Menaxhimi i mbetjeve urbane, tryezë bashkëpunimi mes sektorit publik-privat

Zyra e Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe ajo e Bashkëpunimit Zviceran në Tiranë organizuan një tryezë të rrumbullakët mbi Partneritetin Publik-Privat në Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta të Shqipërisë. Isabel Perich, Drejtore e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri theksoi se: “Diskutimi për zgjidhjet që mund ofrojë partneriteti publik-privat është një mundësi shumë e mirë për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta në Shqipëri. Ne jemi të kënaqur për partneritetin me iFC-në në këtë nismë, si edhe për prezantimin e një përvoje konkrete të administrimit të mbetjeve të ngurta në bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës, mbështetur nga Zvicra. Gjithashtu, ne jemi të kënaqur që të ndajmë me ju një shembull Zvicerano-Gjerman të partneritetit publik-privat për bashkë-përpunimin e mbeturinave në prodhimin e çimentos, shembull ky që ne shpresojmë se mund të zbatohet edhe në realitetin shqiptar”. Menaxhimi i qëndrueshëm dhe i integruar i mbetjeve të ngurta nënkupton, procesin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta që është ekonomikisht fitimprurës, mbart përgjegjësi mjedisore dhe sociale, përfshirë riciklimin, ripërdorimin, bashkë-përpunimin, djegien, trajtimin paraprak, si dhe izolimin/groposjen e mbetjeve të ngurta. Menaxhimi i qëndrueshëm dhe i integruar i mbetjeve të ngurta eliminon djegien apo hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave. Taulant Bino, zëvendës ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave tha se pika fillestare e gjetjes së fondeve për të mbuluar koston e menaxhimit të mbetjeve është pagesa nga ana e ndotësve, që do të thotë që prodhuesit e mbetjeve duhet të paguajnë koston totale të menaxhimit të mbetjeve të tyre. “Megjithatë, duke pasur parasysh koston shumë të lartë të një procesi të tillë, nuk mund të pritet që banorët të financojnë menjëherë shpenzimet për kapitalet e nevojshme. Në këtë kontekst, iniciativat për Partneritet Publik Privat janë të domosdoshme. Kuadri i ri ligjor për Partneritetin Publik Privat dhe ai për koncesionet krijojnë mundësi të reja për Partneritet Publik Privat në sektorin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta. Autoritetet e pushtetit vendor të mbështetura nga autoritetet e pushtetit qendror duhet të angazhohen për këto mundësi të reja për të përmbushur standardet evropiane në menaxhimin e mbeturinave dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës të qytetarëve tanë”. Tryeza e rrumbullakët siguroi një kornizë inovatore për përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe qendror, deputetë, përfaqësuesit e sektorit privat, OJF-ve, IFC, ekspertë zviceranë në fushat përkatëse, institucionet ndërkombëtare financiare dhe organizatat e donatorëve për të diskutuar çështjet në lidhje me pjesëmarrjen e sektorit privat në projekte të menaxhimit të qëndrueshëm dhe të integruar të mbetjeve të ngurta në bashkitë e Shqipërisë, si dhe shembujt ndërkombëtare më të mirë në këtë fushë. Elira Sakiqi, përfaqësuese e IFC-së në Shqipëri tha: “IFC po mbështet autoritetet shqiptare për të prezantuar aktivizimin e sektorit privat në zhvillimin e infrastrukturës në bashki dhe, në përgjithësi, infrastrukturës kombëtare në vend. Ne shpresojmë se kjo tryezë e rrumbullakët frymëzoi autoritetet shqiptare për të hulumtuar më tej mundësitë për pjesëmarrjen e sektorit privat në menaxhimin e mbetjeve të ngurta”.

Comments are closed.