Ligji i amnistisë për banesat, zgjatet afati deri në 31 gusht

Ligji i amnistisë për legalizimin e banesave, do të shtyhet deri më 31 gusht. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha tha se ka një fluks të madh në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, rreth 800 aplikime në ditë, e cila sipas tij, është e papërballueshme. Ndërsa lidhur me biznesin nuk do të ketë më zgjatje të afatit të amnistisë. “Kjo amnisti, pati një rezultat të shkëlqyer për individët. Vetëm në muajin janar-shkrut me zgjatjen që bëmë, kanë përfituar rreth 20 mijë qytetarë. Ndodhë që gjatë 2 javëve të fundit, për fat të keq sërish ka radhë të mëdha në zyrat e regjistrimit të pasurive, janë 800 aplikime në ditë, të cilat janë të papërballueshme. Unë mendoj që ministria e Financave, vetëm për zërin banesa, të zgjasë afatin deri në datën 31 gusht, në mënyrë që edhe emigrantët që vijnë të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre. Kjo kërkesë bëhet e domosodshme nga fluksi i madh që është në zyrat e regjistrimit të pasurive, mendoj që për banesat meqenëse korriku dhe gushti janë muaj që emigrantët kanë mundësi të vijnë me leje, lidhur me biznesin nuk do të ketë më zgjatje. Është një arsye burokratike që po e zgjasim për banesat dhe kemi të bëjmë me qytetarin, por bizensi ka pasur të gjithë kohën për të bërë legalizimin”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.