LSI, shqetësim për ritmin e reformës zgjedhore

Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur shqetësim për ritmet me të cilat është duke ecur reforma zgjedhore. Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama theksoi se të dyja partitë kanë përgjegjësinë që të korrigjojnë gabimet e se shkuarës. “LSI-ja shpreh shqetësimin që reforma zgjedhore nuk po ecën me ritmet që kërkon serioziteti i këtij procesi dhe tërheq vëmendjen që procesi i mbyllur i reformës zgjedhore nuk po reflekton përgjegjshmëri dhe seriozitet për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që në parimin janë pranuar nga të gjitha palët por kur duhet të bëhen reflektime këtu procesi çalon. Dy partitë që kanë monopolin e deformimit të sistemit dhe kanë përgjegjësi për atë që kanë bërë nuk kanë vullnet për të ndrequr gabimin”, ka theksuar Luan Rama. LSI-ja insiston gjithashtu që palët të ngrihen mbi interesat partiake dhe ta vendosin gjithë procesin e reformave në ritmin që kërkon garantimi i barazisë së votës. Ndër të tjera në këtë deklaratë për shtyp, sekretari i LSI ka komentuar edhe debatet që janë bërë kohët e fundit për ndërhyrje në sistemin zgjedhor duke dhënë edhe opsionet që sipas LSI-së do të ishin një zgjidhje. “LSI-ja propozon që mund të ndërhyjet në ndarjen e zonave zgjedhore dhe është zgjidhja më e mirë e mundshme për të evituar diskriminimin e votës dhe numri 6 është më i favorshmi”, ka theksuar më tej Luan Rama, duke shtuar se reforma zgjedhore nuk është një çështje partish apo çështje mbipartiake por shpreh thelbin e zgjedhjeve. Luan Rama nënvizon se PD-ja dhe PS-ja duhet ta lidhin ngushtë reformën zgjedhore me interesat europiane të vendit dhe detyrimin për të pëmbushur kushtet që Shqipëria të fitoj statusin e vendit kandidat.

Comments are closed.