Në Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Gaza është rënduar bilanci i palestinezëve të plagosur në përplasjet me repartet ushtarake izraelite.

Nga burime mjekësore palestineze mësohet se deri tani janë 114 të lënduar që kanë patur nevojë për ndihmë mjekësore pasi janë plagosur nga armë zjarri, plumba prej gome, ose janë asfiksuar nga gazi lotësjellës.

Ndërkohë, dy raketa janë qëlluar nga veriu i Gazës drejt Izraelit. Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës ushtarak izraelit, sipas të cilit të dyja raketat kanë rënë në enklavat palestineze.

Në zonën izraelitë përreth Rripit të Gazës pak më parë kishin rënë sirenat e alarmit dhe popullsia ishte strehuar nëpër bodrume.

Ndërkohë, lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, në një fjalim të televiziv ka bërë thirrje për “intifadë”, siç njihet në gjuhën lokale lufta kundër pushtuesve.

“Bëjmë apel për një intifadë të re kundër pushtimit dhe kundër armikut hebre. Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit është një deklaratë për luftë ndaj nesh”, ka thënë Haniyeh.