Mësuesit, procedura për Provimin e Shtetit

Specialistët e MASH-it: Testi, kusht kryesor për punësim

Duke filluar nga ky vit, të diplomuarit për mësuesi do t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit. Kështu, të gjithë ata që kanë mbaruar në maj të 2010-ës e në vazhdim, do të kryejnë testin, i cili është kriteri kryesor për të zënë një vend pune në institucionet e arsimit. Në një prononcim për mediat, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, thotë se mësuesit do të kalojnë në një filtër të gjatë përzgjedhjeje, derisa të gjejnë një vend pune. Nga praktika, provimet e kualifikimit e deri tek Provimet e Shtetit, kjo për të rritur cilësinë e arsimtarëve që qarkullojnë në shkollat e vendit. “Mësuesia do të jetë profesioni i radhës që do i nënshtrohet Provimit të Shtetit. Po bëhen përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Sigurisht, do të jetë për herë të parë. Nuk duhet ta ngatërrojmë me provimin e kualifikimit që japin mësuesit rregullisht në pesë vite ose 10 e 20-vjeçarë. Provimi do të jetë i mëvonshëm, por brenda këtij viti ndoshta gjatë gusht-shtator-tetor”,- thotë Alfons Harizaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Por ndërkohë provimet e shtetit, do të fillojnë sërish në muajin maj. Për të gjithë ata që mbetën në sesionin e parë gjatë muajit janar – shkurt, si dhe për ata kandidatë të rinj që janë të interesuar t’i nënshtrohen atij. “Sesioni i radhës do të jenë dy javët e para të majit. Ne do të publikojmë për kandidatët datën e provimit të sesionit të dytë, ndërsa profesionet që do të marrin pjesë do të jetë përsëri ai grup profesionesh që morën pjesë në fazën e parë. Do të thotë që do të marrin pjesë kandidatët që nuk kanë kaluar sesionin e parë, por dhe të regjistruar të rinj, rishtazi për provimin e sesionit të majit”,- vijon Harizaj. Provimi i Shtetit, sipas ligjit të profesioneve të rregulluara përfshin rreth 12 degë. Ai është një nga kriteret bazë për të marrë liçensën, me qëllim vazhdimin e mëtejshëm të profesionit.