Meditimi Transhendental, mënyra më e mirë për të larguar stresin

0
1,531 lexime

Speciale/ Prezantohen në Universitetin e New York-ut në Tiranë teknikat për zhvillimin e vetes. Ja si mund të arrihet drejt vetëdijes supreme, drejt burimit të eksperiencave tona, ku secili mund të ndihet mjaft mirë

Mars 26, 2013 / Është mbajtur sot, në Universitetin e New York-ut, leksioni i hapur mbi teknikat e zhvillimit të vetes, ose siç njihen ndryshe, Teknikat e Meditimit Transhendental. Studiues dhe njohës të mirë të këtyre teknikave kanë prezantuar vlerat e këtij meditimi, si një mënyrë efektive dhe e sigurt për t’u çliruar nga stresi individual, por edhe nga stresi shoqëror. Meditimi Transhendental gjeti rrugën e tij edhe në auditoret e universiteteve tona. Me nismën e Genci Muçollarit, pjesëtar i grupit drejtues të Qendrës në Tiranë, mjeshtri Vladimir Radujkovic, i cili vjen nga Mali i Zi me një eksperiencë prej 20-vitesh në këtë fushë, bëri një prezantim të hollësishëm të efekteve të Meditimit Transhendental, sidomos te studentët.

Kreativiteti, energjia, përkushtimi dhe aftësia për të dhënë maksimumin çdo studenti, janë më të lehta për tu realizuar nëse mediton rregullisht, dy herë në ditë, nga 20 minuta: – në mëngjes dhe në mbrëmje. Studiuesi Vladimir Radujkovic, në këtë takim, u shpreh se: “Ne prezantuam tek studentet një teknikë, që përdoret për zhvillimin e vetvetes. Është një teknikë shumë e thjeshtë, që mund të mësohet nga kushdo. Me përvojat dhe eksperiencat e ndryshme, mbi 6 milionë njerëz në mbarë botën ushtrojnë praktikën e Meditimit Transhendental. Në të janë të ftuar të marrin pjesë persona me begraund të ndryshëm ekonomik, duke përfshirë personat e pasur dhe të varfër, janë të ftuar të marrin pjesë personat pa dallim feje, race dhe etnie. Është shumë e thjeshtë për t’u mësuar, si dhe është e nevojshme të besohet në të. Mjafton të jesh human. Pra, kushdo mund të meditojë”,- shprehet Z. Radujkovic. I pyetur se çfarë është Meditimi Transhendetnal, Z. Radujkovic thotë se “është një teknikë e thjeshtë që bëhet pa shumë përpjekje. Është procesi i të menduarit nga niveli sipërfaqësor, që shkon dhe kapërcen nivele të ndryshme, deri tek burimi i mendimeve për të arritur pastaj në atë që quhet Vetëdija Transhendentale, e cila është një vetëdije pa kufi, pa limite e gjendjes sonë.

Transent do të thotë të shkosh përtej, pra të shkosh përtej aktivitetit tonë të të menduarit. Të arrish të përjetosh gjendjen e vetëdijes së pastër, kur ti arrin në nivelin e dijes Transhendentale. Nga eksperienca tregohet se mendja jonë është në gjendje të na japë eksperienca dhe përvoja nga më të pafundmet, është në gjendje të na çojë në një burim që kapërcen këtë realitet, mund të na çojë drejt vetëdijes supreme, ku është burimi i eksperiencave tona dhe ku ti ndihesh shumë mirë”. Sa i takon takimit të mbajtur sot, mjeshtri Radujkovic u shpreh se: “Ne folëm sot, për edukimin duke u bazuar përmbi vetëdijen, ku vetëdija është primarja. Pra, nga Meditimi Transhendental mund të përfitojë çdo individ deri tek shoqëria mbarë. Nëse ke njerëz të lumtur, do të kesh shoqëri të lumtur, në qoftë se ke njerëz të suksesshëm, do të kesh një shoqëri të suksesshme. Meditimi Transhendental është prezantuar në Shqipëri muajin e kaluar dhe është një proces i ri që futet në vendin tuaj. Ndërkohë që pothuajse 60 vjet më parë, Maharishi, mjeshtri i madh, e prezantoi këtë teknikë përpara botës. Në 50 vitet e fundit, kjo teknikë është mësuar ose është përhapur pothuajse në të gjithë vendet e botës”. Në përfundim të këtij takimi, njohësit e këtyre teknikave u shprehën se: “Secili prej studentëve dhe pedagogëve të këtij universiteti dhe institucioneve të tjera të arsimit të lartë janë të mirëpritur që të vijnë në qendrën tonë, për të realizuar kursin 4-ditor, i cili është falas”. Kursi i Mendimit Transhendental mbështetet nga Fondacioni HI CLASSIC, me presidente sopranon e famshme, Znj. Inva Mula, dhe me mbështetjen e biznesmenit, Z. Hetem Ramadani.

Vlerat e meditimit

Meditimi Transhendental siguron jo vetëm një mënyrë efektive dhe të sigurt për t’u çliruar nga stresi individual, por edhe nga stresi shoqëror. Një personalitet i famshëm i fizikës kuantike thotë: “Askush nuk mund ta kishte imagjinuar kurrë – madje as unë – nivelin e jashtëzakonshëm të uljes së dhunës sociale përmes meditimit. Por nuk mjafton vetëm të meditosh në mënyrë individuale. Nëse relativisht një numër i vogël i popullatës është duke medituar së bashku, atëherë gjeneron efekte të thella të uljes së stresit shoqëror”,- shkruan Dr. John Hagelin, në një artikull të titulluar “Fuqia e kolektivit”, të botuar në “Shift” Magazine.

Meditimi Transhendental dhe teknikat e tij të avancuara janë duke u adoptuar në mënyrë të vrullshme në shkollat private dhe publike në të gjithë botën. Aktualisht, në 300 institucione, edukimi në 53 vende me mbi 250.000 studentë përfitojnë dy herë në ditë nga praktikimi i meditimit në klasë. Ata dallohen nga studentët e tjerë dhe në krahasim me ta tregojnë rezultate më të larta në shkencë, matematikë, zgjidhjen e problemeve, arte dhe sport dhe 95 për qind e tyre janë pranuar në universitete të akredituara përfshirë Harvardin, MIT, Standford, Johns Hopkins, Universiteti i Kalifornisë në Berkley etj. Në Britaninë e Madhe shteti është duke financuar “Maharishi Free School” dhe në Amerikën Latine disa Ministri të Edukimit kanë kërkuar që 2 milion studentë të instruktohen nga teknikat e MT-së dhe të praktikojnë meditimin si pjesë të kurrikulës shkollore. Presidentë, lider të spikatur të biznesit, shkencëtarë të njohur dhe artistë dhe shumë njerëz të famshëm, janë duke e praktikuar Meditimin Transhendental, madje e rekomandojnë duke e promovuar në shfaqje televizive si Oprah Winfrey, The Beatles, Clint EastWood, drejtorë filmash si David Lynch dhe Martin Scorsese, President Chissano, këngëtarja Katy Perry, menaxheri i fondeve Ray Dalio, etj.

Çfarë është Meditimi Transhendental

– Meditimi Transhendental, i mësuar nga Maharishi Mahesh Yogi, është një teknikë e thjeshtë, natyrale, një procedurë pa përpjekje që praktikohet 20 minuta dy herë në ditë ndërsa ulesh në një vend komfort me sy të mbyllur.

– Gjatë Meditimit Transhendental, mendja, pa u sforcuar, transhendenton aktivitetin mental dhe përjeton vetëdije të pastër në të gjitha burimet e mendimit, ndërsa eksperienca e trupit është një gjendje unike çlodhjeje.

– Stresi, i cili pengon aktivitetin e të menduarit dhe aktivitetin dinamik çlirohet në mënyrë të natyrshme përmes meditimit – duke rezultuar në një shëndet më të mirë, më shumë lumturi dhe suksese. Meditimi Transhendental shpalos një jetë me potenciale të plota.

– Për të siguruar një efektivitet maksimal, teknika e Meditimit Transhendental është mësuar përmes instruksioneve të personalizuara nga mësues të certifikuar nga të njëjtat mënyra sistematike siç kanë bërë edhe mëkuesit e para njëqind vjetëve.

– Më shumë se gjashtë milion njerëz në gjithë botën kanë mësuar teknikat e MT-së – njerëz të të gjitha moshave, kulturave, racave dhe feve.

– Teknika e Meditimit Transhendental është e bazuar në Traditat e Vedave antike të iluminizmit në Indi. Kjo njohuri është përcjellë nga mjeshtrit e Vedave nga njëri brez te tjetri për mijëra vjet. Më shumë se 50 vjet më parë, Maharishi na ka njohur me Meditimin Transhendental në botë, duke rikthyer njohuritë dhe përvojën e gjendjes së lartë të vetëdijes në një periudhë kritike për njerëzimin.

– Meditimi Transhendental nuk është religjion, as filozofi dhe as nuk kërkon ndonjë ndryshim në stilin e jetës. Është shumë e lehtë të mësohet dhe praktikohet nga të gjithë njerëzit.

Leave a Reply

avatar
  Subscribe  
Notify of