MASH: Rritet interesi i nxënësve për shkollat e mesme

Statistikat, Tafaj: 0.4 për qind e nxënësve braktisin arsimin 9-vjeçar 

Kryetari i bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu: Më shumë investime në shkolla

Braktisja e shkollës dhe analfabetizmi janë probleme që vazhdojnë të ekzistojnë në shoqërinë tonë. Shumica e nxënësve që mbarojnë arsimin 9-vjeçar vazhdojnë të frekuentojnë arsimin e mesëm. Ndërkohë, zinxhiri vazhdon me arsimin e lartë. Numri i studentëve, krahasuar me një dekadë më parë, është trefishuar, megjithatë braktisja e shkollës dhe analfabetizmi vazhdojnë të jenë ekzistuese në shoqërinë shqiptare. Nga statistikat më të fundit që disponon Ministria e Arsimit, braktisja nga arsimi i detyruar 9-vjeçar shkon në 0.4 për qind, ndërkohë që ata që vazhdojnë të mos frekuentojnë këtë sistem janë fëmijët e komunitetit rom e egjiptian, të cilët nuk janë të regjistruar pranë njësive vendore. Shifrat që disponon sindikata shqiptare e arsimit flasin për rreth 6 mijë nxënës që kanë braktisur ciklin parauniversitar. “Sot, mbi 91 për qind e nxënësve që mbarojnë shkollat 9-vjeçare regjistrohen në shkollat e mesme. Shqipëria ka sot numrin më të madh të studentëve, i cili është gati tri herë më i madh se sa shtatë vjet më parë. Pra, ne kemi arritur atë objektiv që i kishim vënë vetes, që çdo nxënës që përfundon arsimin 9-vjeçar të ketë mundësi të përfundojë arsimin e mesëm dhe çdo maturant të ketë mundësi të realizojë ëndrrën e tij të bukur për të vijuar arsimin e lartë”,- tha Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit. Këto deklarata, kreu i arsimit i bëri në prag të 7 marsit, ditës së mësuesit, në shkollën e mesme “Ibrahim Rrugova”, në Kamëz. Ai ka marrë pjesë në një koncert të organizuar nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët kanë hapur edhe siparin e festimeve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

7 Marsi, Mziu: Më shumë investime në shkolla

Me mbështetjen e kryetarit të bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, gjimnazi “Ibrahim Rugova” organizoi një spektakël madhështor në vigjilje të 125-vjetorit të hapjes së mësonjëtores së parë shqipe. I pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit dhe i Shkencës, z. Myqerem Tafaj. Mësues, nxënës, edukatorë dhe prindër festuan kështu një nga ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare, 125-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Kryetari i bashkisë së Kamzës, z. Xhelal Mziu, uroi mësuesit dhe u premtoi mbështetje në misionin e tyre fisnik dhe më shumë investime në fushën e arsimit. Pasi falënderoi organizatorët e këtij aktiviteti festiv, si dhe gjithë trupën mësimore, nxënësit e prindërit e tyre, kryebashkiaku Mziu premtoi më shumë investime në arsim. “Unë nuk besoj se ka ndonjë shkollë tjetër më të bukur sesa gjimnazi “Ibrahim Rugova”, këtu në Kamëz. Dua të garantoj ecurinë e mbarë të reformës së ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, me mbështetjen e vazhdueshme e të qeverisë shqiptare. Bashkëpunimi i bashkisë me arsimin në tërësi, por edhe me qeverinë shqiptare, ka bërë që arsimi në Kamëz të njohë progres të jashtëzakonshëm”, – tha, ndër të tjera, kryetari i bashkisë, z. Mziu. Ai garantoi ministrin Tafaj se rinia dhe nxënësit e Kamzës janë të një standardi shumë të lartë, kanë bërë një progres të madh, krahasuar me të kaluarën. Veçanërisht shkolla “Ibrahim Rugova”, sipas kryebashkiakut Mziu, është etaloni i një shkolle të një standardi bashkëkohor jo vetëm nga infrastruktura, por edhe nga aspekti mësimor-edukativ, sportiv dhe kulturor. Pasi i uroi mësuesit për festën e tyre, kryebashkiaku Mziu u shpreh se “7 Marsi i këtij viti ka një madhështi të jashtëzakonshme, pasi festohet në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe në këtë kuadër gjithë rinia e Kamzës dhe, veçanërisht ajo shkollore, do të mbështeten nga bashkia për të organizuar aktivitete sa më të larmishme”.

 

 

Comments are closed.