Maturantët, mundësi për studime të larta në Gjermani

Maturantët e diplomuar në seksionin dy gjuhësh shqip –gjermanisht do të mund të ndjekin studimet e larta në Gjermani pa qenë e nevojshme të ndjekin vitin përgatitor të gjuhës në këtë vend.  Ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper i ka dorëzuar Ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj, njoftimin e vendimit të Konferencës së Ministrave të Arsimit të Landeve të Republikës Federale Gjermane, për njohjen e diplomave të Maturës shtetërore të seksionit dygjuhësh. Në zbatim të këtij vendimi “Dëftesa e Pjekurisë” përkatësisht “Diploma e Maturës Shtetërore” e Gjimnazit “Sami Frashëri” e shoqëruar me Dëshminë e Diplomës së Gjuhës Gjermane të Konferencës së Ministrave të Arsimit – niveli i dytë (DSD II), mundëson pranimin e drejtpërdrejtë të nxënësve shqiptarë në shkollat e larta të Gjermanisë për të gjitha degët duke nisur që nga afati i pranimit për semestrin dimëror 2013/14. Me anë të këtij vendimi, nxënësit e seksionit dygjuhësh shqiptaro-gjerman mund të studiojnë në të gjitha universitetet gjermane për të gjitha degët. Sipas Minisrit Tafaj, programet e seksionit dygjuhësh kanë rezultuar të suksesshëm në shkollat e mesme të vendit, dhe pritet një shtrirje më e gjerë e tyre. Heqja e provimit të gjuhës gjermanë për t’u pranuar në shkollat e larta të këtij vendi, është një lajm i gëzueshëm për nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe për prindërit e tyre. Më tej u diskutua për mundësinë e hapjes se një dege në gjuhën gjermane pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.