Më pak kuota për mësuesinë, Kule: Tregu i punës, i tejmbushur

Për këtë vit akademik do të ketë më pak kuota në dispozicion për degët e mësuesisë. Në ndryshim nga vitet paraardhëse, drejtuesit e Universitetit të Tiranës, pranojnë se tregu i punës, tashmë është i mbingarkuar nga ky profesion, ndaj kuotat duhet të kufizohen. Dhori Kule, rektor i këtij institucioni, bën me dije se kuotat për vitin e ardhshëm do të jenë mbi 6000, ndërkohë që ekonomiku, juridiku dhe degët që lidhen me informatikën, do të kenë shtesë të numrit të studentëve, krahasuar me një vit më parë. “Ne do të ruajmë trendin e përvitshëm, të paktën ulje nuk ka ndonjë tendencë të ketë, përjashtuar degët e mësuesisë. Verifikohet një situatë e tillë në tregun e punës dhe nuk është normale që t’i ofrojmë tregut të punës një profesion, se dihet se si e ka tregun. Degët e mësuesisë e kanë të përcaktuar, nuk thua dot siç është juridiku, ekonomiku, informatika që ata mund të gjejnë punë, sepse e krijojnë vetë”,- kështu shprehet Dhori Kule, rektor i UT-së. Ndërkohë, për vitin e ri akademik ka nevojë edhe për 150 pedagogë të tjerë shtesë. Numri aktual, thotë rektori Kule, përballon vetëm gjysmën e ngarkesës mësimore. “Kemi kërkuar përreth 150 vetë shtesë staf akademik, pasi aktualisht, stafi ekzistues përballon vetëm gjysmën e ngarkesës mësimore të Universitetit të Tiranës”, – tha Kule. Rektori flet edhe për ambientet të cilat, për vitin e ardhshëm akademik do të shtohen, me disa godina të reja në veçanti për fakultetin e shkencave sociale, ndërkohë që deklaron se ka përfunduar projekti i detajuar për kampusin dhe tashmë do të aplikohet për lejen e ndërtimit.

Comments are closed.