LSI: “Podesta” manipuloi, lobon për Berishën

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje në lidhje me lajmin e përhapur në media për manipulimin e deklaratës së zyrtarit të lartë amerikan, Jonathan Moore, nga ana e kompanisë lobuese “Podesta Group”, e kontraktuar nga qeveria shqiptare për përmirësimin e imazhit të saj ndërkombëtar. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, Ralf Gjoni akuzoi kompaninë lobuese për manipulimin e opinionit publik ndërkombëtar, në favor të kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike. “Pavarësisht korrigjimit të mëvonshëm nga ‘Grupi Podesta’ të deklaratës për shtyp, pas shprehjes së shqetësimit nga Tirana, kemi arsye të forta të besojmë se ky ishte një manipulim i qëllimshëm nga kompania e lobimit për të keqinformuar opinionin publik ndërkombëtar”,- u shpreh Gjoni.  Sipas Gjonit, “kompania e lobimit paguhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ndërkohë në disa raste është angazhuar qëllimisht në përfaqësimin e interesave të ngushta të Partisë Demokratike, duke futur hundët në çështje tërësisht të brendshme të funksionimit të demokracisë shqiptare, duke ndërhyrë në çështje teknike dhe ligjore të institucioneve shqiptare, dhe duke lobuar hapur në interes të kundërt me pavarësinë, integritetin dhe ligjshmërinë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. LSI bën të ditur se do të ndërmarrë të gjitha hapat politikë dhe ligjorë për të komunikuar me autoritetet më të larta të SHBA, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë, për të vënë në dukje atë që e konsideron si keqpërfaqësim të interesave të shqiptarëve, dhe keqpërdorim të parave të tyre, nga kompania lobuese “Podesta”.