Liqeni Artificial, drejt tharjes

Vëzhgim/ Niveli i ujit në Liqenin Artificial vazhdon të jetë i ulët

Plan-masat e bashkisë – kthimi i liqenit në park kombëtar – ende asnjë rezultat. Qytetarët, të shqetësuar për humbjen e parkut të tyre të vetëm

Liqeni Artificial i Tiranës vazhdon të jetë në një gjendje tejet të mjeruar. Ndonëse konsiderohet si mushkëria e vetme e kryeqytetit, ai po e humb dita-ditës shkëlqimin, pasi rrezikon vërtet të zhduket. Me rritjen e temperaturave, është rritur dhe mundësia e tharjes së tij. Ndonëse numri i vizitorëve që shkojnë në ambientet e këtij liqeni për të shëtitur nuk është i vogël, pamja që të ofron ai është shumë e vakët. Lidhur me këtë problem, gazeta “Republika” ka bërë një vëzhgim për sa i takon situatës, në të cilën ndodhet ky liqen, i cili mbetet i vetmi vend që të ofron qetësi dhe pak ajër të pastër. Ndonëse me kalimin e viteve, ambienti në këtë zonë është tjetërsuar, ai vazhdon të jetë i populluar nga njerëzit, nga vizitorët e tij, të cilët, në të shumtën e rasteve, janë të përhershëm.

 

Ulet dita-ditës niveli i ujit

Pamja që të ofron tashmë liqeni është tejet e zymtë dhe e frikshme njëkohësisht, pasi ai, dita-ditës, sa vjen dhe i largohet bregut. Uji i këtij liqeni vazhdon të rezultojë i ndotur. Madje, shqetësues mbetet fakti që niveli i ujit është ulur akoma më shumë. “Edhe pse këtu nuk janë kushtet e mira, siç mund të jetë gjelbërimi, ne i sjellim çdo ditë fëmijët tanë këtu, për ajër më të pastër. Po çuditemi me këtë fenomenin e shterimit të ujit të liqenit, është një problem që na shqetëson dhe shpresojmë që të gjenden zgjidhje sa më shpejt”. Kështu shprehet një qytetare e Tiranës, vizitore e rregullt e kësaj zone. Ndonëse bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për kthimin e liqenit në fazën e dikurshme, gjendja vazhdon të mbetet problematike. Aksioni i policisë bashkiake bëri të mundur ndërprerjen e marrjes së ujit nga subjektet private në liqen dhe ndalimin e shkarkimit të ujërave të zeza në të. Situata është përmirësuar disi, por ende mbetet shumë për t’u bërë për rehabilitimin dhe sjelljen në formë të mirë të Liqenit Artificial. Kështu, nga vëzhgimet e kryera, rezulton se pompat e ujit që punonin më parë në bregun e liqenit janë hequr. Ato ishin vendosur nga subjektet private, të cilat përdornin ujin e liqenit për arsye personale.

 

Shqetësohen frekuentuesit e kësaj zone

E vetmja hapësirë e gjelbër që i ka mbetur Tiranës, tani ndodhet në rrezik. Lidhur me këtë problem, ata që shqetësohen më tepër janë vetë banorët e kryeqytetit. “Nuk do të ishte e keqe mosekzistenca e parkut të Liqenit Artificial, por do të ishte katastrofike. Ky vend është e vetmja hapësirë, ku ne mund të marrim frymë lirshëm, të paktën duke e krahasuar me vendet e tjera të qytetit. Ne shpresojmë për një rikonstruksion të tij, por, me sa po shohim, degradimi i tij, tashmë ka nisur. Nuk është normale të shkosh të thithësh ajër të ndotur dhe erë të pakëndshme në një vend që quhet park i gjelbër. Kjo ndodh vetëm në Tiranë”. Kështu shprehet një banore e Tiranës, vizitore e rregullt e liqenit.

 

Liqeni, me pamjen e një kënete

Ndonëse bashkia e Tiranës mori një sërë masash për sa i takon ndalimit të shkarkimit të ujërave të zeza në ujërat e liqenit, ende situata në këtë vend është e keqe. Edhe pse ende qytetarët vijojnë të frekuentojnë kodrat e liqenit për ajrin e pastër, si dhe ambientet çlodhëse të parkut, shëtitjet në bregun e liqenit, thuajse janë fshirë nga tradita e vjetër e shëtitjeve tek liqeni. Një liqen që duket më shumë si kënetë nuk të ofron aspak kënaqësinë dhe çlodhjen që ai ka ofruar dikur. Ky liqen që dikur përdorej për shëtitje me varka si dhe banja dielli, tashmë të përngjan me një vendgrumbullim të ujërave të zeza. Nëse duam që të mos e humbasim këtë pasuri të qytetarëve të Tiranës, është koha që dikush të kujtohet për kujdesin ndaj kësaj pasurie.

 

Vendi më i përshtatshëm për sportdashësit

Një ndër funksionet më të zakonshme që kryen Liqeni Artificial i Tiranës, është përdorimi i tij si zonë vrapi. Por nga ajo çka ka mbetur në këtë park, qytetarët e kryeqytetit nuk kanë shumë për të zgjedhur. Megjithatë, përpos të gjitha problemeve që ka kjo zonë, Liqeni Artificial mbetet edhe vendi më i populluar, si për stinën e verës, edhe për atë të dimrit. Në këtë zonë mund të shohësh njerëz të grupmoshave të ndryshme, duke nisur nga fëmijët e vegjël e deri tek moshat e treta. Madje, kjo zonë shërben për një sërë funksionesh, siç janë vrapimi, luajta me top, etj. Kudo të zë syri grumbuj njerëzish që luajnë tavull, organizojnë piknik me familjet e tyre. Kjo, pasi njerëzit këtu gjejnë qetësinë e munguar në zonat e mbipopulluara të kryeqytetit. Përgjatë kodrave të Liqenit mund të argëtohesh mjaft mirë, edhe pa ndonjë kosto të madhe. Mjafton që secili prej nesh të ketë vullnet për të ecur drejt këtij vendi dhe koha mund të kalojë fare mirë pa u kuptuar. Ndërkohë, edhe pse kushtet, në të cilat ndodhet Liqeni Artificial i Tiranës, nuk janë shumë të favorshme, ai vazhdon të ketë vizitorët e tij të përhershëm dhe të rinj – ai ende nuk e ka humbur madhështinë e tij.

 

 

Comments are closed.