|

Magjia narrative dhe dhe poetika fabuleske e një shkrimtari

Akti shkrimor i shkrimtarit nga Lushnja Kozma Gjini lidhet me prurjet e tij në gjini e lloje të ndryshme të shprehësisë estetike, ku me librat e tij në prozë e fabulisitikë, mund të thuhet se përcjell një tematikë të mprehtë dhe origjinale, çfarë i përgjigjet një gjuhë dhe një stil po aq stil origjinal. Është ky një emër që po bën emër midis dhjetëra krijuesve jo vetëm nga Lushnja por dhe më gjërë, si  prozator e fabulist, i cili në disa vëllime të tij me tregime e fabula ka përcaktuar një profil të veçantë të vetvetes, ku është vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare, për cilësinë e aktit shkrimor. Gjini ka një stil të tij, të pandikuar nga askush, ku me anë të zhbirimeve të holla groteske, alegroike e sarkastike, operon në ndërtimin e artit poetik, qoftë narrativ të mirëfilltë, qoftë fabulesk. Gjini është një kriujes që ka gjetur vetveten në shtratin shkrimor estetik, ku me mjete të thjeshta, por të freskëta dhe komunkiuese ia ka dalë të përcjellë një botë të përndezur të përditshmërisë sonë, në të gjitha shfaqjet dhe fasadat e saj. Në rreth 32 tituj të botuar, si autor më vete apo si bashkëautor, ku përfshihen përmbledhje me tregime, novela, proza sarkastike e alegorike, libra për fëmijë të karakterit didaktiko-estetik, monografi, etj., Gjini shpalos të vërtetat e kohës së tij, të vërtetat e unit në raport me jashtësinë, të vërtetat e brezave që këmbëjnë e zëvendësojnë njëri-tjetrin, një botë të përflakur dashurie, pasioni, përkushtimi, sfidash e rebelimesh, ku duket dora e një artisti të mirëfilltë të fjalës së bukur shqipe. Që nga vëllimi me tregime “Mos luaj me jetën”, tek përmbledhja fabuleske “Edukatore arusha”, për të vijuar me novelën sarkastike “Në kërkim të Eldorados”, “Parlamneti i Perëndive”, “Gerti dhe Berti në Amerikë”, “Fabula”, “Gjyshi dhe Marina” etj vektori narrativ, poetik, alegorik dhe dramatik i këndvështrimit të Gjinit vendoset në një shtrat të veçantë  estetik, qoftë për nga struktura formale, qoftë për nga ajo përmbajtësore. Në eksplorimin shkrimor të Gjinit ka një prirje të brendshme, shpirtërore, psikologjike dhe në thelb mentale, që buron nga njohja e jetës, nga kultura e fituar nga leximet e shumta, nga zhdërvjelltësia e mjeteve shprehëse që vë në shërbim të synimeve të tij narrative dhe poetike. Këto e bëjnë Gjinin një kërkues të pasionuar të së bukurës, një mbartës të filozofisë ekzistenciale të dashurisë njerëzore, e cila duket se është kryefjala e artit të tij estetik. Gjini e ndërton fabulën narrative në formë mozaiku, duke na dehur me çdo gur të tij, aq me shumë na deh dhe ngazëllen me të tërën, e cila vjen në veprën e tij si një mesazh për një shoqëri më të mirë, për një botë më të mirë, si një realitet alternativ, në një botë mundësishë sa të mundura, aq dhe të pamundura dhe absurde.Lexuesi, kur merr në dorë librat në prozë dhe fabula të Kozma Gjinit i bën përshtypje depërtimi i autorit  në psikolgjinë e protagonistëve, qofshin të vegjël, qofshin të rritur. Në thelb, Kozma Gjini është një shkrimtar që ashtu pa zhurmë e bujë, përcjell tek lexuesi copëza të gjalla jete, histori të mbetura në hije, gjendje personazhesh në udhëkryqe dhe dilema. 

Në librat  e tij duket një penë që nuk ngutet për të hedhur në letër të bardhë mbresat, përjetimet, kujtesat, emocionet, por kur ulet për të shkruar, nuk shkruan me fjalë të rëndomta, por e ushqen fjalën me prushin e shpirtit të tij. Autori bëhet njësh me fatin e protagonistëve të tij, të vegjël apo të rritur qofshin, vuan e dashuron, qesh e pikëllohet, sfidon e reflekton bashkë me to, duke u bërë pjesë e idilit, trishtimit, dëshirës, mallit apo katharsisit të tyre moral e shpirtëror. Duket se shkrimtari Kozma Gjini e njeh mirë temën që bën objekt të shqyrtimit narrativ, poetik apo fabulesk, njeh alegorinë, ironinë e hollë, groteskun, simbolikën, parabolat jetësore, njeh rrethanat e personazheve të tij, ngasjet, komplekset, manitë, defektet, dramat, dyzimet, vuajtjet e tyre të brendshme, të pathënat e mbetura në hije, ballafaqimet e ndrojtura me veteveten dhe akoma më të ndrojtura me të të tjerët dhe të gjitha këto i përpunon në filtrin e një pene të hollë e zhbiruese.Duke rrëfyer herë në vetën e parë dhe herë në vetën e tretë, gjithësesi me mjete krejt të tija, pa ndikime dhe sajime, histori që ai i njeh mirë dhe i transfiguron aq sa i nevojitet procedimit të tij estetik, Kozma Gjini i kalon në një sitë të hollë psikologjike, etike, morale, sociale, filozofike, psiko-analitike, me një fjali të thjeshtë (por jo të thjeshtëzuar), që i përgjigjet stilit të tij rrëfimtar, ku sundon trajtimi estetik i “lëndës së parë”, njëherazi, në vijë horizontale dhe vertikale. Nga një shqyrtim i kujdesshëm i lëndës së trajtuar estetike, nga libri në libër duket rritja e spektrit rrëfimtar dhe mjeteve shprehëse të autorit, pasurimi i teknikave të rrëfimit, pasurimi i stilit dhe gjuhës me nuanca të reja, tentativa për të shkuar me sukses drejt zhbirimeve të holla psikologjike, duke vizatuar mjedise,  karaktere dhe gjendje psiko-shpirtrëore, me një gjuhë të pasur në nuanca atë holla trajtash dhe stilemash estetike. Kozma Gjini nuk sajon histori, duke i lëshuar frerët një fantazie të harlisur, por me një stil të pëkorë, të kursyer në zbukurime dhe dekracione fasadash, depërton në thelbin e gjërave, në thellësitë e të ndodhurave të mundshme, duke iu mëshuar fort dhe me tendencë zhbirimeve në botën e brendshme të personazheve, në raportet e tyre sociale, etike, filoziofike me kohën dhe bashkëkohësin.     

Një autopsinë e tij rrëfimtare, me një stil të ngjeshur e dinamik, ku situatat e personazheve jepen me penelata të kursyera por domethënëse, shpalos autori magjinë e zbulimeve rrëfimtare, poetike efabuleske, ku pena e Gjinit, herë e shtruar e herë e vrullshme, pulson gjendje dhe peizashe të thera të jetës, përditshmërisë sonë të sëmurë dhe ankthioze,  kohës dhe psikologjisë së njeriut bashkëkohor.Kjo tendencë e brendshme, shpirtërore, psikologjike dhe në thelb mentale, që buronte nga njohja e thellë e jetës, nga thellësia e përshkrimit dhe diapazoni i gjerë i mjeteve shprehëse,  vënë në në shërbim të synimeve të tij narrative, e bëjnë prozën e Gjinit të pëlqyeshme në të lexuar, një mbartëse të filozofisë ekzistenciale të dashurisë njerëzore, e cila duket se është kryefjala e artit të tij rrëfimtar. Gjini e ndërton fabulën narrative në vijë lineare, por herë herë e thyen me digresione dhe retrospektiva, të cilat i vë në shërbim të kredos së tij narrative, të asaj që kërkon të na zgjojë në vetëdijen tonë, me anë të  lëndës rrëfimtare që na bën me dije. Ndonëse i “heshtur”, pa atë maninë e vetëreklamimit, që kanë zakonisht shkrimtarët që mbahen në këmbë me artifice mediatike, Gjini duket se e ka artin e shkrimit të historive, të denja për t’u bërë pronë e lexuesit, jo vetëm një hobi, por dhe një mënyrë të dëshmisë së tij njerëzore dhe artistike, një dëshmi për vetveten, shokët, miqtë, vetë brezin e tij, një brez ëndërrimtar, që rreket me tërë vrullin dhe energjinë e vet, për të kapur kohën e humbur. Në thelb, librat dhe gjithë pasuria e krijimeve të këtij shkrimtari, nga ana përmbajtësore dhe formale, nga gjuha, stili, figurat, trajtat ligjerimore poetike, lirizmi dhe spontaniteti, kanë autencitet, plazëm estetike, tharm njerëzor, mesazhe të kapshme dhe ide konkrete; nga ana e formës, këtij vërshimi narrativ i përgjigjet një stil dinamik, i gjallë, me kolorit të pasur gjuhësor, me figura të freskëta dhe një prirje të brenbdshme, të vetvetishme sugjestive, për ta zbuluar pjesë pjesë mozaikun e tij narrativ. Kozma Gjini duket se është një shkrimtar serioz, që ka se çfarë të thotë dhe që nuk mund të rrijë pa e thënë atë që i zien nga brenda, si një llavë shprthyese, për të dëshmuar të vërtetat e tij dhe të kohës së tij, një kohë aq e ngarkuar të cilën ai e mbart me vete, si kujtesë dhe si mesazh gjithëkohor. E thënë ndryshe, tek Kozma Gjini shohim me një prozë shkrimtar të profilizuar dhe të veçantë, që lexohet me një frymë dhe të bën të meditosh për faktet jetësore dhe artistike që përcjell, për të të zgjuar më tej ndjeshmërinë e reflektimit mbi tema e ide që trajtohen në këto libra, çfarë është pjesë e labaratorit rikrijues të lexuesit, pa të cilin një shkrimtar i vërtetë, siç është -e themi me plot gojën- Kozma Gjini, nuk mund të jetë ai që është. 

Nga  Hyqmet HASKO

Similar Posts