Mbrojtja e mjedisit, Mediu: Nevojë për fonde

Bashkëpunim rajonal mes 12 vendeve, diskutohet për çështjet e mjedisit

Mbrojtja e mjedisit, Mediu: Nevojë për fonde Organizohet workshop-i me pjesëmarrjen e 12 vendeve të rajonit. Specialistët e mjedisit të vendit tonë, shkëmbim eksperiencash me ekspertë ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së mjedisit

Mbahet dita e parë e workshop-it që po organizohet në vendin tonë, në bashkëpunim dhe me 12 vende të rajonit, për sa i takon fushës së mbrojtjes së mjedisit. I pranishëm në këtë takim ishte dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili ka theksuar se nismat për mbrojtjen e mjedisit nga ndotja, ndryshimet klimaterike, si dhe bashkëpunimet ndërrajonale, kërkojnë fonde të mëdha. “Ky është një aktivitet i rëndësishëm, në të cilin marrin pjesë 12 vende të ndryshme të botës. Ai ka të bëjë me një nga partnerët tanë kryesorë në asistencën që na jep në shumë drejtime; në ndryshimet klimatike, në zhvillimet e burimeve natyrore, në mbrojtjen e ujërave, pra në çështje që kanë të bëjnë me mjedisin, por kanë të bëjnë dhe me çështje të tjera social-ekonomike të vendit. Pa dyshim që është jo vetëm partner financiarë, por ka ndihmuar dhe në zhvillimin institucional në Shqipëri. Është një partner i rëndësishëm, me të cilin ne kemi zhvilluar me Bankën Botërore me UNEP-in, UNID-on, të cilat kanë një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe besoj që diskutimi i sotëm do të hapë dhe diapazone të reja”. Kështu u shpreh ministri Mediu, gjatë fjalës së tij. Sipas tij, nevojitet një bashkëpunim më i gjerë me vendet e rajonit, për të garantuar mbrojtje mjedisore dhe një ambient më cilësor për qytetarët. Ministri theksoi se mbështetja e Bankës Botërore dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare në fushën e mjedisit ka qenë e madhe. Programi 2010 – 2014 për Shqipërinë i Bankës Botërore, parashikon mbështetjen e projekteve për mbrojtjen e biodiversitetit, mbrojtjen nga erozioni dhe ndryshimi i klimës. Vlera totale e programit arrin në mbi 4 milionë dollarë.

Nevoja për financime

Ministri Mediu tha, gjithashtu, se projektet janë gati për të zgjidhur shumë probleme mjedisore në vend, por duhen financime, të cilat, në shumë raste, janë siguruar nëpërmjet bashkëpunimeve me organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit, ku një partner i rëndësishëm, krahas Bankës Botërore, është dhe “Global Environment Facilities”. “Ky workshop do të japë mundësi për hapjen e fondeve të reja, por dhe për bashkëpunime të tjera për të ardhmen. Ne jemi një vend që kemi nevojë për mbështetje financiare, por kemi nevojë për kooperime me institucione të tilla, por dhe për të zgjeruar dhe projektet në aspektin rajonal, siç kemi parë deri tani të projekteve mjedisore apo dhe të fushave të tjera brenda vendit tonë”,- u shpreh ministri Mediu, gjatë këtij takimi ku pjesëmarrës janë rreth 12 vende, kryesisht nga rajoni. Gjatë këtij aktiviteti që pritet të zgjasë dy ditë, specialistët e mjedisit të vendit tonë do të shkëmbejnë eksperiencat me ekspertët ndërkombëtarë në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Comments are closed.