Categories
Aktualitet

Laç / Luftë me armë zjarri mes Policisë dhe të kërkuarit

Të shtëna me armë janë shënuar mbrëmjen e sotme në Laç.

Sipas të dhënave të para, efektivët e policisë janë duke zhvilluar një aksion për kapjen e një personi në kërkim. Në vrazhdën e aksionit, ka pasur shkëmbi zjarri mes efektivëve dhe personit në kërkim, Markel Bushi.

Mësohet se ka qenë ky i fundit që ka qëlluar drejt Policisë e më pas efektivët i janë përgjigjur me zjarr.

Aksioni vijon për kapjen e Bushit, në kërkim për një grabitje të ndodhur 5 vite më parë, gjatë së cilës u shënuar edhe të plagosur. Bushi, së bashku me tjetër person, tentuan të grabisnin me armë një makinë që po kthehej nga Kisha e Laçit.

Ngjarja

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, del se 23-vjeçari nga Laçi Markel Bushi është dënuar me 9 vite burg për “Vjedhje me armë”.

Nga shqyrtimi gjyqësor i akteve ka rezultuar se, më datë 01.04.2012, rreth orës 14:00, në aksin rrugor “Kisha e Shënandout” në qytetin e Laçit, sipër varrezave të qytetit, deklaruesja Megi Drapni ndërsa ka qenë duke zbritur rrugës përgjatë këtij aksi me mjetin tip “Benz”, me targë 255 CBN, përpara i kanë dalë dy të pandehurit Markel Bushi dhe Danjel Shyti, të armatosur dhe pjesërisht të maskuar, të cilët i kanë bërë shenjë të ndalonte mjetin.

Në këtë situatë, drejtuesja e mjetit, e frikësuar, fillimisht ka ulur shpejtësinë për ta shtuar atë më pas dhe ka arritur t’ju largohej personave të armatosur, por pikërisht në këtë kohë të pandehurit kanë qëlluar në drejtim të automjetit.

Predhat e qitura nga armët kanë goditur automjetin në pjesën e pasme të tij në derën e bagazhit dhe në njërën prej gomave të tij. Si pasojë e goditjeve me armë zjarri ka mbetur e plagosur shtetasja Blerta Islamaj, pasagjere në automjet.

Pas ngjarjes, Megi Drapni ka shkuar deri në qendrën e qytetit të Laçit, ku e ndihmuar nga kalimtarë të rastit, ka shkuar në spital. Si ka marrë ndihmën e parë mjekësore, e dëmtuara Blerta Islamaj është dërguar për ndihmë më të kualifikuar mjekësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në vendngjarje, forcat e policisë kanë gjetur dhe më pas sekuestruar në cilësinë provës materiale 4 gëzhoja, model 56 kalibër 7.62 mm, si dhe pjesë të tjera të mbetura nga qitja si bërthamë dhe copë këmishe predhe, pjesë të automjetit të dëmtuar.

Është realizuar këqyrja e automjetit ku konstatohen vendet e dëmtimit të automjetit kryesisht në pjesën e pasme. Sipas aktit të mjekoligjorëve ka rezultuar se në trupin e shtetases Blerta Islamaj konstatohet plagë me armë zjarri në anën e djathtë të gjoksit, plagë me armë zjarri në parakrahun e majtë, e shoqëruar me dëmtim të enës së gjakut dhe të nervit, plagë armë zjarri në kofshë dhe kërcirin e majtë me karakteristikat e përshkruara më sipër. Këto dëmtime janë shkaktuar nga predha armë zjarri, jo nga një qitje e vetme.