Liria e medias, Wollfarth: Nuk duhet të menaxhohen nga shteti

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, vërejti se në Shqipëri ka një marrëdhënie mes biznesmenëve dhe njerëzve të medias, të cilat automatikisht mund të dërgojnë në kufizimin e lirisë editoriale. “Shohim sot, në Shqipëri, shumë biznese mediatike, që zotërohen pjesërisht ose plotësisht nga njerëz të botës së biznesit, të cilët, paralelisht, kanë interesa në sektorë të tjerë. Sidoqoftë, kur njerëzit e biznesit, të cilët janë pronarë apo menaxherë të bizneseve mediatike, kanë marrëdhënie të mira me politikanët, ato marrëdhënie mund të sjellin në mënyrë të pashmangshme kufizime të lirisë editoriale. Në të njëjtën kohë, duhet të ketë një ndërgjegjësim që mediat asnjëherë nuk duhet të zotërohen, drejtohen apo menaxhohen në mënyrë direkte dhe as indirekte, nga organet e shtetit ose qeverisë”,- deklaroi Wollfarth gjatë fjalës së tij në diskutimin të mbajtur sot në një Universitet privat me temë “Roli i medias në nxitjen e reformave demokratike. Për të luftuar fenomenin, Ambasadori Wollfarth, duke kujtuar përvojën perëndimore shprehet se mediat duhet të ketë organet e saj vetërregulluese. “Në shumicën e shteteve perëndimore, të qeverisura nga sisteme shumëpartiake, vetë mediat kanë ngritur struktura vetërregulluese. Dhe unë do të dëshiroja të shihja struktura të ngjashme të funksiononin në mënyrë më efikase në Shqipëri, e cila në këtë kontekst, kuptojmë se ka ende shumë rrugë për të bërë”,- nënvizoi Wollfarth. Ambasadori u shpreh se OSBE do të vijojë kontributin në rishikimin e projektligjit të medias elektronike në Shqipëri, i cili ka ndihmuar në përmirësimin e ligjit sipas standardeve evropiane.

Comments are closed.