INTERVISTA/ Mediu: Asnjë kompromis kundër votuesve tanë

Reforma zgjedhore, flet kreu republikan, Fatmir Mediu: Korrigjim i Kodit për shpërndarjen e mandateve. I domosdoshëm komunikimi brenda koalicionit 

“Duhet të garantohet e drejta e votës së qytetarëve dhe përfaqësimi i drejtë i tyre, në Kuvendin e Shqipërisë”. Kështu u shpreh dje, kreu republikan, Fatmir Mediu, lidhur me ndryshimet në sistemin zgjedhor. Në një intervistë për gazetën “Republika”, Mediu shprehet për një domosdoshmëri komunikimi brenda koalicionit të djathtë për çështjet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Duke vijuar më tej, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, thekson se e djathta i ka të gjitha shanset për t’i fituar zgjedhjet, por do t’i fitonte zgjedhjet, nëse do të ndërtonte një raport racional brenda vetes së saj, me të gjithë partnerët që ka në koalicion apo dhe me forca të tjera që synojnë të bëhen pjesë e këtij aktiviteti të djathtë.

– Zoti Mediu, cilat janë kërkesat e partive të vogla lidhur me reformën zgjedhore dhe cili është qëndrimi i Partisë Demokratike për këtë reformë?

Reforma zgjedhore është kthyer në një raport nëpërmjet dy partive politike, të cilat nuk kanë të bëjnë me synimin për të pasur një proces zgjedhor i cili të garantojë, në radhë të parë, të drejtën e votës së qytetarëve dhe përfaqësimin e drejtë të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Janë çështje që kanë të bëjnë thjesht me problematikën, debate të tyre të brendshme për të kontrolluar procesin dhe nuk kanë të bëjnë vërtet me çështje thelbësore të reformës zgjedhore, siç kërkohet, në bazë të standardeve që janë përcaktuar nga rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, si dhe problematikat që kanë pasur zgjedhjet gjatë të gjitha këtyre kohëve.

– Është kërkuar një korrektim i sistemit aktual zgjedhor, ndërkohë që në opozitë kjo po diskutohet. Në mazhorancë çfarë po ndodh?

E para, nuk flitet për korrektim të sistemit zgjedhor. Flitet për përfaqësim të drejtë të votës së qytetarëve shqiptarë, në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, votat e qytetarëve shqiptarë të çojnë përfaqësues në Kuvend atë që kanë përcaktuar me vullnetin e tyre të votës. Nuk kemi kërkuar ndryshim të sistemit zgjedhor, po kemi kërkuar rregullim të sistemit zgjedhor. Qoftë korrektimi kombëtar, qoftë elemente të tjera që janë propozuar, i shërbejnë përfaqësimit të drejtë në Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë që qoftë Partia Demokratike, qoftë Partia Socialiste, qoftë partitë e tjera, të mos marrin atë votë të qytetarit që nuk ka votuar për ta.

– Keni komunikuar me Partinë Demokratike për këto probleme që lidhen me kodin zgjedhor?

Unë mendoj që ka probleme edhe me këtë aspekt, të një komunikimi më racional të njerëzve që merren me kodin zgjedhor edhe nga mazhoranca. Nuk ka tashmë një marrëdhënie të institucionalizuar, pavarësisht se partitë e tjera të koalicionit kanë shprehur qëndrimet e tyre, si edhe me partnerë të tjerë të së majtës. Flas për partneritet, për shkak se kemi të bëjmë me reformë që nuk i shërben thjesht dhe vetëm një partie, por qytetarëve. Besoj që është e domosdoshme të arrijmë në një kuptim të drejtë për këtë çështje. E them këtë, sepse e djathta i ka të gjitha shanset për t’i fituar zgjedhjet, por do t’i fitonte zgjedhjet nëse do të ndërtonte një raport racional, brenda vetes së saj, me të gjithë partnerët që ka në koalicion apo dhe me forca të tjera që synojnë të bëhen pjesë e këtij aktiviteti të djathtë.

– Nëse nuk ndërtohet ky raport racional, cili do të jetë qëndrimi i Partisë Republikane?

Natyrisht, ne nuk kemi hyrë në jetën politike shqiptare për t’i shërbyer asaj që nuk i vlen Partisë Republikane. Ne do mbajmë qëndrim në përputhje me interesat e Partisë Republikane dhe atyre votuesve që kanë votuar dhe do të votojnë për Partinë Republikane.

– Do të thotë largim nga koalicioni me PD-në?

Kjo do të thotë që do t’i shikojmë interesat e saj elektorale dhe politike, në çdo lloj momenti. Besoj se ky ka qenë dhe qëndrimi që ka mbajtur në mënyrë të vazhdueshme. Dy pozicione kanë qenë të Partisë Republikane: t’i shërbejë dhe të kontribuojë përmes së djathtës me vlerën që ajo ka dhe t’u shërbejë votuesve të vet me qëndrimet e veta politike. Mendoj që do të ishte pa kuptim të gjykohej që Partia Republikane të asimilohej ose mos të ekzistojë, për shkak të dëshirës së njërit subjekt, qoftë kjo Partia Demokratike apo ndonjë subjekt tjetër. 

Comments are closed.