Matura Shtetërore, pyetjet për provimin e Gjuhës dhe Letërsisë

Numri i pyetjeve me alternativë dhe me zhvillim që do të përmbajë testi 

Në Maturën Shtetërore 2012, provimi i parë që do të zhvillojnë maturantët është ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Në udhëzimin e procedurës së zhvillimit të provimeve të Maturës është përcaktuar se provimi do të përmbajë 25 pyetje. Trembëdhjetë pyetjet e para janë me zgjedhje, ku do të rrethohet vetëm shkronja përbri përgjigjes së saktë. Pyetjet e tjera kanë kërkesa që janë me zgjidhje dhe arsyetim. Pranë secilës pyetje ka hapësirë për të kryer veprimet e nevojshme. Koha e vënë në dispozicion të maturantëve për zhvillimin e testit është 2 orë e 30 minuta. Përfaqësues nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit kanë detajuar skemën e pyetjeve që do të përmbajë testi, së bashku me temat përgatitore që nxënësi duhet të përvetësojnë, për të siguruar kështu të drejtën e vijimit të garës për pranimet në universitetet publike si dhe mbarimin e shkollës së mesme me sukses. Teza e provimit edhe për këtë vit do të ndahet në dy pjesë, ku përfshihet testimi i njohurive për dy fragmentet e shkëputura nga veprat e autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Gjuha shqipe dhe letërsia është provim i detyruar i Maturës Shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë gjimnazin. Për këtë, ata do t’i nënshtrohen një testi, në përbërje të të cilit do të jenë njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë gjithë viteve të gjimnazit. Ky test do të zhvillohet mbi bazën e programit orientues, i cili, tashmë është shpërndarë nëpër të gjitha shkollat e mesme, së bashku me udhëzimet mbi përgatitjet që duhen bërë për provimin. Testi do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërish të punuara në klasë. Struktura e pyetjeve do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira të tria nivelet e vështirësisë. Struktura e testit do të jetë: pjesa e parë: tekst joletrar, që do të ketë 40 për qind të pyetjeve, që kryesisht do t’i takojnë gjuhës shqipe, ndërsa dy pjesët e tjera të teksteve letrare, që do të kenë secila nga 30 për qind të pyetjeve, do të jenë rreth fragmenteve të autorëve të përzgjedhur.

Comments are closed.