Lufta kundër korrupsionit, ILDKP marrëveshje bashkëpunimi me Avokatin e Popullit

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Avokati i Popullit nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve, për luftën kundër korrupsionit. Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nëpërmjet kësaj marrëveshjeje kanë si qëllim të përbashkët forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, krimit ekonomik, konfliktit të interesave, veprimeve që cënojnë mirëfunksionimin e administratës publike dhe në të njëjtën kohë mbrojtjen e interesave të individit. Në fjalën e tij, pas firmosjes së marrëveshjes, Igli Totozani u shpreh se Avokati i Popullit ka detyrim kushtetues të mbrojë të drejtat e qytetarëve shqipëtarë nga veprimet e paligjshme të administratës publike. “Korrupsioni dëmton të drejtat e qytetarëve ndaj institucioni ynë ka objektiv madhor luftën kundër korrupsionit. Falenderoj zotin Llalla, pasi kjo marrëveshje vjen me iniciativë të tij. Kjo është marrëveshja e parë e institucionit të Avokatit të Popullit me një institucion të rëndësishëm, e cila i hap rrugë dhe shumë marrëveshjeve të tjera”, u shpreh Totozani. Ndërsa, Adriatik Llalla, Inspektor i Përgjithshëm i ILDKP-së gjatë fjalës së tij u shpreh se është kënaqësi që ka gjetur mirëkuptimin e Avokatit të Popullit për luftën e përbashkët kundër korrupsionit. Llalla shtoi më tej se falenderon Avokatin e Popullit që vlerëson ILDKP-në dhe bashkëpunon për arritjen e rezultateve pozitive. “Së bashku, institucioni i ILDKP dhe Avokati i Populit do rrisin besimin dhe luftën kundër korrupsionit”, nënvizoi Lalla.

 

Comments are closed.