Mediu në Stamboll: Shqipëria hapa para, në fushën e menaxhimit të ujërave

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka deklaruar nga Stambolli se Shqipëria ka bërë hapa para në fushën e menaxhimit të ujërave, kryesisht në përafrimin e legjislacionit vendas me atë evropian. Këtë deklaratë ministri e ka bërë në konferencën ndërkombëtare të ministrave Përgjegjës për Ujin, me temë “Duke punuar së bashku për një të ardhme të sigurt të ujit”, mbajtur në Stamboll (Turqi). Në këtë konferencë ministri Mediu i ka njohur të pranishmit me hapat që ka bërë Shqipëria në shfrytëzimin e burimeve ujore, duke e konkretizuar këtë me përfundimin së shpejti të draftit mbi menaxhimin e integruar të ujërave. Ministri Mediu ka deklaruar se zgjidhja e problemeve që lidhen me ndryshimet klimaterike, ndërtimin e sistemeve meteorologjike, shfrytëzimin e qendrave të ekselencës si dhe krijimi i një fondi të veçantë për të ngritur një infrastrukturë moderne, kërkojnë një bashkëpunim rajonal. “Ishte një konferencë e rëndësishme që ka të bëjë lidhur me diskutimet për sa i përket burimeve ujore, skarciteteve të tyre, një vizioni të përbashkët që konkludohet me një deklaratë të përbashkët të të gjithë ministrave, për të parë dhe mundësitë dhe angazhimet konkrete për projekte apo edhe ide të implementimit të politikave që kanë të bëjnë me menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Mendoj që vjen në të njëjtën linjë me interesin që ne kemi në Shqipëri për një menaxhim të integruar të burimeve ujore, shfrytëzimin e tyre maksimal, po si gjithmonë racionalitet”, u shpreh ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Gjatë vizitës në Stamboll, Mediu pati edhe një takim me homologun turk, me të cilin ndau interesin e përbashkët të dy vendeve në bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Comments are closed.