuesi/ja ose prokurori, nëse ka marrë pjesë në proces, mund të paraqesë kërkesë për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes.

2. Pas marrjes së kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
a) lënien në fuqi të urdhrit të mbrojtjes;
b) ndryshimin e urdhrit të mbrojtjes nëse kjo kërkohet nga rrethanat që kanë ndryshuar rrënjësisht; ose
c) ndërprerjen e tij, nëse kriteret e përcaktuara në nenin 10 pika1 të këtij ligji nuk vlejnë më, për shkak të ndryshimit rrënjësor të rrethanave.

3. Parashtrimi i kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

4. Viktima ose përfaqësuesi i autorizuar prej saj, 15 ditë para përfundimit të efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e tij. Nëse nuk parashtrohet kërkesa, urdhri i mbrojtjes ndërpritet automatikisht në ditën e përfundimit të efekteve të tij.

5. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon me shqyrtimin e kërkesës, në bazë të nenit 16 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:
a) vërtetimin e ndërprerjes së urdhrit të mbrojtjes në datën e përfundimit të efekteve të tij; ose
b) vazhdimin e efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, nëse vlejnë kriteret e përcaktuara në nenin 17 pika1 të këtij ligji.

Neni 23 – Ekzekutimi i vendimit gjyqësor

1. Vendimi gjyqësor, i cili përmban urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është përfundimtar dhe përbën titull ekzekutiv që në momentin që shpallet (ose u njoftohet palëve). Gjykata lëshon një urdhër ekzekutimi në të njëjtën kohë që lëshon urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes.

2. Vendimi gjyqësor, që përmban urdhrin e mbrojtjes, përbën titull ekzekutiv pasi të marrë formën e prerë dhe ekzekutohet menjëherë nga përmbaruesit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, komisariatet e policisë dhe njësitë e qeverisjes vendore (bashki, komuna) apo edhe vetë dhunuesi vullnetarisht. Gjykata lëshon urdhrin e ekzekutimit në të njëjtën kohë që lëshon dhe urdhrin e mbrojtjes.

3. Punonjësit socialë dhe efektivat e policisë marrin të gjitha masat për ekzekutimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të masave mbrojtëse të vendosura konform nenit 10 të këtij ligji.

4. Institucionet, qendrat rezidenciale, qendrat e shërbimeve, OJFtë e licencuara për ofrim shërbimesh zbatojnë masat e parashikura në vendimin gjyqësor dhe koordinojnë punën e tyre me njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë e policisë, si ekzekutuese direkt të këtyre vendimeve.

5. Ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit të gjykatës bëhet nga zyrat e shërbimit përmbarimor, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Civile (nenet 510 e vijues).

6. Në rast të mosekzekutimit vullnetar nga organet zbatuese të vendimit të gjykatës, siç përshkruhet në pikat 2 dhe 4 të këtij neni, përfshirë dhe të paditurin/ën, të cilëve u komunikohet vendimi, ndiqet ekzekutimi i detyruar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Në këto raste, ndaj personave përgjegjës për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës zbatohen sanksionet përkatëse të parashikura në nenet 320 e 320/a të Kodit Penal, si edhe sanksionet e parashikuara në nenin 606/3 të Kodit të Procedurës Civile.

KREU V – DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 24 – Procedimi penal

Lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes apo urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate nuk i ndalon palët e interesuara të nisin procesin penal, për sa i përket veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë figura të veprave penale.

Neni 25 – Aktet nënligjore

Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Neni 26 – Hyrja në Fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më 1 qershor 2007.

Shpallur me dekretin nr.5182, datë 12.1.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.

LIGJ Nr.9695, datë 19.3.2007

PËR PROCEDURAT E BIRËSIMIT DHE KOMITETIN SHQIPTAR TË BIRËSIMIT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I – DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1 – Objekti

Ky ligj përcakton procedurat e birësimit, si dhe organizimin, funksionimin e detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Neni 2 – Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:

a) mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet vendosjes së përhershme në një familje birësuese;

b) marrjen e masave, që birësimet, vendase dhe ndërvendase, të bëhen në interesin më të lartë të fëmijës, i cili është mbizotërues ndaj çdo interesi tjetër;

c) krijimin e një sistemi bashkëpunimi, brenda dhe jashtë vendit, për marrjen dhe respektimin e masave mbrojtëse, që parandalojnë dështimin e birësimit, rrëmbimin, shitjen ose trafikimin e fëmijëve;

ç) sigurimin e bashkëpunimit me autoritetet vendore, autoritetet qendrore të vendeve të tjera apo organizatave të miratuara prej tyre, për mbarëvajtjen e periudhës pasbirësuese.

Neni 3 – Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Birësim” është procedura administrative dhe gjyqësore, nëpërmjet së cilës fëmijës, që i është privuar ose jo mjedisi familjar, i sigurohet një familje alternative, me të drejta dhe detyrime të njëjta me prindërit biologjikë.

2. “Birësues” është personi/personat që, nëpërmjet birësimit, marrin fëmijë, të privuar ose jo nga mjedisi familjar, duke i trajtuar si fëmijë të lindur prej tyre.

3. “I birësuar” është fëmija i privuar ose jo nga mjedisi familjar, i cili, nëpërmjet birësimit, vendoset në një familje tjetër, për t’u rritur dhe edukuar nga birësuesit, si të ishte fëmija i tyre biologjik.

4. “Familje biologjike” janë prindërit, që e kanë lindur fëmijën, të dy së bashku ose një i vetëm, të martuar ose të pamartuar.

5. “Përshtatshmëri” është aftësia e aplikantit për të qenë birësues, e vlerësuar nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.

6. “Ndërmjetësim” është veprimtaria e agjencive të licencuara për vendosjen e kontakteve ndërmjet aplikantëve birësues dhe organeve kompetente të birësimit.

7. “Agjenci ndërmjetësuese” janë organizatat jofitimprurëse, vendase dhe të huaja, të licencuara ose të miratuara nga organet kompetente të birësimit.

8. “Periudhë e provës” është procesi i bashkimit të aplikantit birësues dhe të fëmijës, pas pëlqimit të dhënë nga Komiteti, për një periudhë kohe deri në 3 muaj, gjatë së cilës verifikohet përshtatshmëria e kësaj marrëdhënieje.

9. “Konventa e Hagës” është konventa nr.33 “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe bashkëpunimin për birësimet jashtë vendit”.

KREU II – KOMITETI SHQIPTAR I BIRËSIMIT

Neni 4 – Detyrat e Komitetit Shqiptar të Birësimit

1. Komiteti Shqiptar i Birësimit (më poshtë Komiteti) është autoriteti qendror në fushën e birësimit, vendas dhe ndërvendas.

2. Komiteti shqyrton dhe vendos për përshtatshmërinë e aplikantit birësues dhe jep pëlqimin për realizimin e çdo birësimi.

3. Komiteti mbikëqyr periodikisht të gjitha rastet e birësimeve dhe, në rastet e birësimeve ndërvendase, bashkëpunon me autoritetet qendrore të vendeve të tjera, ku është kryer birësimi.

Neni 5 – Organizimi

1. Komiteti funksionon në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me këtë ligj, Kodin e Familjes, konventën “Për të drejtat e fëmijës” dhe Konventën e Hagës.

2. Komiteti përbëhet nga:
a) këshilli drejtues;
b) kryetari;
c) sekretariati ekzekutiv.

3. Këshilli drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Komitetit dhe përbëhet nga kryetari, si dhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i ministrisë që mbulon fushën e shëndetësisë, i ministrisë që mbulon fushën e arsimit dhe shkencës, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i ministrisë që mbulon fushën e rendit publik, i ministrisë që mbulon fushën e financave, i ministrisë që mbulon fushën e çështjeve sociale, një pedagog i së drejtës familjare nga universitetet publike dhe një përfaqësues i shoqatës së jetimëve.

4. Kryetari i Komitetit drejton këshillin drejtues dhe sekretariatin ekzekutiv.

5. Sekretariati ekzekutiv i Komitetit përbëhet nga specialistë të fushave të ndryshme dhe personeli i shërbimit, të cilët ndihmojnë këshillin drejtues në ushtrimin e funksioneve të veta. Veprimtaria e sekretariatit përcaktohet në këtë ligj dhe në rregulloren e brendshme të Komitetit.

6. Struktura dhe organika e Komitetit miratohen nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Rregullorja e brendshme e Komitetit miratohet nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e këshillit drejtues të Komitetit.

Neni 6 – Statusi i Komitetit

1. Kryetari i Komitetit emërohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë.

2. Këshilli drejtues funksionon si organ kolegjial, në bazë të legjislacionit shqiptar.

3. Specialistët e sekretariatit ekzekutiv gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil.

4. Personeli i shërbimit emërohet nga kryetari i Komitetit dhe gëzon të drejtat e detyrimet e parashikuara në Kodin e Punës.

Neni 7 – Financimi

Komiteti ka buxhetin e vet dhe të ardhura të tjera, të siguruara nga pagesa e tarifave për shërbimet e realizuara gjatë procedurës së birësimit.

Neni 8 – Marrëdhëniet e Komitetit

1. Komiteti, në zbatim të Kodit të Familjes dhe të këtij ligji, bashkëpunon me:

a) ministritë që mbulojnë çështjet sociale dhe shëndetësinë për shkëmbime informacioni për respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e birësimit;

b) Inspektoratin e Ndihmës Ekonomike, Pagesës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe me shërbimet shoqërore, si autoritet i ngritur për kontrollin e zbatimit të legjislacionit dhe të standardeve të shërbimeve shoqërore;

c) organet e institucioneve të mësipërme pranë njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë:
i) sektorin e shërbimit social, i cili dërgon në Komitet raporte periodike 6-mujore për fëmijët e vendosur në kujdestari jashtë institucioneve;
ii) institucionet e përkujdesjes sociale të fëmijëve, publike dhe private, të cilat dërgojnë në Komitet raporte periodike 6-mujore për fëmijët që kanë në institucionet e tyre, për afatet dhe arsyet e qëndrimit në institucion.

2. Komiteti ushtron kontrolle të vazhdueshme në institucionet e përkujdesjes për fëmijët, për të njohur gjendjen e fëmijëve që plotësojnë kushtet për t’u birësuar. Kur vihen re shkelje të traktateve (marrëveshjeve) ndërkombëtare dhe të legjislacionit vendas në fushën e birësimeve, kryetari i Komitetit i propozon sektorit të shërbimit social masa disiplinore për drejtuesit e institucioneve shtetërore të përkujdesjes, deri në heqjen e licencës për nstitucionet private të përkujdesjes.

Neni 9 – Detyrat e këshillit drejtues të Komitetit

Këshilli drejtues i Komitetit ka këto detyra:

1. Vendos për përshtatshmërinë e aplikantëve birësues.

2. Jep pëlqimin, me shkrim dhe në mënyrë kolegjiale, për birësimin e fëmijës nga aplikantët birësues, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës.

3. Merr masat e nevojshme për të shmangur dështimin e birësimeve, përfitimet e padrejta, si dhe çdo lloj veprimtarie, që synon trafikimin e fëmijëve.

4. Cakton kohëzgjatjen, mënyrën dhe vendin ku do të realizohet periudha e provës për përshtatshmërinë e birësuesve me të birësuarin.

5. Miraton projektbuxhetin e Komitetit dhe propozon strukturën organike të tij.

6. Miraton programet e punës së Komitetit dhe politikat përkatëse për përmirësimin e procedurave të birësimit.

7. Analizon, në fund të çdo viti, veprimtarinë financiare dhe administrative të Komitetit.

8. Propozon për miratim, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave, tarifat për shërbimet e kryera për birësim.

9. Përmbush detyrimet që rrjedhin nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara për të drejtat e fëmijëve në birësim.

10. Bën propozime për përmirësimin e legjislacionit në fushën e birësimit, në interes të fëmijës.

11. Vlerëson për çdo rast përfundimet për bashkimin birësues – i birësuar, që ka miratuar dhe mbikëqyr nëse birësimi i përgjigjet interesit më të lartë të fëmijës.

12. Licencon veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse vendase në fushën e ndërmjetësimit për birësim, në përputhje me kërkesat e akteve ndërkombëtare dhe të këtij ligji.

13. U kërkon agjencive, vendase dhe të huaja, informacion për gjendjen e fëmijës së birësuar, në afate të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar me to.

14. Nxit bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve qendrore të vendeve të tjera, si dhe hartimin e marrëveshjeve dypalëshe me agjencitë e huaja ndërmjetëse.

15. Miraton veprimtarinë e agjencive të huaja, që punojnë në fushën e birësimit në Shqipëri.

16. Informohet për veprimtarinë e agjencive të licencuara, pas kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Komitetit dhe, kur vëren se ato kanë kryer shkelje të detyrimeve ligjore, merr masa administrative deri në heqjen e licencës.

Neni 10 – Kriteret e emërimit të kryetarit të Komitetit

Kryetar i Komitetit emërohet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

1. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.

2. Të ketë arsimin e lartë, si rregull juridik, shkencat sociale ose pedagogji.

3. Të ketë një përvojë jo më pak se 3 vjet në fushën e të drejtave të fëmijëve.

4. Të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të gëzojë reputacion të mirë.

Neni 11 – Detyrat e kryetarit të Komitetit

Kryetari i Komitetit drejton veprimtarinë e këshillit drejtues dhe të sekretariatit ekzekutiv dhe ka këto detyra:

a) thërret këshillin drejtues në mbledhje të zakonshme dhe të jashtëzakonshme dhe përcakton rendin e ditës;

b) drejton mbledhjet e këshillit drejtues;

c) nënshkruan vendimet e marra në emër të këshillit drejtues dhe të institucionit që përfaqëson;

ç) vërteton përputhjen e birësimit ndërvendas me dispozitat e konventës;

d) nënshkruan marrëveshje me institucione analoge jashtë vendit, me agjenci vendase dhe të huaja, që ndërmjetësojnë në fushën e birësimit;

dh) raporton për veprimtarinë e sekretariatit ekzekutiv përpara këshillit drejtues dhe për veprimtarinë e Komitetit përpara Ministrit të Drejtësisë;

e) përfaqëson Komitetin në marrëdhënie me institucione të tjera, brenda dhe jashtë vendit;

ë) emëron ose largon nga detyra personelin e sekretariatit ekzekutiv, në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil dhe Kodin e Punës.

Neni 12 – Largimi nga detyra i kryetarit të Komitetit

Kryetari i Komitetit largohet nga detyra kur:

a) shkel kompetencat e parashikuara në këtë ligj;

b) dënohet nga gjykata me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

c) bëhet i paaftë për të kryer detyrën për shkak sëmundjeje;

ç) jep dorëheqjen.

Neni 13 – Detyrat e sekretariatit ekzekutiv të Komitetit

Sekretariati ekzekutiv i Komitetit kryen këto detyra:

1. Harton dhe administron listat e fëmijëve që mund të birësohen brenda ose jashtë vendit.

2. Pranon kërkesat e paraqitura nga shtetas shqiptarë ose të huaj, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë dhe ndihmon në plotësimin e dokumentacionit.

3. Kujdeset për t’u dhënë këshillat e nevojshme personave, pëlqimi i të cilëve kërkohet për birësim dhe jep të dhëna në kohë për pasojat e pëlqimit të tyre dhe të birësimit.

4. Bashkëpunon me institucionet e përkujdesit social për fëmijët, publike dhe private, brenda vendit, për të siguruar mbrojtjen e interesave të fëmijëve që janë në këto institucione.

5. Shqyrton, verifikon dhe vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët birësues dhe dokumentacionin e fëmijës për t’u birësuar.

6. Siguron informacion të hollësishëm për prejardhjen e fëmijës, përfshirë prejardhjen kombëtare, fetare, kulturore dhe gjuhësore.

7. Realizon intervista me aplikantët birësues dhe përgatit studimin për ta.

8. Organizon këshillime, seminare dhe veprimtari të tjera në fushën e birësimit.

9. I kërkon sektorit të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore dhe agjencive ndërmjetësuese të dhëna për gjendjen e fëmijës së birësuar.

10. Realizon intervista për marrjen e mendimit/pëlqimit të fëmijës për birësimin, sipas parashikimeve të nenit 15 të këtij ligji.

11. Ushtron kontrolle në institucionet e përkujdesjes publike dhe private për fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u birësuar dhe verifikon raportet periodike, të paraqitura prej tyre në Komitet për gjendjen e fëmijëve.

12. Mbikëqyr veprimtarinë e agjencive ndërmjetësuese për përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare të tyre.

KREU III – PËRGATITJA E DOKUMENTACIONIT BIRËSUES

Neni 14 – Paraqitja e kërkesës

1. Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit. Ata mund të birësojnë vetëm fëmijë, emrat e të cilëve janë në listat e Komitetit.

2. Shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga Komiteti.

3. Shtetasit e huaj, rezidentë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.

4. Shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tyre të rezidencës.

Neni 15 – Mendimi/pëlqimi i fëmijës që birësohet

1. Kur fëmija ka mbushur moshën 10 vjeç, birësimi kryhet vetëm kur Komiteti ka marrë mendimin e tij dhe pasi siguron se:

a) fëmija është këshilluar dhe informuar për pasojat e birësimit dhe të dhënies së mendimit të tij për birësimin;

b) janë marrë parasysh mendimet dhe dëshirat e fëmijës, kur ato janë në interes të tij;

c) mendimi i fëmijës është dhënë në mënyrë të vullnetshme dhe është dokumentuar apo evidentuar me shkrim, sipas formës së përcaktuar nga Komiteti;

ç) mendimi nuk është dhënë kundrejt pagesës apo çdo lloj kompensimi tjetër.

2. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç, për birësim kërkohet pëlqimi i tij, në përputhje me kërkesat e tjera të pikës 1 të këtij neni.

Neni 16 – Legjislacioni që zbatohet

1. Për fëmijën e huaj, që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, në gjendje faktike braktisjeje, për të cilin kërkohet një ndërhyrje emergjente ligjore, zbatohet legjislacioni shqiptar në fuqi.

2. Shtetasi shqiptar, që dëshiron të birësojë një fëmijë me shtetësi të huaj, duhet të përmbushë kërkesat e Kodit të Familjes, të këtij ligji, si dhe ato të ligjit të vendbanimit të fëmijës. Kërkesa i drejtohet Komitetit.

3. Shtetasi shqiptar, që ka dhe një shtetësi tjetër të huaj dhe banon në mënyrë të përhershme jashtë Republikës së Shqipërisë, në rast birësimi të një fëmije shqiptar, duhet të përmbushë kërkesat përkatëse ligjore të birësimit të vendbanimit të përhershëm.

Neni 17 – Birësimi i fëmijës refugjat

1. Nuk mund të kryhet birësimi i një fëmije refugjat nëse:
a) ka shpresë të arsyeshme për gjetjen e familjes së tij dhe për bashkimin familjar, në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës;
b) nuk ka kaluar dy vjet nga data e marrjes së azilit, kohë gjatë së cilës janë ndërmarrë të gjitha masat për gjetjen e prindërve ose anëtarëve të tjerë të familjes së fëmijës;
c) është në kundërshtim më interesin e fëmijës;
ç) është i mundshëm në një të ardhme të afërt rikthimi i sigurt dhe me dinjitet në vendin e origjinës dhe nëse mundësitë e fëmijës në vendin e origjinës janë më të mira sesa birësimi në vendin e azilit ose në një vend të tretë.

2. Në procesin e birësimit të fëmijëve refugjatë, Komiteti bashkëpunon me strukturën përkatëse shtetërore që mbulon çështjet e refugjatëve.

Neni 18 – Dokumentacioni i aplikantit birësues

Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:

1. Kërkesën me motivimin e birësimit.

2. Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit.

3. Të dhënat për gjendjen civile, si certifikatën e lindjes, certifikatën e martesës, certifikatën e zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit.

4. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore.

5. Të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes.

6. Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes.

7. Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme.

8. Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit.

9. Vërtetimin për gjendjen ekonomike dhe sociale.

10. Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale.

11. Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.

Neni 19 – Studimi i aplikantit birësues

Pas shqyrtimit të kërkesës dhe të dokumenteve përkatëse nga sekretariati ekzekutiv për të drejtën e aplikantit birësues për të birësuar, bëhet studimi i aftësisë së tij birësuese. Studimi i përgatitur i paraqitet këshillit drejtues për shqyrtim në mbledhjen e tij të radhës.

Neni 20 – Regjistrimi në listat e Komitetit

Në listat e Komitetit regjistrohen ata fëmijë shqiptarë, për të cilët:
a) është deklaruar braktisja me një vendim gjyqësor të formës së prerë;
b) është dhënë pëlqimi nga prindërit biologjikë;
c) është dhënë pëlqimi nga gjykata për fëmijët që ndodhen në përkujdesje, sipas paragrafit të tretë të nenit 246 të Kodit të Familjes.

Neni 21 – Heqja nga listat e Komitetit

Hiqen nga listat e Komitetit dhe nuk mund të birësohen fëmijët kur:

a) është tërhequr pëlqimi i prindërve biologjikë për birësim, sipas Kodit të Familjes;

b) është vendosur nga gjykata, që fëmija të qëndrojë pranë prindërve biologjikë, me ndërhyrjen në proces të prindërve, nisur nga interesi më i lartë i fëmijës;

c) janë bërë madhorë;

ç) fëmija vdes;

d) fëmija mbi 12 vjeç kundërshton birësimin.

Neni 22 – Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet

1. Sekretariati ekzekutiv verifikon dhe vlerëson dokumentacionin për çdo fëmijë që do të birësohet, të përgatitur nga institucionet e përkujdesjes sociale ose të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore. Vlerësimi i këtij dokumentacioni shërben për gjetjen e familjeve të përshtatshme, për të përballuar nevojat e fëmijës.

2. Dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet përmban:
a) certifikatën e lindjes;
b) raportin për gjendjen psikologjike, fizike dhe sociale të tij;
c) raportin për gjendjen shëndetësore ekzistuese dhe historikun mjekësor;
ç) mendimin e fëmijës, nëse ai ka mbushur 10 vjeç, duke pasur parasysh aftësinë e tij për të arsyetuar. Kur fëmija ka mbushur moshën 12 vjeç paraqitet pëlqimi i vet;
d) certifikatat e prindërve të tij biologjikë, nëse ata njihen;
dh) raportin me të dhëna mbi historikun mjekësor të prindërve, nëse ato dihen, informacion për shtatzaninë dhe lindjen;
e) deklaratën me shkrim të prindit biologjik për pëlqimin ose vendimin gjyqësor, që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;
ë) historikun e kalimit në kujdestari të fëmijës, nëse ka dhe të dhëna për kushtet në të cilat ka jetuar;
f) hollësi rreth jetës dhe zakoneve të tij.

3. Data e lëshimit të raportit, sipas shkronjave “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni, duhet të jetë jo më parë se dy javë nga data e dorëzimit në Komitet e dokumentacionit për birësim.

KREU IV – PROCEDURAT E BIRËSIMIT

Neni 23 – Përparësia në birësim

1. Sekretariati ekzekutiv, për fëmijën, emri i të cilit është në listat e tij, propozon një familje birësuese shqiptare të përshtatshme.
Nëse kjo nuk është e mundur dhe kur emri i fëmijës ka qenë në listat e Komitetit që prej 6 muajve, aplikant birësues mund të jetë edhe një familje e huaj.

2. Në raste të veçanta, kur nga plotësimi i afatit të sipërpërmendur mund të dëmtohet shëndeti i fëmijës, nisur nga interesi më i lartë i tij, Komiteti mund të japë pëlqimin për birësim edhe pa u përmbushur ky afat, duke e motivuar këtë pëlqim.

Neni 24 – Shqyrtimi nga këshilli drejtues

Dokumentacioni i përgatitur nga aplikanti birësues për procedurën e birësimit të fëmijës dhe dokumentacioni i fëmijës që do të birësohet, i propozuar nga sekretariati ekzekutiv, shqyrtohet nga këshilli drejtues, i cili:

a) vendos nëse aplikanti birësues është i përshtatshëm ose jo për të birësuar;

b) jep pëlqimin me shkrim për birësimin e fëmijës nga aplikanti birësues.

Neni 25 – Periudha e provës

1. Me dhënien e pëlqimit për çdo birësim, me propozimin e sekretariatit ekzekutiv, këshilli drejtues përcakton periudhën e provës, e cila nuk mund të jetë më shumë se 3 muaj.

2. Në përfundim të periudhës së provës, sekretariati ekzekutiv përgatit raportin për përshtatshmërinë e aplikantëve birësues me fëmijën dhe dokumentacionin e përgatitur ia dërgon gjykatës.

3. Në rast se aplikantët birësues e kanë pasur fëmijën në kujdestari familjare për një periudhë më të gjatë se tre muaj dhe vërtetohet se kjo marrëdhënie ka qenë afektive, periudha e provës nuk është e domosdoshme.

Neni 26 – Përmbajtja e dokumentacionit

Dosja që i dërgohet gjykatës nga Komiteti përmban:
a) dokumentacionin e përgatitur për aplikantin birësues;
b) dokumentacionin e përgatitur për fëmijën që do të birësohet;
c) vendimin për përshtatshmërinë e aplikantëve;
ç) pëlqimin e këshillit drejtues për birësimin e fëmijës nga aplikantët;
d) raportin e përshtatshmërisë së aplikantit me fëmijën.

KREU V – BIRËSIMI NDËRVENDAS

Neni 27 – Kushtet

Për birësimet ndërvendase, që do të shpallen në Republikën e Shqipërisë, këshilli drejtues i Komitetit verifikon:

a) vlefshmërinë e dokumentacionit të aplikantëve birësues;

b) miratimin, nga organi kompetent i huaj, i përshtatshmërisë së aplikantëve birësues;

c) dokumentacionin e plotë dhe të saktë të aplikantëve;

ç) përputhjen e parimeve të legjislacionit shqiptar me atë të shtetit të birësuesit;

d) bashkëpunimin me autoritetet e vendit pritës, që birësimi të mos dështojë dhe fëmija të autorizohet të hyjë për të banuar përgjithmonë në shtetin pritës.

Neni 28 – Dokumentacioni plotësues

Në birësimin ndërvendas, veç dokumenteve të parashikuara në nenin 27 të këtij ligji, Komiteti i dërgon gjykatës:

a) vërtetimin se fëmija nuk ka pasur mundësi të birësohet në Shqipëri për një afat prej 6 muajsh, me përjashtimin e parashikuar në pikën 2 të nenit 23 të këtij ligji;

b) vërtetimin se në vendin e aplikantëve fëmija do të gëzojë të njëjtat të drejta si në Shqipëri dhe se birësimi është i parevokueshëm.

Neni 29 – Birësimi i fëmijës rezident jashtë vendit

Mund të birësohen nga shtetas shqiptarë ose rezidentë të huaj në Shqipëri fëmijë, shqiptarë ose të huaj, rezidentë në shtete të tjera, që e kanë ratifikuar Konventën e Hagës ose kanë lidhur marrëveshje dypalëshe me autoritetet kompetente apo agjencitë, në përputhje me parimet e kësaj konvente, me kusht që:

a) fëmija të jetë deklaruar i birësueshëm nga organi kompetent i huaj dhe të jenë ndërprerë marrëdhëniet prindër-fëmijë;

b) të jetë dhënë autorizimi ose pëlqimi i nevojshëm nga autoriteti qendror i huaj ose nga ndonjë organ tjetër që barazohet me të.

Neni 30 – Procedura e birësimit ndërvendas

Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë të huaj ose shqiptarë, rezidentë jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet t’i drejtohen Komitetit me kërkesë, së cilës t’i bashkëlidhin të gjithë dokumentacionin e parashikuar në nenin 18 të këtij ligji.

Këshilli drejtues, pasi verifikon nëse ekzistojnë kushtet, vendos për:

a) përshtatshmërinë e aplikantëve birësues, duke pasur parasysh të gjithë informacionin për identitetin e tyre, për familjen, gjendjen shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndryshimet kulturore ose fetare të fëmijës;

b) dërgimin tek autoriteti kompetent i huaj të dokumentacionit, të vendimit të përshtatshmërisë dhe të karakteristikave të fëmijës, që aplikanti dëshiron të birësojë.

Neni 31 – Njohja e vendimit të huaj

Birësimi i shpallur në një vend të huaj, me kërkesën e shtetasve shqiptarë, do të prodhojë pasoja juridike në Republikën e Shqipërisë nëse gjykata, në bazë të vërtetimit të lëshuar nga Komiteti, vëren se janë zbatuar kriteret e parashikuara në nenin 4 të Konventës së Hagës dhe parimet e legjislacionit shqiptar në fuqi.

KREU VI – AGJENCITË NDËRMJETËSUESE

Neni 32 – Fusha e veprimtarisë

1. Agjencitë ndërmjetësuese ushtrojnë veprimtarinë e tyre ndërmjet Komitetit dhe autoriteteve kompetente të huaja në birësimet ndërvendase.

2. Agjencitë ndërmjetësuese mund të jenë vendase ose të huaja.

3. Veprimtaria e tyre rregullohet me këtë ligj.

Neni 33 – Agjencitë ndërmjetësuese në fushën e birësimit

1. Agjencitë ndërmjetësuese vendase licencohen nga Komiteti për një afat dyvjeçar, duke përcaktuar territorin dhe shtetet, për të cilat do të ndërmjetësojnë.

2. Agjencitë ndërmjetësuese të huaja njihen dhe miratohen nga Komiteti për një afat dyvjeçar, për ushtrimin e veprimtarisë në këtë fushë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

3. Agjencitë ndërmjetësuese, vendase ose të huaja, duhet:
a) të ndjekin vetëm qëllime jofitimprurëse, sipas kushteve të përcaktuara nga Komiteti;

b) të drejtohen dhe të kenë një personel me integritet moral dhe të kualifikuar në fushën e birësimit, me punonjës socialë, psikologë dhe juristë;

c) të sigurojnë një administrim kontabël, transparent, për kostot e domosdoshme për realizimin e procedurës së birësimit;

ç) të mos paragjykojnë dhe të mos diskriminojnë aplikantët birësues, pavarësisht nga raca, origjina apo bindjet e tyre fetare.

Neni 34 – Detyrat e agjencive ndërmjetësuese

Agjencitë ndërmjetësuese kryejnë këto detyra:

a) përgatisin dokumentacionin dhe studimin e aplikantëve birësues për birësimet ndërvendase dhe ia paraqesin atë Komitetit;

b) realizojnë këshillime për aplikantët birësues për birësimin dhe pasojat e tij, si dhe i informojnë ata për të drejtat dhe detyrimet e tyre;

c) ndjekin procedurën e birësimit pas marrjes së vendimit të përshtatshmërisë, të dhënë nga Komiteti, duke ia dërguar të gjithë dokumentacionin autoriteteve ose agjencive kompetente të vendeve me të cilat kanë marrëdhënie;

ç) marrin nga autoriteti i huaj propozimin për realizimin e takimit ndërmjet aplikantëve për birësim dhe fëmijës që do të birësohet. Gjatë takimit duhet të paraqiten të gjitha informacionet e nevojshme për gjendjen shëndetësore të fëmijës, familjen biologjike dhe për përvojat e tij të jetës;

d) u japin shtetasve shqiptarë informacionin e nevojshëm për fëmijën që do të birësojnë;

dh) realizojnë takimin ndërmjet aplikantit birësues dhe fëmijës që do të birësohet, duke ndërmjetësuar në këtë veprimtari;

e) informojnë me shkrim Komitetin për rezultatin e takimit;

ë) përgatisin raportin pas birësimit dhe japin informacione të hollësishme edhe për birësime të veçanta;

f) ndërmjetësojnë për transferimin e fëmijës nga vendi i origjinës në vendin pritës dhe ndjekin procedurën për njohjen e vendimit.

Neni 35 – Mbarimi i veprimtarisë së agjencisë

Veprimtaria e agjencisë ndërmjetësuese mbaron:
a) kur mbaron afati, për të cilin është dhënë licenca ose miratimi;
b) kur hiqet licenca ose miratimi, për shkak se ka shkelur kërkesat e ligjit ose kur kërkohet nga vetë agjencia;
c) kur ka kryer vepër penale;
ç) kur shteti i huaj i ka hequr autorizimin si agjenci ndërmjetësuese.

KREU VII – ADMINISTRIMI I DOKUMENTACIONIT DHE DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 36 – Mbrojtja e të dhënave

1. Komiteti dhe agjencitë ndërmjetësuese marrin masa organizative dhe teknike të domosdoshme për mbrojtjen e të dhënave personale në dokumentacionin birësues, në përputhje me kërkesat e ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

2. Punonjësit publikë dhe privatë që për shkak të detyrës kanë informacion për birësimin, detyrohen të ruajnë sekretin për të dhënat që kanë të bëjnë me fëmijën, prindërit biologjikë dhe birësuesit.

Neni 37 – E drejta për informim

1. Prindërit birësues dhe i birësuari, që ka arritur moshën madhore, mund t’i kërkojnë Komitetit të dhëna për origjinën e të birësuarit dhe historinë e tij.

2. Ky informacion mund të kufizohet ose të refuzohet në raste të veçanta, kur ka arsye se prej tij vijnë pasoja të rënda.

Neni 38 – Dispozitë kalimtare

Punonjësit ekzistues, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji punojnë në vende pune që vlerësohen si pjesë e shërbimit civil, janë nëpunës në periudhë prove tremujore dhe për ta zbatohen përcaktimet e bëra në nenin 14 të ligjit nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.

Neni 39 – Shfuqizime

Ligji nr.7650, datë 17.12.1992 “Për birësimin e të miturve nga shtetas të huaj dhe për disa ndryshime në Kodin e Familjes”, si dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

Neni 40 – Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5245, datë 30.3.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here