Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit Shqiptar të Triestes

Nga Pjetër Delia

Lufta Ballkanike sa kishte përfunduar. Shqipëria ishte në udhëkryq. Në Vlorë, shpallet pavarësia dhe ishte formuar një qeveri e përkohshme, juridiksioni i saj shtrihej deri në Berat, Skrapar e Elbasan. Pasi ushtria turke ndodhej në Fier e Lushnjë, në pritje për t’u imbarkuar për Turqi. Në Shkodër, ushtria serbo-malazeze vazhdonte rrethimin. Në jug ishin forcat greke. Fillojnë intrigat. Një pasanik nga familja e burbonëve francezë, Duka de Monpansie, me nxitjen e Albert Gjikës, Mark Kakarriqit e Pjetër Goxhamanit vijnë nga Brindisi dhe paraqet kandidaturën për fronin e Shqipërisë. Në Vlorë, vjen Esat Toptani nga Durrësi, por meqenëse nuk gjeti ambiente të përshtatshme për planet e tij, pas dy ditësh u largua. Isa Boletini deshi ta hiqte qafe Esatin, me një atentat, por Ismail Qemali, gjithmonë në parim, ka qenë kundra vrasjeve politike. Bektash Cakrani, bashkë me Qemal Bej Vrionin, për shkak se nuk u pranua Cakrani qendër nënprefekture, kishin marrë para nga greku. Duke qenë dhe në marrëveshje me Esatin, kërcënon qeverinë me kryengritje. Xhonturqit dërgojnë në Shqipëri kapiten Beqir Grebenen, me qëllim që të bëjnë propagandë për një princ turk me origjinë shqiptare, duke pasur për kandidat Izet Pashën nga Serfixheja, ish-ministri i Luftës. Me ketë, xhonturqit donin që Shqipëria të bëhej përsëri vasale e Turqisë. Ismail Qemali ka qenë njeri i anglo-francezëve e duke qenë se anglo-francezët pranonin zgjedhjen e një princi turk, ishte dakord me Grebenenë. Në planin e Beqir Grebenesë, përveç mjeteve legale që përdoreshin figuronte dhe një grusht shteti. Jo vetëm ky por (siç na thotë S. Vllamasi në librin “Ballafaqime politike”) përveç Preng Pashës, Aqif Pashës e Abdi Bej Toptanit të dalluar si patriot dhe krerëve kosovarë e tërë paria e Shqipërisë ashtu dhe intelektualët Faik Konica, Mithat Frashëri, Dervish Hima, Abdyl Ypi, Nexhat Libohova u kthyen kundra Ismail Qemalit. Ky kundërshtim, përveç disa gabimeve të I. Qemalit, rrjedh nga ambiciet politike. Në këto rrethana rreziku i Shqipërisë ishte i pranishëm. Tani fillon lufta diplomatike patriotët shqiptarë vendosën të bënin një kongres në Trieste, me datën 1-4 mars të 1913-s me rend dite. Sipas L. E. K. A që materialin e ka marrë nga “Il Piçolo” Trieste 2-5 mars 1913 / Kërkesat ishin për një Shqipëri të madhe të tillë që të mund të jetojë e pavarur politikisht e ekonomikisht. 2/ Vllehët që jetojnë në rrethe të Shqipërisë dëshirojnë të jetojnë me shtetin e ri të lirë. Neve duke i pëlqyer me zemër i përshëndesim vëllazërisht së bashku me të tjeri kombësi që dëshirojnë me jetue në Shqipërinë e re. 3/ Meqenëse e kanë njohur në parim një Shqipëri të lirë neve në emër të drejtësisë kërkojmë që t’i jepet fund luftës rrethuese që i kanë bërë vendit tonë. 4/Vendime për formën e qeverisë.

Me 28 shkurt në sallën e (Hotel de la Ville)rreth orës 20:00 u mbajt mbledhja përgatitore nën kryesin e zotit Stef Curani kryetar i komitetit. Aty gjenden përfaqësues nga të gjitha viset e Shqipërisë pa dallim besimi. Gazetarët nuk u lejuan të marrin pjesë. Mbledhja është krejt private. Curani paraqiti orën tragjike që ndodhet Shqipëria. Kërkon nevojën e bashkimit për mbarëvajtjen e kongresit dhe i jep fjalën zotit Faik Konica. Konica thotë se duke u frymëzuar nga interesat e Atdheut dhe duke mbajt në mbledhje gjithë rregullat e bashkimit do ti dëftojmë botës pjekurin politike. Dervish Hima përshëndet qeverinë e përkohshme të Vlorës dhe thot se kongresi nuk do të njohë tjetër qeveri përveç asaj të shpallur nga Ismail Qemali. Jak Koçi thotë:Me që mbahet kongresi në nji qytet që flitet gjuha italiane ti dërgojmë një përshëndetje në gjuhën italiane popullit të Triestes. Tef Curani thotë: Asht mirë ti dërgojmë Franc Jozefit perandor i Austro-Hungarisë nji përshëndetje meqenëse është mbrojtësi ynë dhe jemi në territorin e tij. Orazio Irianni, i ardhur nga Amerika, tha: Ne jemi mbledhur këtu për të mbrojtur interesat e Shqipërisë e çdo punë tjetër është e dorës së dytë. Fjalët e Iriannit u pritën me duartrokitje. Kongresistët u shpërndanë për t’u mbledhë nesër paradite.

Dita e parë.

Mbledhja bëhet në sallonin Tina di Lorenzo në pallatin Drehër ku nga ora 10:30 vërehet një numër i madh kongresistësh. Në fund të sallonit është tribuna ku janë dy flamur ai shqiptarë e ai Austro-Hungarez. Kryetari Stef Curani u drejton një përshëndetje të pranishmëve dhe falënderon në gjuhën frënge përfaqësuesit e shtypit. Lexon rendin e ditës që është zgjedhja e kryetarit, dy nënkryetarëve e dy sekretare. Lexohen emrat e delegatëve:

Fazil Pashë Toptani, Filip Pema, At Fan Noli, Gjek Shestani, Mehmet Luli, Fuat Be Toptani, Stefan Ashiku, Dr. Shunda Filip Matoja, Shan Koleka, Haki Be Qafzezi, Dervish Hima, Zef Kurti, Mark Shestani, Filip Bushati, Izet Be Ohri, Zef Schiro, Pashko Muzhani, Gjergj Zubçaj, Ndoc Dema, Mazhar Be Toptani, Frano Chinigo, Nush Preka, Jak Markuci, Hysen Draçini, Ndrek Kiçi, Frano Muzaqi, Gasper Shkreli, Ferrara Gaetano, Gjon Hila, Nush Serreqi, Luvigj Jakova, Jak Koçi, Ferrara Giovanni, Sotir Kolea, Don Pjetër Tusha, Terenzio Toçi, Faik Be Konica, Vasil Diamandi, Tom Stambolla, Ahmet Gjyli, Frano G. Kastrioti, Dimitri Shadima, Engjell Todri, Stefan Kaçulini, Epaminonda Ballamaçi, Kolec Deda, Moise Chinigo, Jusuf Maliqi, Jak Vukaj, Marchese d’Auletta, Çinto Çoba, Filip Kraja, Tossun Halili, Pal Gjergji, Luvigj Kodheli, Kol Serreqi, Nikolla Ivanaj, Zef Kraja, Zef Marashi, Mark Kakarriqi, Pjetër Maurea, Lek Kiri, Jaga Aga, Jakova Cin, Pema Zef Shantoja, At Foti Ballamaçi, Gjergj Shllaku, Pjetër Giadri, Pjetër Marashi, Abdulla Struga, Ali Shefqet Beu, Pul Mashi, Dimitro Ilo, Mihal Lehova, Ndoc Simoni, Kol Vukaj, Filip Peciu, Hil Mosi, Aleksi Drenova, Spartaco Camarda, Zef Gjergjaj, Spiro Arapi, Filip Gjeka, Thanas Kandili, Dr. Kristo Batazo, Pjetër Koxhabani, Pandeli Evangjeli, Nikolla Candzu, Vasil Dogani, Nyzhet Be Vrioni, Ndoc Marashi, Filip Zadrima, Ferhat Be Draga, Orario Irianni, Anselmo Loreçhio, Pjetër Kakarriqi, Stef Curani, Loro Ashiku, Islam Dibra, Ahmet Be Prizrendi, Bajram Doklani, Hamdi Be Ohri, Nicolla Paço, Idriz Banushi, Amet Be Gjilani, Sokrat Shkreli, Nush Paruca, Albert Ghica, Hysen Rahmi, Dimitri Mola, Doher Paço, Qerim Be Begolli, Pashko Spathari, Ndrek Luka, Ibrahim Kabashi, Hysen Avni, Shaqir Mustafa, Riza Voshtini, Lonida Losi.

Pasi lexohen emrat zgjedhin si kryetar Hil Mosin, nënkryetar Faik Konicën e Dervish Himën, sekretar Fazil Toptanin e Pandeli Vangjelin. Mes duartrokitjeve zë vend paria e re. Hil Mosi falënderon kongresistët dhe i lëshon vendin Faik Konicës, ky në mes përshëndetjeve merr kryesin dhe i drejton nji falënderim Austris e Italisë për përkrahjen dhe shpreh deshirën për të ju derguar një telegram Kontit Berchtold, Markezit Di San Gjuliano e qeveritarit Triestes.

Telegram: Shqiptarët të mbledhur në kët kongres, përfaqësues të gjitha viseve të Shqipërisë njizëri kan marrë vendimin me i paraqit shkëlqesisë suaj dhe me i diftue njiheri miradien e tyre të thellë për interesimin që keni. Rumunët bashkohen me këtë nderim. Kryetari i Kongresit Faik Konica.

Mbas leximit të telegramit Kryetari propozon që të emërohet kryetar nderi Gjon Kastriota Skenderbeu Markez i Auletës. Propozimi pranohet me duartrokitje. Markezi Gjon Kastriota falënderon për nderin që i bëhet dhe mbyll fjalimin duke përshëndet flamurin Shqiptarë që u ringjall pas disa shekujsh. Faik Konica fton të pranishmit që të përshëndesin qeverinë e Vlorës. Proteston kundër atyre veprave barbare që kryhen në tokën shqiptare. Konti Taffe (i biri i ish kryeministrit të Austris)flet gjermanisht, ai tregon simpatinë për shqiptarët dhe thotë se shqiptarët dhe austriakët duan një Shqipëri të madhe e të fortë. Profesor Zef Skiro tregon vuajtjet e shqiptarëve dhe thotë: Na jepni 10 vjet liri e do shifni kush janë shqiptarët, këto fjalë u pritën me duartrokitje. At Foti Bllamaçi përshëndet solidaritetin e vllehëve të shtypur të Maqedonis e dëfton se vëllezërit e tij të nji gjaku e nji feje duan të jetojnë nën flamurin shqiptarë. Baroni Françesk Nopça flet shqip, kujton kohët e kaluara kur Skënderbeu kishte relata të mira me Hungarezët dhe shton se çështja shqiptare së shpejti do të zgjidhet. Brohoritja rroftë Hungaria. Princi Albert Gjika thotë: Vllezër shqiptarë tash 14 vjet që sillem nëpër europë për të treguar se Shqipëria ekziston dhe dëshirat e shqiptarëve janë për t’u liruar nga zgjedha shekullore Turke e me dalë më veti dhe kjo do ndodhë se kemi përkrahjen e Austrisë dhe Italisë. Por mos harroni dhe Francën se mund të na ndihmojë, pavarësisht se është mike e Rusisë. Ju pasardhësit e Skënderbeut a doni një Shqipëri që përfshin katër vilajete Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë?Le të rrokim armët! Unë jam gati tu shërbej atdheut gjyshërve të mi si një ushtar i thjeshtë, s’na duhen Konferenca e Londrës as marrëveshjet politike por flamur e pushkë e fishekë, këto fjalë ngjallën entuziazëm. Lexohen një mori telegramesh e letrash të ardhura nga të gjitha viset. Brohori të madhe ngjalli një telegram i ardhur nga Princi i Mirditës Preng Bib Doda. Kryetari propozon si mbas rendit të ditës duhet të zgjidhet nji komitet pleqësie, propozimi pranohet e dalin zotërit Stef Curani Mark Kakarriqi, Orazio Irionni, At Fan Noli, Filip Kraja, Dom Pjetër Tusha, Zef Skirò, At Foti Bllamaçi. Ora shënon 19:00 e mbledhja caktohet për nesër ora 10:00 paradite. Në moment vjen një telegram nga Raguza se Kristo Meksi e ka kaluar bllokimin e Vlorës e brenda ditës do të vijë në Trieste.

Dita e dytë: Lexohet përgjegjësja e telegramit të Markezit Di San Gjuliano(ministrit italian). Ju falënderoj nga zemra dhe ju lutem falënderoni dhe bashkatdhetarët tuaj për nderin që më diftuat. Pranoni urimet e mia të sinqerta. Fan Noli me nji bisedë të gjatë shpreh kënaqësinë që shqiptarët e të gjitha krahinave janë të vëllazëruar dhe Shqipëria pas sa e sa vjetësh martirizimi po ringjallet. Ne kërkojmë që kur të vihet paqja në Ballkan, kanë për t’ju caktuar Shqipërisë të gjitha vëndet ku flitet shqip. Mbas dite lexohen shumë telegrame e korrespondenca të ardhura nga shqiptarët e Italisë. Shpërndahen kartolina me ftyrën e kontit Bertold (ministër i Austris)e markezit Di San Gjuliano. Zef Skiro proteston në emër të shqiptarëve të Italisë që Mal i Zi nuk len të hyjë në Shkodër Kryqin e Kuq italian. Avokat Lahora(drejtor i gazetës shqipe) “Atdheu”, në Rumani, solli përshëndetjet nga Dobruzxa. Pandeli Evangjeli paraqet urimet e vëllezërve të Rumanis. Publicisti Vasil Diamandi(rumun nga Janina numëron të drejtat etnike e politike të vllehëve. Kol Ivanaj flet për kufijtë e Shqipërisë dhe thotë: Kohët e fundit kam qenë në Beograd dhe mora vesh se Venizellosi është përpjek me Serbin që Shqipëria mos të kufizohet me Bullgarin. Hile Mosi kujton kongresit se flitet për Shkodër e Janinë por për Kosovë e Manastir jo. Idriz Manushi nga Kosova thotë se flitet për nji Shqipëri të madhe fjala nuk është aq e përshtatshme. Do te flitet për nji Shqipëri që na paraqet historia gjuha dhe zakonet. Faik Konica shprehet që kongresi të drejtohet me një memorandum fuqive të mëdha duke diftue se në Gjakovë ku po flitet aq shumë në qarqet diplomatike nuk janë veç 12 shtëpi serbe. Dervish Hima thotë se kush ka në dorë Gjakovën ka në dorë nji nga çelësat e Shqipërisë.

Dita e tretë.

Mbledhja hapet me leximin e telegramit të Kontit Bertold:

Faik Konicës kryetarit të komitetit Shqiptarë Trieste.

Shumë i prekur nga ndiesinat e paraqitura në telegramin tuaj në emër të Shqiptarëve të mbledhur në kongres ju lutem pranoni falënderimet e mia të sinqerta dhe urimet e mia për përparimin e popullit Shqiptar. Berchtold.

At Fan Noli pasi jep shumë arsyeja politike e ekonomike kërkon që Shqipëria të përfshijë katër vilajete. Mark Kakarriqi thotë: Shqipëria duhet të ketë kufijtë natyrore përndryshe nuk mund të jetojë dhe shpreh mendimin që Italia dhe Austria të ndërhyjë për të hequr bllokadën. Dhimitër Mole që banon në Filipe sjell përshëndetjet e shqiptarëve që banojnë në Bullgari. Orazio Irianni flet në emër të italo-shqiptarëve që banojnë në Neë York. Bajram Daklani është veshur me kostum kombëtarë, jep një pasqyrë të gjendjes kombëtare. Drvish Hima jep një statistikë te shqipëtarëve që gjenden në vënde të okupuara. Stef Curani kërkon që të jenë brënda kufijëve të Shqipërise qytetet me popullsi të përzierë. Kërkon që në memorial të përmenden qytetet ku banorët shqiptarë kapërcejnë gjysmën e popullsisë. Në mbledhjen e pasdites e merr fjalën inxhinieri Haessler nga Viena, i cili bën një përshkrim gjeografik të Shqipërisë dhe fton kongresistët të çojnë zërin për kufijtë e vërtetë të vendit të tyre. Pal Gjergji tregon për territoret që duan t’ia shkëpusin Shqipërisë. Gati të gjithë kongresistat janë të mendimit që Shqipëria të kufizohet me Bullgarinë. Faik Konica thotë: Nga të gjitha aleatët Bullgaria është më e favorshme për këtë votohet dhe shumica e delegatëve janë dakord që Shqipëria të kufizohet me Bullgarinë. Luigj Jakova pyet nëse tre delegatët që kanë shkuar në Londër janë dërguar nga qeveria e Vlorës dhe se çfarë kanë bërë atje. Faik Konica thotë:Vërtet janë dërguar nga qeveria e Vlorës dhe se çfarë kanë bërë atje nuk e dimë. Dom Pjetër Tusha thotë se është fakt se në Shqipëri ndryshimet fetare heshtin përballë rrezikut që i kanoset vendit. Për pak minuta pezullohet mbledhja, hyn në sallë Kristo Meksi (një ndër 8 senatorët e qeveris së Vlorës)i cili kishte kaluar bllokadën dhe i solli kongresit përshëndetjet e qeveris së Vlorës, brohoritje të vazhdueshme. Jak Koçi flet me mirënjohje për ata që i kanë dalë zot Shqipërisë. Abdulla Struga tregon gatishmërinë për t’i dalë zot vendit me armë në dorë kundrejt ndarjes së kufijve në mënyrë të padrejtë. Faik Konica thotë: Çështja e kufijve ka marrë fund. Doktor Shunda nga Bukureshti flet për simpatinë që rumunët kanë për shqiptarët dhe thotë se vllahët kërkojnë nga fuqitë e mëdha që të bashkohen nën flamurin shqiptar. Premton se qeveria Rumune ka për të hap shkolla në Shqipëri. Pas këtij fjalimi mbyllet dita e tretë. Dita e fundit- flet Kristo Meksi mbi të drejtat e shqiptarëve, Frano Kingo mbi martirizimin e shqiptarëve, Luigj Jakova thotë: Austria është i vetmi shtet mik i Shqipërisë. Terenc Toçi i njohur si pjesëtar i kryengritjeve të fundit që jetoi për sa kohë në male me kryengritësit pritet me brohori, flet italisht për tu kuptuar prej të huajve. Orazio Irianni: A ka ndonjë italo- shqiptar që ësht në kët kongres dhe ka marrë çmim nderi nga Mreti Nikoll? Frano “Kinigo. Jam unë!” Irianni. Çfarë do bësh? Kingo. Me e kthye në Çetinë. (Brohoritje të nxehta) At Foti Bllamaçi flet mbi vllehët dhe e sjell bisedën që don të ngrej shtet brenda shtetit. Zef Skirò në mbyllje të kongresit falënderon Triesten për pritjen njerëzore. Përshëndet flamurin e Vlorës e i dërgon nderime Perandorit të Austris e Mbretit të Italisë. Kryetari lajmëron mbylljen e kongresit, lexon memorialin që do t’u dërgoj shteteve të mëdha: Shqiptarët të mbledhur në kongresin e Triestes përfaqësues të gjitha besimeve e të gjitha krahinave të vendit si dhe arumunt të bashkuar me interesa e vuajtje të përbashkëta, kan nderin të ju parashtrojnë njerëzisht kancelarëve të shteteve të mëdha vendimin që vazhdon: Shqiptart njohin me miradije të thellë vendimin e marrun nga fuqit e mëdha që të krijohet nji Shqipëri e pavarur, por u lutemi shkëlqesive tuaja që të bëhen hapat e duhura për tu dhanë fund sa më shpejt tmerreve të filluara. Aq shumë e nevojshme që në bregun e Shqipërisë të hiqet sa më shpejtë bllokada. Jemi të shtyrë ta bëjmë këtë lutje jo vetëm për dashurinë e Atdheut por dhe në emër të parimit sepse në qoftë se vazhdon kjo gjendje Princi që do të ngarkohet për të ringjall Shqipërinë mos të gjejë në këtë shtet veç një grumbull rrënojash. Dëshirë tjetër që shprehim është se Shqipëria e formuar me krahina të cunguara pa kurrfarë vlefte ekonomike e zhveshur nga qytetet e mëdha që mund të bëhen qendra të mëdha qytetërimi kombëtarë do të ishte një Shqipëri e pamundur për t’u zhvilluar normalisht.

Similar Posts