Merkel vlerëson masat kundër krizës të marra nga qeveria greke

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka vlerësuar masat kundër krizës të ndërmarra nga qeveria greke javët e fundit. Merkel ka deklaruar se Greqia ka vepruar mirë me reduktimin e pagave minimale. Në një intervistë për të një të përditshme çeke, Lidove Noviny, gjatë vizitës së saj në Pragë, kancelarja gjermane thekson se Parlamenti grek ka aprovuar  masa të forta shtrënguese, sic është edhe ulja e pagave minimale dhe kjo do t’i mundësojë vendit të konkurrojë me vendet fqinje, si për shembull në turizëm. “Janë këto masa që i vlerësoj dhe kam besim se do t’i japin frytet në kohë. Kancalarja ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e saj mbi të ardhmen e Greqisë, duke thënë se ky vend duhet dhe do të qëndrojë në Eurozonë, pasi sipas saj një dalje e Greqisë nga monedha euro do të sillte pasoja të rënda, mes të cilave  një efekt të mundshëm domino që do të çonte në zgjerimin e krizës së borxheve në të tjera vende të bllokut”, u shpreh ajo. Përsa i përket vizitës së saj në Pragë, Merkel ka sqaruar se qëllimi nuk ka të bëjë me qëndrimin kundërshtues të Republikës çeke në refuzimin e një prej pakteve europiane mbi disiplinën e fuqizuar mbi llogaritë publike, apo i ashtuquajturi “Fiscal Compact”, pakt nga i cili Praga u distancua sëbashku edhe me Britaninë e Madhe.