Mandati i opozitës, Topalli i përgjigjet deklaratës së Ramës:Mos kërcëno marrëveshjen!

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Pas akuzave të liderit të opozitës se po tenton të grabisë mandatin e deputetit të opozitës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i përgjigjet Edi Ramës, duke i cilësuar sulmet e tij qesharake dhe të pabaza. “Sulmet e Kryetarit të Partisë Socialiste për marrje të mandatit të PS-së nga Kryetarja e Parlamentit janë qesharake. As nuk ka pasur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë tendencë për të ngadalësuar apo për të privuar PS-në nga mandati që i takon!”,- deklaroi Topalli në një komunikatë zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit. Kryeparlamentarja Topalli i bën me dije liderit të opozitës se “disa javë më parë, KQZ-ja ka vendosur zotin Gjon Bardhi si personin që i takon mandati i deputetit. Gjatë kësaj kohe, PS-ja ka pasur mundësi ta ankimojë këtë vendim në Gjykatën e Apelit, gjë që PS-ja nuk e ka bërë. Në mbledhjen e djeshme, anëtaret e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve kanë diskutuar gjatë mbi vendimin e KQZ-së, duke shprehur disa mendime. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka ngulur këmbë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, antikushtetues dhe se mandati është i pavlefshëm. Gjithashtu, ishte zoti Ruçi ai që i kërkoi Kryetares së Parlamentit ta shpallë jo kushtetues vendimin e KQZ, në një kohë kur këtë autoritet nuk e ka as Këshilli, as Kryetarja, por vetëm Gjykata Kushtetuese”,- thekson Kryeparlamentarja. Zonja Topalli i bën me dije Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama se “duhet ta mësojë njëherë e përgjithmonë se në një shtet demokratik asnjë institucion nuk mund të marrë atributet e një institucioni tjetër. Gjithashtu, është i padiskutueshëm fakti se ky mandat i përket PS-së, por modalitetet duhet të jenë vetëm ligjore”. Kryetarja e Kuvendit iu referua mbledhjes më të fundit të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve e Imuniteteve, duke u bërë thirrje anëtarëve të kontribuojnë me vullnet të mirë dhe me maturi në gjetjen e modaliteteve ligjore për rastin në fjalë. “Anëtarët e Këshillit kanë bërë diskutime të përgjegjshme dhe se është e kënaqur që konsultimet për gjetjen e modaliteteve ligjore po vazhdojnë. Ky proces po karakterizohet nga transparenca maksimale dhe se procesverbali me transkriptimin e diskutimeve është publikuar në ëebsite-n e Parlamentit”, rikujtoi Kryetarja e Kuvendit.

Jozefina Topalli i bëri apel Edi Ramës të respektojë marrëveshjen e kompromisit, e arritur me vështirësi pas dy vitesh bllokimi të reformave. “Nëse zotit Rama i është mërzitur marrëveshja dhe po kërcënon me rikthimin e politikës së bllokimit, që është dhe natyra e vetme e Edi Ramës, ai duhet të mbajë parasysh se marrëveshjen nuk e ka për hir të mazhorancës”, nënvizoi Kryeparlamentarja Topalli.

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin