Ligji i lustracionit, shoqëria civile paraqet p/ligjin alternativ për dosjet

Meksi: Dosjet u zhdukën, regjistrat e spiunëve në MB

Shoqëria civile ka bërë publik dje, një projektligj alternativ të hartuar për Pastërtinë e Figurave të Funksionarëve të Lartë të Administratës Publike dhe Deputetëve. Sipas këtij drafti, do të jetë Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili do të ketë të drejtën e hapjes së dosjeve. Ky autoritet do të përbëhet nga pesë anëtarë, dy prej të cilëve do të zgjidhen nga dy grupet më të mëdha parlamentare dhe të tjerët nga Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave dhe Avokati i Popullit. Ata zyrtarë që rezultojnë të regjistruar në memorien e shërbimeve sekrete dhe do të pranojnë dorëheqjen nga posti që mbajnë, sipas këtij projektligji dosja e tyre do të qëndrojë konfidenciale. Një nga anëtaret e Komisionit të Hetimit të këtij ligji ish-Kryeministri Aleksandër Meksi u shpreh se ka ardhur koha për transparencë, megjithëse u tregua skeptik për kalimin e tij në parlament. Sipas Meksit, këtij projektligji mund t’i bëhen ndryshime nga disa prej ligjvënësve për shkak se atyre nuk do t’u pëlqente, duke lënë të kuptohet se njihte disa prej tyre që më parë kishin qenë pjesë e rrjetit informativ, si bashkëpunëtorë, drejtues të sigurimit të shtetit, apo edhe politikë-bërës të diktaturës. “Unë them se do të jetë e vështirë që të kalojë në Parlament. Njerëzit duhet të kenë të drejtën të mund të dinë çfarë ka ndodhur. Tek ne është krijuar një institut me shkencëtarë të emëruar, njëlloj si në kohën e komunizmit”,- tha Meksi. Ish-Kryeministri hedh akuza të forta për zhdukjen e dosjeve të sigurimit të Shtetit nga vitet 1944-1991. Ai thotë se ekzistojnë brumatriçet për zhdukjen e gjurmëve të spiunëve, por shton se regjistrat janë ende në arkivat e Ministrisë së Brendshme për të zbardhur të vërtetën. “Kamionët që dilnin nga bodrumet, nga bunkerët e Ministrisë së Brendshme dhe thuhej që ka brumatriçe, nuk është e vërtetë. Janë zhdukur, dhe janë zhdukur pjesa më e madhe e dokumentacionit të dosjeve në kundërshtim me rregulloren për ruajtjen e dokumenteve të arkivit të Ministrisë së Brendshme”,- thotë Aleksandër Meksi, ish-Kryeministër i Shqipërisë. “Ideja e zhdukjes është një ide, nuk do të na lërë mundësinë që ne të kemi shumë gjëra konkrete në dorë dhe shumë fakte do të humbim. Por ama nuk do të justifikojmë zhdukjen për të thënë që ne nuk do merremi me çështjen e dosjeve”,- thotë Elsa Ballauri, Kryetare e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri. Në nenin 13 të draftit të ri citohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të regjistrojë kandidatët për deputetë të partive politike në rast se ata rezultojnë me dosje. Përjashtim, në këtë rast, do të kenë vetëm kandidatët e pavarur, të cilëve paralelisht do t’u publikohet edhe e kaluara e tyre. Projekti prej 31 nenesh parashikon që të jetë Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili do të ketë të drejtën e hapjes së dosjeve

Comments are closed.