Shëndet

Mënyra natyrale për të luftuar gripin

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

gripiMjekësia tradicionale

Gripi dhe rrufa janë shumë të zakonshme gjatë stinës së dimrit. Në shumë raste mund të jenë të lehta dhe kalojnë për pak ditë, por ka raste që mund të kenë edhe komplikacione me pasoja. Mos e neglizhoni, sepse dhimbja, temperatura, ethet apo bllokimi i hundëve ndikojnë në gjendjen tuaj dhe në aktivitetin e përditshëm. Farmacitë ju ofrojnë alternativa nga më të ndryshmet për t’i luftuar, por nëse nuk jeni një fans i medikamenteve, provoni këto mjekime alternative, pa efekte anësore që të gjithë i keni në shtëpitë tuaja.

Supë me pulë

Sipas studimeve të publikuara në revistën mjekësore “Chest”, shijimi i një supe me mish pule dhe me perime, ngadalëson lëvizjen e neutrofileve, qelizave të bardha të gjakut që mbrojnë organizmin nga infeksionet e ndryshme. Duke ngadalësuar lëvizjen e tyre, ato përqendrohen në ato zona të organizmit që kanë më shumë nevojë për shërim. Supa e pulës është më efektive në reduktimin e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes dhe gjithashtu nëse ka përmbajtje të ulët të natriumit (Na sodium), ka më shumë vlera ushqyese dhe ju mban të hidratuar.

Xhenxhefili

Xhenxhefili është përdorur për shekuj si një mjekim alternativ kundër sëmundjeve të ndryshme, rezultatet e të cilit sot janë të vërtetuara shkencërisht. Grini pak xhenxhefil dhe hidheni të ziejë në ujë. Pasi ta keni pirë do të ndieni një lehtësim të kollës dhe të dhimbjes së fytit. Por gjithashtu ju largon edhe të përzierat, të cilat shpesh shoqërojnë gripin. Xhenxhefili është i njohur për vetinë e tij që largon të vjellat e çfarëdo lloj natyre.

Mjalti

Një çaj i ngrohtë me limon dhe pak mjaltë, ju lehtëson dhimbjen e fytit, por ndikon edhe në lehtësimin e kollës. Studime të fundit kanë vërtetuar që fëmijët që konsumonin 10 gramë mjaltë para se të flinin, kishin një lehtësim të kollës. Por përveç qetësimit të kollës, kjo ndikonte edhe në gjumë më të qetë, që gjithashtu ndikonte në lehtësimin e simptomave të gripit. Mjalti ka veti antibakteriale dhe antimikrobiale. Por bëni kujdes mos u jepni fëmijëve më të vegjël se 1 vjeç, sepse ai përmban spore botulinumi, baktere të cilat sistemi imunitar i fëmijëve nuk mund t’i përballojë.

Hudhra

Duke i shtuar hudhër menysë tuaj ditore, ju reduktoni simptomat e gripit dhe jeni më pak të rrezikuar nga sëmundjet apo infeksionet e tjera. Hudhra ka një përbërës të quajtur alicine, e cila bllokon enzimat që ndikojnë në zhvillimin e infeksioneve virale apo bakteriale. Veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, është e këshillueshme të konsumoni hudhra mjaftueshëm.

Vitamina C

Ushqimet e pasura me vitaminë C si: agrumet (limoni, portokalli), kivi, luleshtrydhet, specat e kuq, jeshillëqet dhe patatet e ëmbla janë miq të imunitetit tuaj veçanërisht gjatë periudhës së dimrit. Shtojini çajit pak lëng limoni dhe mjaltë, pasi edhe pse nuk mund t’ju shërojë plotësisht, vitamina C do ju rrisë imunitetin e trupit.

Ujë me kripë

Bëni gargare me ujë me kripë për të reduktuar infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes dhe simptomat e gripit. Gjithashtu do t’ju lehtësojë dhimbjen e fytit dhe bllokimin e hundëve. Përgatitja është shumë e thjeshtë. Në një gotë plot me ujë, tretni një lugë çaji me kripë dhe shpëlani gojën dhe fytin. Përdorni ujë të zier më parë e të ftohur, për të shmangur përhapjen e baktereve.

Lagështia

Gripi përhapet më shpejt e më lehtë në ambiente të thata, prandaj mbani një nivel të caktuar lagështie në ambientin ku rrini. Mund të zgjidhni një humidifier të posaçëm që ta mbani në dhomë dhe do të ndiheni më rehat. Rritja e lagështisë redukton inflamacionet nazale duke lehtësuar frymëmarrjen. Nëse i shtoni disa pika vaj eukalipti akoma më mirë, sepse stimulon frymëmarrjen. Kujdes: uji që përdoret në humidifier, duhet ndërruar çdo ditë për të shmangur bakteret e mundshme.

Bëni një dush të ngrohtë

Banjat e ngrohta janë efektive jo vetëm te fëmijët, por edhe te të rriturit. Ato ndikojnë në uljen e temperaturës dhe simptomave të tjera të gripit. Nëse ujit të vaskës i shtoni disa kripëra minerale apo pak sodë dhe disa pika vaj esencial, kjo ju ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të trupit. Vajrat esenciale më të këshillueshëm janë ato me: rozmarinë, eukalipt, portokall dhe livando. Këto janë disa metoda alternative kundër gripit dhe rrufës, por përveç tyre ekzistojnë edhe shumë të tjera, disa të çuditshme që përdoren nëpër kultura të ndryshme.

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here