Biblioteka Rrëshen / Magjia e punës me librin

Rreth punës së kualifikuar të Bardhe Markut në bibliotekën e Rrëshenit

Ka qenë një zakon imi i kahershëm që sapo shkoja në një qytet, të kërkoja ndonjë librari, pasi vetëm duke soditur librat, ndjeja kënaqësi dhe qetësi. Kështu veprova edhe këto ditë kur shkova në qytetin e Rrëshenit. Në fakt, librari nuk gjeta, por një miku im i mirë, piktori i mirënjohur, Pjetër Marku, më rekomandoi të vizitoja Bibliotekën Publike të këtij qyteti. U nisa drejt ndërtesës se saj. Një ambient i rregullt, i pastër dhe i sistemuar për t’u pasur zili. Çdo gjë në vendin e vet. Skedarë të plotësuar dhe shumë funksionalë, libra të sistemuara, të rregulluara dhe të skeduara që ta kishte enda ti ndiqje me sy. Unë si dashamirës i librit isha kurajoz të mësoja diçka nga puna e punonjësve të kësaj biblioteke të pasur dhe shumë funksionale. Këtë kuriozitet ma shoi drejtuesja e bibliotekës, znj. Bardhe Marku, një grua me intelekt, e gjallë, e shkathët dhe shumë e komunikueshme. Ajo ishte e kudondodhur dhe në moment të servirte atë çfarë kërkoje. E kryente punën me pasion dhe me dëshirë, sepse veç shkollës së lartë ishte specializuar në fushën e punës me librin. Ajo, veç informacioneve që na jep për punën dhe aktivitetin e bibliotekës ndër vite, na njeh edhe me një botim të rrallë të sajin, dalë nga shtypi kohët e fundit dhe titulluar “Në gjurmët e bibliotekës publike “Gjon Gazulli” Rrëshën”, përmes të cilit lexuesi njihet me historinë, veprimtaritë, punën për pasurimin, marrëdhëniet me institucionet e tjera dhe planet për të ardhmen e bibliotekës publike në qytetin artdashës të Rrëshenit. Duke u kthyer prapa në vite, mësojmë se në vitin 1963, në një ndërtesë të vogël njëkatëshe, u themelua Biblioteka e Rrëshenit, që aso kohe ishte në vartësi të Pallatit të Kulturës së rrethit drejtues i së cilës ishte Mehmet Borova, një muzikant i talentuar, qe punoi shumë për ta pasuruar këtë bibliotekë, megjithëse vështirësitë ishin prezente dhe fondet mjaft të pakta. Qyteti i Rrëshenit, asokohe ishte qytet industrial me një numër jo të vogël banorësh, prandaj edhe ky institucion kulturor nuk i plotësonte nevojat e lexuesve, as si tituj dhe as si shërbime. Vetëm në vitin 1974, u arrit të bëhej skedimi dhe inventarizimi i bibliotekës dhe të niste funksionimi sipas skedarëve dhe kartelave të lexuesit. Në vitin 2002 vjen drejtuese e kësaj biblioteke Bardhe Marku dhe tërë puna në këtë bibliotekë vihet mbi baza profesionale dhe shkencore.

Biblioteka e Rrëshenit ka në fondin e saj mbi 70. 000 ekzemplarë dhe libra të gjinive të ndryshme, në këtë institucion veç drejtueses punon edhe Marte Lleshi, me një përvojë pune 25-vjeçare me librin. Kjo është një pasuri e paçmueshme në lëmin e kulturës e siguruar me mund, djersë dhe sakrifica. Pasurimi i saj ka ardhur dita-ditës me botime të reja dhe të vjetra, vendase dhe të huaja. Vlen të përmendet se botimet e viteve para çlirimit janë siguruar nga mësuesi shkodran që punonte në Rrëshen, Kin Baqeli, më tej edhe mjeku i mirënjohur mirditor, Paulin Shqalësi, i dhuroi këtij institucioni bibliotekën e tij personale me një numër të konsiderueshëm botimesh. Pasurimi i kësaj biblioteke ka vazhduar ritmikisht dhe numri i kapjeve sa vjet dhe po shtohet. Kujdes është treguar edhe për pasurimin e saj me botimet për fëmijë.

Në Rrëshen funksion shtëpia botuese “Mirdita” me drejtor krijuesin e njohur mirditor, Ndue Dedaj, i cili ritmikisht i ka dhuruar kësaj biblioteke botimet e kësaj shtëpie që arrin deri në 100 tituj librash të llojeve dhe gjinive të ndryshme. Kjo është një pasuri e madhe për këtë institucion, i cili ka modifikuar një stendë të posaçme për botimet e krijuesve mirditorë. Një arritje tjetër e kësaj biblioteke është edhe sigurimi i botimeve të autorëve nga Kosova, sidomos përmes binjakëzimit me bibliotekat e qyteteve më të mëdha të këtij shteti. Sot, në bibliotekën e qytetin të Rrëshenit mund të gjesh botime të ndryshme të institucioneve shkencore në Kosovë dhe të mjaft krijuesve më në zë të kësaj treve.

Një qëllim më vete në punën e drejtueses së kësaj biblioteke, Bardhe Marku, ka qenë edhe organizimi i veprimtarive të ndryshme artistike dhe punës për propagandimin e librit. Më këtë rast, në ambientet e kësaj biblioteke janë zhvilluar mjaft veprimtari në funksion të këtij qëllimi si promovime librash, hapje ekspozitash, diskutime me krijues etj. Vlen të përmenden promovimet e librave të autorëve Ismail Kadare, Pal Doçi, Mark Tirta, Ndue Dedaj, Gjet Ndoj, Mark Lazri, Gjergj Shyti, Viktor Gjikolaj etj., apo ekspozita me libra të autorëve të Qarkut të Lezhës, si dhe ajo e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Librit. Të gjitha këto fakte tregojnë se në këtë institucion të përhapjes dhe propagandimit të vlerave të librit punohet më përkushtim, dëshirë dhe objektiva të qarta. Mjafton të themi se kjo bibliotekë u shërben 14.264 banorëve të këtij qyteti dhe vetëm për vitin 2008, numri i librave të tërhequr nga fondi i librave nga lexuesit ka qenë 21.129 copë.

Mjaftojnë këto shifra për të treguar se biblioteka e qytetit të Rrëshenit, tashmë e pagëzuar me emrin e të mirënjohurit atdhetar Gjon Gazullit duhet bërë shembull përgjithësues për të gjitha institucionet kombëtare të këtij lloji, për pasurimin, promovimin, shërbimin dhe përhapjen e vlerave kulturore dhe të punës me librin aq të domosdoshme sot në ditët tona. Duhet marrë si shembull edhe një fakt domethënës. Drejtuesja e bibliotekës, Bardhe Marku, në bashkëpunimin me bashkinë Rrëshen ka hartuar dhe shpërndarë një certifikatë mirënjohjeje, për të gjithë ata persona që dallohen në kontributin e dhënë për pasurimin e fondit të këtij institucioni. Të bien në sy emrat e të mirënjohurve Muhamet Shatri – studiues, Dr. Zymer Neziri -studiues, Prenkë Gjetaj – shkrimtar, Pjetër Geci-shkrimtar, Mentor Çuku-studiues, Prend Buzhala – kritik letrar, Gjon Jaku – botues etj. Drejtuesja e kësaj biblioteke na informon se ka hartuar një program të veçantë për festimin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit, ku janë planifikuar shumë aktivitete të ndryshme si takime me shkrimtarë të njohur, promovime librash, diskutime letrare, hapje ekspozitash dhe panairesh të librit etj. Në këto aktivitete të larmishme do të ftohen jo vetëm figura të letërsisë shqiptare, por edhe të letërsisë kosovare si dhe arbëreshe S’ka si ndodh ndryshe, sepse edhe Bardhja vjen rrjedh nga një familje intelektuale. Ajo është bashkëshortja e shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur mirditor Gjon Marku, i cili edhe banesën e tij e ka kthyer në një galeri të vërtetë arti dhe fole te përhapjes së kulturës dhe të dijes. Dhe Bardhja punon shumë me librin si elementi më i domosdoshëm i fitimit të dijes.

VLASH PRENDI

Similar Posts