Masterat, kuotat e reja të pranimit

Vendimi/ Miratohet numri i pranimeve në ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional”, me kohë të pjesshme

Lista e plotë e pranimeve për transferim studimesh, për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe për shtetasit e huaj, si dhe për fëmijët e ish të përndjekurve politikë

Kuota e përgjithshme të pranimeve në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për studimet e ciklit të dytë “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, dhe edukimin në distancë, për vitin akademik 2011-2012, do të jenë 1400. Kjo kuotë e re pranimesh është miratuar në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave. Kështu, kuota e pranimeve të reja në programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të pjesshme, do të jetë 1260; kuotat për transferim studimesh 40, kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetas të tjerë të huaj 60 dhe kuota për ish të përndjekurit politikë do të jenë 40.

Vendimi

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ndryshimin e kuotave për studimet e nivelit të dytë “Master Profesional” dhe edukimin në distancë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ligjit nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit Nr. 10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm etj, të ligjit nr. 8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, dhe të ligjit nr. 7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, me propozimin ministrit të Arsimit dhe të Shkencës.

Kuotat

Kuota e përgjithshme e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për studimet e ciklit të dytë “Master Profesional”, me kohë të pjesshme, dhe edukimin në distancë, për vitin akademik 2011-2012, të jetë 1400, e cila ndahet, si më poshtë vijon:

a) Kuota e pranimeve të reja në programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të pjesshme – 1260

b) Kuotat për transferim studimesh – 40

c) Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetas të tjerë të huaj – 60

ç) Kuota për ish të përndjekurit politikë – 40

 

Comments are closed.