Lunacek: Beogradi të heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë

Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, i bën thirrje Beogradit të heqë dorë nga vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë europarlamentarja tha se i takon edhe administratës së Kombeve të Bashkuara që vepron në Kosovë tu bëjë të qartë serbëve se nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale. “Është e qartë që zgjedhjet lokale nuk bën të mbahen atje dhe jam e sigurt që UNMIK-u do tua bëjë këtë të qartë serbëve, ndërsa shpresoj që serbët ta kuptojnë këtë”, u shpreh ajo. Lunacek tha se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, shteti serb do të vepronte në kundërshtim me marrëveshjet e arritura me BE-në. Eurodeputetja theksoi se Beogradi do të rrezikonte marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE, nëse zbaton vendimin e së martës. “Nëse e bëjnë këtë atëherë mendoj se do të kenë probleme në marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe vendimi për këtë çështje do të shtyhej më tej”, theksoi Lunacek. Serbia vendosi, ditë më parë, që bazuar në kushtetutën e vendit, ku Kosova cilësohet të jetë ende pjesë përbërëse e Serbisë, zgjedhjet lokale të mbahen në Kosovë. Nga procesi zgjedhor thuhet se do të përjashtoheshin Prishtina, Peja, Leposaviqi, Mitrovica dhe Novobërda, për shkak se në këto komuna, siç thuhet, pushtetet lokale kanë ende mandat.

Comments are closed.