Categories
Informacion

Mbërrin helikopteri i ri i FA, “Cougar, AS 532 AL”

“Cougar”, është helikopteri dytë i një seti prej pesë të tillë, i përshtatshëm për shërbimet “MEDEVAC”, transport të sëmurësh dhe të plagosurish. Në zbatim të kontratës Nr. 6858/10 datë 17. 12. 2009, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe Kompanisë Franceze “Eurocopter” seti përmban: 1 helikopter për shërbimin VIP, 1 helikopter për shërbimin SAR, 1 helikopter për transport mjekësor “MEDEVAC”, si dhe 2 helikopterë të tjerë për transport trupash. Helikopterët “Cougar” janë nga më modernët dhe operojnë në të gjitha kushtet meteorologjike, ditën dhe natën, në misione të vështira, operacione luftarake, si dhe në mbështetje të Forcave Tokësore apo Detare.

“Cougar, AS 532 AL” është i pajisur me një sërë pajisjesh të veçanta të cilët bëjnë të mundur që ky helikopter të përdoret më së miri për transportim të plagosurish.
Fakti që është i pajisur me 2 motorë, e kombinuar kjo me fuqinë e madhe rezervë të tij, e bën atë një helikopter të përshtatshëm për misione të veçanta dhe paraqet siguri operacionale në lartësi dhe temperatura të ndryshme. Veçoria e këtij mjeti është se rezulton në një performancë optimale edhe në kushtet e fluturimit me një motor.

Ekuipazhi minimal: VFR: 1 pilot; IFR: 2 pilotë.
Evakuimi i të plagosurve: 6 barela dhe 11 ndenjëse për pacientët ose stafin mjekësor.
Helikopteri “Cougar”, “MEDEVAC” i Forcës Ajrore Shqiptare me numër anësor FA632, është helikopter i tipit shumërolësh. Në variantin e prokuruar nga Ministria e Mbrojtjes, “MEDEVAC” do të përdoret kryesisht për transport të plagosurish, 6 pacientë të sistemuar në barela, por mund të përdoret në rast nevoje edhe për transport trupash (deri në 24 trupa pa pajime), transport ngarkesash (CARGO) deri në 3000kg, (ngarkesë të brendshme), etj.