MASH: Rritet numri i mësuesve dhe nxënësve që kanë përfituar shpenzime për transportin

Shtesat në pagë, mësuesit që përfitojnë

Pagesat që marrin mësuesit, kur distanca ndërmjet shtëpisë dhe punës është 10-20 km, është mbi 20 km dhe kur nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre 

Shpenzimet e transportit për mësuesit që punojnë në distancë nga vendbanimi i tyre, si dhe nxënësve që ndjekin shkollën larg vendit ku jetojnë, do të mbulohen nga shteti. Edhe për vitin shkollor, në zbatim të Vendimit Nr. 709, datë 5.10.2011, të Këshillit të Ministrave, shpenzimet për transportin e mësuesve që punojnë jashtë qendrave urbane, larg vendbanimit të përhershëm të tyre, në distancën mbi 5 km dhe kthehen brenda ditës, si dhe shpenzimet për transportin e nxënësve që ndjekin arsimin bazë larg vendbanimit, në distancën mbi 2 km, do të përballohen nga fondet publike, të miratuara për MASH-in. Sipas këtij vendimi, në përputhje me distancat që përshkojnë mësuesit, përfitojnë edhe shtesë në pagën mujore sipas distancave si më poshtë:

– 10 deri 20 km, përfitojnë 1.000 (një mijë) lekë në muaj,

– mbi 20 km, përfitojnë 1800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj,

– kur nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, përfitojnë 5200 lekë/muaj.

 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka reaguar dje, pas pretendimeve mediatike për mbulimin e shpenzimeve të transportit të nxënësve dhe mësuesve, ku këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se MASH- garanton mbështetjen financiare për shërbimin e transportit të nxënësve dhe mësuesve. Në një deklaratë për mediat, drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu, tha se: “Prej shumë vitesh, me synim plotësimin e objektivave të qeverisë shqiptare, si dhe objektivave të strategjisë kombëtare të arsimit parauniversitar, për të siguruar personelin mësimdhënës në çdo shkollë, shpenzimet e transportit të nxënësve dhe të mësuesve, që studiojnë dhe punojnë jashtë vendbanimit të tyre, mbulohen me fonde publike të miratuara për MASH. Sipas informacionit të dërguar nga DAR/ZA – të, rezulton se rreth 8 për qind nxënës të arsimit 9-vjeçar përfitojnë shpenzime nga fondet publike, gjithashtu, rreth 50 për qind e mësuesve të arsimit 9-vjeçar përfitojnë kompensim financiar të shpenzimeve të transportit. Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore realizojnë procedurat e prokurimit për shërbimin e transportit të mësuesve dhe nxënësve vetëm në raste të mungesës së linjave qytetase apo linjave rrethqytetase të shërbimit të transportit publik, të licencuara në bazë qarku nga njësitë e qeverisjes vendore/qendrore.Poashtu, Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore, mbështetur në numrin e mësuesve dhe nxënësve që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, në bashkëpunim me këshillat e qarqeve, njësitë e qeverisjes vendore dhe Shoqatën e Transportit Publik, miratojnë hartën e linjave, sipas distancave të përmendura në këtë vendim”,- tha Vejsiu. Më tej, Drejtori i Arsimit Parauniversitar tha se numri i mësuesve dhe nxënësve përfitues është rritur nga viti në vit.